ZBIGNIEW BRZEZINSKI

Përthktheu: Adnan Kika


Roli botëror i Amerikës rrjedh nga dy realitete të reja qendrore të kohës sonë: nga fuqia globale e pashembullt amerikane dhe nga ndërvarësia e pashembullt globale. E para sinjalizon një moment njëpolar në historinë e çështjeve ndërkombëtare, me hegjemoninë amerikane—qoftë e deklaruar me mburrje qoftë e ushtruar me kujdes—aktualisht një realitet botëror. E dyta vërteton idenë që një proces universal (edhe pse ndoshta jo krejt i dëshiruar) i “globalizmit” në mënyrë graduale po u merr shtet-kombeve sovranitetin e tyre të shenjtë. Kombinimi i të dyjave po prodhon një transformim përmasash të mëdha të çështjeve ndërkombëtare, duke promovuar jo vetëm vdekjen e diplomacisë tradicionale, por çka është më me rëndësi, lindjen e një komuniteti global joformal.



Transformimi është i shprehur në që të dy mënyrat, në atë simbolike dhe vizuale, me shfaqjen e de fakto kryeqytetit të parë global. Sidoqoftë, ai kryeqytet nuk është Nju Jorku, vendi ku Asambleja e Përgjithshme e të gjitha shtet-kombeve herë pas here mblidhet. Nju Jorku ndoshta do të mund të ishte bërë kryeqytet sikur rendi i ri botëror të ishte shfaqur në baza të bashkëpunimit gjithëpërfshirës në mes shtet-kombeve, bazuar në koncepte ligjore të sovranitetit të barabartë. Por një botë e këtillë nuk u bë dhe në të vërtetë vetë ideja është bërë një anakroni duke ditur realitetet e reja të globalizmit transnacional dhe shtrirjen historikisht të veçantë të fuqisë sovrane të Amerikës.

Dhe tashmë kryeqyteti global është shfaqur, jo ndërmjet Hudsonit dhe Lumenjve Lindorë por në brigje të Potomakut. Uashington D.C., është kryeqyteti i parë global politik në historinë e botës. As Roma e as Pekingu antik—të dyja këto kryeqytete të perandorive rajonale—as Londra Viktoriane (përveç ndoshta në çështjet bankare) madje as për së afërmi nuk bashkërendohen me përqendrimin e fuqisë globale dhe të vendimmarrjes në disa blloqe ndërtesash në qendër të qytetit të Uashingtonit. Vendimet e marra brenda dy trekëndëshash të stërmbushur por relativisht të lidhur projektojnë pushtetin e ShBA-ve në botë dhe influencojnë mënyrën se si globalizmi zhvillohet. Një vijë që shkon nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa Monumentale e Kapitollit, dhe kah fortesa e Pentagonit dhe që pastaj kthehet prapë kah Shtëpia e Bardhë përmbledh trekëndëshin e fuqisë. Një vijë tjetër nga Shtëpia e Bardhë tek Banka Botërore vetëm disa blloqe ndërtesash më larg, e te Departmenti i Shtetit dhe prapa tek Shtëpia e Bardhë (kështu po ashtu rrethohet Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata e Shteteve Amerikane) cakton trekëndëshin e influencës globale. Të dy trekëndëshat së bashku sinjalizojnë shkallën në të cilën “çështjet e jashtme” tradicionale janë bërë çështje të brenda një zone.

Në kohët e sotme, ngjarja politike më e shquar në punët e jashtme të shumicës së shteteve është vizita e udhëheqësve të tyre në Uashington. Nga mediat kombëtare të tyre kjo trajtohet si një ngjarje historike, duke raportuar çdo hap të vizitës së nderit përfshirë të gjitha detajet. Një ambasador i huaj ndien që ka arritur një karrierë për tërë jetën nëse arrin që t’i siguroj presidentit të shtetit të tij një gjysmë ore takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Krejt çka sigurohet është një mundësi fotografimi pesë minutash në Zyrën Ovale, që pastaj mund të raportohet në mediat e atij vendi (pa asnjë referencë për gjatësinë e saktë të takimit) si një takim i rëndësishëm historik. Që kur udhëheqësit e qeverive të huaja e vizitojnë tani kryeqytetin global, mesatarisht së paku një herë në javë, pjesa dërmuese e tyre janë të injoruar nga mediat kombëtare amerikane e madje ato lokale të Uashingtonit.


Me atë çka përmendëm më lartë nuk dëshirohet të favorizohet arroganca e fuqisë amerikane. Ajo është të pranohet epiqendra e Amerikës në çështjet e botës dhe koncentrimi në Uashington i insitucioneve globale të cilat reflektojnë martesën historike ndërmjet fuqisë globale të ShBA-ve dhe ndërvarësisë globale në kohën e komunikimeve të çastit. Diplomacia tradicionale, e bërë nga “ambasadorë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të plotfuqishme”, të udhëzuar hollësisht nga ministrat e tyre përkatës (shpesh të varur në aristokrat elegant me shkathtësi në gjuhët e huaja) është zëvendësuar me një proces të përfshirjes së atypëratyshme të ndërvarjes globale të përqendruar kryesisht në Uashington. Bisedat direkte telefonike në mes udhëheqësve të shteteve e po ashtu edhe ministrave të jashtëm, të ndihmuar nga përkthime simultante, janë tani ngjarje ditore. Konslutime nga rrjete të afërta televizive po bëhen të shpeshta. Dialogu i drejtpërdrejt zyrtar me një numër agjencish të ShBA-ve ose ndërkombëtare të lokalizuara në kryeqytetin global është tani një rutinë për zyrtarë të lartë të jashtëm të qeverive nga e gjithë bota.

Ky realitet i ri është i reflektuar në detyrime personale gjithnjë e më të mëdha që liderët e jashtëm politik dhe të biznesit kanë me Amerikën. Shumica prej tyre kanë ndjekur mësimet nëpër universite amerikane. Një periudhë e studimit në ndonjë shkollë të rëndësishme amerikane është bërë së fundi pothuajse kërkesë shoqërore në mesin e elitës, madje të shteteve, siç janë Franca, më një traditë të fuqishme intelektuale dhe me një krenari kombëtare të lartë. Është vetëm çështje kohe para se një praktikë e tillë të aplikohet në shoqëri të atilla që kanë qenë të izoluara deri vonë siç është Rusia dhe Kina. Ky fenomen është madje më i përhapur në mesin e elitës ndërkombëtare të biznesit dhe nëpunësisë së institucioneve të mëdha financiare globale të vendosura në ShBA. Takime të organizatave të tilla prestigjioze si Komisioni Trilateral (një OJQ elitë Veri Amerikane, Aziatiko Lindore dhe Evropiane) janë përkujtues gjithnjë e më të mëdhenj të ribashkimeve të kolegjeve.

Një fenomen shoqërues por më i përgjithshëm është shfaqja e një elite globale të dallueshme me një pikëpamje globaliste dhe lojalitet transnacional. Me një anglishte të rrjedhshme (zakonisht në dialektin e vet amerikan) dhe duke përdorur këtë gjuhë për të bërë biznesin e vet, elita e re globale karakterizohet nga një gadishmëri e lartë, një stil jete kosmopolitane dhe një përkushtim primar për vendin e punës, nga një biznes tipik transnacional ose korporatë financiare. Qeveritarë të lartë jo amëtar të këtyre firmave janë tani të zakonshëm, me 20 % të kompanive më të mëdha evropiane madje të udhëhequra nga individë të cilët dikur do të konsideroheshin të huaj. Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror është bërë, në të vërtetë, një kongres partie i elitës së re globale; politikanë më të lartë, magnatë financiar, udhëheqës të tregtisë, mongol medial, kategori e rëndë akademike dhe madje dhe yje të rokut. Kjo elitë gjithnjë e më shumë paraqet sensin e vet të dallueshëm të interesit, atmosferës miqësore dhe identitetit. 3

Kjo elitë po e nxitë shfaqjen e një komuniteti global të interesave të përbashkëta në stabilitet, prosperitet, dhe madje ndoshta dhe demokraci. Përqendrimi i saj në Amerikën është një pranim i nënkuptueshëm që madje dhe një komunitet global ka nevojë për një qendër të ideve dhe interesave, për pikë kryesore të kristalizimit të një forme të konsensusit, për një burim të iniciativës së natyrshme, dhe në fund të fundit për një sens drejtimi. Edhe nëse ajo nuk kërkon ndonjë lloj pranimi të statusit special të Uashingtonit si kryeqytet global, përqëndrimi në Amerikën është një përulje ndaj dy realiteteve binjake të kohës sonë, atë të një fuqie të një kombi dhe të globalizimit transnacional.

Ky kombinim i pashembullt, megjithatë, përfshinë dy tensione kryesore, ndoshta madje dy kontradikta: e para, ndërmjet dinamikës së globalizmit dhe interesit të Amerikës në ruajtjen e sovranitetit të saj politik dhe e dyta, ndërmjet shtytjes demokratike të Amerikës dhe domosdoshmëris së fuqisë. Amerika proklamon dashamirësinë dhe përfitimin e përbashkët global të globalizmit, por respekton rregullat e veta kryesisht kur janë të përshtatshme. Ajo rrallë pranon që globalizmi zgjeron dhe forcon avantazhin e saj kombëtar—madje edhe nëse ai ushqen një zemërim të madh dhe të rrezikshëm botëror. Njëlloj, fuqia globale e Amerikës vepron kundër demokracisë amerikane, asaj të brendshme dhe të jashtme. Demokracia e brendshme e Amerikës komplikon ushtrimin e jashtëm të pushtetit të kombit, ndërsa në të kundërtën pushteti global i Amerikës mund ta kërcënoj demokracinë e saj brenda. Veç kësaj, Amerika e sheh vetveten si një kampion historik të demokracisë dhe me pietet i eksporton vlerat demokratike përmes rrymave të globalizmit—por kjo po ashtu krijon supozimin botëror për Amerikën që nuk i përshtat kërkesat hierarkike të fuqisë hegjemone. Si pasojë të kësaj dialektike duale, Amerika duhet të jap akoma definim kuptimplotë për rolin e saj në botë, një definim të atillë i cili anashkalon medimet konfliktuale të globalizmit, të demokracisë dhe të fuqisë mbizotëruese.

Në të kaluarën e afërt, roli i Amerikës ka qenë lehtë për t’u definuar në një mënyrë tërheqëse dhe politikisht gjithpërfshirëse. Shteti doli nga Lufta e Dytë Botërore i padëmtuar dhe më i fuqishëm se kurrë më parë. Në mesin e fituesve, ajo ishte e vetmja e paprekur dhe më e fuqishme ekonomikisht sesa kur filloi lufta. Por ajo nuk ishte ende globalisht mbizotëruese. Në fushën ushtarake dhe madje më shumë në rëndësinë e sferës së tërheqjes politike, Shtetet e Bashkuara u përballën me një sfidues të frikshëm; gjithashtu fitues, ushtarakisht të fuqishëm dhe ideologjikisht luftarak, Bashkimin Sovjetik.

Në këtë mënyrë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u bënë çështje përcaktuese në politikën e jashtme të ShBA-ve. Kjo fillimisht nuk qe e qartë për elitën e politikës së jashtme të Amerikës, iluzionet e së cilës për një koalicion jetëgjatë të pasluftës, zgjatën për disa vite. Veç kësaj, rënia e Perandorisë Britanike fillimisht u paqartësua nga kujtimet e ndezura të “Tre të Mëdhenjve” të kohës së luftës të mbledhur së bashku në Teheran dhe Jalta duke ndarë fitimin e fitores në Postdam pas humbjes së Gjermanisë. Por para së gjithash u bë e qartë që çështja kyçe e pasluftës ishte nëse marrëdhëniet e ShBA-ve me Rusinë do të vazhdonin të dilnin nga një sens i partneritetit ose të përkeqësoheshin më tutje në një konflikt të hapur.

Në vitet e 1950-ta, dilema e vetme qe, nëse konflikti politik me Bashkimin Sovjetik do të eskalonte në një konflikt të plotë. Si rezultat, për katër dekadat e ardhëshme, angazhimi global i Amerikës kishte qëllim të qartë: të ndaloj Bashkimin Sovjetik nga përpjekja për ekspansion të armatosur dhe të mund joshjen e tij ideologjike. Politika qe globale në shtrirje por rajonale në përqëndrim, me një theksim të shtuar në Aleancën Atlantike që të ndaloj një perandori të re komuniste.

Strategjia qe gjithpërfshirëse dhe realiste në atë sepse balancoi dimensionet politike dhe ushtarake. Ajo theksoi bashkimin politik në mes të demokracive dhe ndalimin ushtarak të armikut. Ajo vuri theks në liri ( dhe, për një kohë, madje dhe “çlirim”) si çështje kyçe, dhe thirrjet për të drejtat e njeriut u bënë një mjet i fuqishëm për të minuar rivalin komunist nga përbrenda. Ajo kombinoi lidershipin amerikan me njohjen e rëndësisë së aleatëve. Në një botë konfliktuale të shtet-kombeve, ajo promovoi ndërvarësinë politike, duke njohur realitetet e reja të ideologjive garuese transnacionale dhe të një ekonomie globale gjithnjë e më ndërvepruese. Çka është më me rëndësi, ajo triumfoi.

Që nga vitet 1990-ta, gjatë një dekade të qetë, Shtetet e Bashkuara theksuan tri tema kryesore si parime të reja përcaktuese të angazhimit të saj me botën. Me Presidentin Xhorxh H.W. Bush, ato u përmblodhën në tri fjalë: Rendi i Ri Botëror. Në njëfarë mënyre, koncepti të përkujtonte iluzionet e ndezura për një kohë të shkurtër pas vitit 1945 që koalicioni i Luftës së Dytë Botërore do të shërbente si shtyllë e një rendi botëror më paqësor dhe më bashkëpunues nën mbrojtjen e OKB-ës së krijuar rishtas. “Rendi i Ri Botëror” i viteve 1990-ta qe njëjtë i krijuar në shpresa të rreme: që fitorja e Luftës së Ftohtë nga Amerika do të shoqërohej me hyrjen në një sistem të ri global të bazuar në ligjshmëri dhe demokraci të përhapur. Herë pas herë—siç ishte më 6 Mars, 1991, kur Presidenti Bush duke iu drejtuar Kongresit do të shfryhej pothuajse plotë emocione: “Tani, ne mund të shohim një botë të re që po shfaqet. Një botë në të cilën ka perspektivë të vërtetë për një rend të ri Botëror.... Një botë në të cilën Kombet e Bashkuara, të çliruara nga stagnacioni i Luftës së Ftohtë, është e gatshme të përmbushë vizionin historik të themeluesve të saj. Një botë në të cilën liria dhe respekti për të drejtat e njeriut gjen vend në të gjitha kombet”.

Edhe pse Presidenti Klinton e ndau këtë premisë optimiste, ai theksoi parësinë e revolucionit ekonomiko-teknologjik në formimin e një bote me më pak kufij dhe më pak të kontrolluar, me një ndërvarësi ekonomike më të madhe dhe me më pak varësi në pushtetin politik. Për të, çështja nuk ishte aq shumë rend i ri botëror sa ishte (me sa duket) dinamizëm dashamirës i globalizimit. “Është realiteti qendror i kohës sonë”, deklaroi Klintoni para Kongresit më 27 Janar të vitit 2000. Ai pa në këtë fenomen të ri shpresën kryesore për njerëzimin dhe një shansë të madhe për Amerikën si bartëse standarde e tij, si promotor kryesor dhe si përfituese më e madhe. Globalizmi u bë koncepti i përkëdhelur i Klintonit.

Që të dy, Bushi plak dhe Klintoni, megjithatë, nënvlerësuan intensitetin e shfaqjes së trazirës globale të cilën konflikti i stërzgjatur me Bashkimin Sovjetik e kishte fshehur. Kjo trazirë—e dalë nga konflikte kombëtare dhe religjioze dhe e intensifikuar nga rritja e zemërimit shoqëror në forma të ndryshme nga pabarabarësia apo shtypja—ishte acaruar për një kohë të gjatë, për të dalë hapur vetëm pas përfundimit të Luftë së Ftohtë. Vizionet shpresëdhënse të, ose rendit të ri botëror ose bashkëpunimit të mirëfilltë global u shuan dhunshëm më 11 Shtator 2001.

Brenda një viti, presidenti i ardhshëm Amerikan, Xhorxh W. Bush, shprehu një vizion më shumë kërcënues për të ardhmen me një koncept tjetër të ri për politikën e jashtme të ShBA-ve: hegjemonia globale në luftë me terrorizmin. Nocionet e rendit bashkëpunues botëror ia lëshuan vendin shqetësimeve rreth “terrorizmit me përmasa globale”. Lëvizja Amerikane për globalizëm iu nënshtrua “koalicionit të vullnetshëm” të udhëhequr nga Amerika, me formulën “kush nuk është me ne është kundër nesh” si vijë globale në rërë. Deklarata politike e administratës në vitin 2002 të Këshillit të Sigurisë Kombëtare shprehu përcaktimin për ta mbajtur superioritetin ushtarak të Amerikës mbi çdo tjetër fuqi dhe pretendimet për të drejtën e saj speciale strategjike që të parandaloj kërcënimet përmes veprimeve ushtarake.

Sidoqoftë Presidenti Bush, edhe pse përjashtues i multilaterizmit dhe më pak optimist për gjendjen globale sesa paraardhësit e tij, u deshtë ta pranonte që fuqia e Amerikës tani po zotërohet në kontekst të një komuniteti global fillestar. Ai vuri më shumë theks në kërcënimet globale që përballin Amerikën, por po ashtu pranoi realitetin bazë të ndërvarësisë botërore. Kështu, si të vihet balanca ndërmjet hegjemonisë sovrane dhe një komuniteti global në shfaqje dhe si të zgjidhen kontradiktat e rrezikshme ndërmjet vlerave të demokracisë dhe domosdoshmërisë së fuqisë globale, mbesin dilemat e Amerikës në kohën e globalizmit.


Shënim: Nga libri The Choice, Global Domination or Global Leadership