“Ai ose ajo kanë autoritet. Nuk i duhet të bërtasë ose të inatoset, të mbërthen me shikimin e tij. Nuk mund t’i kundërshtosh”.
Kështu thoshim dikur për prindërit tanë, për mësuesit, për profesorët tanë. Por, këtë autoritet, a e njeh brezi i sotëm, që nga fëmijët e kopshtit tek adoleshentët dhe të rinjtë? Do të më lejoni që të dyshoj. Vëzhgoni nënën e re si i lutet fëmijës që të vishet, fëmijës së moshës 10-11 vjeç që të hajë dhe adoleshentit që të kthehet në shtëpi para mesnatës.
Por çfarë nënkuptojmë me fjalën “autoritet”. Cilat janë karakteristikat kryesore të tij. Është dashuria e edukatorit për atë që do edukojë, por njëkohësisht edhe guximi që t’i thotë të vërtetën. Një pedagog bashkëkohor francez, Janik Bone, shkruan: “Autoriteti vendoset me dashuri, por dashuria është e pandarë nga e vërteta. E vërteta pa dashuri është e ashpër, ashtu si dashuria pa të vërtetën shkatërron. Mos ndoshta pakësimi ose mungesa totale e autoritetit në ditët e sotme e ka bazën te ndarja e këtyre dy vlerave?” Të themi të vërtetën, të vendosim disa dënime, të këmbëngulim në ndryshimin e disa programeve, të gjitha këto, është e natyrshme, mund të krijojnë një pakënaqësi ose dhembje te fëmija, por dashuria e vërtetë është mbi ndjenjat. Kujdesi është për të mirën e fëmijës, qoftë edhe nëse kjo shkakton ndonjë mërzitje te fëmija dhe prindi duhet të jetë indiferent nëse fëmija, adoleshenti ose i riu reagon me inat, nerva ose “var turinjtë” .
“Por unë dua të jem mikeshë me fëmijën tim”, - thotë nëna dhe shpesh edhe babai. Por prindërit duhet të dinë se fëmija nuk ka nevojë për miq, miq gjen në ambientet e lojërave të tij.
Fëmija ka nevojë për prind me dorë të fortë, që të dijë ta drejtojë dhe të ketë sigurinë se edhe prindërit duan që fëmija i tyre të jetojë i gëzuar. Por, mbi këtë, është e domosdoshme të vendosen disa kufij, për të mos u çorientuar dhe kjo duhet filluar që në moshë të vogël. Që në moshë të vogël do mësojë që të vendosë gjërat e tij në vendin e duhur, do mësojë të lutet dhe të falënderojë për çfarëdolloj shërbimi, do mësojë të presë, të shërbejë, të ndajë, të mbajë premtimin e dhënë, të bindet, të kërkojë falje...
“Po, por të gjitha këto kërkojnë kohë që të bëhen” - thotë një nënë e zemëruar. Por ekziston edhe babai. Nuk kërkon askush që këtë peshë të madhe ta marrë vetëm nëna. Për edukimin e fëmijës është i pranishëm edhe babai. Për edukimin e fëmijës janë që të dy përgjegjës përpara Perëndisë dhe shoqërisë njerëzore. Kjo do të thotë të ndajnë rolet dhe të bien dakord në të njëjtën linjë. Është e vërtetë se marrëdhëniet midis edukuesit dhe nxënësit nuk mund të jenë gjithnjë në harmoni.
Prindërit si edhe mësuesit kanë një rol të vështirë dhe pretendues, disa herë mbërrijnë në ekstreme, por disa herë duhet edhe të tërhiqen. Kërkohet përmbajtje, njohje e metodave edukuese, ndriçim nga Perëndia.
Edukuesi (mësues apo prind) duhet të besojë në rolin e tij dhe të përpiqet që ta zbatojë, madje të digjet nga flaka e detyrës së tij, flakë që do ta bëjë të rrezatojë, të ngacmojë dhe të mos llogarisë mundin dhe kohën. Këtë e ndiejnë edhe fëmijët dhe kjo i ngacmon.
Fëmija i sotëm pretendon kohë nga koha e prindërve të tij. Roli i edukuesit është të ndihmojë fëmijën dhe adoleshentin të vendosë themele të forta që të ndërtojë drejt personalitetin e tij. Këtë vepër mund ta ndërtojmë duke u thënë kështu:
- E vetmja gjë që dëshiroj është e mira jote, sepse të dua. Të respektoj edhe kur ti vetë nuk respekton veten tënde.
- Jam gati të të dëgjoj, të bisedoj me ty, por nuk kam ndër mend të të lë të shkatërrosh jetën tënde dhe për këtë do të bëj ç’është e mundur të të pengoj.
- Do të jem pretendues kundrejt teje, sepse jeta nuk është e lehtë dhe duhet të përgatitesh.
Para se ta mbyllim, duhet theksuar diçka shumë e rëndësishme:
Që edukatori të ketë sukses, duhet të përpiqet të përmirësojë veten e tij. Kjo është më e vështira, por më e rëndësishmja. Që të frymëzosh të drejtën, duhet së pari ta përjetosh.
Që ta bësh fëmijën të synojë majat, duhet së pari ti ta kesh shijuar. Nuk mund ti të pish duhan dhe të ndalosh fëmijën që të mos e pijë, të shohësh vazhdimisht televizor dhe ta ndalosh te fëmija yt, nuk mund të qëndrosh në mënyrë të pahijshme dhe të kërkosh nga fëmija të qëndrojë hijshëm, t’i kërkosh të gjitha gati dhe të kërkosh bashkëpunim, nuk mund të pretendosh dashuri nga fëmija kur nuk ua ke dhënë me fjalë dhe sidomos me shembullin tënd.
Fëmijët tanë i frymëzojmë vetëm kur shohin se përpiqemi të kapërcejmë vogëlsitë tona. Kështu: Autoriteti është rezultati i dashurisë, i së vërtetës, i besimit në rolin tënd dhe sidomos i përpjekjes personale për të përjetuar i pari ato që pretendon nga të tjerët.
Nga Vasiliqi Panajotopullu Papavasiliu
Përktheu Nafsika Melo
Krijoni Kontakt