Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, ka kundërshtuar urdhërin e drejtorit të porsaemëruar në Muzeun Historik Kombëtar, Beqir Meta, për rikonstruksion në këtë institucion të rëndësishëm, duke përfshirë edhe pavionin e LANÇ-it. Rinkonstruksioni do të përfshinte rregullime e plotësime ngjarjesh, datash e figurash të tjera. Nisur nga ky urdhër, Kryesia e Komitetit të Organizatës së Veteranëve të LANÇI-it ka deklaruar se: Në kuadrin e 60-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, mbi bazën e një vendimi të marrë nga Komiteti Ndërministror, kryesuar nga ish-nënkryetari i Këshillit të Ministrave, Namik Dokle, në vitin 2004 u krijua grupi i punës për ngritjen e pavionit të LANÇ-it, me pjesëmarrjen e disa prej historianëve e specialistëve më të njohur të vendit, me këta edhe disa ish-kuadro kryesorë të LANÇ-it. Në krye të këtij komisioni u vu ish-drejtori i Muzeut në fjalë, historiani i mirënjohur, dr. Moikom Zeqo, i cili, bazuar në dokumente arkivore dhe në të vërtetat historike ngriti pavionin e LANÇ-it në një nivel të lartë shkencor e historik, i mirëpritur aq mirë nga tërë populli. Anëtarët e këtij Komiteti kanë deklaruar se: Duke qënë kështu, çdo ndërhyrje tjetër pas kësaj në këtë pavion për të bërë ndryshime apo për të shtuar figura të tjera, sikurse pretendon drejtori aktual, do të ishte një veprim i gabuar, i padrejtë dhe i papranueshëm. “Nuk duam të besojmë, se ky veprim ka për qëllim të vendosë në këtë pavion edhe ata drejtues të organizatave tradhëtare të Ballit Kombëtar e të Legalitetit”, -kanë thënë ata ,të cilët, sikurse dihet botërisht, vërtetuan edhe me dokumente autentike, bashkëpunuan ngushtë dhe u vunë në shërbim të hapur me pushtuesit nazifashistë. “Vendosja e këtyre figurave përkrah çlirimtarëve të vërtetë, atyre që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut, do të ishte jo vetëm një përdhosje e historisë, por edhe një krim i rëndë, që nuk do t’i duronin si ata mijëra luftëtarë, një pjesë e të cilëve ende janë me plagë në trupin e tyre nga plumbat e pushtuesve dhe të kolaboracionistëve, ashtu dhe mijëra familjarë të të rënëve”. Në qoftë se do të mund të cënohet përmbajtja e pavionit të LANÇ-it, kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, ka paralajmëruar se do të reagojë në rrugë institucionale me të gjitha mjetet ligjore e demokratike, për të mos lejuar asnjë përpjekje që do të guxonte të prekte sadopak këtë pavion. Në qoftë se do të vihej në dorë në materialet e këtij pavioni, një gjë e tillë do të prekte njëkohësisht ndjenjat e një populli të tërë.
Gazeta SOT
Krijoni Kontakt