Nga info@besiana.de Më 25 Feb. 2006 18:04

Shteti, mënyra dhe forma e ndërtimit të shtetit të Kosovës


Shkruan: Dr. Muhamet Kelmendi, kryetar i UNIKOMB-it

Në kuadër të zgjidhjeve statusore për Kosovën, shteti del si forma e vetme e mundshme dhe juridikisht e pranueshme për popullin e saj. Kjo edhe kundruall faktorit ndërkombëtar fiton në peshë dhe arrihet tek subjektiviteti dhe marrja e përgjegjësive ndërkombëtare. Me këtë status, Kosova ka kompetenca në çdo fushë, duke u përgjigjur para popullit të saj dhe faktorit ndërkombëtar për zhvillimet në vend.

Përkitazi me statusin e tillë, shtrohet çështja jo në kontekst të asaj se a i plotëson Kosova elementet e shtetit, por të asaj se si dhe në çfarë mënyre duhet ndërtuar shtetin. Por, për këtë dhe për të dhënë mendim adekuat në çështjen e tillë, duhet theksuar elementet e shtetit, të cilat Kosova i plotëson për të qenë shtet. Mbi bazën e tillë është më lehtë për të nxjerrë formën dhe mënyrën e ndërtimit të shtetit, kuptohet duke u mbështetur në vullnetin e brendshëm dhe në normat demokratike të vendosura nga faktori ndërkombëtar për formën demokratike të ndërtimit të shtetit, të cilat kanë treguar pjekuri politike në arritjen e barazisë.

Elementet mbi të cilat duhet zgjidhur statusin e shtetit për Kosovën janë:
1. Territori kompakt i Kosovës
2. Popullsia kompakte dhe shumë demokratike e vendit
3. E tashmja dhe e kaluara historike e vendit
4. Vullneti i shprehur i popullit të Kosovës për shtet
5. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës për shtet demokratik, e udhëhequr nga UÇK
6. Vullneti dhe aftësia e popullit dhe e institucioneve të vendit për të siguruar barazinë e kombeve brenda vendit, si dhe për t’i kryer obligimet ndërkombëtare kundruall popullit të vet, shteteve fqinje dhe organizmave në botë
7. Aftësia e Kosovës për t’u zhvilluar ekonomikisht, në fushën sociale, në kulturë, shkencë etj., për të gjithë popullin, pavarësisht përkatësisë nacionale, bindjes fetare etj.

Faktet e tilla flasin se Kosovën duhet organizuar në shtet. Asnjë formë a zgjidhje tjetër, përveç shtetit të pavarur dhe sovran nuk duhet pranuar, sepse faktet e tilla të shtetit i ka vendosur faktori ndërkombëtar, ndërsa Kosova i plotëson. Kjo edhe për faktin se populli i Kosovës bindet se faktori ndërkombëtar po i zbaton rregullat e njëjta edhe për Kosovën, për ndërtimin e shtetit të lirë dhe demokratik, dhe kështu zgjidhen problemet e shkaktuara nga pushtimi i gjatë, duke i dhënë dënimin e merituar shtetit serb për dhunën dhe terrorin e shkaktuar në Kosovë, jo vetëm në anën juridike, morale e ekonomike, por edhe duke e humbur “sovranitetin” mbi Kosovën (shih: dënimi i Gjermanisë, Japonisë etj. për LDB-në).

1

Nëpërmjet kësaj dhe pas arritjes së pajtueshmërinë për shtet, dalin dy çështje shumë më rëndësi, të cilat i takojnë kryesisht popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës për t’i kryer. Këndej flasim së pari, për çështjen e shpalljes dhe të konstituimit të shtetit të Kosovës dhe, së dyti, është çështja e mënyrës dhe formës së ndërtimit të shtetit. Këto dy çështje kanë shumë domethënie, jo vetëm brenda vendit për të siguruar barazinë e popullit të Kosovës në çdo drejtim dhe lëmi, por edhe për të fituar besim në botë, si dhe për të marrë përgjegjësitë nga organizmat ndërkombëtar dhe shtetet.

Tanimë dihet se në praktikën ndërkombëtare është forma e njohur e ndërtimit të shtetit të pranuar ndërkombëtarisht, dhe në një apo formë tjetër ajo është e sanksionuar edhe me aktet ndërkombëtare. Këtu, ne nuk kemi nevojë të nxjerrim teori, mënyra apo forma tjera të konstituimit të shtetit, sepse ekziston forma e njohur e shpalljes së shtetit, e cila ka filluar që në kohën e lashtë dhe e njëjta është aplikuar edhe nga shtetet tjera të botës, dhe vet ish-republikat e Jugosllavisë kur e shpallën pavarësinë e shteteve të veta nga ish-Federata. Kjo formë është futur në praktikën ndërkombëtare për krijimin e shteteve të reja dhe sovrane në botë, dhe mbi këtë vepron edhe KB.

Së këndejmi, nga Kuvendi i Kosovës, me pranim apo pa te të shtetit serb, duhet të shpallet shteti i pavarur dhe sovran, duke u mbështetur në faktorët e shtetit të elaboruara më lartë. Mbi këtë bazë duhet zhvilluar REFERENDUMIN në Kosovë për dy çështje dhe, përkatësisht për statusin e shtetit të Kosovës, qoftë nevoja duke paraqitur edhe opsione tjera, si dhe për formën e sistemit të shtetit: sistemin presidencial apo sistemin e republikës parlamentare. Pas marrjes së mendimit të popullit nga referendumi shpallet vullneti i tillë, dhe nga Kuvendi i Kosovës nxirret Kushtetuta e vendit, që miratohet nga populli dhe futet në veprim, dhe mbi këtë kushtetutë ndërtohen institucionet e shtetit, nxirren ligjet dhe garantohet barazia, liritë dhe përgjegjësitë e shtetit.

Mënyrën e tillë të shpalljes dhe të konstituimit të shtetit nuk e zbehë ideja se në këtë çështje duhet të marrë pjesë edhe faktori ndërkombëtar, nëpërmjet Grupit të Kontaktit, sepse vetë përfaqësuesit e këtij Grupi (katër përfaqësues në të janë anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së) deklaruan së “vullneti i popullit të Kosovës mbi 90% është për shtet të pavarur dhe sovran”. Këtu s’ ka kundërshtime, sepse kemi unitet, por çështja shtrohet të mënyra e ndërtimit të shtetit nëpër fusha, të cilat garantojnë një zhvillim dinamik, demokratik dhe harmonik brenda vendit, sikundër edhe marrjen e përgjegjësive ndërkombëtare si shtet mbi veti, duke i kryer tërë obligimet që dalin nga BE, OSBE dhe KB.

Duke u mbështetur në gjendjen që e ka Kosova, sistemi republikës parlamentare është forma më adekuate që i përgjigjet vendit për ndërtimin e një sistemi demokratik, dhe më shoqëri të lirë, të barabartë dhe humane; me të drejta nacionale të garantuara. I këtij mendimi jam, sepse ndryshe është kur marrin pjesë 120 deputetë në Kuvend, të cilët diskutojnë dhe votojnë për çështjet e tyre, e ndryshe është kur presidenti vendos në mënyrë të njëanshme për shumë çështje, pavarësisht pse Kuvendi ka mundësi t’i diskutojë dhe kundërshtojë të njëjtat. Megjithatë, përparësitë e sistemit të republikës parlamentare janë të dukshme, sepse procedura është shumë e shkurtë dhe mundësia e shoshitjes së mendimeve para aprovimit është shumë e gjerë, dhe ka mundësi të paraqitjes së mendimeve të kundërta. E gjithë kjo është transparente.

Para shtetit të Kosovës shtrohen krahas këtyre edhe disa çështje shumë domethënëse për ardhmërinë e vendit. Kur flas për këto zakonisht mendoj:

Së pari, në ndërtimin e një shteti demokratik, me kuvend, president dhe qeveri që dalin nga vota e lirë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe të cilët kanë përveç të drejtave,edhe obligime dhe përgjegjësi, gjë për të cilën mendoj së është thelbësore. Pse? Sepse institucionet e Kosovës pa e pasur edhe institucionin e përgjegjësisë të sanksionuar me ligj, jo vetëm në kuptimin moral, por edhe të ndjekjes penale, nuk kanë mundësi të funksionojnë drejtë dhe të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm i udhëheqjes së vendit. Vetëm me Kuvend që ka funksion legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe, para të cilit përgjigjën institucionet, ndërtohet shteti demokratik.

Së dyti, me ndërtimin e të gjithë mekanizmave të shtetit, si të ushtrisë së pavarur dhe të inkuadruar në NATO-në, të policisë dhe të sistemin të judikaturës të tipit të perëndimit.

Së treti, me zgjidhjen e çështjes nacionale të çdo kombi a kombësie, pavarësisht madhësinë e saj, mbi bazën e normave ndërkombëtare të sanksionuara nga organizmat ndërkombëtar, pa nxjerrë teori të reja mbi liritë dhe të drejtat e minoriteteve, sikundër është aktualisht me kërkesat për zgjidhjen e çështjes nacionale të minoritetit serb, të cilët arritën deri atje me kërkesa, saqë duan shtete në shtet, duke bërë mishmash shtetin dhe duke ia humbur funksionimin si shtet sovran. Kosova duhet të veprojë në çështjen nacionale sipas teorisë dhe praktikës së shteteve tjera për minoritete, pa ja humbur funksionalitetin shtetit sovran.

Së katërti, me nxjerrjen e ligjeve adekuate që e garantojnë ndërtimin e shtetit juridik, dhe përfaqësimin adekuatë të çdo populli në organet e shtetit dhe liritë individuale dhe kolektive të qytetarëve. Nuk mund të kemi shtet juridik pa rregullim juridik të të gjitha lëmive me ligj adekuat dhe, ku janë sanksionuar edhe përgjegjësitë penale për çdo kenë që kryen vepra penale kundër çdo qytetari, sepse para ligjit çdo qytetarë duhet të jetë i barabartë. Në shtetin e Kosovës do të sundon ligji, e jo politika nacionale dhe klanore, të cilën me ligj duhet ndaluar dhe dënuar penalisht.

Së pesti, në shtetin e Kosovës duhet me shumë të futet dialogu midis qytetarëve të përkatësive nacionale, duke larguar hasmërinë dhe duke punuar për jetë të përbashkët në shtet të përbashkët. Kësaj i ndihmon shumë vullneti dhe respektimi reciprok i të arriturave të kombeve e kombësive në çdo fushë, duke luftuar pa kompromis intervenimin e shteteve nga jashtë, të cilat janë përgjegjëse për të kaluarën gjenodiciane të Kosovës nën sundimin serb dhe, të tashmen e saj.

3

Ndërtimi i një shteti të tillë hap mundësinë e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe juridikisht të rregulluar, e cila e pranon shtetin si subjekt ndërkombëtar dhe e aftëson atë për të marrë përgjegjësitë shtetërore karshi shteteve tjera.