Diku kam lexuar se filozofi dhe shkrimtari ekzistencialist Jean-Paul Sartre ndërsa shkruante i pëlqente të mbante përpara në tavolinën e punës, fruta të kalbura. "Aroma" që i sillte kalbëzimi i tyre e ngacmonte gjer në frymëzim, për të shkruar. Nuk e di se sa efektive dhe e aplikueshme mundet të jetë kjo "mënyrë". Por ajo që doja të theksoja është lidhja e ngushtë midis procesit artistik të krijimit me subkoshiencën humane. Meqënëse jemi në një temë "delikate" si shkrimi, që në shqip po t'i hiqet shkronja e parë paradoksialisht bëhet krimi, unë mendoj se ekzistojnë miliona mënyra të shkruari në miliona tipa dhe karaktere të ndryshëm krijuesish për ta ekzekutuar fjalën. Por pika e përbashkët qëndron tek "provokimi" apo "disiplina e punës", "rutina e krijimit", apo "vesi i të shkruarit", ose "mania e sëmundjes" së kryerjes së (sh)krimit, e thënë kjo me pak thriller-humoristik natyrisht. Njësoj si thënia se "krimineli e ka në gjak krimin" edhe "shkrimtari e ka në gjak shkrimin". Të gjitha këto do të përbënin një karvan pilgrim-pikpyetjesh duke u ngjitur në shpatin e pjerrët të ekzistencës së krijuesit me : Si(?), Ku(?), Qysh(?), Kur(?), shkruajmë ?! Madje edhe Përse(?), shkruajmë ?! Nga përvoja personale nuk kam mbëritur ende tek Përse-ja. Por duke parë dhe vrojtuar shpesh veprimet e mia kam kuptuar domethënien e pikpyetjeve të tjera përgjatë të përpjetës së foljes shkruaj, që në rastin tonë figurativ korespondon edhe me një kacavjerrje imagjinare. Ndërsa rrezet e para të diellit fillojnë dhe prekin sipërfaqen e "tokës së premtuar" së bashku me to fillon edhe mëngjesi im atje ku mer zanafillën e vet rrëfenja. Me sy të buavitur dhe veprime të ngadalta ndër të parat gjëra që kërkoj është kutia e kafesë. E ndërsa shpëlaj në dush "pluhurin" e zbardhur të rrugëtimeve ëndërore të një nate të mëparshme, ja ku është gati edhe kafeja të cilën për të gjitha këto vite e përgatis vet. Aroma e kafesë mbështjellë atmosferën e përgatitjes së procesit të krijimit. Sikur dikush tjetër të ma përgatiste këtë kafe me më shumë ose më pakë sheqer, apo më të fortë a më të lehtë në kafeinë, do të më ç'ekujlibronte krejt shijen e gjuhës dhe prej aty në mënyrën më të pashpjegueshme e krejt paranojake drejtpeshimi i mëngjesit tim do të ishte i humbur për më tej. Dhe drejtpeshimi është i domosdoshëm për të mbëritur gjer tek tastjera dhe rihapur memorjen e PC-së. Gjithmonë zilja e telefonit, hyrja në internet apo hallakatja nëpër e-mail më ka dëmtuar. Ndaj i vetëm, në qetësinë e dhomës time, kryesisht mëngjeseve, nën aromën dhe shijen e kafesë, larg çdo kontakti dytësor, krijoj. Ndonjëherë kur mendimi ngec, në ndihmë më vjen ndonjë cigare që luan rolin zbërthyes alkimik në epruvetën e mendimit, por që shpesh kur puna më ecën është e pa nevojshme. E gjitha kjo në kohëzgjatje pothuajse dy orëshe për pesë ditë të javës. Më tej më duhet të rend përjashta në "xhunglën" figurative të "tokës së premtuar" për të siguruar jetesën dhe mbështetur familjen, me biznese që nuk kanë asnjë lidhje farefisnore me letërsinë. Diku është thënë se "ekziston një krizë e përbotshme në letërsi". Unë këtë e kuptoj me faktin se materializmi industrialist dhe globalizmi vazhdon të bëhet më i sofistikuar çdo ditë dhe kufizon përherë e më tepër kontaktet e shpirtit njerëzor me Un-in modern. Si rjedhoj kemi një krizë të përbotshme jo vetëm në arte dhe letërsi por gjithkund. Për të mbushur ciklin e plotë të vetvetes, mbrëmja është ajo që përmbush pjesën tjetër të info-kulturës. Materiale letrare në internet, përkthime, posta elektronike me miq e kolegë, ose gjithmonë duke lexuar libra i shtrirë. Fund-java përkon me përmbyllje dhe redaktime më të zgjatura pa nxitim të asaj që kam filluar të shkruaj gjatë ditëve të mëparshme natyrisht duke mos haruar edhe obligimet familiare dhe shoqërore. Më ngjall shumë kënaqësi rikthimi në materiale të shkruara kohë më parë.
Një skulptor dhe ish petagog i arteve të bukura, pijetar i njohur, më pat thënë një herë në telefon nga Tirana : "Flurka me drink-un si je në Amerikë ? Të bën mirë për krijimtari. Mos e lërë pas dore" ... Me zor e mbajta të qeshurën .
"Me raste profesor, kur jam në forëm. Kur kam kohë në netët me hënë" i thashë buzagas duke e gënjyer. Sepse nuk jam pijetar. Pijë veçse kur jam boshë , nuk shkruaj dhe s'kam asgjë për të thënë. Dhe shkruaj e lexoj gjithmonë për të qënë në forëm dhe kam kaq shumë gjëra për të kuptuar. Ky fakt dëshmon edhe një herë që jemi këta që jemi dhe nuk ndryshojmë. Përpjekja për të dalë nga vetja është totalisht kaotike. Kjo ndoshta është edhe Përse-ja e faktit Përse(?), shkruajmë ?! Sikurse, tek shëmbulli i Jean-Paul Sartre, mundet të jetë krejt e kundërta.