Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919

    “Hegjemonia”, investimet greke, 400 milionë euro

    “Hegjemonia”, investimet greke, 400 milionë euro

    “Parajsa financiare” e kompanive të celularëve në Shqipëri. Si erdhën grekët në privatizimin e AMC-së dhe si është ndarë “torta” e 340 milionë dollarëve mes Telenor-Cosmotesë dhe Panafon-Vodafonit

    Pajtim Melani e Gjergj Erebara- SPECIALE




    Tregu i celularëve “grekë”

    Celularët në shifra


    460 milionë dollarë, tregu i telefonisë
    340 milionë dollarë, tregu i telefonisë mobile
    72% e shpenzimeve për biseda me celular;
    18 % rritja e tregut të celularëve
    1.4 milionë shqiptarë kanë celularë





    Shqipëria është një nga tregjet më të preferuara për investitorët grekë në fushën e telefonisë mobile. Shqiptarët, falë një izolimi të gjatë dhe ekonomie të centralizuar, u hapën për investimet e huaja pas vitit 1990. Ndërsa “luksin” e komunikimit me celular do ta shijonin për herë të parë vetëm pak biznesmenë të fuqishëm. Kjo ndodhi për herë të parë në muajin Maj 1996 kur lëshohet sinjali i parë i telefonisë celulare në Shqipëri. Kompania shtetërore e telefonisë celulare e quajtur Albanian Mobile Communication do të rriste me shpejtësi tregun e saj kryesisht në Tiranë dhe në ultësirën jugperëndimore ku ishin vendosur investitorët kryesorë. Por, kapacitetet e saj financiare dhe burimet njerëzore ishin të kufizuara përballë kërkesave në rritje të shqiptarëve për telefona, kërkesë e shtuar falë edhe apatisë së kompanisë Albtelekom. Të merrje një numër celulari në vitin 1996 të kushtonte rreth 1500 dollarë, ndërsa tregu ishte thuajse i ”virgjër”, pasi Albtelekomi muaj pas muaji po lëshonte territore që i kishte mbuluar më parë me telefona fiks. Kështu, rreth 70 për qind e popullsisë shqiptare në vitin 1997 nuk kishte mundësinë të aplikonte për një numër telefoni, pasi rrjetet u shkatërruan. Edhe shqiptarët që jetonin në qytet, në mënyrë të veçantë në zona të mbipopulluara, e kishin të kufizuar mundësinë e pajisjes me një telefon fiks pasi duhet të paguanin nën dorë rreth 600 dollarë për të instaluar një numër telefoni.



    Si erdhën grekët
    Sigurisht që tregu i ”pangopur” i telefonisë në përgjithësi dhe celularëve që sapo kishin filluar të funksiononin në ekonominë shqiptare nuk mund të mbeteshin jashtë vëmendjes së fqinjëve tanë jugor. Në gusht 2000 u zhvillua tenderi për shitjen e 85 për qind të aksioneve të AMC-së. Shoqëria me kapital të përbashkët greko-norvegjez (Cosmote-Telenor) bleu 85% të aksioneve të saj, duke i lënë palës shqiptare rreth 15% të aksioneve. Buxheti i shtetit arkëtoi 85.6 milionë dollarë në prag të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001, ndërsa greko-norvegjezët do të arrinin një shlyenin investimin që në vitin e parë të aktivitetit. Kjo falë një strategjie agresive për të pajisur me celular çdo shqiptar që ishte gati të paguante 70 dollarë për kartën e abonentit dhe rreth 200 dollarë për disa aparate celularë ”Alkatel” që kishin dalë jashtë funksionimit. Një vit pas hyrjes së Cosmote-Telenor në tregun e celularëve, një tjetër kompani me kapital të përbashkët (shumica greke 70 për qind) do të mësynte në tregun shqiptar. Panafon-Vodafone do të merrte licencën e dytë të shërbimit celular në Shqipëri për 35.1 milionë dollarë amerikane. Vodafone Albania e filloi shërbimin e saj GSM në Shqipëri në 3 gusht 2001, duke filluar atë që, sipas faqes zyrtare të internetit të Vodafonit, mund të quhet ngritja më e shpejtë e një rrjeti GSM në botë. Vodafone Albania ka aktivizuar mbi 300 stacione bazë që mbulojnë zonat: Tiranë, Fushë-Krujë, Krujë, Laç, Burrel, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Pogradec, Korçë, Durrës, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Berat, Kuçovë, Lushnjë, Fier, Ballsh, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë si dhe zona përreth këtyre qyteteve. Aktualisht, numri i abonentëve është rreth 700 mijë.



    Lulëzimi i një biznesi
    AMC dhe Vodafone janë dy kompanitë me xhiron më të madhe vjetore në Shqipëri për vitin 2004. Rreth 46 miliardë lekë, apo 15, 500 lekë për frymë kanë shpenzuar shqiptarët për të komunikuar në distancë me njëri-tjetrin gjatë vitit 2004. Shuma e shpenzuar për telefoninë gjatë vitit 2004 është 5 miliard lekë më e lartë, apo 12% më shumë në krahasim me vitin 2004, çka tregon se tregu i telefonisë vazhdon të jetë në fazën e rritjes. Dhe kjo është pa dyshim më e vërtetë për shoqëritë celulare, të cilat kanë ditur të shfrytëzojnë më së miri “urinë” e shqiptarëve për të komunikuar me celularë. Të ardhurat e dy operatorëve celularë privatë AMC dhe Vodafone janë rritur me 18% gjatë vitit 2004, duke lënë në bisht Albtelecom-in, që prej vitesh vuan ngërçin e keqadministrimit të një pasurie shtetërore. AMC nuk e ka më pozicionin udhëheqës në treg dhe se spoti i saj “shoqëria më e madhe e telefonisë celulare në Shqipëri” tashmë është vjetruar e duhet ndryshuar. Ndonëse me një diferencë fare të vogël, Vodafone ka më shumë të ardhura se AMC gjatë vitit 2004. Janë rreth 180 milionë lekë që përbëjnë diferencën, çka tregon se klientët e Vodafone shpenzojnë më shumë sa kohë që numri i abonentëve është i përafërt, rreth 700,000, ku AMC ka diçka më shumë klientë se Vodafone.



    AMC, fitime rekord
    AMC rezulton një ndër shoqëritë me norma më të larta fitimi në Shqipëri. Viti 2004 ka qenë tepër pozitiv në këtë drejtim. Rritja e të ardhurave me 8.5% dhe ulja e shpenzimeve me 1.4% ka bërë që norma e fitimit (bruto) të AMC-së të rritet nga 34.9% në 2003 në 41% në vitin 2004. Vodafone, vërtet ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave prej 28.2%, por nga ana tjetër dhe shpenzimet e shoqërisë janë rritur me 20%, çka ka bërë që Vodafone të ketë një normë më të ulët fitimi se AMC, vetëm 25.8%. Kjo rritje e shpenzimeve ka ardhur dhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së shpenzimeve, pas investimeve të kryera nga Vodafone. Këto të fundit u “shkëputën” nga shoqëria mëmë, pas një kredie që Vodafone mori në bankën Alpha.



    ---------------------------------------------------------------------



    Informacioni në duar të grekëve

    Grekët menaxhojnë edhe informacionin e shqiptarëve. Pas “Byrosë së Kredive”, kompanive të celularëve edhe kazinoja krijon file-t me të dhënat e shqiptarëve. Si transferohet informacioni në skedarët e grekëve




    “Shiko te kamera numër 3, ju faleminderit!”. Këto janë fjalët e recepsionistes së Regency Casino në Tiranë që, njëlloj sikur hyn për herë të parë në SHBA, të fotografon përpara se të të japë kartën e anëtarësisë. Një formular me të dhëna të plota, që te emri, adresa, numri i telefonit e deri të adresa emailit i bashkangjiten fotos dixhitale për të krijuar dosjen e anëtarësimit në kazinonë e parë dhe të vetme në Shqipëri. Kazinoja ka filluar aktivitetin para dy javësh, por ende ngërthen debate të forta e paradokse që mund të ndodhin vetëm në Shqipëri dhe në shtetet paralele në Afrikë, si për shembull përjashtimi nga TVSH e deri te zhvendosja jashtë Tiranës me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Debatet kanë qenë prezente që në procedurat e para të tenderit dhe supozimet e shumta mbi aferat potenciale korruptive në dhënien e licencës dhe vendosjen e saj pranë një lokali në qendrën e Parkut Rinia, “Tajvan”. Të dhënat e tyre krijojnë skedarët e parë që mund të menaxhohen nga Regency Kazino Tirana dhe që mund të transferohen në vendin e origjinës. Karta e anëtarësimit është pronë e kazinosë dhe sipas drejtuesve të Regency Casino, e cila është nën pronësinë e Hyatt International, mbajtësi i kartës duhet të ndjekë të gjitha rregullat e vendosura dhe pranon çdo vendim të drejtuesve të saj si përfundimtar. Gjithashtu stafi i menaxhimit ruan të drejtën e refuzimit të hyrjes dhe të shërbimeve sipas vendimit të tij.



    Byroja e Kredive, projekt grek
    Byroja e Kredive është database i të dhënave që menaxhojnë bankat në vendet e zhvilluara për të klasifikuar klientët e tyre. Nëse një klient në mënyrë të vazhdueshme ka patur parregullsi në kthimin e kësteve të kredisë, atëherë ai klasifikohet si “debitor i keq”. Ky klient nuk mund të marrë kredi në asnjë nga bankat e sistemit sa kohë që është klasifikuar në këtë kategori të paktën nga njëra prej bankave të nivelit të dytë. Në Shqipëri veprojnë 17 banka, nga të cilat 14 janë me kapital të huaj dhe në mes tyre 4 vijnë nga fqinji ynë jugor, Greqia. Ishin pikërisht bankat me kapital grek që propozuan ngritjen e Zyrës së Informacionit të Kredive ose që ndryshe quhet Byroja e Kredive, nëpërmjet asistencës së Shoqatave të Bankave në Greqi. Projekti do të ishte i përbashkët me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe ndihma greke kishte një kusht të vetëm: qendra e përpunimit të shifrave do të ishte në Athinë pranë zyrave të Shoqatës. Projekti, i endur për tre vite me radhë 2002-2005 do të gjente kundërshtimet e drejtuesve të Bankës Qendrore të cilët kuptuan filozofinë e ndihmës greke për bankat dhe kundërshtuan transferimin e të dhënave në Greqi. Pas këtij dështimi në lojë ka hyrë Banka Botërore e cila do ta ndërtojë Byronë e Kredive në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Informacioni do të jetë i disponueshëm për të gjitha bankat dhe institucionet financiare që veprojnë në Shqipëri.



    Celularët, si kontrollohen telefonatat
    Marrja e një telefoni celular me kontratë kërkon edhe një sërë të dhënash të detajuara për mbajtësin e numrit. Llogaria bankare, vendi i punës, profesioni dhe të ardhurat mujore, janë vetëm disa nga kërkesat e formularëve të AMC-së dhe Vodafonit. Personat VIP, falë një investimi të fundit të AMC-së dhe Vodafonit në rrjetet e tyre, prej muajsh janë të kontrolluar. Fjalët kyç që kapin “sensorët” e rrjetit janë para, euro, dollar, tender etj., por burime nga kompanitë e celularëve thonë se jo në pak raste politikanët shqiptarë janë përgjuar edhe për thashetheme nga më të rëndomtat. Një mendje e mbrapshtë thotë se këto të dhëna deri për raporte “jashtëmartesore” janë përdorur edhe si shantazhe për qeveritarët për të siguruar një aktivitet të “qetë” të kompanive të celularëve. Qendra e përpunimit të të dhënave edhe në këtë rast i takon fqinjit tonë jugor, ndërsa autoritetet shqiptare si Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Gjykatat janë të detyruar që jo në pak raste të kërkojnë informacione nga kompanitë e celularëve për rastet e trafiqeve dhe veprimeve të tjera ilegale që sigurisht një nga mjetet kryesore të komunikimit kanë telefonat celularë. Por, ndërsa për të marrë një numër me kontratë duhet të deklarohen një sërë të dhënash nga individi ose kompania që bën kërkesën, AMC dhe Vodafone shpërndajnë në tregun shqiptar numra me parapagim, pa deklaruar asnjë të dhënë të përdoruesit. Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i autoriteteve shqiptare të hetimit, që në shumë raste kanë ndeshur në emra të panjohur pas celularëve pa kontratë në vepra kriminale. Për këtë arsye Ministria e telekomunikacionit i ka detyruar kompanitë e celularëve të bëjnë regjistrimin e të dhënave të klientëve deri në fund të këtij viti, pasi përndryshe telefonat pa të dhënat e abonentit duhet të mbyllen.



    Bankat greke udhëheqin financat shqiptare
    Katër banka greke janë në mes të liderëve të sistemin bankar shqiptar nëpërmjet një sistemi prej 46 degësh në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të cilave iu referohet siti i internetit grek Reporter, Tirana Bank, një degë e Bankës së Pireut, Alfa Bank, Banka Kombëtare e Greqisë dhe and Emporiki Bank kanë tërhequr 15.05 për qind të totalit të depozitave në Shqipëri dhe mbulojnë 39.82 për qind të totalit të kredisë së dhënë në Shqipëri, duke përfituar njëkohësisht 26.44 për qind të fitimit të sistemit financiar të vendit. Tirana Bank zotëron 7,34 për qind të depozitave e ndjekur nga Alpha Bank me 5.02 për qind të tyre, NBG me 2.10 për qind dhe Emporiki 0.68 për qind. Revista e njohur "The banker" i rendit bankat greke midis vendeve 172 dhe 470 ku banka me e mirë në këtë klasifikim është Banka Kombëtare e Greqisë, e cila ka filiale në shume vende të Evropës Juglindore. Kjo bankë është futur disa herë në garë për të blerë 60 % të Bankës Kombëtare Tregtare pas falimentimit të turkes Kent Bank, por autoritetet shqiptare duken se e kanë përjashtuar këtë mundësi. BKT mbetet nën pronësinë dhe administrimin e shtetit turk dhe banka blerëse e saj mund të jetë përsëri një bankë turke.



    ------------------------------------------------------------------------------------------



    Investimet rriten, eksportet bien

    Ndërsa investimet greke janë katërfishuar në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit, të udhëhequra nga bankat dhe telekomunikacioni, tregtarët shqiptarë po gjejnë gjithnjë e më shumë tregje më të mira për importe



    Nuk ka më asnjë dyshim. Greqia është investitori më i rëndësishëm i huaj në Shqipëri. Kompanitë greke kanë investuar këtu më shumë se 400 milionë euro sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Që nga koha e rënies së komunizmit, grekët kanë investuar këtu më shumë se vende të tjera të fuqishme si Italia apo Gjermania. Por ndërsa investimet greke në Shqipëri po rriten me një mesatare prej mbi 50 milionë euro në vit, ekspansioni i këtij vendi në Ballkan po ngadalësohet. Kështu, por të shohim eksportet e Greqisë drejt Shqipërisë, ka një rënie të vazhdueshme që nga viti 2002, kur arriti kulmin prej 429 milionë eurosh, në 372 milionë euro në vitin 2004. Tendenca e rënies vazhdon edhe në 2005.



    Investime strategjike
    Kur ke pak forca, është mirë t’i përqendrosh në pozicione strategjike. Ky parim i vjetër i artit të luftës është zbatuar më së miri në rastin e Greqisë. Kapacitetet e fqinjit tonë jugor për investime ekspansioni janë shumë më të vogla se ato të Italisë, Gjermanisë apo Austrisë, vende që kanë shprehur interesa për Ballkanin. Për këtë arsye, siç nënvijëzon edhe Financial Times në raportin special për Greqinë, e ardhmja e këtij vendi qëndron thjeshtë në rritjen e bashkëpunimit me pjesën tjetër të Ballkanit.
    Komuniteti grek i biznesit beson se duke qenë se Bashkimi Europian po e kufizon ndihmën e drejtpërdrejtë për këtë vend, zhvillimi ekonomik varet thjeshtë nga investimet dhe tregtia me pjesën tjetër të Ballkanit.
    Greqia vendosi në frontin e ekspansionit gjigandët industrialë të kontrolluar nga shteti. Kjo gjë solli edhe angazhimin e shpejtë dhe efikas të sasive relativisht të mëdha të parave që kërkohen për të përballuar privatizimet apo investimet e rëndësishme në pjesën tjetër të Ballkanit.
    Së fundmi, me urdhër të kryeministrit Kostas Karamanlis, qeveria e Athinës deklaroi se do të punojë më shumë për riaktivizimin e Planit Grek për Rindërtimin e Ballkanit, një projekt ku Athina synon të investojë më shumë se 500 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës primare që do ta lidhë me fqinjët e saj verior. Plani kishte tre vite që flinte si pasojë e ngathtësisë institucionale, politike dhe ekonomike. Projekti synon të investojë rreth 50 milionë euro edhe në Shqipëri për ndërtimin e infrastrukturës në zonat kufitare. Projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i rrugës Sarandë- Konispol- Greqi, projekt që aktualisht gjendet në fazën e vlerësimit.



    Disa nga investimet greke


    Hyatt: Investimin shqiptar e nxjerrim në dy vjet

    “Investimi ynë në Shqipëri prej 14 milionë euro do të rekuperohet brenda dy viteve të para nga çasti i fillimit të punës”. Kjo ishte deklarata e para pak muajve të drejtorit ekzekutiv të Hyatt Regency, George Galanakis me rastin e publikimit të rezultatit financiar të kompanisë së tij për vitin 2004 si dhe programin për vitin 2005. Kompania ka paguar 8 milionë euro te qeveria shqiptare për të marrë licensën e parë për kazino në Shqipëri nga pesë licensa që do të jepen gjithsej.
    Gjatë vitit 2005 Hyatt pret që të ardhurat nga kazinoja e Parnithës, ku ajo zotëron 34.3 % të aksioneve, të arrijnë në 150 milionë euro pas investimeve për rinovim të realizuara gjatë kohëve të kaluara.
    Kazinoja e Tiranës u ndërtua në ambjentet e kompleksit Tajvan në qendër të Tiranës. Ajo është vendosur në një hapësirë prej 1700 m2, me 20 tavolina loje dhe 220 slot machine. Licensa është e vlefshme për 15 vjet.



    Hellenic Petroleum
    Gjigandi grek i naftës, korporata me të ardhura prej 5 miliardë eurosh, hyri në Shqipëri direkt në vitin 1999, kur bleu 75% të Global S.A, një kompani shqiptare që merrej me tregtinë e naftës. Ajo themeloi ELDA PETROLEUM ALBANIA Sh.P.K., kompani e shitjes me pakicë të karburanteve. Një vit më vonë, në bashkëpunim me OMV të Austrisë, Hellenic Petroleum filloi punën në kërkimin e burimeve të reja të naftës në Shqipëri. Javën e fundit, një lajm pa citim I Kathimerini, njoftoi se Hellenic është tërhequr nga kërkimet në Shqipëri për shkak se nafta e zbuluar praë Gjirokastrës rezulton se kërkon një kohë të gjatë për t’u komercializuar. Në vitin 2003 kompania e rriti kuotën e saj të aksioneve te Global S.A në 99.96%. Në shënimet e bilancit të Hellenic për vitin 2003 janë shënuar edhe disa veprime humanitare. “Ne e ndihmuam në mënyrë thelbësore Kishën Ortodokse të Shqipërisë për të hapur shkolla trajnimi në Gjirokastër, të cilat edukojnë të rinjtë vendës, pavarësisht të shkuarës së tyre etnike apo fetare”.
    Kompania pati një rritje të shpejtë gjatë viteve 2000-2002, kur një ligj i ri i miratuar mbi tregtinë e hidrokarbureve në Shqipëri sanksionoi kushte që kërkonin vlera investimesh prej shumë milionë dollarësh, kushte që u plotësuan nga vetëm katër kompani të huaja; që u plotësuan me vonesë e me vështirësi nga vetëm dy kompani shqiptare. Dy vite më vonë ligji u ndryshua, gjë që i hapi rrugën licensimit të më shumë kompanive.
    Global Petroleum u rendit e dyta në listën e kompanive që punojnë në tregtinë e karburanteve në Shqipëri. Të ardhurat e saj ishin 2,66 miliardë lekë gjatë vitit 2004 (26,6 milionë dollarë), me një rritje prej 9,3% kundrejt vitit 2002. Kompania rezultoi me një bilanc me humbje prej 64 milionë lekësh (rreth 640 mijë dollarë) për vitin 2004, ndërkohë që në vitin 2003 humbjet e saj neto ishin 66,5 milionë lekë. Gjatë vitit të kaluar kompania kishte rreth 10% të tregut shqiptar të karburanteve.
    Mamid Oil
    Është një kompani që merret gjithashtu me importin e karburanteve. Gjatë vitit 2004 të ardhurat e saj ishin 1,5 miliardë lekë, rreth 15 milionë dollarë amerikanë. Të ardhurat e saj u përgjysmuan gjatë vitit 2003, kur ishin 3,6 miliardë lekë. Fitimi neto gjatë vitit 2004 ra në 21,2 milionë lekë, nga 42,5 milionë lekë që ishte në 2003.



    Alumil, 11 milionë euro për fabrikë alumini
    Alumil Albania është një nga investimet e reja greke në Shqipëri. Gjatë këtij viti, kompania vuri në punë një investim prej rreth 11 milionë eurosh i kompanisë greke Alumil Grup. Kjo fabrikë do të ketë një kapacitet vjetor prodhimi prej rreth 6 mijë tonësh profile alumini dhe lyerje elektrostatike. Rreth 20 për qind e sasisë së prodhuar do të jetë e destinuar për eksport. Numri i punëtorëve arrin në 100.

    Atlas sh.a. 12 milionë euro investim
    Kompania greko-shqiptare e prodhimit të miellit ka një synim të thjeshtë. Të zëvendësojë importet e miellit që në Shqipëri arrijnë në 52 mijë tonë në vit, ose 9 milionë euro. Ajo zotërohet 50 % nga Loulis Group. Për këtë arsye, kompania kreu një investim prej 12 milionë eurosh për të zgjeruar aktivitetin. Kompania deklaron se aktualisht kontrollon 35 % të tregut vendës të miellit dhe synon të zgjerojë aktivitetin në prodhimin e makaronave dhe prodhimeve të tjera të brumit. Ajo ka filluar eksportin e himeve, të cilat përdoren për ushqimin e kafshëve drejt Greqisë. Zotërohet në masën 50 % nga biznesmenë shqiptarë.

    Olympic Airlines 50 mijë pasagjerë në 2005
    Lehtësirat proceduriale për kthim në atdhe nuk janë vetëm lajme të mira për emigranët shqiptarë në Greqi por edhe për Olympic Airlines e cila ka programuar që të mbyllë vitin 2005 me 50 mijë udhëtarë në linjën Tiranë-Athinë si pasojë e lehtësirave për emigrantët. Olympic e ndan linjën e Athinës me disa kompani shqiptare.


    ABC nr.17-Pajtim Melani e Gjergj Erebara
    26.12.2005

  2. #2
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907
    Po te gjithe nuk mund te finansojne xhamite.
    I kan ndare sferat me arabet.
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  3. #3
    NJE TOQE NGA BERATI Maska e Ligesia
    Anëtarësuar
    26-09-2005
    Vendndodhja
    Ne qytetin e miut
    Postime
    64

    Thumbs down

    Citim Postuar më parë nga iliria e para
    Po te gjithe nuk mund te finansojne xhamite.
    I kan ndare sferat me arabet.
    Haahahha. Ky vend paska ikur per lesh.... kudo ne bote vendet fqinje kane investimet me te medha me njera tjetren shiko CANADA-USA, USA-MEXICO, ITALY-FRANCE, FRANCE-UK. Ika une se erdhen ufot.

  4. #4
    ish- Ballisti_Tetove Maska e Cimo
    Anëtarësuar
    11-12-2004
    Postime
    2,443
    Na moren greket .......ky eshte kolonizim modern.....barem te kishin leju edhe italianet edhe gjermanet blejne kompanite me te medha te vendit.............

    Poshte tradhtaret...............

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 15-08-2011, 04:15
  2. Firma "Silva": Malaj dhe Arapi më kanë vjedhur $40 milion
    Nga rudo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 02-11-2010, 17:05
  3. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-12-2008, 10:27
  4. AMC, 15 milionë dollarë detyrime ndaj tatimeve
    Nga Kinezi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 14-07-2006, 09:04
  5. Festivali i Këngës në RTSH 2005
    Nga Xhuxhumaku në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 51
    Postimi i Fundit: 07-01-2006, 18:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •