Nga Ragmi Mustafa, Presheve
PRESHEVË, Prill - Një javë pas bisedimeve në Vienë, pikërisht në kohën kur kanë filluar bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, bisedime në të cilat, pritet të shtrohen edhe problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në rajonin e Luginës së Preshevës, respektivisht për gjatë vijës kufitare me Kosovën, është shtuar numri i forcave serbo-malaziase të sigurisë. Shtimin e forcave te armatosura nga Sërbia e ka shqetsuar në masë të madhe banorët shqiptarë të Luginës te Preshevës, të cilët jetojnë mu në këtë rajon, dhe përshkaqe të këtilla është bërë edhe shpërngulja e një numri të madh drejt Kosovës. Përmes forcave ushtarake po mundohet të bëhet trysni në tensionimin e situatës politike dhe te sigurisë, mu në kohën kur ka filluar të zgjidhet definitivisht çështja e Kosovës.
Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë vlerësuar se shtimi i forcave speciale serbe të sigurisë, në këtë rajon veçmas përgjatë vijës administrative me Kosovën, nuk i kontribuon proceseve demokratike, dhe se sipas tyre, këto janë vetëm tendenca të tensionimit të situatës politike.
Ndonëse prefekti i Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se "kërkesat tona për largimin e forcave policoro-ushtarake, janë parashtruar që nga përfundimi i konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës, si në takimet me Beogradin zyrtar, po ashtu edhe faktorin ndërkombëtar, posaçërisht me OSBE-në, e cila ka për detyrë ta menaxhoj situatën e sigurisë në komunën e Bujanocit. Kemi kërkuar, ka thënë Arif, që forcat speciale policoro-ushtarake, të largohen nga rajoni i Luginës së Preshevës, dhe ato të zëvendsohen me policinë lokale, të këtij rajoni".
Megjithate, kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, njëherësh dhe ushtrues detyre i prefektit të Preshevës, ka deklaruar se, "me këtë shtim të forcave serbo-malaziase, në prag të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Beogradi zyrtar tregon se nuk është për një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës, por gjithmonë me tentime dhe pretendime të kërcënimeve". Ai më tej akuzon se me koncentrimin e i forcave të armatosura përreth vijës administrative me Kosovën, pala serbe e konfirmon se nuk është për një zgjidhje paqësore të problemit te Kosovës, por gjithmonë tenton dhe pretendon ta kërcënojë popullatën shqiptare të Kosovës,
Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, është shprehur se "pala serbe tani po e din mirë se zgjidhjes së statusit final të Kosovës, i erdhi fundi, pikërisht për atë dhe ka shtuar forcat speciale policoro-ushtarake".
Mirëpo sipas Musliut, për Serbinë, nuk është hera e parë që mobolizon këso forcash speciale, ngase forca të tilla ajo i ka pasur në dispozicion edhe gjatë luftës në Kosovë, edhe gjatë luftës në Luginë të Preshevës, saktësisht ka thënë ai, janë po "ato forca që kanë bërë krime në Kosovë, dhe po të njëjtat forca", janë përqëndruar rreth kufurit me Kosovën ka mbaruar njeriu i parë i krahut të dalur nga lufta.
Edhe Skënder Destani, kryetar i Bashkimit Demokratik të Luginës, thotë se "shtimi i forcave të tilla speciale serbe, nuk na befason, sepse dihet se me çfarë shteti dhe qeverie kemi të bëjmë". Me këtë Serbia po e çjerr maskën e vërtetë të saj, dhe po i tregon botës se çfarë qeverie demokratike ka", ka thënë numri një i partisë më të re në Luginë, Destani.
Vlen të theksohet se përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, tashmë disa herë kanë kërkuar demilitarizimin e rajonit, nga forcat e stërngarkuara ushtarake policore. Mirëpo, liderët politikë të Luginës, megjithatë shpresojnë se statusi i Kosovës do të zgjidhet siç është përcaktuar populli shumicë dhe këto forca do të kthehen nga kanë ardhur dhe se ky shtim nuk i kontribuon proceseve demokratike.
Rikolonizimi i Kosovës
Serbia synon që në muajt dhe vitet e ardhshme, në kuadër të planeve
për copëtimin dhe gllabërimin e Kosovës, të realizojë kthimin e organizuar
dhe masiv të serbëve në Kosovë. Ky kthim mbështetet në standardin e katërt
dhe quhet ‘kthim i qëndrueshëm’. Serbia ka arritur që UNMIK-ut, IPVQ-ve dhe shumë faktorëve ndërkombëtar t’ua imponojë tezën se kinse serbët nuk janë të sigurtë në Kosovë dhe se ata nuk mund të kthehen në Kosovë ngase shqiptarët do t’i dëbonin. Së pari, siç ka pohuar edhe përfaqësuesi i UNHCR-së, Ron Redmond, shumica dërrmuese e serbëve të Kosovës shkuan nga Kosova së bashku me forcat policore dhe ushtarake të Serbisë në qershor të vitit 1999.
Së dyti, Serbia nuk don që serbët të kthehen atje ku ata i kanë pronat e tyre,
meqë gjithandej do të jenë siç ishin – pakicë. Ministri për Kthim dhe
Komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq, për radion B92, më 5
mars 2005, ka deklaruar: “Për një muaj, 85 familje janë kthyer në Kosovë.
Kjo është më shumë sesa ajo që ka arritur të bëjë Nebojsha Çoviq për pesë
vjet.” Së treti, Beogradi pohon se në Kosovë jetojnë 132.012 serbë dhe
joshqiptarë ndërsa janë 228.409 refugjatë të ikur nga Kosova pas luftës.
Beogradi qëllimisht është i dobët në matematikë. Në bazë të këtyre të
dhënave, del se ka më shumë refugjatë serbë nga Kosova sesa serbë që kishin jetuar ndonjëherë në Kosovë! Sipas Institutit Statistikor të Republikës së Serbisë ishin rreth 190.000 serbë të cilët jetonin në Kosovë në vitin 1991.
Numri i serbëve në Kosovë nuk ka ndryshuar aq përgjatë viteve të 90-ta. Këtë e vërteton edhe Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI), e cila në njërin
prej raporteve të veta thekson se në Kosovë jetojnë 130.000 serbë dhe janë
60.000 serbë refugjatë nga Kosova. Serbët e mbetur në Kosovë nuk do të
qëndronin këtu sikur mos ta kishin jetesën më të mirë sesa në Serbi. Serbia
i përçmon serbët e Kosovës dhe i lë që të jetojnë nëpër baraka në mjerim
ekonomik e social, në mënyrë që atëherë kur të paraqitet një moment i
volitshëm politik për t’i kthyer masivisht në Kosovë, serbët të mos
kundërshtojnë ardhjen dhe të jetuarit në Kosovë. Kur kësaj i shtohen edhe
140.000 serbë në Serbi që janë refugjatë nga Kroacia dhe Bosnja, e të cilët
Serbia pa problem mund t’ua falsifikojë dokumentet dhe t’i paraqesë ata si
ish-banorë të Kosovës, bëhet e qartë se Serbia nuk ka problem me gjetjen e
një numri të madh të serbëve që do t’i sillte në Kosovë. Një anketë e
zhvilluar në nëntor të vitit 2004, në kuadër të hulumtimit të përbashkët të
USAID-it, UNDP-së dhe RIINVEST-it, në shtator-dhjetor 2004, tregoi se 30% të shqiptarëve të Kosovës dhe vetëm 12.3% të serbëve të Kosovës mendojnë të emigrojnë nga Kosova. Pra, janë shqiptarët ata që duan ta lëshojnë Kosovën dhe jo serbët, ngase pikërisht shqiptarët janë në pozitë më të vështirë politike dhe sociale. Sa për ilustrim, ta marrim shembullin e Mitrovicës.
Sipas një tjetër raporti të ESI-t, në veri të Mitrovicës dhe Zveçan jetohet
me mesatarisht 95 euro në muaj, 60% të të cilave sigurohen nga Beogradi dhe
23% nga Prishtina. Ndërkaq, në jug të Mitrovicës njerëzit jetojnë me 37 euro
në muaj, nga të cilat 37% sigurohen nga Qeveria e Kosovës dhe 40% nga
sektori privat.
Serbia nuk do që t’i kthejë serbët atje ku ata do të ishin pakicë,
sepse asisoj nuk do të mund të ushtronte ndikimin politik të tillë çfarë do
që ta ketë. Serbia aspiron që serbët t’i kthejë atje ku ata janë shumicë për
ta përforcuar edhe më shumë këtë shumicë, atje ku ata do të bëheshin shumicë
nëpërmjet kthimit, ose atje ku do të siguronin vazhdimësi territoriale të
enklavave serbe. Shumica dërrmuese e serbëve të Kosovës në të kaluarën
jetonin nëpër qytete, d.m.th. ishin pakicë aty ku banonin. Dhjetëra mijëra
serbë të kthyer në Prishtinë nuk do ta kishin as për së afërmi peshën e disa
qindra serbëve të kthyer në pjesë të caktuara që do të mundësonin lidhjen e
trevave ekzistuese të kontrolluara nga Qeveria e Serbisë drejt krijimit të
entitetit autonom territorial të serbëve të Kosovës përbrenda Kosovës.
Andaj, përdoret formulimi ‘kthim i qëndrueshëm’ dhe jo vetëm ‘kthim’.
Serbisë iu plotësua dëshira që të ketë të drejtë që serbët t’i kthejë edhe
atje ku ata s’kanë jetuar më parë; pra, jo te prona e tyre dhe në pronën e
tyre, por në vendbanime të reja që do të forconin e zgjeronin enklavat
aktuale drejt bashkimit të tyre. ‘Kthimi i qëndrueshëm’ nuk është gjë tjetër
veçse rikolonizim.
Më 21 shkurt 2006, Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën (QKSK),
publikoi lajmin se udhëheqësja e kësaj Qendre Sanda Rashkoviq-Iviq dhe
ministri për investime kapitale Velimir Iliq kanë nënshkruar protokolin e
vlefshëm 115 milion dinarë për ndihmë personave të zhvendosur nga Kosova. 95
milion dinarë janë ndarë për ndërtimin e 70 shtëpive ndërmjet Badofcit të Ri
dhe Graçanicës për serbët e dëbuar nga shqiptarët me 17 mars të vitit 2004.
Ndërkaq, 20 milion dinarë do të përdoren për infrastrukturën e nevojshme për
furnizimin me ujë të Badofcit të Ri. Të gjitha shtëpitë e djegura gjatë 17 e
18 marsit të vitit 2004, i ka rindërtuar Qeveria e Kosovës me paratë e
buxhetit të Kosovës. Nuk ka arsye që të ndërtohen shtëpi atje. Beogradi po
ndërton shtëpi shtesë, sepse do që ta krijojë një zinxhir të fshatrave serbe
ndërmjet Artanës dhe Graçanicës, dhe kësisoj të lidhen fuqishëm territoret
në Anamoravë me fshatrat e banuara me serbë në pjesën qendrore të Kosovës.
Nga Artana përmes fshatrave Izvor e Dragoc krijohet lidhja me fshatrat
Hanrofc, Shashkofc, Shishare, Okosnicë, Badofc e Graçanicë. Me krijimin e
komunës së Graçanicës, e cila do ta ngërthejë në vete edhe Hajvalinë,
krijohet lidhja me fshatrat e banuara me serbë në komunën e Fushë Kosovës,
Lipjanit dhe Kastriotit. Graçanica lidhet me Uglarin dhe fshatrat tjera të
banuara me serbë në Fushë Kosovë përmes fshatrave Llapllasellë, Preoc e
Çagllavicë si dhe me fshatrat Livaxhë, Skullan, Lepi e Radevë në komunën e
Lipjanit nëpërmjet fshatit Sushicë. Nga fshati Uglar që është në komunën e
Fushë Kosovës përmes fshatit Nakaradë depërtohet në fshatrat e Kastriotit:
Krushec, Caravadicë e Leshkoshiq.
Në CIMIC raportin javor nr. 1148 të KFOR-it të datës 8 shkurt 2006,
thuhet se numri i shtëpive dhe banesave të blera në veri të Mitrovicës
brenda një viti nga QKSK, e tejkalon numrin 150. Në dy muajt e fundit dy
transakcione kanë ndodhur në Kodrën e Minatorëve – njëra e blerë nga QKSK
dhe tjetra nga Kisha Ortodokse. Pesë banesa të njërit nga tre soliterat i
janë shitur QKSK-së që nga tetori i vitit 2005, ndërsa një ndërtesë
pesëkatëshe ndërmjet soliterëve i është shitur po ashtu QKSK-së për 300.000
euro para disa muajve. Blerjen po e bën Serbia, jo serbët. Andaj bëhet fjalë
vetëm edhe për një aspekt tjetër të rikolonizimit.
Asnjë zyrtar dhe asnjë kryeadministrator i UNMIK-ut, përfshirë këtu
edhe Soren Jessen-Petersen, asnjëherë në asnjë mënyrë nuk e kundërshtuan
politikën e Beogradit që blen prona të shqiptarëve për t’i pastruar
etnikisht ata prej aty. Madje, kjo është në kundërshtim edhe me vetë
rregulloren e UNMIK-ut 2001/17 e nënshkruar nga Hans Hakkerup më 22 gusht
2001. Kjo rregullore në seksionin e tretë të saj në pikën 3.1 a) thotë që
administratori komunal i UNMIK-ut mund të refuzojë të regjistrojë kontratën
për shitjen e pronës së banimit nëse ka bazë të mjaftueshme për të besuar se
transaksioni është bërë ose përkrahur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të
tërthortë nga ndonjë organizatë ose strukturë me qëllim që të sistematikisht
të blejë pronësi të minoritarëve në mënyrë që ta ndryshojë balansin etnik
përbrenda një treve të caktuar. Serbia, nëpërmjet QKSK-së po blen prona të
shqiptarëve në veri të Kosovës të cilët kanë mbetur pakicë atje. UNMIK-u e
di shumë mirë dhe e lejon këtë, duke bërë edhe shkelje të rregulloreve të
veta.
Gazeta ditore e Beogradit ‘Politika’, më 1 shkurt 2006, paralajmëron
se si komunat nga Serbia dhe Vojvodina, e madje edhe Republika Srpska në
Bosnjë, do të ndihmojnë kthimin e serbëve si dhe komunat e reja serbe në
Kosovë që do të krijohen së shpejti, duke bërë ndërtimin e 1.200 shtëpive,
secila për dy familje serbe. Nëse marrim se një familje ka mesatarisht 4
anëtarë, kjo do të thotë se 9.600 persona do të vendosen nëpër vendbanime
kolektive gjatë këtij viti. Në bazë të planit të QKSK-së të bërë publik tash
së voni, kthimi nënkupton kthimin e organizuar të 6.500 familjeve dhe
përkrahjen për kthimin individual të 2.000 familjeve të tjera.
Decentralizimi dhe eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve
ortodokse, do të përcaktojnë kufijtë e brendshëm në Kosovë të cilët
përkufizojnë entitetin serb brenda Kosovës. Enklavat serbe do të bashkohen
duke krijuar enklava të reja përbrenda, që kësaj radhe janë shqiptare.
’Kthimi i qëndrueshëm’ në Kosovë lidhet me trashëgiminë kulturore ngase
kthimi mendohet që të ngjajë te trashëgimia kulturore pasi që kjo të ketë
fituar statusin eksterritorial. ‘Kthimi i qëndrueshëm’ lidhet edhe me
decentralizimin sepse Serbia do që t’i kthejë serbët atje ku mendon të
krijojë entitetin e veçantë të tyre.
Për realizimit e të gjitha këtyre janë ndërmarrur edhe masa të tjera
konkrete. Para se kryeadministratori Petersen të jap lejen për dy ministritë
e reja për Kosovën, udhëheqësja e Qendrës Koordinuese për Kosovën pranë
Qeverisë së Serbisë, Sanda Rashkoviq-Iviq, me 6 dhjetor 2005, u mor vesh në
Beograd me zëvendës-kryeadministratorin dhe Shefin e Shtyllës së Parë të
UNMIK-ut, Jean Dussourd, që në Kosovë të krijohen 14 nënstacione të reja
policore, prej të cilave 12 në vendet ku shumicë janë serbët. Pra, Serbia
fiton substancë solide në Kosovë, ndërkaq – Kosova edhe më shumë
administratë formale dhe ministri simbolike. Me këto nënstacione policore,
Serbia mëton që të krijojë mbrojtje paraprake për rikolonizimin por edhe të
etablojë kufijtë e ri të brendshëm, së pari si kufij të zonave të operimit
të këtyre nënstacioneve. Në Kosovë tashmë janë 33 stacione policore prej të
cilave 5 sosh i kanë shumicën e stafit serbë. Edhe 12 nënstacione të reja
për serbët që janë vetëm 5% të popullatës së Kosovës nuk bëhen për sigurinë
e serbëve por të Serbisë brenda Kosovës, entitetit të kontrolluar nga ajo që
do të legalizohet e zyrtarizohet. Serbia s’çan kokën për njerëzit dhe
gjendjen e tyre, kushdo qofshin ata. Ajo brengoset vetëm për strukturat e
saj, jo për njerëzit. Ajo i inkurajon serbët e Kosovës që të qarkullojnë me
vetura që mbajnë targa të Serbisë, jo vetëm për ta dëshmuar veten e saj si
shtet në Kosovë, por që ata serbë të gjorë asisoj t’i bëjë shënjestër të
shqiptarëve. Serbia do që t’i ekspozojë serbët e zakonshëm. Ajo do që ata të
vriten e lëndohen. E çfarë ruan Serbia në Kosovë? Ajo i ruan ‘rojet e urës’,
sikurse edhe forcat e tjera të ‘sigurisë’ që i ka në Kosovë. Të gjithë ata
po i inkuadron si pjesëtarë të SHPK-së, të gjithë ata praktikisht po i
maskon. Serbia kujdeset për sigurinë e forcave të saja të ‘sigurisë’, jo për
sigurinë e serbëve civilë. Ata mendon t’i kthejë në Kosovë për t’i përdorur
e assesi për t’ua përmirësuar jetesën. Dihet se Serbia financon strukturat e
saj në Kosovë. Përkundër kësaj ka shumë serbë të varfër dhe madje në varfëri
të thellë në Kosovë, ngase nga Serbia përfitojnë pikërisht vetëm strukturat
e saj, jo edhe njerëzit e zakonshëm.
Të gjitha këto plane të Serbisë për rikolonizimin e Kosovës i kanë
përjetuar edhe të parët tanë. Ato duhet të kundërshtohen me të gjitha
mënyrat. Sa më shpejtë aq më mirë dhe më lehtë do të jetë. Jo vetëm për
neve, por edhe për brezat që do të vijnë.
Në vijim janë dhënë fshatrat dhe qytetet nëpër regjionet përkatëse në Kosovë
ku Serbia po i kthen apo planifikon t’i kthejë serbët.
Regjioni i Mitrovicës
LEPOSAVIQ
Kthimi individual: Belloberdë, Bistricë, Borçan, Vraqevë, Vuçë, Krnin i
Epërm, Graniçan, Gumnishtë, Krnin i Poshtëm, Dren, Kamenicë, Kijevçiq,
Leposaviq, Leshak, Sllatinë, Soçanicë, Trebiq, Cerajë, Bistrica e Shalës,
Majdevë, Ostraq, Popoc, Potkonjë, Pridvoricë.
ZUBIN POTOK
Kthimi individual: Banjë, Bërnjak, Bube, Kalludër e Madhe, Vele Brijeg,
Varagë, Dren, Zubin Potok, Zupç, Jagnjenicë, Lluçkarekë, Megjipotok, Oklac,
Tushiqë, Crepulë, Çeçevë.
ZVEÇAN
Kthimi individual: Banovdoll, Banjskë, Vallaq, Rudar i Vogël, Graboc,
Dolanë, Zherovnicë, Zhitkoc, Zveçan, Izvor, Jankov Potok, Korillë, Llovac,
Maticë, Rudinë, Sendojë, Serbovec.
MITROVICA
Kthimi individual: Mitrovicë, Suhodoll, Frashër.
SKËNDERAJ
Kthimi individual: Bajë.
VUSHTRRI
Kthimi individual: Gojbujë, Gracë, Prelluzhë.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Magjunaj
Kthimi i planifikuar: Miroçë, Nedakoc, Vrnicë.
Regjioni i Pejës
BURIM
Kthimi individual: Cërkolez, Suriganë.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Tuçep, Shalinoc, Osojan, Llukafc i
Thatë.
Kthimi i planifikuar: Kërninë, Belicë, Bellopojë, Gjurakoc, Dragollec,
Zallq, Zhakovë, Burim, Kosh, Osojan, Polanë, Sinajë, Veriq, Prekallë,
Lubozhdë, Kovragë, Dubravë, Serbobran.
PEJË
Kthimi individual: Brestovik, Gorazhdec.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Bellopojë, Lëvoshë.
Kthimi i planifikuar: Cerovërhë, Pejë, Sigë, Vitomiricë, Zagërmë.
KLINA
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Bixhë, Grabc.
Kthimi i planifikuar: Bërkovë, Budisallc, Dollc, Drenik, Drenoc, Drenovçiq,
Klinë, Vide, Shtupel
Regjioni i Prishtinës
PRISHTINA
Kthimi individual: Çaglavicë, Badofc, Graçanicë, Lapllasellë, Preoc,
Slivovë, Shushicë, Bërnicë e Epërme, Nëntë Jugoviqët, Bërnicë, Lebane.
Kthimi i planifikuar: Dragoc, Prishtinë.
FUSHË KOSOVË
Kthimi individual: Batushë, Fushë Kosovë, Kuzmin, Uglar.
Kthimi i planifikuar: Miradi e Epërme.
KASTRIOT
Kthimi individual: Babimoc, Caravodicë, Milloshevë, Kastriot, Plemetin.
Kthimi i planifikuar: Krushec.
LIPJAN
Kthimi individual: Dobratin, Gushtericë e Ulët, Goleshko Vrello, Gushtericë
e Epërme, Janjevë, Lepi, Livaxhë, Dobrajë e Vogël, Radevë, Skullan, Grackë
e Vjetër, Suhodoll.
Kthimi i planifikuar: Sllovi, Magurë.
Regjioni i Anamoravës
DARDANË
Kthimi individual: Qarakofc, Hajnoc, Bozhefc, Bollefc, Bratillofc, Bushincë,
Carefc, Domoroc, Kormnjan i Poshtëm, Drenoc, Gogollofc, Kormnjan i Epërm,
Kolloleç, Dardanë, Kostadincë, Leshtar, Ropotovë e Vogël, Moçarë, Odevcë,
Panqelë, Rajnovc, Strelicë, Strezofc, Romancë, Vaganesh, Ropotovë e Madhe.
Kthimi i planifikuar: Firiqejë, Tirincë, Koretin, Leshtar, Rahovicë.
GJILAN
Kthimi individual: Cërnicë, Budriga e Ulët, Livoç i Poshtëm, Dragancë, Kufcë
e Epërme, Livoç i Epërm, Makresh i Epërm, Kmetofc, Parallovë, Partesh,
Pasjan, Ponesh, Stanishor, Strazhë, Shillovë, Koretishtë.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Muzgovë.
Kthimi i planifikuar: Gjilan, Zhegër, Përlepnicë.
SHTËRPCË
Kthimi individual: Berovc 1, Berovc 2, Bitijë e Poshtme, Drajkofc, Bitijë e
Epërme, Gotovushë, Jazhincë, Sevc, Sushicë, Viçë, Vërbeshticë, Shtërpcë.
FERIZAJ
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Bablak.
Kthimi i planifikuar: Nerodime e Epërme, Babush.
ARTANË
Kthimi individual: Bostane, Izvor, Jasenovik, Llabjan, Manushinc, Prekoc,
Tërniqefc, Zebnicë.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Kllobukar.
Kthimi i planifikuar: Artanë.
VITI
Kthimi individual: Binçë, Gërnqar, Kllokot, Letnicë, Mogillë, Viti, Vërboc,
Vërnavokollë, Vërnez, Shashare.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Podgorc.
Kthimi i planifikuar: Zhiti, Tërpezë, Gërmovë, Gushicë, Kabash, Novosellë.
Regjioni i Prizrenit
SHARR
Kthimi individual: Baçkë, Brod, Dikancë, Sharr, Glloboçicë 1, Kërsteç,
Krushevë, Kukujan, Leshtan, Lubivshtë, Mlikë, Oruçashë, Radeshë, Rapçë,
Restelicë, Vranishtë, Zlipotok.
RAHOVEC
Kthimi individual: Hoçë e madhe, Rahovec.
Kthimi i planifikuar: Zaçishtë, Opterushë.
PRIZREN
Kthimi individual: Drajçiq, Urbiçan.
Kthimi i organizuar që tashmë ka filluar: Llokvicë, Mushnikovë, Novak,
Pllanjan, Sreckë.
Kthimi i planifikuar: Dojnicë, Gornjasellë, Zhivinjan, Lubizhdë, Smaq,
Prizren.
Krijoni Kontakt