Kryqet në Shkodër, muslimanët kërkojnë heqjen e tyre
Anila Dushi
SHKODËR-Myftinia e Shkodrës ka kërkuar dje publikisht heqjen e disa kryqeve të vendosura në kodrat e Bushatit. Në një deklaratë për shtyp ajo ka ngritur shqetësimin se simboli i krishtërimit është vendosur në prona publike që u përkasin gjithë besimtarëve, pa dallim feje. Ky reagim ka ardhur pas një peticioni që rreth 60 besimtarë muslimanë të xhamisë së Bushati i kanë drejtuar kishës katolike në Bushat, arqipeshkvisë metropolitane Shkodër- Pult, pushtetit vendor dhe myftinisë së Shkodrës. Më saktë, kryqet janë vendosur në vendin e quajtur Lemja, në Zefjan dhe kodrën e Bushatit.
Myftiu i Shkodrës, Haxhi Bashkim Bajraktari, e ka quajtur këtë veprim “në vazhdën e përpjekjeve të disave për të na provokuar , për të krijuar përçarje dhe konflikte ndërfetare. pasi për shkak të neglizhencës mund të ndodhin incidente për të cilët ne nuk mbajmë përgjegjësi”. Më tej ai ka shtuar se ky veprim ka cënuar ndjenjat e komunitetit mysliman të cilët i kanë kërkuar pushtetit vendor, duke kërkuar zgjidhjen institucionale për heqjen e kryqeve.
Ndërkaq Arqipeshkvia e Shkodrës ka mohuar se ajo mund të ketë vendosur kryqet apo të ketë urdhëruar për një gjë të tillë dhe po të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe drejtuesit e komunës së Bushatit.
Precedenti
Kryqi në Elbasan
Më shumë se një vit më pare, ishte myftinia e Elbasanit ajo që kërkoi heqjen e një kryqi të madh të bardhë që ishte ngritur në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, në Kërrabë. Çështja përfundoi madje edhe në gjykatë e cila vendosi se nuk kishte asnjë arsye pse të hiqej kryqi i vendosur në rrugë nga besimtarët e krishterë.
23/12/2005
KATEGORIA: Kronike nga rrethet
http://www.shekulli.com.al/index.php...e&newsID=88205
Krijoni Kontakt