Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198

    Athino-fanaritët; Përpinë Shqiptarët Çàmër, Janínas, Tejgramozítë

    ATHINO-FANARITËT; PËRPINË SHQIPTARËT ÇÀMËR, JANÍNAS, TEJGRAMOZÍTË




    Synimi kryesor i kryqtarëve athino-fanariotë ka qenë dhe mbetet shndërrimi në grekër i shqiptarëve të krahinave fqinje. Meqë pengesën kryesore në këtë drejtim e përbënin shqiptarët islamikë, pre e tyre u bënë pikërisht këta. Mjetet kryesore që përdorën e që po përdorin ende për tjetërsimin e përkatësisë së tyre kombëtare kanë qenë -dhe janë- kishat, manastirët e shkollat. E kur me këto mjete nuk arritën pikësynimin e vet, për t'i zhdukur prej trojeve të veta stërgjyshore dhe për t'ua grabitur ato troje, vunë në përdorim armët.
    Goditjet e kryqtarëve athino-fanariotë për zhdukjen e shqiptarëve islamikë skajorë jugorë: çamër, janinas etj, nga trojet dhe vatrat e veta kanë qenë të kahershme; sidomos që nga viti 1854 e këndej ato u bënë përherë e më të shpeshta e gjithnjë e më masive e më të egra. Megjithatë shqiptarët islamikë të krahinave të sapopërmendura, falë trimërisë e vetëmohimit të tyre, kishin mundur t'i përballonin valët e përpirësve. Po, duke qënë ngaherë e më të pakët e gjithnjë më të pafuqishëm përballë mësyesve, gjëmën përfundimtare nuk mund ta shmangnin për gjithnjë. Gjatë 10 muajve: qershor 1944, mars 1945 kryqtarëve athino-fanariotë. të prirë nga priftërinjtë dhe zyrtarët e çdo shkalle kryqtare, Çamërinë e shndërruan në një det të vërtetë gjaku, në të cilin mbytën mijëra fëmijë, pleq, plaka dhe këdo që mundën të shtinin në dorë. Me qëllim që të paraqitet një pasqyrë e gjëmës së shkaktuar nga kryqtarëve athino-fanariotë ndaj shqiptarëve islamikë çamër, janinas e tejgramozitë, duket e domosdoshme të përmenden qoftë dhe vetëtimthi ngjarjet në rrjedhën e tyre historike.
    1. Më 1854 një armatë kryqtarëve athino-fanariote e komanduar nga gjenerali greko - shqiptar, apo më saktë i greqizuar nëpërmjet fesë së njëjtë me atë të grekërve - Theodhori Griva, me kryqin në të majtën dhe me shpatën në të djathtën u vërsulën hijenërisht nëpër Çamërinë Jugore dhe të Mesme. Duke përfituar nga mësymja hajdutçe, mundën të vërshonin deri në rrjedhën e Kalamait. Grabitën egërsisht dhe përzhitën shtazërisht çdo gjë që gjetën përpara. Çamëria dhe të zotërit e saj, çamërit mundën t'i shporrnin gjakataro-cubat kryqtarë athino-fanariotë vetëm me ndihmën e fqinjëve të tyre veriorë, kryesisht të lebërve që vrapuan të parët.
    2. Duke vazhduar me kokëgdhëndësi dhe etje prej të tërbuari, në shkurt-mars 1878 kryqtarët iu vërsulën sërish Çamërisë dhe Labërisë. Mirëpo edhe asaj here u derdhën për lesh dhe u kthyen të qethur.
    3. Në prill 1897 ata, duke valëvitur kryqin, zhveshën sërish shpatën. Përsëri ishte Çamëria që rënkoi nga shqelmat e kryqtarëve athino-fanariotë, dhe ishin po çamërit islamikë ata që u rrënqethën nga kafshimet e tyre.
    4. Në mugëtirën e paraditës së 18 tetorit 1912 luftanijet e kryqtarëve athino-fanariotë shprazën papritmas mbi Prévezë e Sallahórë breshëritë e pandërprera të topave "Krup"; njëherit me ta, njësitë e këmbësorisë së armatosur deri në dhëmbë nga uzinat e Putillóvit si edhe ato të artilerisë që ishin rreshtuar gjatë vijës kufitare ndërshtetërore greko-osmane, mësynë dhe kaluan në tokën shqiptare brenda kufirit në fjalë. Si me një çakmak të vetëm, tërë anëdeti jonik dhe anëgjiri Prévezë-Nartë si edhe brezi tokësor nga anëgjiri e deri në Mecovë u përflakën dhe u përzhitën. Taburët e njësisë ushtarake të shërbimit të detyruar dhe ata të njësisë së përbërë prej rezervistësh shqiptarë gjysmë të armatosur të mbledhur ngutësisht në Anënua, Marat, Pesë Puse e kudo gjetkë, me mësyesit u përballën me trimëri shëmbullore. Po, duke qënë më të pakët dhe të keqarmatosur, pas gati një muaj qëndrese u shtrënguan të tërhiqeshin në fortesën e Bezhanit. Pas 5 muajve të tjerë mbrojtjeje, të dyja njësitë ushtarake në fjalë që përbënin Kollordunë(truparmatën) III osmane me qendër në Janinë, të vëna përballë 6 njësive kr. a-f., u shtrënguan të pranonin mundjen. Hijenat kryqtare athino-fanariote u vërsulën bishërisht mbi shqiptarët dhe kamjen e tyre. Së pari u vunë thikën atdhetarëve më të njohur islamikë çamër e janinas. Pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme u grabitën pa kurrfarë ndrojtjeje. Brenda një gjysëm ore në vendin e quajtur "Lìver" -në përruan poshtë fshatit Selan- u therën dhe iu shtyp koka 100 atdhetarëve krerë vetëm prej Paramithie dhe fshatrave të rrethit përkatës. Therje të tilla masive kryqtarët bënë edhe në qytetet dhe rrethet e tjera të Çamërisë. Dhe, po të mos kishte patur njëfarë ndërhyrjeje të vakët nga qeveria italiane e ajo austro-hungareze, gjaku do të kishte vajtur deri në gju dhe shfarosja e popullatës shqiptare islamike do të kishte qënë tërësore që asokohe.
    Për përmbushjen e prapësive të tyre - zhdukjen e shqiptarëve islamikë çamër, janinas etj.- kryqtarët s'linin rast t'u shpëtonte nga dora. Duke shfryrë dufin që po i mbyste për shkak të dërrmimit të ushtrisë së tyre pushtuese në fushat e Anadollit Perëndimor, u vërsulën egërsisht mbi shqiptarët islamikë çamër, janinas etj. Qindra e qindra prej tyre u rrahën për vdekje, u zvarrisën rrugëve dhe u dergjën binxave të burgjeve; nuk ishin të pakët ata që u therën aty-këtu. Megjithatë asgjësimin përfundimtar të shqiptarëve islamikë kryqtarët athino-fanariotë ende nuk e arritën dot. Shkak tjetër për zhdukjen përfundimtare të çamërve dhe shqiptarëve të tjerë islamikë brenda shtetit grek zunë shpërthimin dhe vazhdimin e luftës greko-italiane: tetor 1940-prill 1941. Duke filluar prej pragut të shpërthimit të luftës në fjalë dhe në vazhdim të saj, tërë meshkujt shqiptarë islamikë u rrëmbyen prej horofillakëve dhe u mbyllën në çarqet shfarosëse të ngritur në ujdhezat egjeike, madje edhe pranë Athinës së "qytetëruar"(!!!?). Mjerisht tanimë mungojnë dëshmitarët që i hoqën mbi kurriz kafshëritë kr. a-f., po kujtimet e tyre të shkruara i kemi ruajtur. Riza Nexhip Kali (dtl. 1906) nga Paramithia shënon: "Kudo që na gjëjën, horofillakët na mbërthejën e dikue na hequr xarrë-xarrë, na mbllijën nëpër katonje ku na zihej frima. Kur horofillakët na mundojën e na poshtërojën kështu, priftërinj dhe të krishterë vëndës e grekër të ardhur, që ne u keshëm mbarë shpirtin me bukë, mblidheshin rreth e rrotull e na përqeshjën. Pas ca orësh na qitën atej gjisëm të vdekur; na lidhën me litarë në vargje edhe nga 100 e ca vetë e na nisën për internim. Gjatë tërë udhëtimit nuk na i ndajën shkopin, gllupën e dipshikun e dufeqit. Na goditjën ku u vinej më kollaj. Nëpër çdo fshat a qutet që na shkojën, të dia anët e udhës mbloneshin me njerëz të xhinosur; na shajën me fjalët më të flliqura për flamurin, kombin e Shqipërinë; na pështijën e na goditjën me ç'u zi dora: gurë, ve e perime të prrishura. Horofillakët u thoshën: "Binuni, se janë robër; i kemi zënë në luftë". Në kotecet ku na mbllijën, na ipjën nga një lugë lëng fasulesh a lakrash pa artsi". Prej mungesës së ushqimeve e sidomos nga sëmundjet -pasi ishin lënë pa kurrfarë kujdesi mjekësor- të mbyllurit nëpër ato çarqe po shuheshin ca nga ca nga ora në orë dhe nga dita në ditë. Nga shfarosja tërësore i shpëtoi vetëm mësymja e ushtrive gjermane e bullgare. Në gjysmën e 10-ditshit I të prillit 1941 njësi të atyre dy ushtrive goditën e brenda 2-3 ditëve përgjunjën ushtrinë kr. a-f.. E dërrmuar në mënyrë të pandreqshme, ushtria kr. a-f. u detyrua të hidhte armët e veta të stërgjakosura dhe vetë shteti grek u ndë nën këmbët e fitimtarëve. Kjo ngjarje u dha mundësi çamërve islamikë të mbetur ende gjallë në kurthet egjeike të shfarosjes që të shpëtonin nga vdekja e pashmangshme. Mirëpo kryqtarët nuk i shqetësonte prania e atyre që u kishin dhënë hundët në duar dhe i mbanin si qenin në shkardhë, po prania e çamërve në trojet e veta stërgjyshore. Për të zhdukur përfundimisht çamërit nga vatrat e veta, kryqtarët me kryeministrin Rralli, gjeneralët Çollakogllu, Kaçimitro e krerë të tjerë si Sofuli, Papandreu etj., u bënë bashkëqeveritarë me nazistët dhe ngritën armatën e vet të posaçme nën emrin: Ethnikon Omadhon Elinon Andarton (Çetat Andarte Kombëtare Greke), betimi i pjesëtarëve të së cilës ishte: "jeniqi sfai" (therje të përgjithshme); në krye të saj vunë të mirënjohurin e vet të hurit e të litarit, një nga gjakatarët më të egër, ish- majorin Napoleon Zerva. Për vendstrehim të saj zgjodhën humbëtirat e Sulit, me qëllim që prej andej të vërsuleshin nëpër Çamëri sa më shpejt dhe sa më lehtazi. Prej korrikut të vitit 1942 -kur u ngrit- e deri në fillim të 1944-s në atë armatë u grumbulluan lloj-lloj keqbërësish të shkrepur për gjak, grabitje e gjithfarë ligësish të tjera. Me goditjet e disahershme, në muajt qershor-gusht 1943 njësite të fuqishme andartësh kishin mundur të vrisnin dhe të zbonin të mbeturit nga fshatrat Dhrohomi e Gardhiq. Po, që zhdukja tërësore e çamërve të bëhej sa më egërsisht -doemos me porosi të krerëve të vet- më 29.2.1944 me më të lemeritshmit e tyre të grumbulluar në regjimentet X, XVI e XXXX të kryesuar përkatësisht nga majorët çantallinj: Stefanidhi, Kranjai e Agora, N. Zerva ngriti divizionin X, të quajtur "mirarhjìa tu thànato" (divizioni i vdekjes); në krye të tij vuri të ngjashmin me vetëveten, n/kolonelin çantalli, Vasil Kamarën. Pas aq e aq goditjesh të herë pas herëshme gjatë viteve 1942-1943 dhe gjatë 6-mujorit I të vitit 1944, të 3 regjimentet e mirarhjia tu thanato u vërsulën hijenërisht kundër shqiptarëve islamikë në mbarë Çamërinë. Të prirë nga vet dhespoti i mitropolisë së Paramithisë dhe priftërinjtë nënurdhësa të tij, më 27.6.1944 u derdhën nëpër qytetin në fjalë dhe çelën kështu të parën thertore masive; regjimenti i Kranjait u bë kryetherësi. Të pasnesërmen regjimenti i Stefanidhit u sul në Karbunar, Margëllëç e Luarat dhe përpiu këdo që s'kishte arritur ende të mërgohej; ishte kjo thertorja e dytë masive; kurse të tretën masive e çeli më. 28.7.1944 teseradhekaohton sindagma (regjimenti XXXX) i Agorës dhe i zv. të tij, major Papanikës në Pargë. Ata çamër islamikë që kishin besuar gënjeshtrat e priftërinjve dhe "miqve" grekër u therën të parët; me jetën e vet e paguan edhe tërë të mashtruarit prej të gënjyerve bashkëqytetarë a bashkëfshatarë. Cilit a cilës i fluturonte koka, cilit a cilës i shpërthenin zorrët, cilit a cilës i qiteshin sytë, cilit a cilës i priteshin gjymtyrët. Cili a cila vraponte e nuk kapej dot, grihej me breshëri plumba mitralozësh, pushkësh e revolverësh. Bërtitjet lemeritëse dhe rënkimet rrënqethëse ndiheshin gjithandej. Urrejtja e tyre kryqtare arriti deri atje saqë dikë ta digjnin për së gjalli; një prej tyre ishte edhe gruaja 28-vjeçare, Sanije Bollati nga Paramithia. E mbetur përgjysëm e gjallë, duke mos patur kurrfarë mjekimi, u mbulua nga krrimbat dhe kështu shoi me lemeri të patreguar pas 3-4 ditësh. Me hijenësi ende të paparë gjer asokohe u shqyen dhrohomìtët e gardhiqasit që u kapën në Paramithi. Prej tyre nuk shpëtoi askush. Shkaku i atij polifemizmi aq të egër ishte ah-u që ata i përcëllonte që një vit më parë, për shkak të qëndresës tejet burrërore që ata kishin bërë për mbrojtjen e fshatrave të veta. Tërë fëmijët dhe gratë që më 27 qershor mundën të shpëtonin, duke u fshehur 1-2 ditë, u mbyllën nëpër biruca dhe vende të tjera, ku nga sëmundjet dhe papastërtia e plotë vdisnin nga dita-në ditë e nga ora në orë. Luftëtarët e pakët që u tubuan ngutësisht ca aty e ca këtu nuk ishte e mundur ta ndalnin e aq më pak ta zmbrapsnin dallgën shfarosëse EOEA-site. Javë pas jave ato grupthe pasi linin në vendluftime si dëshmitarë disa nga bashkëluftëtarët më trima, shtrëngoheshin të tërhiqeshin nga vendluftimi i mëparshëm në të pastajmin, duke lënë kështu detyrimisht nën thundrat e përbindshave njërin vendbanim pas tjetrit. Thika EOEA-site ishte mjeti më i përdorshëm; shtatzënave u çahej barku, fëmijëve u pritej koka, pleqve e plakave e kujtdo tjetër që kapej u zihej fryma apo u shtypej kryet me pllaka shkëmbenjsh. Edhe qëndresa gjatë rrjedhës së lumit Kalama nuk zgjati më tepër se 15-20 ditë. EOEA-sitët kaluan në veri të rrjedhës dhe pas fare pak ditësh, natën e 21-22 shtatorit 1944 regjimenti i 24 EOEA-sit i komanduar nga majori çantalli, Ili Kaçua, mundi të futej në Filat; vartësit e tij vrisnin a thernin cilindo a cilëndo që gjenin përpara. Të nesërmen dhe ditët në vijim çdo shqiptar a shqiptare islamike mbetur ende gjallë, e mbyllnin nëpër bimësa dhe pas 2-3 ditësh grupe-grupe të lidhur varg njeri me tjetrin, i shpunë në vendet e paracaktuara jashtë qytetit dhe i grinin me thika e plumba.
    Rreth 15-20 dhjetorit 1944, gjatë disa ditësh me shi të dëndur të pandërprerë, kur dukej "sikur ish çarë qielli" dhe nëpër një të ftohtë të llahtarshëm, EOEA-sitët, duke mos patur shteg tjetër, dëbuan kë kishte mbetur ende gjallë nëpër birucat e Filatit dhe të Paramithisë; gati 360-370 vajza, gra, fëmijë e plaka i vunë me shkop përpara dhe, duke mos ua ndarë atë nga kurrizi, i lëshuan hej nëpër pllajën malore të Shëndëlliut dhe grykën shkëmbore Koskë-Vërvë. Të lënë në një vend kur bora arrinte gati në një metër trashësi, kur shiu binte "si krahu" dhe murlani ushtonte e uturinte si i marrë, duke mos e ditur vendin për të dalë këtej kufirit, 25 vetë - kryesisht fëmijë rreth 10-vjeçarë, ngrinë nga të ftohtit; ndër ta edhe e mbesa e myftiut të Paramithisë, e vetmja e mbetur ende gjallë.
    Në fillim të 1945-s EOEA-sitët avulluan prej Çamërie; njësi të ushtrisë ELLAS-ite i vunë përpara si dhitë e egra dhe i flakën nëpër ujdhezat jonike. EAM-i ftoi menjëherë çamërit të riktheheshin në vendbanimet e tyre dhe njëherit urdhëroi këshillat përkatëse të ngritura pas shporrjes së EOEA-sitëve që të kthyerve t'u jepnin çdo ndihmë të mundshme për të rifilluar jetesën në kushte lirie. Çamërit, të cilët po dergjeshin aty-këtu në mjerim e vuajtje e që po shuheshin nga dita në ditë, s'kishin udhë tjetër, veç kthimit. Brenda pak javëve çamërit mbuluan tërë trevën në veri të rrjedhës së Kalamait; dyshimi që i brente bëri që për matanë rrjedhës të nguronin. Mjerisht në fillim të marsit 1945 gjëndja ndryshoi rrëmbimthi. Për kushte apo rrethana që dihen, EAM-i dhe ELLAS-i pranuan marrëveshjen me fuqitë kundërshtare: mbeturinat e ushtrisë greke të përzëna tok me mbretin në maj 1941 si edhe me njësitë deri atëherë bashkë-vepruese me nazistët e sapoikur. Sipas saj EAM-i, me mendjelehtësinë më fëmijënore, pranoi që ELLAS-i (ushtria nacionalçlirimtare greke) të çarmatosej. Kur njësitë e saj po grumbulloheshin në aerodromin e Janinës dhe po dorëzonin armët, në hapësirën papritmas mbi ta u shfaqën gjuejtës-bombarduesit anglezë të mbretit grek. Duke u vërtitur sa andej këndej, shpraznin breshëri të pambarim plumbash dhe bombash mbi masën që vishte tërë fushën. Kërrdia merret me mend; ata që shpëtuan u bënë çep e këmbë. Të vënë menjëherë në dijeni mbi sa ndodhi në aerodromin e Janinës, mbeturinat EOEA-site të shpërndara bishtër-bishtër nëpër ujdhezat, qitën sakaq zverk si breshka nga guaska; në errësirën e mbrëmjes së asaj dite të mynxyrtë(5 mars 1945) zbritën në anëdetin çam dhe iu vërsulën tërbimthi çamërve islamikë dhe pjesëtarëve të vendkomandave të pakta ELLAS-ite. Brenda 3 ditëve shumica dërrmuese e çameve dhe çamërve islamikë kishte mbaruar nën tehat e thikave, kamave dhe sëpatave të EOEA-sitëve. Valës grirëse mundën t'i shpëtonin vetëm ata që, duke vrapuar, arritën të kalonin brenda kufirit shtetëror greko-shqiptar.
    Organizata e Kombeve të Bashkuara, trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Lidhjes së Kombeve -e cila në vitet 1913 e kishte mbyllur atë popullatë në burgun grek, të ngjashëm me zgavrën polifemike - nuk deshi të shihte lumenjtë e gjakut e as të dëgjonte klithmat, rënkimet, vajtimet e mjerimet e saj. Dhe ç'është edhe më keq, se ajo edhe sot e kësaj dite, kur çirret e ngjiret për drejtësi e liri, vetëm për shqiptarët islamikë çamër as që do të dijë. Është detyra e saj që ta shtrëngojë qeverinë e sotme greke të dënojë pararendësit e vet fajtorë, të mundësojë kthimin e çamërve dhe të përzënëve të tjerë në vatrat e pronat e tyre, duke u njohur atyre të drejta të barabarta me ato që pakica grekfolëse gëzon në shtetin shqiptar. Nëse BE-ja s'e bën detyrën e vet, atëherë asaj i pëlqen të mbajë në gjirin e vet një qeveri gjakatare, drejtësi e lirimohuese.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Ne Kujtim Te Masakres Se Filatit

    NE KUJTIM TE MASAKRES SE FILATIT

    Ahmet Xhafo

    Më 13 mars u mbushën 61vjet nga masakra e Filatit, e kryer më 1945 nga bandat shoviniste greke kundër popullsisë së pafajshme çame të Filatit me rrethe. Kjo ishte vala e dytë tragjike e gjenocidit të filluar në qershor të vitit1944 nga trupat fashiste të Napolon Zervës.
    Sipas dokumentave te Komitetit Antifashist te Minoritetit Çam të referuara edhe nga historiani Beqir Meta, pas shpartallimit të trupave të Zervës nga ana e ELAS-it në vjeshtë 1944, rreth 3000 – 5000 refugjatë çamë të shpërngulur në Shqipëri vetëm disa muaj më parë, vendosën të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Çamërinë Veriore pas disa muajsh vuajtjesh në kampet e ngritura me mjete rrethanore në fushën e Mursisë dhe Vrinë, ku dhjetëra refugjatë çamë kishin gjetur vdekjen nga kushtet e vështira higjenike, mungesa e ushqimit, sëmundjet apo moti. Para kthimit në Çamëri ata kishin marrë sigurime verbale madje edhe nga një mision i rëndësishëm diplomatik perëndimor në Tiranë. Por tek punonin arat e tyre dhe mbarështronin blegtorinë në Filat, ata u bënë sërish viktimë e hiper-nacionalizmit të verbër grek.
    Më 5 mars 1945 rreth 100-200 ushtarë grekë zbarkuan nga Korfuzi në Sajadhë. “Pasi rrethuan Filatin, Shqefarin e Spatarin – shkruan më tej historiani Meta – nisën vrasjet e banorëve paqësorë, që sapo kishin filluar të punonin tokat e tyre.” Vrasja makabre e 13 marsit 1945 e rreth 70 vetave ne Filat dhe dhjetëra të tjerëve në Përroin e Vanarit dhe krimet e tjera rrënqethëse ndaj grave, fëmijëve, pleqve e plakave të pafajshme e të pambrojtura çame u cilësua si një “masakër e vërtetë” nga vetë zyrtari britanik Palmer në Raportin e tij drejtuar Forin Ofisit (foreign office) për vizitën që ai bëri në terren nga 9 – 14 prill 1945.
    Akti i dytë i gjenocidit ndaj minoritetit çam në Greqi i marsit 1945 - i zbatuar në Filat shumë muaj pas largimit të pushtuesve nazistë nga Epiri apo Çamëria ku edhe ne kete rajon ishte vendosur autoriteti qeveritar grek i pas luftës - është një tjetër argument që hedh poshtë edhe një herë akuzat e pathemelta dhe propagandën mashtruese se “çamët u larguan vullnetarisht drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar dënimit që meritonin si bashkëpunëtorë të nazizmit.”
    Këtë krim rrënqethës nuk mban dot as dheu. Urdhëruesit dhe ekzekutorët e tij ishin leitnant Kristo Kaca, major Ilia Kaca dhe kolonel Zoto. Ata për fat të keq i shpëtuan drejtësisë. Por frymëzuesit e vërtetë ishin qeveria e Plastiras dhe pjesa më e skajshme, raciste, intolerante, antisemite e fondamentaliste e klerit ortodoks, e ushtrisë dhe opinionit publik grek. I takon qeverisë së sotme greke, madje do të ishte detyrim moral dhe juridik i saj, që edhe sot të hapte një hetim, të përcaktonte përgjegjësitë, dhe të spastronte ndërgjegjen aq fort të ngarkuar. Masakra e Paramithisë e qershorit 1944, ajo e Filatit në shtator 1944 si dhe e Filatit e marsit 1945, apo ato të trevave të tjera në Çamëri, përbëjnë krime kundër njerëzimit, dhe si të tilla as nuk mund të parashkruhen, dhe as të harrohen. Një nga dëshmitarët e shumtë të kesaj masakre Zaije Tafil Haxhiu nga Filati, tregon se : « Tasho Çifuti e grekër të tjerë nga Filati morën përsipër të përcillnin për në kufirin shqiptar fëmijët, gratë e burrat që kishin mbetur gjallë por në « Vanar » turmën e pambrojtur e ndalën bandat e armatosura të komanduara nga Kristo Kaco. Ata filluan vrasjet me spata e therjet me thika. Dëgjoheshin vetëm klithmat në agoni të burrave që vdisnin dhe lemeritjet e fëmijëve e të grave që kërkonin pjestarët e familjes. ».



    « U tmerrova – thotë më tej dëshmitarja-kur pashë kokën e Haki Banës që rrokullisej në tokë dhe trupin e Dalip Hamzajt nga Versela, të bërë copa-copa e të futur në thes. U tmerrova kur pashë tre të rinj të lidhur, të cilëve u kishin prerë veshet, hundën, u kishin nxjerë sytë dhe rrjepur lëkurën .»

    Në lidhje me masakrën e Vanarit shkruan edhe historiani grek N.Zhangu :
    “Nga një deshmi e një E.D.E.S-i raportohet ekzekutimi në vendin e quajtur Vanar te 65 çamëve. Dhjetra të tjerë u hodhën në urën e Naçit. Në Thesproti u shkelën të gjitha ligjet e njerëzimit.” “Këto ishin - shkruan historiani tjetër grek J. Shara- përfundimet e politikës pa lavdi të Metaksajt, të politikës imperialiste italiane dhe të politikës së papërmbajtur të E.D.E.S.-it, të cilët vulosën me gjak....dhe me një fat katastrofik për të dyja popullatat, që kishin për epilog çrrënjosjen e shqiptarëve çamë nga dheu i të parëve të tyre nga shtëpite e malli i tyre, ishte shpërthim i hakmarrjes mbi të pafajshmit dhe të pambrojturit....”

    Kujtimi i kësaj ngjarjeje të hidhur nuk mund dhe nuk duhet të provokojë ndjenja armiqësore ndaj popullit grek. Në fakt, popullsia çame, qoftë minoriteti çam në Greqi dhe qoftë refugjatët çamë në Shqipëri, nuk kanë ushqyer kurrë ndjenja të urrejtjes ndaj shtetit dhe popullit grek. Përkundrazi, çamët nuk kanë qenë anjëherë të interesuar për dëmtimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Madje, edhe Kongresi i Minoritetit Shqiptar të Greqisë, i mbajtur në shtator të vitit 1945 në Vlorë fill pas ushtrimit të gjenocidit, nuk pati kurrfarë shfaqje racizmi apo armiqësie ndaj popullit grek apo minoritetit grek në Shqipëri [Reportazh nga Kongresi Çam, gazeta Bashkimi, 26 shtator 1945].

    Sot, tek nderojmë kujtimin e viktimave të masakrës së Filatit, nuk mund të mos shprehim shqetësimin për mosgatishmërinë nga ana e qeverisë greke të njohjes dhe zgjidhjes së të drejtave të njeriut të minoritetit çam që jeton përkohësisht në Shqipëri apo në vende të tjera. Shoqata për të Drejtat e Njeriut Çamëria i bën thirrje qeverisë së z. Karamanlis që të tregojë vullnetin dhe guximin e duhur për zgjidhjen dhe trajtimin njerëzor të halleve e problemeve të minoritetit çam të Greqisë, këtyre banorëve të Thesprotisë së lashtë e pasardhës të Pirros së Epirit, që kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre e të jetojnë në paqe e harmoni me popullin grek, njëlloj si të gjithë shtetasit e tjerë të Greqisë apo të Bashkimit Evropian. Greqisë moderne të z. Karamanlis do t’i rritej shumë prestigji, autoriteti dhe respekti ndër shtetet dhe kombet e qytetëruara të botës nese do ta trajtonte problemin tonë me mendje të kthjellët, pa pasione dhe pa paragjykime.

    Por ka ardhur koha që problemi i të drejtave të njeriut të minoritetit çam të gjejë vëmendjen e duhur dhe të trajtohet edhe në instancat e larta evropiane, si për shembull ne Strasburg apo në Bruksel. Në Evropën e shekullit të XXI nuk mund të pranohet më mungesa e vëmendjes ndaj minoriteti më të harruar dhe më të neglizhuar në kontinent.

    Ahmet Xhafo Kryetar
    Shoqata për të Drejtat e Njeriut Çamëria
    SHBA

    http://www.gazetashkodra.net
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    ................
    Anëtarësuar
    19-11-2004
    Postime
    1,110
    Gjëra që dihen o forum 126 !!
    Kisha greke dhe e djathta greke sot (i akrodeksi tis xrisis augis) janë ata që kanë ndezur dhe i kanë mbajtur gjallë pishtarët e Megalomanisë greke gjatë gjithë kohërave.

Tema të Ngjashme

  1. Si lindi harmonia fetare në Shqipëri?
    Nga Albo në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 127
    Postimi i Fundit: 27-10-2010, 08:41
  2. Rrymat politike katolike shqiptare
    Nga ~Geri~ në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 74
    Postimi i Fundit: 30-04-2006, 04:33
  3. Çka i ndanë dhe çka i bashkon shqiptarët?
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-04-2006, 18:33
  4. Lufta Italo-Greke dhe shqiptarët
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 20-02-2005, 20:07
  5. C'ka eshte Shqiptaria?
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 23-07-2004, 12:28

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •