Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2

Tema: Ilaz Kodra

  1. #1

    Ilaz Kodra

    FJALA E AKADEMIK REXHEP QOSJES, MBAJTUR NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE KUSHTUAR HEROIT TË KOMBIT ILAZ KODRA, KOMANDANT I BRIGADES 114 “ FEHMI LLADROVCI”

    Edhe pse nuk janë këtu me ne, përshëndes të gjithë ata që për Kosovën e lirë e të pavarur edhe sot po bëjnë burgje në Kosovë dhe ne Holandë.

    Të gjitha fjalët që sot duhet të thuhen për jetën e Ilaz Kodrës, për familjen e tij, për shkollimin e tij, për veprimtarin e tij politike dhe atdhetare në Kosovë, në Shqipëri dhe në Europë, për rolin e tij në fillimin e Luftës Çlirimtare si bashkëluftetar i Adem Jasharit, për luftën e tij si pjestar i UÇK-së, e pastaj edhe si komandant i Brigades 114 “Fehmi Lladrovci” do t`i përmbledhë me një fjale, që e shpreh kuptimin e jetës së tij, që e përmban lavdin e tij, që e bënë të perjetshëm emrin e tij: Ilaz Kodra e ka dhënë jetën për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës. Akademitë përkujtimore me të cilat po shenojmë përvjetorët e dëshmorve, ndër të cilat, natyrisht hyn edhe kjo në të cilën po marrim pjesë, pa dyshim, janë një manifestim i çmuar, por borgji moral dhe historik që ka Kosova për deshmoret dhe familjeve të tyre nuk mund të përmbushet vetëm kështu.

    Gjasht vjet pas mbarimit të luftës, ne duhej të mund të thoshim se ua kemi siguruar materjalisht jetën prindërve, e ua kemi siguruar shkollimin fëmijëve të deshmorve jo simbolikisht por ashtu siç është bërë dhe bëhet gjithmonë e gjithkund në fund të luftrave çlirimtare

    Gjashtë vjet pas mbarimit të luftës, ne do të duhej të mund të thoshim se u kemi siguruar atë çka do të duhej të sigurohej e si do të duhej të sigurohej të gjithë veteranëve e invalideve të luftës - siç është bërë edhe siç behet gjithmonë e gjithkund në fund të luftrave çlirimtare.

    Gjasht vjet pas mbarimit të luftës, ne do të duhej të kishim një varge veprash shkencore e artistike, që flasin për luften çlirimtare qoftë edhe për të përgënjeshtuar të pavertetat e gjysmë të vërtetat që shkruhen sot për te.

    Në luftën çlirimtare janë shenuar ngjarje të jashtezakonshme, janë treguar trimeri të rralla vetjake dhe të përbashkëta, janë bërë sakrifica mbinjerëzore, janë përjetuar dhembje të paskajshme, por – çfarë çudie! – filma artistik për to ende nuk kemi!

    Kroatët dhe myslimanët deri tani kanë bërë një varg filmash për luftrat e fundit; disa prej ketyre filmave janë shfaqur edhe në festivale evropiane, kurse njëri prej tyre ka fituar Çmimin Oskar në Holivud si film i huaj më i mirë për atë vit ! Instirucionet tona administrative thonë: nuk kemi mjete financiare !

    Partitë tona gjejnë para për kokteje, dreka e darka, për fushata të shkurtra e të gjata, po nuk gjejnë para për vepra shkencore e artistike për luftën!

    Ministritë tona gjejnë para për sponzorimin e punës së shoqatave e të klubeve artistike, të mbledhjeve të zyrtarëve që mbahen në pika turistike në Kosovë e jashtë Kosovës, por nuk gjejnë para as për vepra shencore, as për filma artistikë për luften e për dëshmorët, për Adem Jasharin e familjen e tij ! për Ilaz Kodrën e dhe bashkëluftetarët e tij ! E pa kuptueshme a po !

    Por, më të pakuptueshëm se sjelljet e këtilla indiferente ndaj përjetesimit shkencorë e artistik të luftës çlirimtare e të dëshmoreve janë disa ngjarje e sjellje të tjera në Kosovë sot, që janë në kundershtim me idealin e dëshmorëve, me Kosovën çfarë e kanë ënderruar ata dhe për te cilën e kanë dhënë jetën ata!

    Në Kosovë sot, shpesh, po e pësojnë rëndë bijtë e saj më të përkushtuar e më të merituar- çlirimtarët e saj: disa duke qenë të vrarë; disa duke u çuar në Hagë ; disa duke u mbyllur në burgjet e këtushme e disa duke u mbajtur nën shantazha të vazhdueshme!

    Në Kosovë sot, shpesh, tepër shpesh, po favorizohen parazitët e saj, të korruptueshmit e saj e po mënjanohen më të merituarit e më të sakrifikuarit për te!

    Në Kosovë sot botohet gazetë, që zbaton metodë fashiste në përndjekjen e njerëzve, e quajtur ‘Bota sot’, në të cilën prej ditëve të para të pasluftës e deri sot janë botuar mijra shkrime me të shkurtëra e me të gjata, në të cilat shtrembrohet e verteta për luften, shqiptohen gënjeshtra të ndryshme për të, denoncohen e fyhen prijs e komandantë të UÇK-së, prijs e veprimtar të shquar të lëvizjes kombëtare!

    E pabesueshme, por, ja, e mundshme!

    Para tri vjetesh, në Prishtinë është vënë guri i themelit në Monumentin e Lirisë, në të cilin do të paraqiteshin shtatoret e komandantëve të UÇK-së me në mes Adem Jasharin, ndër të cilat edhe shtatorja e Ilaz Kodrës. Por institucionet administrative politike nuk duan t`i japin as dhjet metra katrore vend për këtë Monument të dëshmorëve tanë !

    Në tekstet e historiës për shkolla të mesme, UÇK-së, luftës së sajë çlirimtare dhe dëshmorëve të kombit u kushtohet tri deri në katër herë më pak vend se partisë dhe udheheqies së saj, që e ka kudërshtuar këtë ushtri dhe këtë luftë, përpos tjerash, edhe duke mbajtur zgjedhje “të lira e demokratike nën dhunën shteterore të Millosheviqit” derisa ajo luftë bëhej dhe derisa pjestarët e UÇK-së binin deshmorë për lirinë dhe pavarsinë e Kosoveë. Dhe, këtë masakër të të vertetës për UÇK-në e për luften, dhe këtë qëndrim pseudoshkencorë, në thelb shperfillës, për atë luftë dhe për ata deshmor fatkeqesisht ende e kalojnë në heshtje partitë e dala nga lufta e UÇK-së, organizata e veteranëve dhe invalidëve të luftës, Trupat Mbrojtëse të Kosovës!

    Në Kosovë u janë siguriar rroga të përhereshme edhe disa vetëve të berë akademin, në menyren une ty – ti mua, pa kurrfar merite për shkencën, artet apo lirinë e Kosovës, ndërsa lihet pa rroge fare shkrimtari qe ka bere gati 28 vjet burgje për Kosovën e pavarur, ndërsa lihen pa rroga krijuesit pa të cilet nuk mund të mendohej zhvillimi i shkencës, i arteve e i arsimint në 50 vitet e fundit.

    Dhe, kjo ngjet me një Akademi të Shkencave dhe të Arteve, në të cilat bënë çdo gje një klan partiak; në të kryetari Kuvendit të Kosovës njëkohësisht rizgjidhet edhe kryetar i Akademisë ; në të cilën, në kryesinë prej 7 antarësh, 4 ishin fqij nga vendlindja e kryetarit të dyfisht; në të cilën madje, zgjedhjet mbahen me nga një kanditat për kryetar, nënkryetar dhe sekretar – si në kohën e Stalinit; në të cilën kryetar dhe nënkryetar bëhen antarët e të njejtit seksion; në të cilën kryetar dhe nënkryetar bëhen dy gjuhetarë; në të cilën kryetar dhe sekretar prap, fqijt nga mahalla e kryetarit, tani vetëm kryetar i Kuvendit të Kosovës; në të cilën ky klan shikon t`i fusë në Akademi vetëm njerzit e vetë dhe e lënë Akademine pa historianë, mjekë, ekonomistë, inxhinjerë! Dhe, kështu me radhë !

    Dëshmorët e kombit, sigurt, nuk kanë luftar për një Kosovë të këtillë, në të cilën Akademia e Shkencave dhe e Arteve do të bëhet shtepi private partiake dhe në të cilën demokracia moderne do te degjenerohej në demokraci fisnore, kurse patriotizmi në patriotizem si e quante Konica, të mahalles!

    Në Kuvendin e Kosovës, disa ish- të burgosur politik dhe disa deputet të tjerë, të shquar për veprimtari politike 15-20 vjetëve të fundit, sot u merret fjala me sustë e me kërcenim prej njeriut që e kryeson këtë Kuvend, që për lirinë dhe pavarsinë e Kosovës ka fillu të flas kur kanë kaluar rreziqet e kur janë zbutur dhe për këtë pavarsi flasin edhe biznismenet e Millosheviqit me të cilët bënte reshperi të vogla e të mëdha deri në prag të fushatës së bombardimeve!

    Keto ditë policia ndërkombetare dhe policia vendore u futën të paftuara në Presidencën e Kosovës. Aty u gjeten mjete shperthyese e armë të tjera, që s`do të duhej të gjendeshin në një institucion të tillë dhe aty u konstatua se mbahej një numër njerëzish të sigurimit që e tejkalon shumefish numrin e njerëzve të tillë në një institucion të tillë, që financoheshin prej burimesh jozyrtare! Qytetarët e Kosovës nuk mund të mos bëjnë pyetjen: ishte ky repart i armatosur aty për të mbrojtur një njeri prej popullit të vet; apo për të siguruar pasurinë e tij financiare aty të depozituar; apo për të bërë komedi fishekzjarresh; apo për të ushtruar dhunë mbi ata që nuk pajtohen me zvetnimin që në atë Presidencë po pësojnë idealet e Ilaz Kodrës e të bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: në çdo vend demokratik në botë, militarizmi i këtillë ilegal i Presidencës do të trajtohej si patologji politike dhe psikologjike dhe do ta nxirrte përgjithmonë prej politikës banorin e asaj Presidence!

    Dëshmori Ilaz Kodra dhe dëshmoret e tjerë, pa dyshim, nuk kanë besuar se në Kosovën e lirë prej pushtuesit do të instalohet një Presidencë ashtu e militarizuar për t`u mbrojtur prej popullit të vet apo për t`ua mbyllur gojen të mospajtuarve me shpërdorimet e saj!

    Gjasht vjet pas pavarsimit politik dhe administrativë të Kosovës nga ishjugosllavia e Sërbisë, përpos të gjitha këtyre, po na rikthehet edhe një gjuhë politike, të cilën kemi kujtuar se e kemi lënë pas përgjithmonë. Dëshmi e kësaj është gjuha që nën maskën e decentralizimit e të pilot-projekteve në të vërtët e fsheh kantonizimin, domethënë federalizimin e Kosovës; dhe shpallja e 24 majit Dite e Presidentit, me te imitohej 25 maji – Dita e Stafetës së Titos; dhe retorika për ndertimin e Shtëpisë së Bardhë afër Prishtinës, me të cilën do të imitohej Shtepia e Bardhë e Titos në Dedinje të Beogradit ! E të tjera e të tjera.

    Po, t`i jap funde kësaj fjale.

    Nuk mendoj se Ilaz Kodra dhe dëshmorët e tjerë të kombit kanë dhënë jetën për një Kosovë në të cilën do të mund të ngjajne aq lehtë të gjitha këto që po ndodhin e do t`i ngjishnin rradhet aq lehtë autorët e pushtetshëm të veprimeve e të zëvendësimeve të tilla.

    Ilaz Kodres dhe dëshmorëve të tjerë nuk u duhen më as vepra shkencore, as vepra artistike, as filma artistikë a dokumentar, as këngë. Ata as nuk mund t`i shohin as nuk mund t`i dëgjojnë më ato. Ata nuk mund t`i bëjnë me të lumtur sa rrogat e përjetëshme për prindërit e tyre, as bursat e mundëshme për shkollimin e fëmijëve të tyre.

    Jo. Ata, tani, nuk mund t`i dëshprojnë më as të bërat, sjelljet, veprimet e sipërtheksuara. Jo. Ata, tashmë, janë bërë histori – historia e mburrjes sonë. Dhe, e besimit tonë në vete. Mbrojtja e duhur, përkatëse, e prindërve, e fëmijëve të tyre dhe e bashkëluftëtareve të tyre, veprat objektive shkencore për ta, veprat artistike, filmat e vërtetë artistikë për ta, mospajtimi me të kqijat që prodhohen në jetën tonë politike sot – të gjitha këto i nevojiten Kosovës: të tashmes dhe të ardhmërisë së saj siç e ënderruan Ilaz Kodra dhe dëshmorët e tjerë.

    Lavdi e përjetëshme dëshmorit Ilaz Kodra; dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

  2. #2
    Nga Akademik Rexhep Qosja


    Beteja për jetëshkrim të ri

    Çdo kohë i ka pasur mecenët e vet si Karlin e Madh e lorenco mediçin dhe shkrimtarët e oborrit si horacin e Rasinin, por vetëm kohës së komunizmit i takojnë ‘’mecenët’’, të cilët mecenatin e bëjnë partiak e shtetëror dhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, të cilët servilizmin e dëshmojnë jo vetëm me sjellje e me gojë, por edhe me vepra letrare, shkencore e filozofike, qoftë edhe kur kjo prej tyre nuk kërkohej në masën që e dëshmonin. Pavarësisht cilës kohë i takojnë, mecenatët u kushtojnë shtrenjtë shkrimtarëve e krijuesve të tjerë, por mecenati komunist kishte çmim tmerrësisht të shtrenjtë për veprën dhe jetën e krijuesve: çmim që paguhej me dinjitetin dhe çmim që paguhej me vlerën e veprës! Pas përmbysjes së komunizmit dhe të vlerave ideologjike e politike me të cilat mbahej ai, ky servilizëm, i dëshmuar kur dhunshëm e kur vullnetshëm, do të bëhet shkak i brejtjes së ndërgjegjes e i mundimeve të tjera të ndryshme të servilëve të dikurshëm. Sigurisht ndërgjegja e zgjuar (me vonesë të madhe) shumë më pak se sa levërditë e reja në kushtet e ndryshuara, në të cilat shikohen me dyshime lavdëruesit e tj në arte, nëë shkencë e në krijimtarinë përgjithësisht, do të bëjnë që një numër i shkrimtarëve dhe i krijuesve të tjerë në ish vendet komuniste të fillojnë betejën vetjake për ndryshimin e asaj pjese të jetëshkrimit që i takon kohës së komunizmit: të fillojnë betejën për retushimin, për dramatizimin, për përmirësimin, për zbukurimin e jetës së atëhershme. Hapi i parë që një numër i tyre do të bëjnë pas përmbysjes së komunizmit ishte ndryshimi i besimit komunist: të majtit e dikurshëm, aq të majtë sa nuk mund të drejtoheshin, përnjëherë do të bëhen aq të djathtë sa do të rrëzoohen shpejt! Dhe, konvertimin e tyre të përnjëhershëm do ta dëshmojnë qoftë duke u bërë prijës a zëvendës të prijësve të partive të djathta, qoftë duke u futur nën sqetullat e tyre, qoftë duke shfaqur ide të skajshme të djathta me artikuj, madje edhe me vepra. E kuptueshme. E drejta e konvertimit është e drejtë e ligjshme, si e drejta për t’u shprehur lirisht, si e drejta për të besuar lirisht, si e drejta për t’u martuar lirisht, si e drejta për t’u çmartuar lirisht, si e drejta për të qenë gjithnjë krenar-budalla a i mençur-servil. Konvertimin e bëjnë të ligjshëm jo vetëm e drejta e njeriut për të bërë me veten ç’dëshiron të bëjë, por edhe ligjësitë e jetës. Nuk thuhet kot: s’jetohet gjithmonë me një palë mend. Dhe, nuk thuhet kot: në qoftë se je në rrugë të gabuar është më mirë të kthehesh mbrapa në gjysmë të saj se sa t’i shkosh deri në fund. E komunizmi ishte ajo rrugë e gabuar prej së cilës duhej dalë një orë e më parë. Po ta lëmë konvertimin në të djathtë rehat: me të shumë nga shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë të kohës së komunizmit nuk janë bërë rehat, sepse nuk janë bërë të bindshëm për opinionin. Në vend të fjalëve, madje edhe të veprave të shkruara, njerëzit shpesh duan dëshmi konkrete, në saje të të cilave do t’u mbushet mendja që t’u besojnë të konvertuarve. Për këtë arsye disa nga shkriimtarët dhe krijuesit e tjerë posaçërisht të çmuar e të përkëdhelur në kohën e komunizmit, janë gjetur në situatë ndërdyshjesh të mëdha: çka të bëjnë që prapë të bëhen të çmuar, madje të adhuruar si atëherë? Çka? Përgjigja që i kanë dhënë vetes është kjo: ta ndryshojnë jetëshkrimin e dikurshëm komunist dhe kështu të bëjnë një jetëshkrim të ri.

    Të privilegjuarit të paraqitur si viktima

    Dhe, ky do të jetë jo më jetëshkrim i komunistit të privilegjuar, po i viktimës komuniste. Për nga arsyet e shumta për të cilat e bëjnë, për nga mënyrat e shumëllojshme në të cilat e bëjnë dhe për nga mjetet e ndryshe me të cilat e bëjnë disa shkrimtarë të privilegjuar të komunizmit, beteja për ndryshimin e jetëshkrimit komunist është pothuaj një betejë e panjohur në historinë e lertërsisë botërore, prandaj edhe në historinë e letërsisë shqipe. Megjithëse e panjohur, partizanët e saj do ta bëjnë me shumë shkathtësi dhe me shumë përvojë. Dhe do ta bëjnë me batica e me zbatica, me turre e me pushime, me zë të lartë dhe në heshtje, vetëm edhe me ndihmës, me gazeta, me radio e me televizione, me persona privatë e me institucione shtetërore, me dëshmitarë e me kundërshtarë!

    Të shohim si zhvillohet kjo betejë

    Menjëherë pas konvertimit beteja për ndryshimin e jetëshkrimit komunist do të fillojë me retushime më të pakta a më të shumta, ideologjike dhe politike, të veprave të botuara në kohën e komunizmit: me ndryshime të fjalive, me shkurtime a me plotësime përmbajtësore, me theksime a ç’theksime kuptimore e figurative, me zëvendësime të personazheve pozitive e negative ideologjike me personazhe të paideologji. Të gjitha këto ndryshime, pavarësht pse nuk janë të nxitura nga motive thjesht artistike, janë plotësisht të kuptueshme dhe plotësisht të ligjshme. E drejta për ndryshime në veprën letrare, shkencore a filozofike, të çfarëdo përmasash qofshin ato, është e drejtë, le ta quajmë, themelore krijuese. Këso ndryshimesh në veprat e tyre shkrimtarët e ndryshëm kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, gjithmonë e gjithkund deri sa janë gjallë. Pakënaqësia me atë që ke bërë është kusht i përsosjes së saj të mëtejshme. Lirimi i veprës gjuhësore artistike prej barrës ideologjike, politike, fetare, pedagogjike, gjithmonë do të thotë përmirësim i saj. Mund të thuhet se janë tepër-tepër-tepër të paktëë skrimtarët, që kanë jetuar dhe krijuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk kanë nevojë të retushojnë së paku një vepër të tyre. Disa të tjerë, për shkak të përkushtimeve tepër servile komuniste, i kanë qitur vetes aq shumë punë saqë në disa nga veprat nuk mund të bëjnë kurrfarë përmirësimesh: ato janë fillim e fund të mbytura nga ideologjia dhe politika komuniste! Për këtë arsye të privilegjuarit e komunizmit, që e kanë filluar betejën për jetëshkrim të ri, do të thotë betejën për ndryshimin e përmirësimin e jetëshkrimit të tyre në kohën e komunizmit, shtrëngohen të bëjnë veprime të tjera, shumë më të thella në krijimtarinë dhe në jetën e tyre. Siç është dëshmuar gjatë këtyre dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjetëve që nga përmbysja e komunizmit, të privilegjuarit e tij betejën për jetëshkrimin e ri e bëjnë, prandaj, edhe në mënyra të tjera e me trajta të tjera letrare: e bëjnë edhe me kujtime për kohën kur ishin heronj krijues të propagandës komuniste, por heronj të dikurshëm që e paraqesin veten si viktima. Lexuesve të vjetës dhe sidomos të rinj, iu bëhet e mundshme të shohin se si heronjtë e dikurshëm krijues nuk ishin të privilegjuar, po përkundrazi ishin viktima: iu paraqiten pohime, situata, deklarata, kërkesa, urdhëresa, përjetime, që e tregojnë faqen tjetër, të mundimshme, të jetës së tyre! Ç’është e vërteta, disa prej tyre ishin viktima të privilegjuara. Përpos me kujtime, beteja për jetëshkrimin e ri, do të thotë për jetëshkrimin e gjoja të përndjekurit të dikurshëm bëhet edhe me ditar me data të atëhershme, por të shkruar sot. Lexuesit me kulturë filologjike, të cilët, natyrisht, nuk janë aq të shpeshtë sot, nuk e kanë shumë të vështirë të shohin se ditari është kontribut i përtashëm artistik-shkencor për jetëshkrimin e dikurshëm të shkruesit të tij. Më bindshëm se me kujtime e me ditarë të shkruar pas kohës së duhur, që megjithatë, mund të mos pranohen pa murmuritje të dyshimta jo vetëm të filologëve po edhe të lexuesve të zakonshëm, beteja për jetëshkrimin e ndryshuar bëhet me vepra letrare apo, madje, shkencore të shkruara në kohën e komunizmit, por të botuara tani, në demokraci, mbasi në atë kohë, në kohën e censurës komuniste, nuk kanë mundur të botohen, madje do të ishte shumë rrezik të paraqiteshin për botim. Në disa raste, në disa vende ish-komuniste, beteja për jetëshkrim të ri, të ndryshuar komunist, është bërë me vepra letrare a shkencore të shkruara sot, por të cilave u është vënë data e përparshme: e kohës komuniste!

    Kush dhe pse bën betejë për jetëshkrim të ri?

    Edhe më lehtë se kur është fjala për kujtimet dhe ditarët, lexuesit me kulturë filologjike mund të kuptojnë se kur janë shkruar ato vepra. Të gjitha llojet e falsifikimeve në këtë botë bëhen më lehtë se sa falsifikimet letrare. As gjeniu më i madh ndjenjat, pamjet, përfytyrimet e sotme nuk mund t’i bëjë plotësisht të djeshme.

    Dhe, më tej: përpos me kujtime, me ditarë, me vepra letrare a shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara atëherë në kohën e komunizmit, beteja për jetëshkrimin e ri në kohën e komunizmit bëhet edhe duke i përjashtuar plotësisht prej bibliografisë veprat letrare të shkruara për ngjarje komuniste, për figura komuniste e për ideale komuniste, që nuk mund të përmirësohen në asnjë mënyrë dhe veprat kritike e teorike, në të cilat gjejnë zbatimin më besnik parimet e realizmit socialist. Le të thuhet se të paktit janë ata shkrimtarë, që kanë jetuar e krijuar në kohën e komunizmit, në mënyrë të veçantë ata shkrimtarë që ishin të privilegjuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk detyrohen sot ta shkurtojnë në këtë mënyrë bibliografinë e krijimtarisë së tyre. Dhe kjo është fatkeqësi për ta dhe fatkeqësi për letërsitë kombëtare. Çka të bëhet në qoftë se me kujtime, me ditarë, me vepra letrare e shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara në kohën e komunizmit dhe me shkurtime të bibliografive nuk kryhet e gjithë puna në betejën për jetëshkrimin e ri? Çka? Është edhe një mjet që mund të jetë më ndikues në vetëdijen e lexuesve se të gjitha të bërat e sipërtheksuara: është DOSJA! Të kesh patur dosjen në kohën e komunizmit do të thotë shumë, tepër shumë. Të kesh patur dosjen atëherë do të thotë të kesh qenë i dyshimtë, i denoncuar, i përndjekur, sepse nuk je çmuar besnik i ideologjisë, i politikës dhe i njëmendësisë komuniste. Por, dosjen nuk mund ta bësh vetë dhe dosjen nuk mund ta shpallësh vetë: dosjen duhet të ta bëjë tjetërkush dhe dosjen duhet të ta shpallë tjetërkush – dikush që ishte dikur, apo është sot, atje ku bëhen apo ruhen dosjet! Mjeshtëria e falsifikimeve domemos duhet të ngrihet në shkallë më të lartë! Dhe këso falsifikimesh në vendet ish-komuniste kanë ngjarë dhe vazhdojnë të ngjasin! Një gjë, ndërkaq, e harrojnë edhe kërkuesit edhe shpallësit e dosjeve: harrojnë se dosje, në kohën e komunizmit i janë bërë numrit më të madh të krijuesve, kurse krijuesve të talentuar e të popullarizuar pashmangshëm. Dyshimi në robin e në zotin, në të gjithë e në njërin, ishte parimi i të gjitha parimeve atëherë! Në disa vende komuniste si, fjala vjen, në Jugosllavi, është dëshmuar se dosje u janë bërë edhe disave nga figurat më të larta politike e shtetërore! Krijuesit, sidomos krijuesit e shquar, prej pushtetarëve gjithmonë janë shpallur të dyshimtë, sepse janë konsideruar jobesnikë apo jo mjaft besnikë ndaj rendit shoqëror dhe ndaj politikës së tyre. Nuk është shumë e çuditshme pse si të dyshimtë, në shumë raste, ata po trajtohen edhe sot. Por, edhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, që dëshirojnë të kenë pasur dosje, edhe lexursit që e kanë kujtesën e mirë, kurse kokën ppër të menduar vetë me të, mund ta dinë se as dosja nuk sjell fitore të sigurt në betejën për jetëshkrim të ndryshuar, të ri, në kohën e komunizmit. Gjithmonë është e mundshme, që të dhëna për jetën dhe për veprën e të privilegjuarve të komunizmit të jenë ruajtur në dosjet e shkrimtarëve e të krijuesve të tjerë, në arkivat e vetjeve partiake, në kujtimet, në ditarët dhe në shkrimet e tjera të pabotuara të shkrimtarëve, krijuesve e individëve të tjerë.

    Pse beteja për jetëshkrim të ri?

    Duket e pabesueshme, por ja është e vërtetë se betejë për jetëshkrim të ri, të ndryshuar, të dramatizuar, të përmirësuar, në kohën e komunizmit nuk kanë bërë dhe nuk e bëjnë viktimat e komunizmit, por të privilegjuarit e tij: nuk kanë bërë Jan Parandovski, Isak Babeli, Boris Pasternaku, Martin Camaj a Kin Dushi dhe nuk bëjnë Haveli, Maks Brodi, Adem Demaçi, Kasëm Trebeshina, Daut Gumeni, Visar Zhiti a Pjetër Arbnori. Jo. Atyre nuk iu duhet jetëshkrim tjetër, jetëshkrim i ri, jetëshkrim i përmirësuar, jetëshkrim tragjik. Jo. Ata dosjet i kanë jetuar! Ata tragjedinë e kanë jetuar! Ata nuk kanë nevojë të flasin për jetën e vet të shkuar: jeta e tyre flet mjaftueshëm për ta. Betejë për jetëshkrim të ri në kohën e komunizmit, për jetëshkrim dramatik, të përmirësuar, të ndryshuar, për jetëshkrim të viktimës, tani pas përmbysjes së komunizmit, bëjnë sugarët e komunizmit, të çmuarit, të shpërblyerit, të adhuruarit, shumëllojshëm të privilegjuarit, e komunizmit. E kuptueshme! Ata e kanë shfrytëzuar mirë dje komunizmin – pse të mos e shfrytëzojnë sot demokracinë për interesat dhe lavdinë e vet. Përjashtimet janë, mjerisht, shumë të pakta. Vetëm njëri nga të privilegjuarit e komunizmit sovjetik dihet të ketë thënë në fund të jetës: edhe sot nuk kuptoj dhe kjo më shkakton vuajtje, pse në komunizëm nuk më kanë përndjekur edhe mua siç i kanë përndjekur kolegët e mi!

    Beteja për jetëshkrim të ndryshuar komunist dhe historia e letërsisë

    Nuk ka dyshim se beteja për jetëshkrim të ri, të ndryshuar në kohën e komunizmit, bëhet për të kënaqur lavdidashjen e luftëtarëve që e bëjnë, por shumë më tepër për interesa më sendësore. Dhe, kjo betejë pavarësisht pse dikur përfundon me disfatë, atyre u sjell dobi kur më të vogla e kur më të mëdha: u sjell shpërblime, urdhëra, dekorata, medalje, tituj, në raste të caktuara nëpunësi të larta, popullorësi e të mira të tjera. Por, një gjë kurrë nuk mund t’ua sjellë: ndryshimin e dëshiruar të jetëshkrimit komunist prej të privilegjuarish dhe lartësinë e ëndërruar morale. Përkundrazi: ua sjell zvogëlimin edhe më të dukshëm moral në sytë e të gjithë atyre njerëzve, lexuesve dhe studiusve të tyre të ardhshëm, të cilët prej shkrimtarëve me të drejtë kërkojnë jo përmbysje, po mbrojtje të vlerave siç janë e vërteta, e drejta, qëndrueshmëria, parimësia, edhe me jetën e tyre. Dhe, kjo është plotësisht e kuptueshme. Jeta e krijuesit letrar në të cilën nuk lufton krenaria kundër mjerimit, e vërteta kundër gënjeshtrës dhe liria e mendimit kundër servilizmit nuk mund të shikohet si jetë e denjë për nderim. Ajo është jetë që i qet hije të rëndë edhe veprës letrare të atij krijuesi. Beteja e disa shkrimtarëve e të krijuesve të tjerë për jetëshkrim të ndryshuar, të përmirësuar, për jetëshkrim viktimë në kohën e komunizmit edhe kur ishin sugarë, të privilegjuar të tij, do t’u sjellë shumë punë historianëve të ardhshëm të letërsisë kombëtare: do t’u sjellë shumë punë në studimin e versioneve të veprave të tyre; shumë punë për të saktësuar kohën e shkrimit të disa veprave të tyre; shumë punë për të dalluar çka është e vërtetë e çka është gënjeshtër në kujtimet e në ditarët e tyre; shumë punë për të saktësuar çka është e vërtetë e çka gënjeshtër në jetën e tyre komuniste; shumë punë për të dalluar çka është burimore e çka e falsifikuar në dosjet e tyre. E të tjera të ngjashme. Puna e historianëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet aq shumë në qoftë se në betejën për ndryshimin e jetës komuniste të të privilegjuarve të komunizmit futen familjarë, miq dhe lexues të pafajshëm të tyre. Puna e historianëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet edhe më shumë në qoftë se në betejën për ndryshimin e jetës komuniste të benjaminëve të komunizmit futen medie - gazeta dhe televizione.

    Por, puna e historiaanëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet posaçërisht shumë në qoftë se në betejën për jetëshkrimin e ri të benjaminëve të komunizmit futen nëpunës të arkivave, në duart e të cilëve janë dosjet e tyre dhe dosjet e shkrimtarëve, krijuesve e qytetarëve të tjerë të kohës së komunizmit: në qoftë se këta nëpunës bëjnë shkurtime, plotësime, retushime në dosjet – ashtu siç ka ngjarë në disa raste në disa vende ish-komuniste. Të shpresojmë se historianët e ardhshëm të letërsisë, ndërkaq, do t’i mposhtin këto vështirësi, sepse do të udhëhiqen nga kriteri i së vërtetës dhe i të drejtës e jo nga kriteri i levërdisë apo i popullorësisë – si luftëtarët për jetëshkrimin e ri!

    Dhe, puna shkencore, vërtet shkencore e këtyre historianëve pashmangshëm do të sjellë ndryshime në gjykimet për letërsitë e sotme kombëtare: shkrimtarëve padrejt të mbiçmuar dhe shkrimtarëve padrejt të nënçmuar do t’u caktohen vendet që vërtet u takojnë. Për të gjitha arsyet e sipërthëna mund të thuhet se është në interesin e shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë që bëjnë betejë për jetëshkrim të ndryshuar, të ri, për jetëshkrim viktimë në kohën e komunizmit edhe kur ishin të përkëdhelur të tij, në interesin e letërsisë dhe të studiusve të saj të ardhshëm, që t’i lënë jetëshkrimet e veta komuniste të tilla çfarë ishin në të vërtetë. Le të mendojnë se nëpër jetë të pastër mund të ecin vetëm shenjtorët, kurse shkrimtarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë shenjtorë. E komunizmi as shenjtorët s’i ka lënë pa njolla!

    Sa i përket jetëshkrimit tim në kohën e komunizmit, dua të mbetet i tillë çfarë ishte: me hije e me dritë!

    Nuk dua të bëhem personazh i proverbit italian: aq i mirë sa nuk vlen asgjë.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund tė hapni tema tė reja.
  • Ju nuk mund tė postoni nė tema.
  • Ju nuk mund tė bashkėngjitni skedarė.
  • Ju nuk mund tė ndryshoni postimet tuaja.
  •