Skandal me listat e shqiptarëve në Itali. Për integrimin e të dhënave të veta konsullore me ato të gjendjes civile italiane, shteti shqiptar i kërkon atij italian nëpërmjet një note verbale që t’i njihet një mandat zyrtar një shoqërie private italiane e vetëquajtur “Institut i Kulturës Shqiptare” në Itali

Kronikë e një përdhosjeje


Roland Sejko

Në morinë e shoqatave dhe shoqërive të shqiptarëve në Itali, emërtimi “Istituto di Cultura Albanese” i njërit prej tyre të ngritur në Romë verën e para dy vjetëve ngacmoi që në fillim dyshimin se po rrekej t’i zinte vendin, në fillim me emër e më tej në funksione, përfaqësimit zyrtar të shtetit shqiptar, duke u shfaqur rrejshëm në Itali si homologe e Instituteve të Kulturës italiane të cilat, në legjislacionin vendas, janë përfaqësi diplomatike të varura nga Ministria e Jashtme.
Dukej në emërtim e u duk edhe më qartë në të parin aktivitet të kësaj shoqate, organizimi i një spektakli missesh ku simbolet zyrtare të shtetit shqiptar u bënë çorap me ato të këmbëve të vajzave e u shpërdorën vetëm e vetëm për të ligjëruar një sigël institucionale si ai i “Institutit të Kulturës Shqiptare”. Por ndërsa shqetësimi i ngritur për abuzimin me emrin dhe simbolet e shtetit pasohej me mungesën e zakonshme të një përgjigjeje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo nga Ambasada Shqiptare në Romë, kjo e fundit, heshtazi shtypit, lëshonte një autorizim.
Kjo histori nis plot një vit më parë. Më 24 janar 2005. Nis me formën e një “autorizimi zyrtar” që Ambasada e Shqipërisë në Romë i lëshon të vetëquajturit “Istituto di Cultura Albanese in Italia” për t’iu drejtuar zyrave të gjendjes civile të komunave italiane për të vjelë të dhënat vetjake të shqiptarëve në Itali në kuadër të një projekti të quajtur CAI, Censimento degli Albanesi in Italia, regjistrimi i shqiptarëve në Itali. Synon, shkruan, “integrimin e të dhënave të zyrave konsullore shqiptare me ato të gjendjes civile italiane”.
Projekti i paraqitur nga shoqëria “Institut Kulture” dhe i mbështetur nga ambasada është kopjuar drejtpërdrejt nga statuti i AIRE-s, Anagrafe Italiani Residenti all'Estero. Po t’i vesh të dy ballë për ballë, lexon fjalë për fjalë të njëjtat synime të Regjistrit të Gjendjes Civile për Italianët Jashtë Shtetit, një organizëm publik italian, që qeveria italiane ka ngritur pranë konsullatave të veta në gjithë botën. Në projekt, është ndryshuar fjala “italiane” me “shqiptare” dhe mënyra e vjeljes të të dhënave: nëse shteti italian i fton emigrantët e vet nëpër botë të paraqiten e të regjistrohen në konsullatë, projekti “shqiptar” i bie shkurt: ia kërkon të dhënat e emigrantëve shqiptarë drejtpërdrejt administratës publike italiane, zyrave të gjendjes civile.
Ambasada e Shqipërisë në Romë paska nisur kështu regjistrimin e shqiptarëve në Itali? I ka kaluar një shoqërie private italiane të dhënat e veta konsullore, dhe e ka ngarkuar gjithashtu t’ia integrojë me të dhënat e gjendjes civile italiane? Shoqëria private italiane po zëvendësoka, pra, shtetin shqiptar, duke u paraqitur me mandat të tij pranë institucioneve publike italiane?
Kush jeton në Itali e di mirë se trajtimi i të dhënave vetjake i nënshtrohet një procesi të rreptë kontrolli nga ana e administratës publike. Deri edhe lista e pajtimtarëve të një gazete, me adresat dhe numrat e telefonit, duhet të ruhet nëpërmjet një sëre procedurash të mbikqyrura nga organet shtetërore. Por, edhe pse ignoratia legis non excusat, i ashtuquajturi Institut Kulture, i armatosur me autorizimin e ambasadës, i dërgon një letër të gjitha komunave italiane duke kërkuar emrat, vendbanimet dhe gjendjen civile të të gjithë shqiptarëve në Itali “përfshirë ata që ndërkohë kanë marrë shtetësinë italiane”.
Kërkesa përbën në vetvete një leje për të shkelur ligjin e do të kishte përfunduar në kosh, në rastin më të mirë, ose, në më të keqin, mund të ishte bërë burim për kallëzim penal si për çdo shoqëri private italiane që do të kishte guxuar ta formulonte. Por prania e ambasadës dhe mistifikimi i krijuar nëpërmjet emrit Institut Kulture, ka bërë që shumë komuna ta marrin seriozisht kërkesën e të kërkojnë udhëzim nga qendra. Qesharake apo jo, ka qenë hera e parë që administrata publike italiane është gjetur para një kërkese të tillë vjeljesh të dhënash nga një “administratë publike”. Kështu e konsideron Institutin e Kulturës një udhëzim i Ministrisë së Punëve të Brendshme Italiane i qershorit 2005. Shkruhet se sipas ligjeve italiane kërkesa nuk mund të plotësohet, por, meqë mbërrin nga një institucion publik i huaj, kompetenca mund t’i përkasë Ministrisë së Jashtme Italiane.
Ministria e Punëve të Jashtme, së cilës i kalohet topi për gjykim nuk i përgjigjet kërkesës së Ministrisë së Brendshme për të sqaruar nëse mes dy shteteve ka marrëdhënie të veçanta për shkëmbimin e të dhënave mes dy administratave publike. Nuk ka, në fakt. Ministria e Punëve të Brendshme i vë vulën rrëzimit të kërkesës së autorizuar nga ambasada me qarkoren nr. 50 të datës 9 nëntor 2005 ku saktësohet përfundimisht se “legjislacioni italian në fuqi i lejon lëshimin e të dhënave të gjendjes civile ekskluzivisht administratës publike italiane”. Çdo veprim i kundërt përbën shkelje penale.
Shqiptarët në Itali mund të rrinë kështu të qetë se të dhënat e tyre personale nuk do t’i kalohen një shoqërie private? Po të qe se kjo histori do të mbaronte me kaq. E po të qe se vetë shteti shqiptar nuk do të kanosej me këmbëngulje që shteti italian t’u shkelë ekskluzivisht shqiptarëve të drejtat që u njeh si gjithë banorëve të Italisë.
Pas një vizite të para disa javëve të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Romë, Ambasada Shqiptare e ka çuar më tej autorizimin e dikurshëm, duke i drejtuar një notë verbale drejtpërdrejt Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane. Për ata që nuk e dinë, nota verbale është shkresa më e rëndësishme e komunikimit mes dy shteteve. Kësaj here, në fillim të dhjetorit, me notën verbale nr. 652, shteti shqiptar i kërkon atij italian njohjen e një “mandati zyrtar Institutit të Kulturës Shqiptare” për kryerjen e integrimit mes “të dhënave konsullore shqiptare dhe gjendjes civile italiane”. Të njëjtat fjalë që janë në paraqitjen e projektit privat nga ku duket se është diktuar nota shtetërore. E pamundur që shteti italian ta plotësojë kërkesën e shtetit shqiptar pasi është e paligjshme. Madje është përgjigjur njëherë për thuajse të njëjtën temë: tre vjet më parë një kërkesë zyrtare e ambasadës së Romës për të vjelë listat e studentëve shqiptarë në Itali është hedhur poshtë nga administrata italiane. Por, edhe pse përgjigja do të jetë sërish negative, kjo histori e vë shtetin shqiptar në një dritë jo fort të mirë. E jo vetëm para emigrantëve.
Shkujdesja e papërgjegjshme e shprehur me këmbënguljen e shtetit shqiptar deri me paraqitjen e një note verbale për t'i dhënë de jure mandatin një shoqërie private që të zëvendësojë institucionet shtetërore e të trajtojë të dhëna të gjendjes civile të emigrantëve, tregon se si ai, përveçse shkel të drejtat e vetë shqiptarëve në Itali, shkel pikësëpari politikën e vet të miratuar. Duke harruar se regjistrimi i emigrantëve është pjesë thelbësore e Planit Kombëtar të Veprimit për Migracionin të miratuar nga qeveria shqiptare majin e kaluar sipas të cilit një nga institucionet zbatuese është pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme. Brenda dhjetorit të vitit të kaluar kjo ministri duhej të kishte “identifikuar dhe planifikuar krijimin e rrjetit të infrastrukturës së duhur”. Nuk ka asnjë informacion nga Ministria e Jashtme sa është plotësuar kjo fazë, që paraprin hapin e dytë, atë të krijimit brenda këtij viti të bazës ligjore për regjistrimin e emigrantëve dhe të saktësimit të elementëve teknikë sipas disa kritereve ku përjashtohet kryekëput marrja e të dhënave nga gjendjet e huaja civile. Udhëzimin për regjistrimin e kanë edhe ambasadat dhe konsullatat shqiptare, për “mbledhjen e të dhënave shtesë në regjistrin kombëtar të gjendjes civile me anë të regjistrimit në ambasada dhe shërbime konsullore”. Edhe këtu, pas një studimi nga ekspertë ligjorë të qeverisë shqiptare, është përjashtuar kërkimi i të dhënave nga gjendja civile italiane. Aq më tepër duke ia besuar procesin privatëve.
Është vetëm papërgjegjësia e shtetit që kjo po ndodh, apo dikush ka interesa aq të fuqishme sa të vërë në lëvizje mekanizma që qenkan në gjendje të përdhosin njerëzit dhe institucionet duke u shkelur të drejtat shqiptarëve në Itali e duke fshirë me autorizime e nota verbale plan-veprimin kombëtar të qeverisë për migracionin? Mos vallë me të njëjtën lehtësi dhe fshehtësi bartësit e këtyre interesave po i përcjellin vetes fondet që shteti i ka vënë në dizpozicion strukturave të tija? Sa besueshmëri i mbetet strategjisë kombëtare të emigracionit kur e shkatërron me ose pa dashje vetë shteti që e ka hartuar? Kush është drejtpërdrejt i interesuar që në gjithë komunikimin zyrtar me shtetin italian “të harrojë” rregullisht të vërejë, megjithë amullinë që ka krijuar, se i ashtuquajturi “Istituto di Cultura Albanese” është vetëm një shoqëri private italiane me kurrfarë lidhjeje me shtetin shqiptar? Mos vallë bëhet qëllimisht, për të përvetësuar më tutje ofiqet dhe fondet shtetërore të Institutit të Kulturës Shqiptare që, sipas planit kombëtar, parashikohet të hapet në Itali brenda vitit 2006 me fond buxhetor të përcaktuar prej 200.000 eurosh?
“Rreken ta lënë të kalojë në heshtje, derisa çështja e inciativave të tilla të bëhet faît accompli dhe, një ditë prej ditësh, ato të zënë të thithin e të përthithin “donacione” nga fondet publike të shtetit shqiptar?”, pyeste në një artikull dy vjet më parë, kur dukuria me emrin “Institut Kulture” sapo kishte nxjerrë kokën, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, i cili kërkonte të bëhej “së paku tejdukshmëri (transparencë në gjuhën shqipe nr. 2) për këtë shpikje të re gjeo-politiko-kulturoro-diplomatike, që të mos na mbetet ta mësojmë rastësisht, nëpërmjet shtypit të botuar jashtë.”
As ai e as shtypi, brenda e jashtë Shqipërisë, nuk kanë marrë kurrë përgjigje.
“Bota shqiptare”
Gazeta e shqiptarëve në Itali


Një histori papërgjegjësie dhe interesash të dyshimta: shkel të drejtat e emigrantëve, i zhvesh shtetit ofiqet e vet, përmbys plan-veprimim kombëtar të qeverisë për migracionin, dhe ngre pikëpyetje mbi afera korruptive.

Dritare

Ç’është plan-veprimi kombëtar i emigracionit

Këshilli i Ministrave ka miratuar në nëntor 2004 një platformë politikash për migracionin me 132 propozime. Propozimet u diskutuan me grupe ekspertësh dhe përfaqësues të diasporës të cilët në shkurt 2005 nënshkruan në Tiranë dokumentin për strategjinë kombëtare. Që këto propozime të zbatoheshin gjatë periudhës 2005 - 2010, duhej një plan veprimi me masa konkrete. Ky plan veprimi u hartua nga një Grup Pune Qeveritar dhe u miratua në maj 2005. Plani kombëtar i veprimit të migracionit prek për herë të parë thuajse të gjitha aspektet e jetës së emigrantëve dhe të marrëdhënieve të tyre me shtetin amë e anasjelltas. Masat e parashikuar në plan-veprim përfshijnë mes të tjerash kthimin e emigrantëve në atdhe, përmirësimin e imazhit, përmirësimin e shërbimeve konsullore, mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, mobilizimin e komunitetit, regjistrimin e emigrantëve, etj. Në masat për përmirësimin e imazhit, plan-veprimi parashikon mes të tjerash që brenda vitit 2006 Këshilli i Ministrave të miratojë vendimin “Për ngritjen e Instituteve të Kulturës në vendet pritëse ku gjendet një komunitet i madh shqiptar” Institucionet përgjegjës dhe zbatues janë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve si edhe Ministria e Jashtme. Çdo institut do të ketë të punësuar jo më pak se gjashtë persona të emëruar nga organet përkatëse që do të duhet të menaxhojnë një fond prej 200.000 eurosh në vit. Pak a shumë i njëjti fond vjetor që buxheti parashikon për Ambasadën e Shqipërisë në Romë. Tjetër pikë e rëndësishme e planit kombëtar të veprimit është regjistrimi i emigrantëve nëpërmjet dy rrugëve: zgjerimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile me të dhëna për emigrantët dhe mbledhjes të të dhënave shtesë me anë të regjistrimit në ambasada dhe shërbime konsullore. Brenda vitit 2006 do të krijohet në Shqipëri baza ligjore për regjistrimin e emigrantëve dhe do të saktësohen elementët teknikë në nënligje sipas këtyre kritereve: qytetarët që do të emigrojnë do të jenë të detyruarpër të deklaruar largimin, regjistrimi i adresës së tyre jashtë vendit nëpërmjet konsullatës do të jetë i detyrueshëm për emigrantët e rinj pas një date për t’u përcaktuar, emigrantët e tjerë të larguar para hyrjes në fuqi të ligjit janë të lirë të regjistrohen vullnetarisht.




16/01/2006
KATEGORIA: Analiza.Shekulli.