shekulli

--

Vdekja e Skënder Çarçanit


Shpëtim Nazarko

Pardje vdiq Skënder Çarçani. Në jetën time kam parë, takuar dhe punuar, me të gjitha kategoritë njerëzore. Kam punuar në kanal, në naftë dhe një Zot e di se ku... Kam takuar punëtorë, hajdutë, xhambazë të të gjitha kategorive dhe njerëz të thjeshtë. Pas ’90 kam punuar dhe takuar kryeministra e presidentë, burra që kanë drejtuar Evropën dhe botën, shkencëtarë të rangut botëror dhe kampionë botërorë shahu. Thjesht kam parë tmerrin dhe magjinë e kësaj bote. S’besoj se kam lexuar pak, s’besoj se kam pak përvojë. Por Skënder Çarçanin, as nuk kam për ta parë dhe as nuk kam për ta takuar më. Pardje, për mua, vdiq njeriu më i ditur i Shqipërisë dhe i të gjitha kohërave. Vdiq pa bërë zë, si gjithë jeta e vet e sterrosur. Pa i rënë gjoksit dhe pa u ankuar asnjëherë. I laureuar në Romë me medaljen e Artë, kohën kur profesor i tij, ishte një nga fizikanët më të mëdhenj të të gjithë historisë, Enriko Fermi. Kampion absolut i shahut, për aq kohë sa qeveria e la ta luante atë. Njeri që dinte kaq shumë gjuhë. Kam parë poetë dhe shkrimtarë që vinin tek ai. I recitonte përmendësh Naimin dhe Dante Aligerin. I binte shkëlqyer violinës. Zgjidhte deri vjet, në moshën 85-vjeçare, problemet e rënda të matematikës së lartë, në të cilën kualifikohesh dhe ngjitesh në shkallët e Universiteteve Franceze. Kimisti që mbajti për vite të tëra gjallë Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë. Njeriu që shteti herë pas here, në heshtje, i kërkonte ndihmë për dhjetëra e dhjetëra probleme të fushave të ndryshme, të cilat ai i zgjidhte dhe i kthente... në heshtje, ashtu siç shteti ia kërkonte.
Në ’78-ën, si një nga nxënësit e mirë të shkollës, i kërkova ndihmë për disa probleme matematike, që konsideroheshin të shkallës së lartë të vështirësisë. Më tha duke buzëqeshur, se atë lëndë e kishte bërë 35 vjet më parë. Pastaj u hodhi një sy atyre dhe tha: “Këto janë të zgjidhura pasi nuk kanë ide brenda”, dhe mbasi i zgjidhi për një orë, më hapi një problem tjetër. Profesorët që i kishin kërkuar, me zor i kuptuan edhe të zgjidhura. Skënder Çarçani rronte në Lushnjë, në internim të plotë. Punonte në Institutin e Kërkimeve Bujqësore. Shteti, që i kishte nxirë jetën pas ’45-ës, për shkak të të atit, që ishte në kampin e kundërt, nuk guxonte t’i bënte më tepër. Ishte një marrëveshje e heshtur. Dhe profesori u pajtua me atë fat. I kishte larë llogaritë me shtetin dhe me njerëzit në një mënyrë të atillë, që është e paimagjinueshme ta tregosh. Shkonte në Fier ku ishte shtëpia e tij, për të takuar nënën e vet dhe për të mos pasur punë me shoferët, preferonte biçikletën, nga Lushnja në Fier. Shkonte si gjyqtar në kampionatet e shahut, kur e thërrisnin më të rrallë, pa kërkuar dieta nga shteti. Në shtëpinë e tij kam parë fletore të shkruara me laps që nga viti 1943. Të shkruara me atë shkrimin e tij jashtëzakonisht të bukur dhe të ruajtura me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Pas ’90-ës, kur ia kthyen shtëpinë dhe gjithçka që kishte në Tiranë, e takova një herë dhe u bëmë rastësisht bashkë, tre të persekutuar. Njëri prej nesh fliste dhe ulërinte për persekutimin që i kishte nxirë edhe atij jetën. Profesor Skënderi rrinte dhe na shikonte të dy, pa folur asnjë fjalë. Na shikonte në mënyrë të çuditshme. Dhe si gjithnjë, s’u ankua për asnjë gjë. Vazhdonte të punonte gjithnjë me problemet e mëdha të matematikës, gjithnjë në bibliotekën amerikane, ku gjatë gjithë javës rrinte me orë të tëra. Për të ndjekur si gjithë jetën, të rejat në matematikë, kimi, fizikë e biologji, astronomi e mjekësi.
Më tha vetëm një herë, që diku në shtëpinë e tij gjendet një nga aksiomat e matematikës të pazgjidhura ndonjëherë, që ai besonte se e kish zgjidhur, dhe që unë besoj që e ka zgjidhur.
Pardje, vdiq njeriu më i ditur i Shqipërisë, i të gjitha kohërave... Pa bërë zë, si të gjithë të mëdhenjtë e pazëshëm, të kësaj bote.






04/02/2006
KATEGORIA: Analiza