Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1

    Lightbulb Kosova Në Mes Diplomacisë Dhe Realitetit

    Dr.Ismail BARDHI

    KOSOVA NË MES DIPLOMACISË DHE REALITETIT

    Çështja shqiptare është duke kaluar fazat e ndryshme dhe problemet
    e përsëritura që historia mirë i ka treguar, si të kohës së lashtë ashtu
    edhe ato të së tashmes. Në diplomacinë shqiptare lexuesi e ka
    vështirë që të hasë në realitetin dhe të drejtën. Siç dihet, diplomacia
    e re evropiane me sjelljet e veta ka dëshmuar se mbi të dobëtin është
    duke bërë eksperimente të ndryshme, duke filluar me shkatërrimin
    kombëtar, ndarjen territoriale dhe çrregullimin e brendshëm kulturor
    e fetar të një populli. Edhe pse koha nuk lejon që të merremi me
    histori ne në mënyrë shumë të shkurtë do ta paraqesim problemin e
    çështjes shqiptare, gjegjësisht segmentit të saj kosovar, të cilat
    argumentojnë trishtimin e ardhmërisë dhe mashtrimin zyrtar të
    diplomacisë evropiane. Kjo mënyrë fillon të vërehet në kohën e
    fundit të Perandorisë Osmane, kur fillon krijimi i shteteve të reja dhe
    pastrimet etnike të konfesionit islam.

    1876
    Për herë të parë kjo çështje nga diplomacia evropiane
    fillon të trajtohet në Konferencën e Ambasadorëve në
    Stamboll, e organizuar me nismën e Anglisë ku marrin
    pjesë 6 fuqi të mëdha të asaj kohe: Anglia, Austro-
    Hungaria, Gjermania, Italia, Rusia dhe Franca. Edhe pse
    kjo Konferencë u mbajt në Stamboll, fjala kryesore ishte
    ndarja territoriale e Perandorisë osmane, ashtu që pjesët
    si Bosna e Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia
    u ndanë ndërmjet Greqisë, Serbisë, Austro-Hungarisë,
    Bullgarisë dhe Malit të Zi. Ishte ky një pazarllëk shumë i
    lirë dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për ardhmërinë.

    1878
    Kongresi i Berlinit. Tezat e lartshënuara u verifikuan
    faktikisht pa i dhënë ndonjë rëndësi diplomacisë osmane
    të asaj kohe, ku kjo diplomaci e luajti rolin më të dobët
    sidomos kur ishte problemi i përkatësisë fetare dhe
    çështjes nacionale. Natyrisht këtu ishte insistimi i Kishës
    Ortodokse që përkatësia fetare islame të identifikohet
    me përkatësinë nacionale turke. Kjo tezë bëri që
    hapësira ballkanike të pastrohet na elementi islam, duke
    përdorur shpërnguljen masive të shqiptarëve,
    boshnjakëve dhe turqve. Natyrisht se kjo rodhi nga ideja
    se meqë të gjithë janë turq, atëherë duhet të shkojnë në
    Turqi.
    1912-1913
    Konferenca e Ambasadorëve në Londër.Në këtë
    Konferencë pa pjesëmarrjen e faktorit shqiptar u vendos
    që territori i shqiptarëve të ndahet në shtetin amë
    Shqipëri (gjysma e tokave shqiptare), ndërsa pjesë të
    tjera të territorit të mbeten nën Mbretërinë Jugosllave
    (Kosova dhe pjesë e Maqedonisë), Malin e Zi dhe
    Greqinë.

    1912-1945
    Mes dy Luftërave Botërore, shqiptarët e Kosovës dhe të
    vilajetit të Shkupit dhe të Manastirit nuk gëzonin
    kurrfarë të drejtash shkollimi në gjuhën e tyre, çdo
    mësim në gjuhën amtare dënohej me masa drakonike.
    Përpos izolimit kulturor ishte i pranishëm edhe
    shkatërrimi ekonomik e etnik. Në këtë kohë filloi
    praktikimi i Memorandumit të njohur të serbit Vasa
    Çubrilloviq. Në këtë kohë shpërngulja e shqiptarëve
    bëhej në masa të gjera për shkak të gjenocidit ndaj
    muslimanëve shqiptarë. Për këtë historiografia ka
    dokumente autentike.

    Në Jugosllavinë e Titos siç dihet teza e "vëllazërim-bashkimit" dhe e
    "barazisë" duke paraqitur ideologjinë marksiste-komuniste filloi
    destabilizimin shpirtëror dhe mashtrimin e "bukur" të cilit iu
    nënshtrua një masë e madhe e popullatës shqiptare e boshnjake. Për
    këtë fazë është folur dhe shkruar mjaft nëpër forume të ndryshme të
    të drejtave të njeriut. Është fakt se populli i Kosovës në këtë kohë
    ishte më i paarsimuari dhe më i paorganizuari, i njohur për nga
    burgimet politike të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ajo që
    duhet theksuar këtu është se çështja e Kosovës me sakrificat e
    mëdha të shqiptarëve filloi ta marrë kahjen e vet të zyrtarizimit, me
    një fjalë të bëhet faktor për vetveten, ashtu që Partia komuniste e
    Jugosllavisë iu detyrua t'ia japë autonominë. Ishin këto vitet 1968 e
    këndej kur vetëdija kombëtare filloi gjithnjë e më tepër të zgjohet.

    Një dridhje tjetër që shkaktoi faktori shqiptar në Kosovë ishte
    periudha 1981-1991, kur kërkesat shqiptare u bënë maksimaliste për
    Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera jugosllave. Në
    këtë periudhë kohore i tërë arsenali i ish-Jugosllavisë u derdh në
    mënyrë të padrejtë dhe anti-ligjore ku u shkelën të gjitha normat
    ndërkombëtare, natyrisht ushtria e ish-Jugosllavisë me arsenalin e
    vet ushtrak filloi ushtrimin e forcës ndaj Kosovës duke shkelur mbi
    trupat e njerëzve të pambrojtur dhe duke bërë burgosje masive.
    Sipas të dhënave të Forumit për të Drejtat e Njeriut të Kosovës
    600.000 shqiptarë nga Kosova kaluan nëpër duart e policisë
    jugosllave. Burgjet në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e
    Hercegovinë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ishin përplot me
    shqiptarë. Në këtë kohë fillon edhe shpërngulja e të rinjve nëpër
    Evropë, numri i të cilëve edhe sot është mjaft i madh. Ndodhitë në
    Kosovë faktori ndërkombëtar i kaloi kinse fare gjë nuk ndodh, edhe
    pse kërkesat e Kosovës ishin minimalisht për kohën që kërkonte
    zhvillimi ballkanik-evropian. Në këtë kohë republikat e ish-
    Jugosllavisë, të cilat sot janë shtete të pavarura, përpos disa
    intelektualëve nuk i dhanë përkrahje politike e morale, saqë edhe
    disa politikanë shqiptarë të asaj kohe iu bashkangjitën fushatës anti-
    Kosovare.

  2. #2
    Kosova ishte ajo që gjenin serb më së miri e njihte, ajo u përpoq në
    çdo mënyrë të tregojë se faktori serb është shumë i rrezikshëm dhe i
    lig, i fëlliqtë për kulturën dhe civilizimin e sotëm dhe i destabilizimit
    në Ballkan dhe më gjerë. Ai është në gjendje të bëjë çmos, por
    fatkeqësisht u hesht ndaj këtyre paralajmërimeve. Të flitet për
    sindromin serb është e tepërt, racionalisht është çmenduri, sepse
    faktet, fotografitë, numrat e viktimave dhe gjaku i cili akoma rjedh
    në troje si Bosnja e Kosova nuk lejojnë tjetër përpos që diplomacia
    evropiane të mendojë mirë kur bashkëpunon me lugatin e shekullit
    XX.

    Në këtë kohë në Jugosllavi ndaj Kosovës filluan të krijohen metoda
    të reja të përndjekjes dhe presionit, si p.sh. të ndiqet "armiku"
    gjithkund: në fushën e arsimit, kulturës, fesë, ekonomisë,
    shëndetësisë etj. Kësisoji duhej që shqiptarët kudo që paraqiten të
    konsiderohen si armiq. Ndërgjegjja e ish-Jugosllavisë faktikisht ishte
    e këtillë. Paramendoni vështirësinë e këtij momenti. Në këtë kohë
    vatra kryesore e arsimimit - Universiteti i Prishtinës me mbi 30.000
    studentë u shpall si kështjellë e nacionalizmit shqiptar,
    fundamentalizmit islam dhe vatër e separatizmit. Vjedhja dhe
    shkatërrimi i resurseve natyrore të Kosovës filloi të bëhet në mënyrë
    shtetërore; kultura filloi të zhduket dhe të asgjësohet, ashtu që ky
    shtet (i cili inshall-llah do të krijohet) nesër mos të ketë mbështetje të
    vet kulturore e historike. Në shëndetësi u bënë helmime,
    eksperimentime të ndryshme dhe pasiguri mjekësore, faktikisht ai që
    kishte nevojë të shërohet nga spitali dilte akoma më i sëmurë dhe me
    frikë psiqike të tmerrit.

    Temat kryesore të cilat i përdorte propaganda për ta përkufizuar
    raportin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës ishin - sipas shkallës
    së nxehjes së makinerisë së saj - "presioni" për t'i detyruar serbët që
    ta braktisin Kosovën, pastaj "terrori" e madje edhe "gjenocidi". Të
    dhënat që përdoreshin për t'i provuar inkriminimet merreshin nga
    përditshmëria e Kosovës, së pari të gjitha trajtat e konflikteve të
    rëndomta midis shqiptarëve dhe serbëve transformoheshin përmes
    kësaj propagande në konflikte ndëretnike. Pastaj mediumet e
    impononin në gjykim të formuar a priori për çdonjërin prej këtyre
    rasteve, para çfarëdo hetimi gjyqësor, e në të gjitha rastet roli i
    fajtorit ishte i rezervuar për shqiptarin, ndërsa ai i viktimës për
    serbin.

    Po të bëhej një analizë sado e sipërfaqshme e prezentimit të kësaj
    teme në mediume gjatë një decenieje, ajo që bie në sy është në
    njërën anë shpeshtësia me të cilën përmendet fenomeni i dhunës e
    në anën tjetër mungesa e të dhënave që do të mund të vërtetonin
    inkriminimin.

    Shoqatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Komiteti i
    Helsinkit dhe Amnesty Internaional, sa herë që kanë kërkuar fakte
    nga faktori jugosllav rreth "terrorit shqiptar", ata mbetën duarthatë
    edhe pas disa vjet pritjeje. Por, diplomacia dhe politika evropiane
    heshti, fare nuk tregoi interesim të duhur.

    Jugosllavia çështjen shqiptare në çdo mënyrë përpiqet ta heshtë dhe
    ta paraqesë në dritë shumë të rrezikshme të lëvizjeve të ndryshme të
    botës, duke vënë shenjën e barazimit me atë të IRA-së në Irlandë, të
    kurdëve e të ngjashme. Me paraqitjen e luftës në Kroaci e Bosnje e
    Hercegovinë çështja e Kosovës edhe më shumë u hesht dhe u
    margjinalizua. Jugosllavia edhe pse kishte përvojë të madhe të
    dhunës ndaj popullit të Kosovës, ajo kohëve të fundit po e përsos
    këtë duke krijuar metoda të reja, të cilat në mënyrë të paparë i kreu
    në Bosnje e Hercegovinë, duke vrarë qindra mijëra njerëz dhe duke
    shkatërruar kulturë fetare. Ilustrim për këtë është edhe masakri në
    Drenicë, ku gati dy muaj asnjë faktor humanitar e ndërkombëtar nuk
    ka mundësi të hyjë për ta verifikuar masakrin e bërë. Është më
    interesant se Jugosllavia luftën është duke e fshehur nga çdokush,
    madje edhe nga vetë kosovarët.

  3. #3
    Në këtë drejtim u vërtetua konstatimi i strategëve dhe plnifikuesve të
    ardhmërisë siç janë qendrat më të njohura informative të SHBA-ve
    dhe të Anglisë kur parashikuan se lufta në Kosovë është e
    paevitueshme. Është fakt se lufta e brendshme në Kosovë ka
    ndodhur që moti. Çështjes së luftës i ka ndihmuar si ana shqiptare,
    po ashtu edhe ajo serbe; ana shqiptare për shkak të rezistencës
    paqesore e jovendosmërisë, e sidomos për shkak të qëndrimit të
    paunjësuar e në anën tjetër Serbia për shkaqe të diskriminimit dhe
    padrejtësisë që të ketë mbisundim mbi këtë territor dhe popull të
    Kosovës. Historikisht, Kosova asnjëherë nuk i ka takuar Serbisë.
    Këtë e kanë dëshmuar edhe të dhënat historike të etnologëve e
    sidomos momentet ekzistuese e dëshmojnë autoktoninë e këtij
    populli. Siç dihet, me vetë shpartallimin e Jugosllavisë dhe krijimin e
    shteteve të reja edhe populli i Kosovës (në vitin 1992) me
    referendum në kushte të çuditshme dhe të vështira shpalli pavarësinë
    e Republikës së Kosovës, të cilën e njohu si shtet vetëm Republika e
    Shqipërisë; faktori ndërkombëtar heshti dhe në mënyrë private e
    përkrahu hapin e këtyre dhe politikën paqësore të Lidhjes
    Demokratike të Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën. Lidhja
    Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryetari i saj Rugova bëri
    keqpërdorime të shumta dhe atë me përkrahjen e faktorit
    ndërkombëtar. Ajo nuk mbrojti statusin që vet e inicoi - pavarësinë e
    Kosovës, nuk i krijoi institucionet tjera që kërkohen nga vetë ajo që
    përmban Republika e Kosovës, siç janë Ministria e brendshme,
    Ministria e jashtme dhe ajo e mbrojtjes. Edhe pse Ministria e
    mbrojtjes disa herë u paraqit me disa kumtesa, në realitet ajo nuk
    ekzistoi. Kjo politikë e udhëhequr bëri që në mesin e partive të
    ndryshme të krijohen mosmarrëveshje dhe konflikte të shumta për
    shkak të mosrespektimit të Kushtetutës së Kosovës (të shpallur po të
    njëjtin vit). Faktikisht, në mesin e tyre u krijua forcë radikale e cila
    në mënyrë kategorike kërkon mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës,
    krijimin e kushteve të Republikës së Kosovës dhe largimin definitiv
    nga Jugosllavia e udhëhequr nga Millosheviqi. Siç dihet, në mënyrë
    spontane erdhi deri te paraqitja edhe e forcës ushtarake të quajtur
    Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila akuzon faktorin e brendshëm
    politik shqiptar me tradhti dhe mashtrim të gjithanshëm popullor.
    Ndërsa është e vërtetë se LDK-ja duke krijuar një heshtje universale
    njollosi gjenin shqiptar me atribute shumë të rrezikshme për një të
    nesërme më të mirë. Ajo metafizikisht e çrregulloi popullin shqiptar.
    Ajo nuk është në gjendje as të koordinojë sadopak pushtetin të cilin
    mundohet ta ketë, koordinimin e brendshëm të qeverisë dhe të
    kryetarit të Kosovës. Një fotografi e këtillë u mbështet në dobësinë
    momentale të vetë shqiptarëve dhe të Republikës së Shqipërisë.
    Shqiptarët u ballafaquan me një shtet të vetin nga i cili përpos
    deklaratave për përkrahje tjetër gjë nuk patën. Ai u tregua si
    politikisht ashtu edhe ekonomikisht i dobët dhe jo si faktor me
    relevancë për çështjen shqiptare në Kosovë. Me këtë nuk do të thotë
    se ai nuk ka mundësi të bëjë diç, por sa herë që është përpjekur t'i
    tregojë përkrahje çështjes së Kosovës, faktori ndërkombëtar e ka
    dënuar ashpër. Sa për ilustrim përpos qëllimeve të fshehura dhe të
    fëlliqura që akoma nuk janë zbuluar në shkatërrimin e fundit të
    Shqipërisë, udhëheqjes berishiane i kushtoi shtrenjtë përkrahja
    Kosovës.

  4. #4
    Momentalisht obcionet ekzistuese brenda korpusit politik shqiptar
    të Kosovës mund të përmblidhen si vijon:

    - Politika e Rugovës me mashtrimet e shumta, më falni,
    me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar i cili bëhet
    përmes telefonave dhe disa emisarëve të cilët
    personalisht fitojnë popullaritete të ndryshme, prezenton
    rregullimin e çështjes së Kosovës në mënyrë paqësore
    dhe e cila me vite të tëra ka lejuar, ose në prezencën e
    saj dhe me përgjegjësinë e vet politike e morale ka
    ndodhur tmerr i madh nga ana e Jugosllavisë ose
    Serbisë, duke filluar nga gjenocidi, zhdukja misterioze e
    njerëzve, vjedhja e pasurisë shtetërore të Kosovës e
    kështu me radhë;

    - Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Bujar
    Bukoshin ka treguar se politika e udhëhequr nga kryetari
    i Republikës së Kosovës nuk është në pajtim me normat
    ligjore dhe rregullat e saj. Ajo nuk është pajtuar me
    sjelljet e Serbisë dhe për çdoherë i ka prezentuar planet
    që me rezistencë aktive dhe diplomaci t'i përgjigjet çdo
    padrejtësie që ndodh brenda Kosovës për shkak se atë të
    drejtë e ka të garantuar në mënyrë ligjore dhe me
    përkrahje të popullit. Natyrisht se qeveria e Republikës
    së Kosovës asnjëherë nuk ka shfaqur dyshim se Kosova
    mund të kërkojë diç tjetër përveç pavarësisë;

    - Disa liderë, në krye me Adem Demaçin dhe akademikun
    Rexhep Qosja, haptazi nuk pajtohen me politikën
    paqësore të Rugovës, sepse ajo është iracionale dhe
    shkatërrimtare për Republikën e Kosovës. Disa herë me
    pretekst që Republika e Kosovës pa u vonuar fare duhet
    të mendojë për bashkimin e natyrshmërisë së vet, ose
    shkurtimisht me shtetin amë - Shqipërinë;

    - Obcioni i disa intelektualëve dhe bijve të ish-sistemit
    komunist, si Veton Surroi, Nazmi Maliqi, Mahmut
    Bakalli etj., të cilët në mënyrë individuale tentojnë të
    depërtojnë në politikë dhe me tezat se çështja e Kosovës
    nuk mundet më të rregullohet me politikën e
    lartshënuar, ajo duhet të riaktivizohet dhe në mënyrë
    paqësore ose, siç është e njohur me dialog shqiptar-serb,
    shqiptarët ta rregullojnë atë. Faktikisht, kjo mënyrë e
    zgjidhjes ka mundësi të bëhet edhe sipas maksimës
    Kosova - Republikë Jugosllave, jashtë kuadrit të
    Serbisë.

    Ky sistematizim është fakt i cili prezentohet edhe nëpërmjet shtypit
    dhe shkrimeve të ndryshme, saqë faktori ndërkombëtar në mënyrë të
    hollësishme bën studimin e tyre, duke e përkrahur çdonjërën nga
    këto, disa herë me akuza se Kosova me qëndrimet e këtilla të
    paunjësuara e ka vështirë ta arrijë një zgjidhje të duhur. Racionalisht
    është e vërtetë se populli i Kosovës nuk ka forcë e cila do të mund t'i
    bënte rezistencë një ushtrie siç është ajo jugosllave, por gjendja
    faktike e Kosovës në këtë mënyrë është shumë vështirë të jetë nën
    kontrollin e politikës së lartshënuar të partive politike shqiptare.
    Prezentimi i politikës serbe në Kosovë është jashtë çdo rregulli dhe
    norme shtetërore e ligjore.. Këtë e them duke u bazuar në histori
    dhe duke analizuar çështjet e një marrëdhënieje politike mes
    politikës serbe dhe të asaj kosovare. Serbia në këtë fushë asnjë
    moment të volitshëm nuk e posedon për një zgjidhje të një
    bashkëjetese me këtë popull. Kjo më së miri vërtetohet nga ajo se
    ç'ka bërë deri më tani dhe ç'është duke bërë Serbia me shqiptarët:

  5. #5
    1. Duke u nisur që nga fillimi i këtij shekulli, ajo e ka
    mohuar statusin politik për vetvendosje të shqiptarëve
    dhe e ka grabitur Kosovën nga Shqipëria, me përkrahjen
    e faktorit të jashtëm;
    2. Në mënyrë konstante nuk ia ka lejuar shkollimin, hapjen
    e institucioneve kulturore këtij populli. Sot fëmijët
    shqiptarë shkollohen jashtë institucioneve shkollore,
    nëpër dhoma, bodrume dhe në natyrë.
    3. Ka eksploatuar, vjedhur dhe akoma po vjedh pasurinë
    natyrore dhe fuqinë punëtore të këtij populli për
    ndërtimin e "Beogradit";
    4. Ka bërë spastrimin etnik duke filluar me vrasjet e
    popullatës së fshatrave të tërë, saqë për raste të tilla janë
    xhiruar edhe filma;
    5. Emigrimi duke filluar në Turqi dhe shtete të ndryshme, i
    cili ka lënë trauma të rënda në kulturën shqiptare, ku e
    tërë pasuria e ikanakëve u është lënë në duar serbëve.
    Këtu bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz;
    6. Burgosja në mënyrë konstante dhe jashtëligjore, me
    ç'rast burgjet kanë qenë të ndërtuar vetëm për shqiptarët
    dhe të mbushur vetëm me shqiptarë;
    7. Çrregullimi shpirtëror, duke filluar me konvertim dhe
    shkatërrimin e objekteve fetare, saqë edhe në
    Memorandumin flet se shqiptarët duhet prekur në pikat
    më të ndjeshme: feja dhe nderi;
    8. Izolimi i përhershëm i këtij populli, si përbrenda
    shqiptarëve, po ashtu edhe në hapësirën më të gjerë të
    faktorit ndërkombëtar, dhe
    9. Shëndetësia dhe garancia e jetës është definitivisht jashtë
    duarve të shqiptarëve, ndërsa shqiptarët plotësisht kanë
    të drejtë që mos t'i besojnë institucionit shëndetësor që
    është shumë i shenjtë për njerëzit. Sot lindja bëhet nëpër
    shtëpi, operacionet e ndryshme nëpër bodrume e kushte
    nën çdo minimum të nevojshëm.

    Mbetet pyetja se si vallë Serbia me këtë të kaluar të cilën akoma po
    e vazhdon përpiqet ta rregullojë çështjen shqiptare në Kosovë? Ajo
    e ka ndyrë hapësirën psiqike dhe nuk ka lejuar e as që lejon mundësi
    për rregullimin momental të një psikologjie të duhur për një shtet
    stabil. Këtë nuk e them me ndonjë qëllim e as që më intereson të
    merrem me çështjen e pastrimit të psikologjisë serbe, por merrem
    vetëm me momentin që çdo politikë racionale e morale kërkon për
    një dialog dhe rregullim ose stabilitet. Kushtet fare nuk tregojnë një
    klimë të tillë. Serbia dita-ditës vetëm se e përforcon politikën e vet
    dhe serbizmin e vet si vjedhës, si planifikues të gjenocidit me
    mbështetjen e Akademisë së tyre, ndërsa askund në botë
    intelektualët nuk shndërrohen në barbarë siç është rasti me Serbinë.
    Çdo intelektual serb që ka treguar pak mirëkuptim të mbështetur në
    bazat njerëzore dhe që ka treguar se politika serbe nuk është në
    rregull, i njëjti intelektual është rrahur në shesh të Beogradit, është
    izoluar. Kjo dëshmon po ashtu se sot në Serbi çdokush që është
    shqiptar, ballafaqohet me momente të papritura. Ndërgjegjja
    njerëzore nuk lejon që të fliten fjalë të mira për momentumin e
    serbit; serbet e treguan fytyrën e tmerrshme të tyre në mënyrë të
    paparë në Bosnje e Hercegovinë ku dhunuan fëmijë, plaka, ku
    therrën njerëz mu në këtë kohë kur çdo gjë regjistrohet në mënyrë
    jo vetëm të shkruar por edhe vizuele.

    Kësaj mënyre të shtypjes dhe pranisë në Kosovë i është
    bashkangjitur edhe Kisha ortodokse serbe, e cila edhe e ka
    inkurajuar politikën e këtillë, duke i bekuar zyrtarisht veprimet
    gjenocidale të serbëve në Kosovë. Ajo deri më tani nuk dënoi, e as
    që mohoi se nuk ka marrë pjesë në gjenocidin si në Bosnje ashtu
    edhe në kosvë.

    Politika momentale dhe diplomacia ndaj kësaj çështjeje shumë të
    rëndësishme akoma është duke lejuar hapësira të ndryshme të
    veprimit të shqiptarëve. Është fakt se shqiptarët të cilët asnjëherë
    nuk e kanë pasur lirinë që të merren me kulturën ashtu siç duhet dhe
    me fenë ashtu siç duhet, e kanë të domosdoshme të jetojnë në një
    vend. Nëse kushtet e jetës dhe liria e tyre u merren, atëherë ata
    medoemos duhet t'i kthejnë ato; ata do të bëhen të pamëshirshëm
    ndaj çdo gjëje, sepse natyra e tyre është luftuar, e shumë mirë dihet
    se për çdoherë kur luftohet natyra, ajo kthen me një bumerang të
    çuditshëm dhe të papritur.

    Në këtë mënyrë Serbia edhe në ushtarakisht filloi luftën dhe
    masakrën ndaj popullatës së Kosovës. Sot në Kosovë është duke u
    derdhur gjak, duke u therrur njeriu për së gjalli, me një fjalë e tërë
    përvoja nga Bosnja në mënyrë të modernizuar po zbatohet në
    Kosovë. Serbia po ballafaqohet edhe me rezistencë të armatosur e
    cila e ka mbështetjen e popullit por jo edhe të politikës udhëheqëse
    të brendshme dhe diplomacisë ndërkombëtare. Fshatra të tëra janë
    zbrazur, trupat e vrarë akoma nuk janë varrosur, fëmijët lindin nën
    qiell të hapur, tmerr që vështirë mund të përshkruhet. Natyrisht se
    ndihma e çdokujt është e nevojshme, por ajo që vjen nga
    muslimanët është akoma më e nevojshme.

    Çdo kosovar, çdo shqiptar sot pyetet se ku është njerëzia, ku është
    civilizimi, ku është diplomacia e botës moderne dhe humanizmi që
    me çdo kusht mundohet të tregohet se krimineli doemos dënohet në
    fund. Është e vërtetë se gjithmonë kur popujt e vegjël janë përpjekur
    t'u nënshtrohen zgjidhjeve diplomatike, janë ballafaquar me pasoja
    shumë të rrezikshme. Kosovës dhe popullit të Kosovës i mbetet që
    ta riaktivizojë zemrën, arsyen dhe fuqinë duke u mbështetur në
    Allahun dhe duke kërkuar mëshirë për gabimet që i ka bërë në emër të
    njerëzve ndaj Zotit, e ta dëshmojë vetveten se kushtet për rezistencë
    me forcë tashmë janë pjekur, si duke u bazuar në metafizikën
    njerëzore ashtu edhe në arsyen e pastër.

Tema të Ngjashme

  1. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  2. Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-08-2010, 13:18
  3. Kosova: unjust politics
    Nga bqato në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 08:07
  4. Platform For The Resolution Of The Albanian National Question
    Nga saimiri-uk në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2003, 15:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •