Eshaloni i parë i Brigadës multinacionale të Evropës Juglindore (SIBRIG), e cila duhet të numërojë 400 ushtarë sot niset në misionin e parë për mbështetjen e paqes në përbërje të Forcave ndërkombëtare për mbështetjen e sigurisë në Afganistan.

Ceremoniali zyrtar për dërgimin e pararojes së Brigadës e cila do të jetë nën komandën bullgare do të mbahet sot në Konstancë, Rumani.

Pjesa kryesore e forcave duhet të arrijë në Afganistan në fillim të shkurtit, në mesin e tyre do të jenë edhe 11 oficerë dhe nënoficerë të Maqedonisë.

Detyra themelore e brigadës do të jetë që t`i ndihmojë Qeverisë së Afganistanit në mbështetjen e stabilitetit, sigurisë dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë në zonën e përgjegjësisë, që përfshinë Kabulin me rrethinë.

Marrëveshja për dërgimin e brigadës u nënshkrua në dhjetor në Uashington gjatë Takimit të dhjetë të ministrave të mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), në të cilin mori pjesë edhe Maqedonia e përfaqësuar nga ministri Jovan Manasievski.

Iniciativa SEDM është formuar në vitin 1996, ndërsa atë e përbëjnë Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania, Ukraina (prej dhjetorit të vitit 2005) dhe Turqia, vëzhgues janë SHBA-të, Kroacia dhe Sllovenia.