Mesazhin në vazhdim e mora në email dhe po e përcjell edhe këtu në forum. Është një lajm shumë i mirë në këtë prag të Vitit të Ri 2006 për të gjithë shqiptarët, sidomos emigrantët që kanë shumë nevojë për të përvetësuar gjuhën shqipe dhe për ta kaluar atë edhe tek brezi i ri. Me këtë rast i uroj QEP punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme për vitin e ardhshëm.
------------------------------------------------------------------------------
Të nderuar bashkëkombës,
Që nga data 28 dhjetor 2005, pesë minuta para orës 12:00, nga faqja jonë e internetit www.gjuha-shqipe.com ju mund të shkarkoni Fjalorin elektronik shpjegues – FESh, me mbi 41.000 përshkrime fjalësh si dhe 10 libra elektronik.
Fjalorin e kemi bërë pa mbrojtje teknike ndërsa juridikisht i takon falas vetëm banorëve të Kosovës, bazuar në kontratën që kemi me Qeverinë e Kosovë. Shpresojmë shumë që të tjerët do ta licencojnë atë dhe nuk do t’i shkelin të drejtat tona autoriale. Me paratë e shitjes së softuerëve QEP-i siguron zhvillimin e mëtejshëm të projektit mbarëkombëtar “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, i vetmi i këtij lloji në të gjitha trojet shqiptare.
Në një të ardhme të afërt ne do të bëjmë çpolitizimin përfundimtar të këtij fjalori dhe do të shtojmë fjalë të reja (mbi 7000 sosh tashmë janë përgatitur nga QEP-i për t’u shtuar).
Duke shpresuar që softuerët tanë janë një dhuratë e çmuar për ndërrimin e moteve, shfrytëzoj rastin që të gjithë juve dhe të gjithë bashkëkombësve kudo që janë t’ua uroj vitin e ri 2006, duke ju dëshiruar suksese, mirëqenie dhe shëndet në jetë.
Lulëzim Shishani, drejtor
QEP
http://www.gjuha-shqipe.com
------------------------------------------------------------------------------
.
Krijoni Kontakt