Kërkohet diskutimi në parlament i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
KE: "Të dënohen krimet e rregjimit komunist"
Kryetari i delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Europës, Aleksandër Biberaj, deklaroi dje se do t'i propozojë byrosë parlamentare përfshirjen në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit rezolutën dhe rekomandimet e miratuara nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për viktimat e diktaturës komuniste. Biberaj tha gjithashtu se duke u bazuar në rekomandimet e rezolutës do t`i kërkojë Kryesisë së Kuvendit hapjen e një debati të gjerë parlamentar në lidhje me këtë çështje. Deputeti i Partisë Demokratike, i cili kryesonte delegacionin shqiptar gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, shpjegoi se një nismë e tillë do të ndërmerret në kuadër të rekomandimeve të rezolutës të kësaj asambleje, e cila u kërkon vendeve anëtare të saj që janë drejtuar më parë nga regjime totalitare komuniste, të nisin menjëherë kërkimet në lidhje me përmasat e krimeve dhe shkeljes së të Drejtave të Njeriut gjatë këtyre regjimeve. "Duke pasur parasysh faktin që Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe se vendi ynë vuajti diktaturën më të egër nga të gjithë vendet ish-komuniste, do t'i propozoj byrosë parlamentare përfshirjen në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit rezolutën dhe rekomandimet e miratuara nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, si dhe hapjen e një debati parlamentar mbi krimet e kryera nga diktatura komuniste në Shqipëri", deklaroi dje Biberaj. Ai tha se në këtë sesion të Asamblesë Parlamentare të KE-së u diskutuan çështje mjaft të rëndësishme, por siç u shpreh ai, çështja më e rëndësishme dhe që prekte edhe Shqipërinë, ishte rezoluta mbi "Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste". Biberaj theksoi se delegacioni shqiptar, pavarësisht ndasive politike, votoi në unanimitet rezolutën. Ai tha më tej se delegacioni shqiptar zhvilloi takime me mjaft drejtues të rëndësishëm të Asamblesë Parlamentare të Këshilit të Europës, ku më të rëndësishmin veçoi takimin me presidentin e Asamblesë, Van der Linden. Biberaj tha se der Linden inkurajoi dhe ofroi mbështetjen e tij dhe të Këshillit të Europës për ecjen e Shqipërisë drejt rrugës së reformave, me qëllim shpejtimin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Ai tha se në këtë sesion, delegacioni shqiptar paraqiti edhe kredencialet e anëtarëve të delegacionit të Parlamentit shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut. Në përfundim të fjalës së tij, Biberaj tha se rezoluta e Këshillit të Europës i rekomandon Komitetit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të ngrenë një komitet me ekspertë të pavarur për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave për krimet e regjimeve komuniste në vende të ndryshme, dhe të paraqesin një deklaratë zyrtare për dënimin e këtyre krimeve. Biberaj tha se Kuvendi i Shqipërisë gjatë këtij debati do të rikonsiderojë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë gjatë regjimit të diktaturës komuniste.
Rilindja Demokratike
Krijoni Kontakt