KJ

E Diele, 02 Prill 2006


2 PRILLI, SI SINOR NE KUFIJTE E PUSHTETEVE .

Nga Marian Gryka *

Ne 15 vjetorin komemorativ te 2 Prillit, e ndjeva serish se Shkoder locja ime mund te kuptohej e kujtohej vecse duke u identifikuar pazgjidhshmerisht me targe daten qe eshte shenjuar perjetesisht ne ballinen e historise se saj te mocme, si metropol i kultures dhe qyteterimit shqiptar e ballkanik, dhe qe bashkeshoqeron profilin e saj politik, shpesh deciziv per fatet dhe ardhmerine e ketij vendi. Nuk ishin therjet e plageve, tashme te cikatrizuara e qe me dhembin ende ne kete fillim pranvere, ato qe m’i sollen lotet dhe m’i drejtuan kujtimet kah shtegu i paharruar i 2 Prillit, por ishin dhimbjet e shpirtit per shoket qe m’u vrane para syve e qe me lane pas plagen e pasherueshme te dhimbje vdekjes per arsye te mosarsyes.

Sepse nese e gjithe Shkodra kish arsye te demonstronte per bindjet e saj antikomuniste, nuk kishin asnje arsye te qellonin kunder bijve te saj rrogetaret mjerane nen uniforma, sepse edhe Beni, Bujari, Nazi e Besniku, edhe une dhe afro 87 te tjeret qe u shperblyem me plumba, kishim dale te protestonim ne emer te te gjitheve, pra edhe te atyre qe na qelluan. Sepse Partine Demokratike dhe pluralizmin e krijuam per nje jete me te mire, dhe jo si kundervenie ndaj jetes perrallore te nje grupimi te vocerr qe pandehte se na kish pronesuar si skllever te nje “parajse...”, qe e shijonin vetem ata dhe bijte e tyre. Parajse qe ua ruanin ata qe qelluan mbi nje popull te tere, te cilin pandehen se kishin te drejte ta vrisnin nese rebelohej kunder “mrekullise se pushtetit te proletariatit”, te imponuar dhe vendosur me perdhune.

As atehere dhe askurre nuk e kuptova perse duheshin snajperet mbi pallatet e qytetit tim dhe perse institucioni i “partise se popullit” duhej shnderruar ne depo armatimi e municioni perkunder popullit per te cilin i “digjej xhani”. Kurre nuk e kuptova se perse duhej pergatitur dhe kunder kujt mund te sherbente ky ndeshkim i mbare nje populli te mbetur ne opozite, ndonese kish votuar totalisht per opoziten e asaj kohe.

Prandaj erdhi ne Shkoder edhe vete Azemi, sepse me intuiten e tij te pagabueshme, parandjeu se nje kob do te ndodhte dhe se nje kasaphane ishte pergatitur, ndoshta ngaqe demokracia donte flijime ne altarin e saj.
Kurre nuk e kuptova perse duhej qelluar Beni, pas shpine, me megafon ne dore, me fytyre nga bashkeqytetaret dhe me kurriz nga ata qe e qelluan, dhe perse duhej derdhur gjithe ai gjak, nderkohe qe gezhojat e pasmasakres e kalonin ku e ku numrin e qytetareve qe protestuan, e qe ne fillim ishin shume me pak sesa i gjithe qyteti qe u tubua pas krismave qe moren jetet e miqve bashkeluftetare te mi dhe rrezikuan ato te dhjetera te tjereve.

Shkodra serish u tregua shpirtmadhe teksa nuk ndeshkoi asnje nga vrasesit qe u ishin mbaruar fisheket dhe guximi i cmendur me te cilin i kishin pajisur, e qe i shtyu te qellonin popullin te cilit i perkinin. Se Shkodra dhe demokracia nuk ishin krijuar per t’u ndeshkuar e per te ndeshkuar, po per te lumturuar te tjeret.

Fytyrat engjellore te shokeve te mi qe humben jeten dhe te atyre qe per pak u ndane me kete bote, nder te cilat edhe une vete, jane deshmia me solide e faktit se ishte qelluar me shenje pikerisht mbi ata qe i kishin perzgjedhur per t’i flijuar, ndonese fati e prapesoi kete menxyre.

Nuk mund ta harroj dhimbjen ne syte e Azemit dhe tmerrin qe kaploi nje qytet te tere te pergjakur, qe mbante mbi shpine djemte dhe vajzat drejt spitalit ne te cilin luftohej per jeten dhe kunder vdekjes qe gjithmone ishte treguar bujare me Shkodren e tejmbushur me varre per Shqiperine. Lotet e Azemit per shokun e tij Benin, bashkethemeluesin e Partise Demokratike, dhe dhimbja zharitese per Nazin e Bujarin, qe i pat njohur personalisht gjate punes dhe kontributeve te perbashketa per degen e PD Shkoder, e kam te veshtire t’i pershkruaj, megjithese kujtesa me ka fiksuar deshperimin e thelle qe i lexova njeriut te madh e te shenjuar nga fati per t’u bere Profet i Demokracise, te cilit i qendrova prane shume kohe e ne shume peripeci, por qe tash e kam humbur pergjithmone.

Askush nuk arriti ta ngushelloje dhe shperbleje Shkodren per humbjet e medha e te sterperseritura qe nga fillesat e krijimit te saj, madje kete nuk e beri dot as Demokracia, ne themelet e se ciles, ashtu si edhe te qyteterimit shqiptar, vendlindja ime blatoi vashat si Rozafa, djemte si Osoja, Beni, Nazi, Bujari e Besniku, lotet, gjakun, tamblin dhe gjithcka lipset per me mbrujte jeten, lumtunine, ardhmenine...
Ndoshta Shkodra asht krijue per me ba drite per te tjeret e per me vuejte erresinen per vedi, per me ba buke per te tjere e per me ndejte vete e unshme, per me qytetnue te tjeret, e bashke me ta edhe ata qe kane vendose per me e lane ne mjerim...

Dhe kete fat mund ta pjelle vetem urrejtja dhe kompleksi i inferioritetit i atyre qe nuk e duan dhe nuk e kuptojne Shkodren. I atyre qe kane ne dore per me ba dicka per Shkodren dhe qe sot, nga metropol qytetnimi, e kane shnderrue ne nji katund te madh, te cilin e vizitojne kur i merr malli per “cifligun perrallor” qe e lagin ujerat e liqenit madheshtor dhe Bunes, e mbi te cilin fryjne puhizat dhe shiroket magjike qe kaperthejne aromat e detit, liqenit dhe lumejve qe sjellin flladin e grykave dhe rrafshinave perreth.
Ata qe tallen me Shkodren, pervec germadhave te komunizmit, ku dikur rropateshin prinderit tane, kujtojne se ia kane la nderen dhe ba sherbesen teksa i kane lane si dhurate varr nje memorial mermeri ngritur prane nje universiteti, diplomave te te cilit nuk denjojne t’u hedhin as syte.

Shkodra di t’i qaje varret e veta dhe t’i mbuloje me lule. Di t’i qaje djemte dhe vashat dhe vocerraket e vet te harruar, por e vrasin me shume se c’e kane vrare kur ia lypin voten duke i premtuar..., dhe prap e rivrasin duke e qeshe pas shpine dhe duke e genjyer sy ne sy.

Ndoshta per kete arsye nuk jetojne me Beni dhe Azemi... Ndoshta ngaqe e kuptuan te paret se duan t’i mashtrojne, ata, Shkodren dhe mbare Shqiperine. Ndoshta i vrane se guxuan te themelojne Partine Demokratike dhe se guxuan te kundershtojne edhe Ramizin..., qe betohet edhe sot e gjithe diten neper televizione, se, si shkodran, luftoi dhe punoi per Shkodren dhe Shqiperine. Ndersa ne te tjereve, Nain, Bujarin, Besnikun, mua dhe dhjetera te shperblyerit me plumba, na qelluan sepse u besuam Azemit dhe Benit, dhe shkuam me deshire pas tyre.

Ne u besuam atyre sic i besuam dhe i besojme Shkodres, para se ciles falemi e do te falemi perjetesisht, edhe ne kete pervjetor te vdekjes qe pergjaku idealet tona dhe keputi ne mes jetet e atyre qe e duan Shkodren me shpirt, pa hile dhe kurre per vota e pushtete, ne emer te te cilave, ne historine tone plot vrasje, vdekje dhe gjak, u fut dhe u perjetesua edhe 2 Prilli. Bash kjo dite qe, nga dite pranvere dhe lulesh te sapocela, u kthye ne dite zie, lotesh dhe pllakash te akullta mermeri, ku mardhen dhe vyshken lulet tona, ku thahen lotet tona te perzishme per shoket qe humbem, bashke me jetet dhe shpresat qe na i vodhen, e qe dite pas dite i bene brerore lavdie per kokat e nxehta te pushteteve te ngritura mbi gjak, arkivole dhe eshtra martiresh.

Nga Marian Gryka *
*Autori eshte kryetar i Shoqates Mbarekombetare Nacionaliste Demokratike “Azem Hajdari” dhe nje nder protagonistet e deshmitaret okulare te ngjarjeve te 2 Prillit 1991