Raperi më i famshëm i viteve të fundit, këngëtari për të cilin është shkruar dhe folur më shumë, 50 Cent, u rikthye në klasifikime me këngën e filmit të tij të parë, Get Rich or Die Trying.



Emri i tij i vërtetë i 50 Cent, është Curtis Jackson. Ai vjen nga lagjia Queens në Nju Jork.

Në vitin 2002, 50 Cent lidhi kontratë me firmën diskografike të Eminemit dhe u bë i famshëm duke treguar për eksperiencat e tij të vështira të jetës në Queens.

Ai kohët e fundit provoi edhe një talent tjetër, aktrimin me filmin Get Rich Or Die Tryin që tërhoqi mjaft vëmendjen e publikut dhe mori vlerësime mjaft të mira për aktrimin.

50 Cent i tha BBC-së se realizimi i filmit ishte një sfidë e madh, pasi ishte si hyrja në një terren të pashkelur më parë.

Filmi është i bazuar në eksperiencat personale të jetës. Muzikanti tha se nuk deshte që në këtë film të ishte i kufizuar duke nxjerrë vetëm ato aspekte të jetës së tij që vlerësohen si të lejueshme.

"Unë bëra gjithçka që më frymëzoi", tha ai.

Kënga Hustler's Ambition që i parapriu daljes së albumit me muzikën e filmit është një këngë që përshkruan atmosferën e të gjithë filmit.

I pyetur për ambiciet e tij në të ardhmen, ai thotë se ka shumë gjëra që dëshiron të bëjë.

"Kohët e fundit, kur isha në dasmën e Eminemit, folëm për karierën dhe të ardhmen, ku dua te shkoj".

"Vetë Eminem do ta ulë pak ritmin në karierën personale dhe do të përqëndrohet në produksionin e këngëve të mija", tha 50 Cent.

"Unë nuk jam i lodhur nga udhëtimet, apo nga puna që kam bërë këto tre vjet, jam më shumë i kënaqur", tha ai.

Në fund të muajit të shkurt ai është në turne në Australi dhe Zelandën e Re dhe më pas në Tajlandë dhe Tajvan.

Florian K.