Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 9
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Evropë dhe e drejta e vetëvendosjes

    Shkruan: Jochen Abr. FROWEIN, Heidelberg

    Mbrojtja e të drejtave të njeriut në Evropë dhe e drejta e vetëvendosjes(1)

    Më lejoni të theksoj se unë këtu po flas në emrin tim personal. Unë isha drejtor i Institutit Max-Planck për të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg. Nuk kam mandat nga asnjë organizatë apo autoritet. I shpreh mendimet e mia si avokat ndërkombëtar lidhur me problemet që duhet të zgjidhen nga palët e interesuara.

    1. Mbrojtja e individit si bazë e Sistemit Evropian

    Derisa e drejta ndërkombëtare për një kohë të gjatë merrej vetëm me marrëdhëniet ndërshtetërore kjo ka ndërruar në mënyrë dramatike pas Luftës së Dytë Botërore në veçanti në Evropë. Me hyrjen në fuqi të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejta ndërkombëtare mbron të drejtat individuale përballë shtetit (2). Ideja është që çdo personi duhet t’i mbrohet dinjiteti kundër të gjitha intervenimeve të shtetit.

    Vetëm në Evropë këto të drejta mund të zbatohen plotësisht nëpërmes mjeteve juridike para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dy instanca kanë ekzistuar një kohë të gjatë: Gjykata Evropiane dhe Komisioni Evropian i të Drejtave të Njeriut. Që nga viti 1998 funksionon një gjykatë e vetme para të cilës të gjithë evropianët, por edhe të huajt që jetojnë në Evropë, mund t’i zbatojnë të drejtat e tyre. Ky është revolucion në të drejtën ndërkombëtare publike.
    T’i përmend disa fusha ku e drejta precedente e Gjykatës ka pasur ndikim të rendësishëm në sistemet ligjore kombëtare (3). E para është mbrojtja e lirisë së individit dhe e të drejtave të të akuzuarve në gjykatën penale. Këtu, e drejta precedente e organeve evropiane për të drejta të njeriut ka krijuar parime të cilat nuk janë njohur në të gjitha shtetet nënshkruese të Konventës. E drejta për qasje të plotë në gjykatë në vendin ku u është mohuar liria, gjë të cilën ligji britanez gjithmonë e ka quajtur habeas corpus guarantee, zbatohet plotësisht nga Gjykata. Është ironi e historisë se shkelja e parë e rëndësishme e kësaj të drejte është gjetur në një rast lidhur me Mbretërinë e Bashkuar (4). Neni 6 i mbron të drejtat e të akuzuarve (5). Prezumimi i pafajësisë në nenin 6, par. 2 dhe të drejtat e të akuzuarit në një gjyq kriminal në nenin 6, par. 3, janë sqaruar në shumë raste të rëndësishme. Po ashtu, e drejta për të pasur avokat dhe e drejta për të pasur përkthyes falas, siç parashihet në Konventë, janë zbatuar në praktikë me disa vendime të Gjykatës. Një fushë tjetër e rëndësishme është e drejta e jetës private, e garantuar me nenin 8 të Konventës. E drejta e hapësirës personale dhe garancia të mos jesh i mbikëqyrur nga policia në mënyrë konstante, përveç kur ka arsye specifike për këtë, janë siguruar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (6).

    Një fushë tjetër, ku e drejta precedente ka qenë shumë e rëndësishme, është çështja e lirisë së të shprehurit dhe e lirisë së shtypit. Dihet mirë se është e mundur të shtypet kriticizmi i hapur politik duke ngritur aktakuza kundër gazetarëve dhe njerëzve të tjerë që i kritikojnë politikanët. Aty ku gjykatat janë të gatshme të pranojnë raste të tilla ekziston rrezik i madh se debati i hapur politik do të kufizohet për shkak të efekteve dekurajuese që mund të kenë vendimet e këtilla. Komisioni Evropian dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut, me serinë e gjatë të vendimeve të tyre, kanë bërë të qartë se politikanët duhet të pranojnë kriticizmin e forte nga kundërshtarët e tyre dhe nga gazetarët sepse kjo është pjesë e dialogut politik demokratik (7).
    Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare të Unionit Evropian. Unioni, i cili është duke e marrë strukturën konstitucionale, tashmë ka miratuar një Kartë të të drejtave themelore, e cila ende nuk e ka forcën ligjore detyruese. Ajo do ta ketë forcën detyruese posa të ratifikohet traktati i ri kushtetues. Kjo Kartë do të aplikohet vetëm vis-à-vis autoritetit të Unionit Evropian. Sidoqoftë, është me rëndësi të madhe që Karta do të interpretohet në të njëjtën mënyrë si edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo tashmë është garantuar me mënyrën si është formuluar Karta.
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    2. Garantimi i të drejtave të minoriteteve në Evropë

    Edhe pse Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk përmban një dispozitë specifike për të drejtat e minoriteteve, është e sigurt se garantimi i të drejtave të minoriteteve përbën një pjesë të strukturës kushtetuese evropiane. Konventa Kornizë për të Drejtat e Minoriteteve e Këshillit të Evropës është ratifikuar nga një numër i madh i shteteve të Këshillit të Evropës (8). Por Komisioni Evropian dhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut kanë konstatuar se e drejta e mbrojtjes së jetës private përfshin mbrojtjen e mënyrës specifike të jetës së minoriteteve (9). Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm që tregon se çështja e minoriteteve mbulohet plotësisht nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
    Kur shtetet e ish-Jugosllavisë u bënë të pavarura Unioni Evropian miratoi parimet udhëzuese specifike për njohjen e shteteve të reja në Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik. Ato shprehën mendimin e përbashkët të Unionit Evropian se të gjitha shtetet e reja duhet t’i miratojnë garancitë për të drejtat e grupeve etnike dhe kombëtare dhe të minoriteteve në pajtim me detyrimet e paraqitura në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE, CSCE) (10). Në të vërtetë, me një procedurë specifike të implementuar nga i ashtuqajituri Komisioni i Badinterit shtetet që kanë dalë nga Jugosllavia janë vënë nën kontroll specifik për implementimin e të drejtave të minoriteteve (11).
    Është logjike që Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë, e shpallur nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, në kreun 3 për të Drejtat e Njeriut thotë: “Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes respektojnë dhe sigurojnë standardet e pranuara në arenën ndërkombëtare të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, duke përfshirë ato të drejta dhe liri të parashtruara në Kornizën Konventë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare.”
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    3. E drejta për vetëvendosje

    Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk flet për të drejtën për vetëvendosje. Dy Paktet e Kombeve të Bashkuara për të Drejta Civile dhe Politike dhe Sociale, Ekonomike dhe Kulturore kanë dispozita specifike lidhur me vetëvendosjen. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike është njëri nga traktatet e aplikueshme drejtpërdrejt nga autoritetet në Kosovë në bazë të kreut 3 të Kornizës Kushtetuese.
    Neni 1 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike thotë:
    “Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe sigurojnë në liri zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.”

    Parimet udhëzuese për njohjen e shteteve të reja në Evropë, të miratuara më 1991, po ashtu shprehimisht vërtetojnë parimin e vetëvendosjes (10). Edhe pse Rezoluta 1244 (1999) nuk e përmend vetëvendosjen shprehimisht, thirrja në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike tregon se parimi është i aplikueshëm edhe në Kosovë. Kjo është së pari deklaratë e përgjithshme, që rrjedh nga fakti se parimi i vetëvendosjes është një parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare të aplikueshme për të gjitha shtetet dhe territoret (13). Sidoqoftë, është shumë më vështirë të kuptohet se çka do të thotë e drejta e vetëvendosjes në një kontekst specifik. Do të përpiqemi ta diskutojmë këtë çështje më detajisht.
    My silence doesn't mean I am gone!

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    4. Konteksti i pakontestueshëm i së drejtës së vetëvendosjes

    Janë disa gjëra që rrjedhin nga e drejta e vetëvendosjes nuk mund të kontestohen në të drejtën ndërkombëtare. Ky është, së pari, autoriteti i plotë i çdo shteti dhe i njerëzve të tij që të vendosin për sistemin e brendshëm kushtetues brenda kufijve të së drejtës ndërkombëtare. Shteti është i detyruar nga rregullat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe minoritetet, por është i lirë të miratojë çfarëdo sistemi kushtetues që preferon. Kjo rregull shpesh quhet e drejta e vetëvendosjes së brendshme, e cila aplikohet për çdo shtet të njohur si shtet me të drejtën ndërkombëtare. Kjo e drejtë e vetëvendosjes së brendshme shprehet mirë në të njohurën Deklaratë për Marrëdhënie Miqësore të vitit 1970 e cila thotë (14):
    “Në bazë të parimit të të drejtave të barabarta dhe vetëvendosjes së popujve të paraparë me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të gjithë popujt kanë të drejtë të vendosin lirshëm, pa ndërhyrje nga jashtë, statusin e tyre politik dhe të synojnë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor, dhe çdo shtet ka për detyrë të respektojë këtë të drejtë në pajtim me dispozitat e Kartës”.

    Kjo rregull e vetëvendosjes së brendshme aplikohet për shtete. Ajo nuk aplikohet për territoret që nuk janë shtete. Çështja është nëse në rrethana të caktuara njerëzit që jetojnë në territore, që i përkasin një shteti a mund ta kërkojnë të drejtën për vetëvendosje.
    My silence doesn't mean I am gone!

  5. #5
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    5. Çështjet e vështira në lidhje me të drejtën e vetëvendosjes

    Qëmoti dihet se një nga çështjet e vështira është se në çfarë rrethanash një popull mund të kërkojë të drejtën e vetëvendosje prej shtetit në të cilin jeton. Deklarata e vitit 1970, të cilës i referohemi, përmban një dispozitë e cila është e rëndësishme në këtë kontekst:
    “Asgjë në paragrafët e mëposhtëm nuk do të kupohet si diçka që autorizon apo inkurajon çfarëdo veprimi i cili do të cenonte tërësisht apo pjesërisht integritetin territorial apo unitetin politik të shteteve sovrane dhe të pavarura të cilat sillen në përputhje me parimin e të drejtave të barabarta dhe të vetëvendosjes së popujve siç është përshkruar më lart dhe si të tilla kanë qeveri e cila i përfaqëson të gjithë ata që jetojnë në atë territor pa dallim race, besimi apo ngjyre.”

    Kjo dispozitë tregon shumë qartë se vetëm kur një popull minoritar është plotësisht i respektuar për sa i përket karakterit të tij individual dhe përfaqësohet plotësisht në sistemin kushtetues të shtetit e drejta e vetëvendosjes bëhet irelevante. Në këso rrethanash populli në fakt ka ushtruar të drejtën e vet të vetëvendosjes përbrenda strukturës së rendit specifik kushtetues. Gjykata Supreme e Kanadasë, në vendimin e vet lidhur me ndarjen e mundshme të krahinës së Kuebekut, përmblodhi rregullat ekzistuese në mënyrë të shkëlqyeshme (15):
    “Si përfundim, e drejta e vetëvendosjes e së drejtës ndërkombëtare vetëm krijon në rastin më të mire një të drejtë të vetëvendosjes eksterne në rastin e ish-kolonive; ku një popull është i shtypur si për shembull nën okupimin e huaj ushtarak; ose ku një grupi të përkufizueshëm i mohohet qasja në qeveri që të synojnë zhvillimin e tyre politik, ekonomik, social dhe kulturor. Në tri situatat, njerëzit në fjalë kanë të drejtë në një të drejtë të vetëvendosjes eksterne sepse atyre u është mohuar mundësia të ushtrojnë në mënyrë interne të drejtën e tyre të vetëvendosjes.”

    Gjykata erdhi në përfundim se rrethanat e tilla të jashtëzakonshme nuk ekzistojnë në Kuebek. Prandaj, Kuebeku, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk ka të drejtë shkëputjeje unilaterale nga Kanadaja. Nëse flitet për Kosovën duhet pasur parasysh zhvillimin historik. Mund të argumentohet se gjatë periudhës 1989-1999 kanë ekzistuar kërkesat e parashtruara nga Gjykata Supreme e Kanadasë për një të drejtë të vetëvendosjes eksterne të krahinës serbe të Kosovës (16). Në atë kohë, autonomia, e cila pat ekzistuar deri në vitin 1989, u revokua në mënyrë unilaterale dhe populli i Kosovës ishte shtypur në mënyrë mizore nga regjimi i atëhershëm i Milosheviqit. Kjo periudhë ka përfunduar. Kosova tani ka administrim ndërkombëtar të legjitimuar me vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Do ta diskutojmë relacionin e tyre me të drejtën e vetëvendosjes në kreun e ardhshëm. Sidoqoftë, duhet theksuar se doktrina mbi vetëvendosjen është unanime për atë se duhet të jetë një situatë e veçantë ku e drejta e vetëvendosjes mund të ushtrohet nëpërmes së drejtës për shkëputje. Edhe atëherë kur e drejta për shkëputje njihet kjo nuk do të thotë se shtetet e huaja mund të ndihmojnë në realizimin e shkëputjes.
    My silence doesn't mean I am gone!

  6. #6
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    6. Fuqitë e Këshillit të Sigurimit nën Kreun VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara

    Pas intervenimit unilateral të NATO-s në Kosovë për të ndaluar spastrimin etnik nga ana e regjimit të Milosheviqit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244 (1999) më 10 qershor 1999. Kjo Rezolutë, e miratuar nën kreun VII, është detyruese për të gjitha shtetet anëtare dhe territoret brenda shteteve anëtare. Ajo është bazë për prezencën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Rezoluta konfirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të shteteve tjera të rajonit. Ajo konfirmon në mënyrë indirekte se Kosova është pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë. Në të njëjtën kohë, Rezoluta rikonfirmon qëndrimet në rezolutat e mëhershme për autonomi substanciale dhe vetadministrim për Kosovën. Ajo vendos që prezenca civile ndërkombëtare do të përfshijë organizimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve të përkohshme për vetëqeverisje demokratike dhe autonome në pritje të një zgjidhjeje politike. Ajo, po ashtu, thotë se, në fazën përfundimtare, prezenca civile do të mbikëqyrë transferimin e kompetencave prej institucioneve të përkohshme të Kosovës tek ato të themeluara pas zgjidhjes politike.
    Është evidente që Rezoluta 1244 nuk i referohet të drejtës së vetëvendosjes. Kjo është bërë me qëllim. Përpiluesit nuk ishin të gatshëm ta përfshijnë formalisht të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Kosovës në Rezolutë. Sidoqoftë, për një jurist ndërkombëtar çështja nuk përfundon. Çështja është se në çfarë rrethanash Këshilli i Sigurimit duhet të respektojë të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Kosovës kur merret me zhvillimet e mëtejme në Kosovë, e paraparë me formulën “zgjidhje politike”. Një përgjigje në këtë pyetje presupozon dy sqarime të mëtejme. E para, Këshilli i Sigurimit është i detyruar me rregullën e vetëvendosjes, dhe e dyta, populli i Kosovës ka të drejtë për vetëvendosje. Sa i përket kufizimit të fuqive të Këshillit të Sigurimit duhet pranuar se kjo nuk është çështje e lehtë. Ekzistojnë mendime të ndryshme për diskrecionin e gjerë që Këshilli i Sigurimit e ka nën Kreun VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara për t’u ballafaquar me kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë (17). Sa i përket të drejtës së vetëvendosjes nuk mund të mos vërehet se neni 1 par.2 i Kartës së Kombeve të Bashkuara e garanton qartë këtë të drejtë. Zhvillimi i marrëdhënieve miqësore mes kombeve, bazuar mbi respektimin e parimit të të drejtave të barabarta dhe të vetëvendosjes së popujve, shihet si parim themelor i të drejtës së Kombeve të Bashkuara. Kjo duhet parë si tregues që Këshilli i Sigurimit nuk mund të mos e përfillë parimin e vetëvendosjes së popujve ku ajo është qartazi e aplikueshme. Tani do ta diskutojmë në çfarë mase parimi është i aplikueshëm për Kosovën dhe çfarë mund të jetë përmbajtja e tij në rrethana specifike të administrimit ndërkombëtar të Kosovës.
    My silence doesn't mean I am gone!

  7. #7
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    7. Kosova dhe vetëvendosja

    Në Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme Kreu I proklamon se “Kosova është një entitet nën administratën e përkohshme ndërkombëtare që, me popullin e vet, ka atribute unike historike, juridike, kulturore dhe gjuhësore.” Sistemi i Kombeve të Bashkuara, me këtë klauzolë specifike, njeh qartë se Kosova është entitet specifik me popull specifik. Vërtet, do të dukej shumë vështirë të mohohej ky fakt. Kosova ka qenë territor i njohur një kohë të gjatë. Ka popullatën shumicë me identitet të qartë. Ky identitet ndryshon nga ai i popullatës shumicë në Serbi. Populli i Kosovës ka qenë i shtypur mizorisht dhjetë vjet prej vitit 1989 deri më 1999 dhe është nën administratën specifike të Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999. Unë mendoj se populli i Kosovës ka të drejtë për vetëvendosje (18).
    Sidoqoftë, duhet bërë dallim mes njohjes së të drejtës së vetëvendosjes të cilën populli i Kosovës e ka, dhe mënyrës si mund të ushtrohet e drejta e vetëvendosjes. Pasi Kosova është nën administratën e Kombeve të Bashkuara, të legjitimuar me Kreun VII të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, populli i Kosovës ka të drejta të kufizuara sipas Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme. Kjo tregon se situata ligjore ndërkombëtare është e komplikuar. Në njërën anë, populli i Kosovës, sipas meje, ka të drejtë për vetëvendosje. Në anën tjetër, Rezoluta detyruese e Këshillit të Sigurimit e pamundëson ushtrimin e kësaj të drejte në bazë të çfarëdo vendimi unilateral të popullit të Kosovës. Sipas analizës sime, dy gjëra rrjedhin nga njohja e së drejtës së vetëvendosjes së popullit të Kosovës të cilën shkurtimisht e paraqita.
    Së pari, çfarëdo zgjidhje politike, e paraparë me Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese, duhet të respektojë të drejtën e vetëvendosjes. Kjo do të thotë se nuk mund të vendoset kurrfarë zgjidhje politike përfundimtare pa pjesëmarrjen e popullit të Kosovës. Qoftë me referendum qoftë me zgjedhje populli i Kosovës duhet të japë pëlqimin e vet për cilëndo zgjidhje politike. Zgjidhja kundër vullnetit të qartë të popullit të Kosovës të shprehur në referendum ose zgjedhje nuk mund të konsiderohet se është në pajtim me të drejtën e vetëvendosjes.
    Së dyti, duhet të konsiderohet si pasojë e së drejtës ekzistuese për vetëvendosje që organet e Kombeve të Bashkuara duhet të vendosin një zgjidhje politike e cila respekton të drejtën e vetëvendosjes. Periudha e administrimit ndërkombëtar pa ndonjë shpresë për zgjidhje të përshtatshme nuk do të ishte në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes. Në të vërtetë, është bukur e qartë se Rezoluta 1244 parasheh që prezenca civile ndërkombëtare duhet të mundësojë një proces politik të dizajnuar për të caktuar statusin e ardhshëm të Kosovës. Në fazën përfundimtare flitet për transferimin e kompetencave nga institucionet e përkohshme të Kosovës tek ato të dala nga zgjidhja politike (19). Edhe pse nuk ekziston një afat i përcaktuar kohor, është e qartë se duhet të ekzistojë një afat kohor brenda të cilit një zgjidhje e tillë mund të arrihet.
    Në këtë kontekst duhet shtuar se prezenca ndërkombëtare është plotësisht e justifikueshme për të siguruar respektimin e të drejtave të pakicave (në rast të zhvillimeve në drejtim të pavarësisë apo të statusit autonom të Kosovës dhe duhet siguruar që kushtet në Kosovë të jenë në pajtim me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit). Këto kushte janë të detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare evropiane për zhvillimin e shteteve të reja ashtu siç ka treguar edhe shpërbërja e RFJ-së.
    My silence doesn't mean I am gone!

  8. #8
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    8. Vetëvendosja dhe kufinjtë

    Vetëvendosja nuk mund të nxjerrë jashtë përdorimit rregullën sipas së cilës kufinjtë e njohur duhen respektuar. Kjo rregull ka pasur një ndikim të rëndësishëm në rastet e dekolonizimit. Ajo që shpesh është quajtur uti possidetis është një parim i arsyeshëm për të minimizuar efektet destabilizuese të dekolonizimit në entitetet ekzistuese. Ashtu siç ka konstatuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ky parim don të mbrojë pavarësinë dhe stabilitetin e shteteve të reja të cilat janë të rrezikuara nga konflikte vëllavrasëse të provokuara nga cenimi i kufinjve pas tërheqjes së pushtetit administrues (20). Komiteti i Arbitrazhit, i udhëhequr nga Badinteri, për çështjet e Jugosllavisë ka zbatuar parimin uti possiedetis në këtë kontekst. Komiteti ka theksuar (21): “Komiteti konsideron që, pa marrë parasysh rrethanat, e drejta e vetëvendosjes nuk duhet të përfshijë ndryshimin e kufijve ekzistues në çastin e pavarësimit (uti possidetis iuris) pos në rastet kur shtetet në fjalë pajtohen ndryshe”.
    Edhe pse mund të flitet për zbatueshmërinë automatike të një rregulle të krijuar në rrethana shumë specifike argumenti bazë për këtë konstatim të Komitetit është plotësisht i kuptueshëm. Çfarëdo ndryshimi i kufijve ekzistues, përveç kur shtetet në fjalë pajtohen, mund të krijojë efekte shumë të rrezikshme.
    Kufijtë e Kosovës nuk janë të një natyre të njëjtë si kufijtë e ish-shteteve të RFJ-së. Sidoqoftë, si duket, nuk ka dallim sa i përket arsyetimit për qasjen e Komitetit. Prandaj, duket e drejtë që Kosova të trajtohet si një entitet kufijtë e të cilit nuk duhet ndryshuar pos me marrëveshjen e të gjitha palëve të involvuara. Aty ku ka pajtueshmëri për ndryshim të kufijve kjo është e mundshme.
    Në këtë kontekst duhet shtuar se ishte Gjermania ajo e cila insistoi në rregullën sipas së cilës kufijtë mund të ndërrohen me marrëveshje mes shteteve në fjalë, gjatë periudhës së Politikës Lindore dhe Konferencës së Helsinkit. Sfondi për këtë qëndrim ishte çështja gjermane. Kur më 1989/1999 Gjermania mund të riunifikohej me marrëveshjen e të dy shteteve gjermane, asnjë rregull ndërkombëtare nuk mund të ishte bazë për ta parandaluar këtë. E njëjta do të vlente nëse një Kosovë e pavarur do të pajtohej me ndryshimin e kufijve.
    My silence doesn't mean I am gone!

  9. #9
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    9. Përfundim

    Gjatë krizës në Kosovë 1998/99 e shkrova një artikull për javoren gjermane “Die Zeit”, në të cilin sugjeroja që RFJ-ja ta njohë formalisht Kosovën si shtetin e tretë në Federatë me të gjitha të drejtat e një shteti. Në atë kohë mund të shpresohej se një zgjidhje e tillë do t’u jepte fund vështirësive ekzistuese. Nuk jam i sigurt se një zgjidhje e tillë ende është e mundur. Kjo me siguri do të ishte një mënyrë e drejtë për ta tejkaluar gjendjen e tanishme. Sidoqoftë, në bazë të asaj që thashë më parë, nuk besoj se zgjidhja mund të imponohet në Kosovë. Vetëm në rast se shumica e popullsisë në Kosovë do të ishte e gatshme ta pranojë një zgjidhje të tillë ajo do të mund të zbatohej.


    Ligjëratë e mbajtur në ASHAK. Autori është profesor në Universitetin e Hajderbergut në Gjermani


    Fusnotat:

    (1) Ligjëratë e prof. dr. Jochen Abr. Frowein në ASHAK me 22.7.2003
    (2) Konventa hyri në fuqi më 1953. Shih Frowein-Peukert, EMRK-Kommentar, 2. Aufl.1996.
    (3) Shih Frowein-Peukert, shënimi 1.
    (4) X kundër MB, Vëll. 46, 1981.
    (5) Neni 6 thotë: “1. Gjithkush ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar ligjërisht, e cila të vendosë qoftë për pretendimet që mund të shfaqen ndaj të drejtave dhe detyrimeve të tij me karakter civil, qoftë për të përcaktuar nëse është e bazuar çdo akuzë e natyrës penale e drejtuar kundër tij. Gjyqi duhet të bëhet publikisht, të jetë i hapur, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit ose publikut gjatë gjithë procesit ose gjatë një pjese të tij në interes të moralitetit, të rendit publik, ose të sigurimit kombëtar në një shoqëri demokratike, kur interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces e kërkojnë këtë, ose për aq sa e quan absolutisht të domosdoshme gjykata kur, në rrethana të veçanta, publiciteti do të mund të dëmtonte interesat e drejtësisë. 2. Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit supozohet i pafajshëm derisa fajësia e tij nuk është shpallur ligjërisht. 3. Çdo i akuzuar ka të drejtë ndër të tjera dhe kryesisht: a) të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe shkakun e akuzës që i bëhet; b) t’i jepet koha dhe mundësitë e domosdoshme për përgatitjen e mbrojtjes së tij; c) të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij dhe, kur nuk ka mjetet për të shpërblyer një mbrojtës, të asistohet falas nga një avokat i caktuar nga gjykata kur e kërkojnë interesat e drejtësisë; d) të marrë në pyetje ose të kërkojë të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të kërkojë thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve që e shfajësojnë, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës. e) të ndihmohet falas nga një përkthyes, në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.”
    (6) Shih Klass kundër Gjermanisë, Vëllimi 28, 1978.
    (7) Shih Frowein-Peukert, neni 10. Një nga rastet e para ishte Lingens kundër Austrisë, Vëllimi
    103, 1986.
    (8) Është në fuqi për 35 shtete.
    (9) DR 35, 30; KEDNj 18.01.2001, Chapman.
    (10) International Legal Materials 1992, 1486-87.
    Shih J. A. Frowein, The Contribution of the European Union to Public International Law, në:
    v. Bogdandy/Petros C. Mavroidis/Yves Meny (eds.), The European Integration and International
    Co-ordination, 2002, 171 ff.
    (12) Shih shënimin 9.
    (13) Shih Karl Doehring, Self-Determination, në: B. Simma (ed.) Charter of the United Nations,
    2të, ed. 2002, 47-63.
    (14) Rez. AP 2625 (XXV).
    (15) Gjykata Supreme e Kanadasë, Reference Re Secession of Quebec (1998), JLM 1998, 1340, 1373.
    (16) Shih J. Kokott, The Development of the Human Rights Situation in Kosovo 1989-1999, në: C.
    Tomuschat (ed.), Kosovo and the International Community, 2002, 1-35.
    (17) Shih Frowein/Krisch, në: Simma (ed.) si shënimi 12, Kreu VII Hyrje, f. 710 seq.
    (18) Krahasoni në detaje A. Zimmermann/C. Stahn, Yugoslav Territory, United Nations Trusteeship or
    Sovereign State? Reflections on the Current and Future Legal Status of Kosovo, Nordic Journal
    of International Law 70: 423-460, 2001, 423, në veçanti 454-460; gjithashtu G. Siedel, A
    new Dimension of the Right of Self-Determination in Kosovo?, shënimi 15, 203-215.
    (19) Par. 11 f. thotë për përgjegjësitë e UNMIK-ut: “Në fazën përfundimtare, mbikëqyrja e
    transferimit të kompetencave prej institucioneve të përkohshme të Kosovës tek ato të dala nga
    zgjidhja politike”.
    (20) Raportet e GjND 1986, 554, 565, Frontier Dispute, Burkina Faso/Republic of Mali.
    (21) Opinion no. 2, European Jorunal of International Law 3 (1992), 183, 184.
    My silence doesn't mean I am gone!

Tema të Ngjashme

  1. Kushtetuta e Kaçanikut, themelet e shtetit shqiptar në Kosovë
    Nga SkyThinks në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 27-05-2016, 15:32
  2. Kthimi Kah Zoti
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-03-2006, 18:41
  3. Besimi dhe besimtari
    Nga Fjala e drejte në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-12-2004, 16:41
  4. Të drejtat e njeriut në Lindje dhe në Perëndim
    Nga Shpresmiri në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 09-02-2004, 19:06
  5. Deklarata e përgjithshme mbi të drejtat e Njeriut
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-06-2003, 04:21

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •