Shfaqet në Londër një film i guximshëm televiziv

Serbë e shqiptarë, dialog në një dokumentar


Nga Londra
Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare


Për herë të parë pas konfliktit në Kosovë, në një dokumentar të guximshëm televiziv, problemet e mpleksura me shqetësimet e shqiptarëve dhe serbeve, bashkohen së bashku në 85 minuta film duke iu adresuar pyetje politikanëve rajonal dhe atyre ndërkombëtar. Një audiencë e zgjedhur me njerëzit e medias britanike, ka patur privilegjin e shikimit për herë të parë të një dokumentari të tillë shumë dimensional për Kosovën, që mban firmën e realizimit nga “Balkan Investigative Reporting Network” (BIRN). “Does anyone have a plan?” (A ka dikushi ndonjë plan?) kështu quhet dukumentari i shfaqur të hënën në ambientet e klubit të gazetarëve “The Frontline Club” në qendër të Londrës.

Dokumentari
Dokumentari i realizuar me mjeshtëtri nga Lode Desment, fitues i shumë çmimemeve ndërkombëtare reflekton mbi problemet e shumta përfshi shpresën e qytetarëve Ballkanas. Por vëmendja përqëndrohet në Kosovë, në prag të bisedimeve për statusin final.
“Qëllimi i realizimit të dokumentarit ishte krijimi i dialogut mes njerëzve dhe politikanëve në rajon.Donim të tregonim problemet, frikën që këta njerëz në këtë pjesë të Ballkanit kanë për të ardhmen e tyre. Donim që zëri i tyre të dëgjohej në vendet fqinje me ta”, shprehet Gordana Ingric drejtuese e BIRN.
Një historik i shkurtër që nga koha e Titos, i cili 60 vjet më parë bëri realitet ëndrrën e bashkimit të Serbi, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnia & Herzegovinës , Maqedonisë Vojvodinës dhe Kosovës në një shtet të madh, dhe zhvillimet e asaj kohe bëjnë hapjen e dokumentarit.
Më pas gjatë gjithë dokumentarit shtatëmbëdhjetë njerëz të zakonshëm me profesione të ndryshme, nga Kosova, Sebia e Maqedonia u drejtojnë pyetje udhëheqësve rajonalë, kryeministrit Bajram Kosumi, Presidentit serb Tadic, dhe Hashim Thaçit.
Nuk mungojnë në film edhe komentet e analistëve politik, të cilët më shumë se optimistë në komentet e tyre flasin me doza pesimizmi, për tërheqje të palëve nga tryeza e bisedime për statusin, pasi sipas tyre “askushi nuk përlqen të jetë humbës”.
Cilat do të jenë implikimet e bisedimeve nga të cilat shpresohet që të arrihet një zgjidhje e gjatë e konfliktit shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve, duke ruajtur kufijtë rajonalë të paprekur? Duke ju bashkuar edhe problemet sociale, këto ishin temat kryesore që 17 qytetarët ballkanas pyetën shefin e politkës së jashtme të BE-së Javier Solana, zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të shtetit Nicholas Burns. Dokumentari është titruar në Anglisht dhe në të gjitha gjuhët e rajonit ku planifikohet të shfaqet në të gjitha televizionet më kryesore gjatë muajve janar dhe shkurt. Autorët e tij kanë plane për ta shpërndarë atë edhe në vendet perëndimore. Projekti për të realizura dokumentarin në fjalë u financua nga qeveria zvicerane, departamenti i politikave dhe çështjeve të sigurisë.

Debati
Në mbarim të 85 minutave të dokumentarit të gjithë ishin të një mendje. Autorët me mjeshtëri kishin arritur mes personazheve të tyre të ndertonin një dialog. “Shumë impresionues, i mahnitshëm” kështu do ta vlerësonte gjatë komentit të tij dokumentarin një nga të pranishmit. Njerëzit e thjeshtë nga optika e tyre e të parit të problemeve ishin më të lirë, më të qartë në atë që kërkojnë, gjë e cila bëri një sfumim të atyre argumentave që politikanët sollën në formë përgjigjesh rreth pyetjeve që ju adresuan. Performanca e tyre në dialog ishte e ulët dhe aspak për tu admiruar. Edhe në këtë dokumentar politikanët e Kosovës nuk ju larguan përgjigjeve standarte. Me të drejtë një analist kosovar në program ishte shumë skeptik për rolin e tyre.
Dihet nga të gjithë teza e serbëve se çdo të thotë për ta humbje e Kosovës. Duke e parë, që në këtë çështje Serbia po humb terren, presidenti Tadiç e argumentoi kërkesën për pavarësi të kosovarëve si një destabilizim të rajonit, duke mos pasur asgjë tjetër për të argumentuar.

REALIZUESIT
Emra të njohur të gazetarisë ballkanike punuan për tre muaj në realizimin e dokumentarit, i cili u drejtua nga Lode Desmet. Jeta Xharra do të mbulonte pjesën e personazheve për Kosovën, Ana Petruseva nga Maqedonia do të sillte në program shqetësimet e fqinjve të maqedonas. Dragana Nikolic Solomon u angazhua në historitë e njerëzve nga Serbia, si dhe realizimin e intervistës me presidentin serb Tadic. Anna Mac do të bënte kordiminin e projektit, në të cilin gazetarja e njohur nga Bosnja Nerma Jelacic do të sillte copa jete nga serbët e Bosnjës dhe zhvillimet pas konfliktit atje, veçanërisht në republikën Srbska. Ndërsa Godana Ingric drejtore e zhvillimt dhe editorialeve për BIRN do të mbante peshën kryesore në realizimin e të githë projektit.

PJESE NGA DIALOGU
Presidenti Boris Tadic:
“Për të ardhmen e rajonit do të jetë shumë e rrezikshme, nëse Kosova dhe Metohija shpallen të pavarura. Rajoni do të ndahet përsëri. Vëndet ekzistuese do të shpërbëhen. Kjo do të thotë krijimin e një shteti të dobët i pamundur për tu marrë me krimin e organizuar. Trafikantët kanë vepruar atje për qindra vjet” është deklaruar Tadic argumenti i të cilit mbeti pa përgjigje pasi homologu i tij kosovar Ibrahim Rugova për arsye shëndetësore nuk kishtë marrë pjesë në xhirimet e programit.
Ljupo Georgievski, ish kryeministër i Maqedonisë:
“Ndërkombëtarët janë tolerantë ndaj shqiptarëve nacionalistë. Kjo, ndoshta se ata jetojnë në të gjithë Europën. Europianët janë të vetëdijshëm se shqiptarët janë të përfshirë në krimin e organizuar, drogë dhe prostitucion. Ata besojnë se problemi i tyre do të zgjidhet nëse shqiptarët marrin një pjesë të madhe të Ballkanit. Unë mendoj të kundërtën. Një Kosovë e pavarur do të jetë qendra e madhe e krimit të organizuar në Europë. Unë e krahasoj ndihmën e dhënë shqiptarëve për një Kosovë të pavarur nga ndërkombëtarët, të njëjtë me ndihmën e dhënë telebanëve. Ata tani janë kërcënimi më i madh për perëndimin.
Havier Solana:
“Kosovarët kanë vuajtur shumë në historinë e tyre si minoritet. Ata janë ankuar për t’ju respektuar të drejtat. Tani atyre u duhet të respektojnë minoritet e tjera, të cilat duan të jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë për të qëndruar atje”.
Bajram Kosumi
Kryeministri Bajram Kosumi duke ju përgjigjur një të moshuare 73-vjeçare nga Krusha e cila pyeti si mund të vijnë serbët në Kosovë pas asaj që ata na bënë, thotë:
“Serbët nuk mund të akuzohen për krimet që ndodhën në Krusha apo Kosovë. Ishte politika e cila i futi njerëzit në një situatë të tillë.Polititikanët në fuqi, ushtria, policia, mbështetën grupet e armatosura. Të gjithë humbën nga lojrat e tyre politike. Shqiptarët janë ata që kanë vuajtur më shumë, po ashtu humbje pati edhe nga serbët.Ka ardhur koha t’i lëmë të shkojnë vuajtjet, e ky realitet i dhimbshëm”.
Hashim Thaci:
“Është marrëzi të krahasosh Kosovën me republikën Srpska. Kosovarët kanë të drejtën e sovranitetit dhe një shteti të pavarur. Republika Srpska është një krijesë artificiale brenda Bosnjë-Hercegovinës. Është krijuar me dhunë, vrasje dhe genocide. Të drejtat e kosovarëve janë legjitime”.
Goran Svilanovic Analist pyet:
“Kush do ta lërë tavolinën i pari? Unë besoj se negociatat do të prishen pa filluar ende”.
Nicholas Burns përgjigjet:
“Ne nuk do të lejojmë asnjë vend të lërë bisedimet. Nëse nuk paraqiteni, negociatat do të zhvillohen pa ju. Ne shpresojmë që palët të bien dakort”.


Producentja Xharra: Rezerva për politikanët e Kosovës

Hapja e negociatave për të ardhmen e statusit të Kosovës, dhe mungesa e një dialogu mes vendeve, ishte arsyeja, që ne ndërmorëm realizimin e dokumentarit” thotë për Gazetën Shqiptare gazetarja Jeta Xharra në rrolin e producentes. Sipas saj në mediat rajonale dihen vetëm qëndrimet zyrtare për të çështje të ndryshme,por jo mendimet e njerëzve të thjeshtë.
Po ashtu Xharra sqaron se në Kosovë nuk ka vetëm njerëz që pyesin për pavarësi, por edhe nga ata që duan të dinë nëse do të kenë pavarësi dhe një shtet funksional dhe jo të korruptuar. e gjithë kjo, sipas saj mblodhi në një dokumentar 17 njerëz. Por si do të pritet dokumentari në Kosovë për vetë faktin se, për herë të parë serbët dhe kosovarët janë ballë përballë në një dialog?
Jeta Xharra parashikon reagime. “Duke e njohur shoqërinë kosovare mund të them se, sa komentet negative dhe ato pozitive do të jenë pothuaj në një nivel”. Ndërsa për pjesën e problemeve gjatë xhirimeve në një kohë rekord prej tre muajsh Xharra ndër shumë vështirësi nënvizon gjetjen kohës së përshtatshme të politikanëve për t’i intervistuar. Mosparaqitjen në dokumentar të presidentit Rugova ajo e quan si një mungesë serioze duke e argmentuar me faktin se “në momentin kur ne duhet të bëjmë sa më shumë lobing për çështjen tonë kemi mungesë të njerëzve që mund ta paraqesin rastin për Kosovën” thotë Xharra. “Ne nuk kemi njerëz të përgatitur në Kosovë për ta paraqitur rastin tonë në nivelet e duhura” shton Jeta e cila premton se krahas medias së shkruar ajo do ti përkushtohet asaj televizive. Ajo tha: “Unë do të vazhdoj të parashtroj pyetje të vështira në mediat elektronike, të cilat e shoh se po shtrohen shumë pak”.