SHOQATA E KOSOVËS PËR APLIKIMIN E ULTRATINGULLIT NË MJEKËSI
Organizon
SIMPOZIUMIN E KATËRT SHKENCOR NDËRKOMBËTAR
"ULTRASONOGRAFIA DIAGNOSTIKE NË MJEKËSI - PRIZRENI 2006"
Prizren, Kosovë / 08-09 Qershor, 2006
Të nderuar kolege dhe kolegë,
Është nder por dhe kënaqësi t'ju informojmë se Shoqata e Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi, organizon: Simpoziumin e katërt shkencor ndërkombëtar "ULTRASONOGRAFIA DIAGNOSTIKE NË MJEKËSI - PRIZRENI 2006" . Simpoziumi do të mbahet në Prizren, në javën kushtuar manifestimeve të festave të Qershorit, për nder të të cilave festa, e në mbështetje të Kuvendit të Komunës, këto aktivitete tani më janë bërë tradicionale. Duke e parë seriozitetin e punesë sonë, masivizimin dhe nivelin profesional e shkencor të këtyre aktiviteteve profesionale e shkencore, tani më e kemi fituar besimin dhe mbështetjen edhe në strukturat e larta të Kosovës, siç është Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
Inkurajojmë të gjithë kolegët që janë bartës të diagnostikës ultrasonografike në mjekësi, si dhe të tjerët të cilët kanë interes, të marrin pjesë në këtë aktivitet shkencor dhe profesional, i cili është i katërti i këtij lloji organizuar nga SHKAUM, dhe ku pritet të referojnë ekspert të dëshmuar nga Kosova, Shqipëria, Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Holanda, Kroacia, Turqia, Gjermania, Maqedonia, Japonia, ShBA-së, etj.
Gjithashtu inkurajojmë Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës, Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, Shoqatën e Mjekëve të Kosovës, Shoqatën e Mjekëve, Farmacisteve dhe Stomatologëve Shqiptar të Maqedonisë, Bordin për Edukim të Vazhdueshëm të Mjekëve të Kosovës, të gjitha organizatat e tjera qeveritare dhe joqeveritare, për mbështetje dhe organizim të suksesshëm të Simpoziumit.
Në fund por jo edhe në vendin e fundit inkurajojmë promotorin dhe mbështetësin kryesor të këtij aktiviteti shkencor ndërkombëtar, Kuvendin e Komunës Prizren, pa ndihmën e të cilit nuk mund të mendohet organizmi i suksesshëm i këtij manifestimi shkencor, për çka dhe në shenjë respekti dhe falënderimi për ketë përkrahje, ky simpozium do të mbahet nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Mr.sc. Eqrem Kryeziut.
Me shpresë dhe dëshirë për mbarëvajtje të Simpoziumit, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta.
Kryetari i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi
Dr. sc. Selami Sylejmani
Më gjerësisht në: http://www.kosovaultrasound.com
Krijoni Kontakt