Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Lidhja e Kombeve dhe minoritetet në Shqipëri

    Lidhja e Kombeve dhe minoritetet në Shqipëri

    Prof.Dr. beqir META
    Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar


    Shqipëria jo vetëm ndoqi një politikë liberale dhe mirëkuptimi ndaj minoriteteve, por gjithashtu si organizmat shtetërore ashtu dhe ato joqeveritare demonstruan në institucionet e në konferencat ndërkombëtare një frymë të spikatur liberale në qëndrimin ndaj pakicave.
    Ky qëndrim, që ndryshonte shumë nga ambienti ballkanik përreth saj, mendoj se lidhet me tre arsye kryesore:
    Së pari, me faktin që Shqipëria vazhdimisht ka qenë një shtet i dobët dhe nën presionin e fuqishëm të fqinjëve të saj.
    Së dyti, ndryshe nga vendet e tjera Ballkanike, në Shqipëri nuk u zhvillua fenomeni i hipernaci-onalizmit. Ky përfundim bëhet shumë i qartë po t’i hedhim një sy dokumentacionit të administratës shtetërore shqiptare në vitet 20’30’ të shekullit të kaluar dhe shtypit e letërsisë së asaj periudhe.
    Së treti, Shqipëria dhe shqiptarët kishin një aspiratë dhe mentalitet shumë të konsoliduar, për të qenë model në bashkëjetesën me pakicat. Kjo, ka të bëjë me konstruktin shpirtëror dhe poltik të kombit tonë, por dhe me aspiratat dhe dëshirat që ka patur ai, për të ndikuar me këtë qëndrim tek fqinjët që, edhe ata t’i trajtonin në mënyrë humane e korrekte shqiptarët, që jetonin në trojet e veta të aneksuara nga këto shtete.
    I tillë ishte qëndrimi i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Në takimin e Komisionit Politik, që u zhvillua në Gjenevë në 20 shtator 1930, kryetari i Delegacionit shqiptar Mehdi Frashëri kërkoi që të formohej një komision i përhershëm i LK, për të ndjekur problemet e minoriteteve. Ky ishte një propozim shumë i avancuar, efektiv, që synonte mbrojtjen e minoriteteve. Mirëpo, ai u kundërshtua nga përfaqësuesit franko – britanikë, të cilët në këtë kohë ndiqnin një politikë konservatore kundrejt të drejtave të minoriteteve. Përfaqësuesi francez, Briandi, theksoi se pakicat kërkonin të drejta të kombinuara dhe procedura ekzistuese për mbrojtjen e tyre e miratuar unanimisht jepte të gjitha garancitë, për të zgjidhur me drejtësi të plotë ankesat individuale. Ndërsa, lidhur me propozimin e M. Frashërit, ai pohoi se, reklamimi kolektiv i problemeve të minoriteteve nga komisioni permanent shumë shpejt, do të rrezikonte paqen. Qëndrime të tilla liberale mbajti delegacioni shqiptar edhe në konferencat jo qeveritare ballkanike. Ky qëndrim dallonte thelbësisht nga qëndrimet e delegacioneve të shteteve të tjera të rajonit.
    Ndonëse Lidhja e kombeve kishte dështuar tërësisht për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve shqiptare në Greqi dhe Jugosllavi, nuk ngurronte të ishte e rreptë dhe ekzigjente ndaj të gjitha akuzave, që parashtronin grekët dhe jugosllavët kundrejt qeverive shqiptare për trajtimin e minoriteteve apo për probleme të tjera. Kështu në shtator të vitit 1932 Sekretari i LK Eric Drumond i shprehu ankesa e dyshime përfaqësuesit shqiptar për ndërhyrjen e qeverisë shqiptare në punët e kishës ortodokse në Shqipëri dhe për disa incidente që kishin ndodhur në Delvinë. Ai pohoi se qeveria shqiptare për të respektuar zotimet e marra në LK duhej të mos ndërhynte në konviksionin fetar të grekofonëve dhe të mos i burgoste këta njerëz.
    Në të vërtetë qeveria shqiptare nuk kishte ndërhyrë në çështjet fetare të grekofonëve por ai ishte i keqinformuar nga propaganda greke e cila po sulmonte krijimin dhe konsolidimin e KOASH. Për t’u bërë ballë këtyre akuzave, atëherë përfaqësuesi shqiptar i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të LK që të dërgohej një komision hetimor, i cili të hetonte për trajtimin e pakicës grekofone. Por ai kërkoi prej tij që LK të ushtronte të njëjtin presion edhe ndaj Greqisë e cila nuk i kishte dhënë asnjë të drejtë minoritetit shqiptar.
    Por ballafaqimi më i fortë në Lidhjen e Kombeve u bë në vitin 1935, pas shtetëzimit të të gjitha shkollave private nga qeveria shqiptare në zbatim të Artikujve 206 e 207 të Statutit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933.
    Pas ankesave të disa përfaqësuesve të minoritetit grekofon, të cilat u përpiluan me ndërhyrjen e konsujve grekë në Shqipëri, këshilli i LK miratoi një resolute, e cila i kërkonte Gjykatës së Hagës të shprehte mendimin e saj nëse justifikimi i qeverisë shqiptare se, mbyllja e shkollave private në Shqipëri përbënte një masë të përgjithshme të aplikuar ndaj shumicës, ashtu edhe ndaj pakicave, ishte në përputhje me shpirtin e përgjithshëm të Deklaratës së Shqipërisë të, 2 tetorit 1921 dhe në konformitet me Art. 5, paragrafin e I të kësaj Deklarate; Dhe nëse ishte kështu, atëherë, a mundej këshilli i LK , në bazë të paragrafit II të Art., të lartpërmendur, të formulonte rekomandime që shkonin përtej përcaktimeve të paragrafit të parë.
    Qeveria shqiptare u përpoq shumë që t’i mbronte pikëpamjet e saj në arenën ndërkombëtare. Ministri i Shqipërisë në Londër u përpoq të mbronte veprimin e Shqipërisë për shtetëzimin e shkollave, por zyrtarët britanikë iu shmangën debateve për këtë çështje, ndërsaj njëri prej tyre, Filip Carr i tha atij, se tashmë çështja ishte në duart e njerëzve të ligjit “të cilët padyshim, do të jepnin mendimin e tyre pavarësisht dhe në përputhje me parimet ligjore. Qeveria shqiptare u përpoq të arrinte edhe një marrëveshje me qeverinë greke para se çështja të gjykohej në Hagë dhe kështu, të mos zhvillohej procesi gjyqësor. Bisedimet ishin të vështira, pasi gjatë zhvillimit të tyre pala greke u tregua intrasigjente dhe megjithëse ajo pranonte se shtetëzimi i shkollave ishte një masë e përgjithshme e aplikuar në Shqipëri dhe nuk cënonte nivelin e mësimit të gjuhës greke, këmbëngulte për ruajtjen e shkollave private, duke iu referuar statusit, që ato kishin patur gjatë kohës së sundimit turk dhe duke i parë si mjete të propagandës së saj politike në zonën e minoritetit dhe më gjerë.
    Megjithëkëtë, në fund të shkurtit 1935 edhe Sekretari i Përgjithshëm i LK u shpreh kundër tërheqjes së çështjes nga Gjyqi i Hagës, kështu që përpjekjet e mëtejshme për kompromis u bënë të pakuptimta.
    Seanca e parë e Gjykatës së Hagës u çel më 11 mars. Avokati i Shqipërisë ishte Prof. G. Gidel, ndërsa avokati i Greqisë ishte Prof. N. Politis. Nga pala shqiptare në Gjyq merrte pjesë edhe Kryetari i Këshillit të Shtetit, Mehdi Frashëri me cilësinë e agjentit të qeverisë shqiptare ndërsa si agjent për palën greke ishte G. Lagondakis, i cili ishte Ministër i Greqisë në Hagë. Politis në mbrojtjen e tij u mbështet në tre argumente: konsideratat historike, politike, morale e juridike. Siç raportonte Mehdi Frashëri “meqenëse kondita e egalitetit (barazisë) e shtrengonte si një darë, ai çeli një rrugë tjetër”, duke thënë se në nenin 5 te Deklaratës Shqiptare ekzistonin disa fraza që kishin patur si qëllim që për minoritetet në Shqipëri të adoptohej një sistem i jashtëzakonshëm, domethënë që atyre u ishte akorduar një lloj privilegji. Ai donte pra të çlirohej nga shtrëngesa e kushtit “egalite de traitements” (trajtim i barabartë) që përmbante neni 5. Sipas Politisit fjala “maintenant” që u referohej shkollave minoritare nuk ekzistonte në tekstet e tjera të minoriteteve kështu që me këmbënguljen e përfaqësuesit grek të atëhershëm, Dendramisit, ishte vënë fjala maintenir, për të ruajtur autonominë shkollore që gëzonin minoritetet më parë dhe meqenëse sipas tij mazhoranca nuk e kishte patur një gjë të këtillë, egaliteti këtu nuk kishte vend. Kështu që të njihej si një e drejtë e veçantë e minoritetit.
    Së dyti sipas Politisit, fjala “avenir” në Deklaratën shqiptare që i referohej mosndryshimit të ligjeve, nuk ekzistonte në traktate të tjera dhe ishte vënë posaçërisht për shkak të gjendjes speciale të Shqipërisë. Si argument të tretë ai përmendi frazën e rekomandimeve dhe pastaj faktin që mazhoranca shqiptare nuk kishte patur komunitete, pra kështu ekzistonte një situatë e veçantë.
    Mehdi Frashëri, i kundërshtoi këto argumente. Në rradhë të parë ai rrëzoi argumentin kryesor të tij që lidhej me fjalën “maintenir”, duke argumentuar se shkollat e komuniteteve grekofone nuk ekzistonin në kohën e Deklaratës Shqiptare. Ai shpjegoi se shkollat e komuniteteve për të cilat fliste Politisi kishin ekzistuar në kohën e Turqisë dhe jo në vitin 1921, dhe Dërgata Shqiptare e asaj kohe në LK e dinte se këto shkolla nuk ekzistonin, por ekzistonin vetëm shkollat grekofone që mbaheshin me fondet e qeverisë shqiptare, gjë që shprehej edhe në paragrafin 4 të memorandumit të qeverisë shqiptare në përgjigje të pretendimeve që kishte shfaqur atëherë Dendranisi.
    Duke u gjendur në vështirësi nga këto kundërargumente, Politis përmendi privilegjet e dikurshme të Patriarkanës, të cilat i konsideroi një të drejtë të fituar; Protokollin e Korfuzit, Protokollin e Kapshticës dhe marrëveshjen Titoni – Venizellos të vitit 1919. Përfaqësuesi shqiptar i kundërshtoi të gjitha këto pretendime duke argumentuar se ato ishin episode historike jodefinitive të cilat nuk kishin vlerë reale juridike në këtë kohë.
    Gjykata e Hagës e dha opinionin e saj me shumicë votash (8 kundër 3) se “kërkesa e qeverisë shqiptare qe ndalimi i shkollave private në Shqipëri të konsiderohej si një masë e përgjithshme e aplikuar si ndaj shumicës ashtu dhe ndaj pakicës dhe se ajo ishte konform me tekstin e frymën e Art. 5 paragrafit 1 të Deklaratës, së 2 tetorit 1921 nuk ishte e bazuar mirë”1
    Shumica e bazoi këtë opinion në këto argumenta: se heqja e këtyre institucioneve, të cilat në vetvete mund të kënaqin kërkesat e veçanta të grupeve minoritare dhe zëvendësimi i tyre me institucione shtetërore, do ta shkatërrojë këtë barazi të trajtimit sepse efekti i saj do të jetë mohimi i minoritetit prej institucioneve të nevojshme për të, ndërsa mazhoranca do të vijojë të plotësojë këto nevoja me institucionet e krijuara nga shteti.
    Pra opinioni i Gjykatës bazohej në konceptin se shteti ishte i shumicës dhe ishte i huaj për minoritetet. Shkollat private u konsideruan si thelbësoe për të bërë të mundur që minoriteti të gëzonte të njëjtin trajtim si dhe shumica. Gjykata pohoi se “anëtarët e minoritetit duhet gjithmonë të gëzojnë të drejtat e përcaktuara në Deklaratë madje edhe të drejta më të gjera se ato që shteti u ka akorduar shtetasve të tjerë. E drejta e përcaktuar në Deklaratë u interpretua prej saj si minimumi i nevojshëm për të garantuar barazi efektive, reale midis shumicës e pakicës.
    Por këto argumente u kontestuan nga pakica e Gjykatës prej tre anëtarësh midis të cilëve ndodhej Presidenti i Gjykatës, juristi i shquar britanik Cecil Hurst. Ata nuk e pranuan se mbyllja e shkollave private në Shqipëri ishte në kundërshtim me Deklaratën Shqiptare të 2 tetorit 1921. Ata theksonin se Art. 5 par. 1 i Deklaratës Shqiptare nuk kishte për qëllim që t’i jepte minoritetit një të drejtë të pakushtëzuar.
    Ata pohonin se “Drejtësia ndërkombëtare duhet të procedojë mbi bazën e zbatimit të kushteve të traktateve paanësisht në raport me të drejtat e shtetit dhe të drejtat e minoritetit dhe metoda për ta bërë këtë është që të pranohen termat e traktatit (Deklaratës) sa më plotësisht, që të jetë e mundur, pasi ata plotësojnë vullnetin e përbashkët të palëve.
    Pakica gjithashtu e konsideroi opinionin e shumicës, si një shmangje nga parimet themelore të Traktatit të Minoriteteve të cilat ishin shprehur qartësisht në letrën e Presidentit të Konferencës së Paqes së Parisit, Klemanso më 1919.
    Pakica kërkoi që Deklarata shqiptare të interpretohej njëlloj si gjithë traktatet e tjera, pasi në rast të kundërt detyrimet e shteteve të ndryshme të lidhura me këtë traktat do të bëheshin divergjente.
    Në këto traktate, do të bëhej e qartë se objekti dhe qëllimi i tyre ishte eliminimi i diskriminimit. Edhe letra e lartpërmendur shpjeguese e Klemansos shpjegonte egzaktësisht se qëllimi ishte që minoriteteve t’u sigurohej një e drejtë e barabartë me atë që gëzonte mazhoranca dhe jo t’u siguronte atyre të drejta të pakushtëzuara.
    Pakica shprehu opinionin se, në vitin 1921 qeveria greke kishte bërë kërkesa, që shkonin përtej përcaktimeve të një traktati normal për minoritetet, se Shqipërisë nuk i ishte kërkuar ndonjëherë nga LK që të pranonte klauzola të tilla, dhe as ajo nuk kishte dhënë ndonjëherë pëlqimin,se do t’i pranonte ato. Trajtimi i barabartë ishte gjithçka që traktatet e minoriteteve kishin kërkuar.
    Në përfundim ata theksonin: Ekzaminimi i tekstit të Deklaratës së vitit 1921 i marrë në tërësi nuk e konfirmonte pikëpamjen se qëllimi i Par. 1 të Art. 5 ishte që të konfirmonte një të drejtë të pakushtëzuar. Interpretimi i tij se ka pasur për qëllim që të jepte një të drejtë të pakushtëzuar jo vetëm që binte në kundërshtim me kuptimin natyral të fjalëve, por nuk merrte parasysh dhe binte në kundërshtim me shpjegimin e përcaktimit përkatës në Traktatin Polak që ishte dhënë në letrën e Klemansoit, pra pikërisht përcaktimi i tij se qëllimi i këtij traktati është ndalimi i diskriminimit. Për më tepër ky interpretim nuk merrte parasysh sa duhej ngjarjet që kishin ndodhur dhe që kishin çuar në përgatitjen e tekstit të Deklaratës dhe veçanërisht faktin, se qeveria greke kishte kërkuar atëhere futjen e një neni, i cili do të afirmonte një të drejtë të pakushtëzuar dhe se ajo e kishte bërë këtë kërkesë duke u bazuar në argumentin, se ishte e domosdoshme që në rastin e Shqipërisë të shkohej përtej përcaktimeve të zakonshme të traktateve të minoriteteve. Po kështu, ishte injoruar fakti, se Këshilli, në vend që ta fuste në Deklaratën Shqiptare propozimin grek, përdori një tekst, që ishte në një vijë me atë, që ishte përdorur në traktatet e tjera të minoriteteve.
    Në bazë të opinionit të shumicës së Gjykatës së Hagës, Këshilli i LK i bëri rekomandimet qeverisë shqiptare, e cila pranoi që t’i zbatonte ato. Por çështja nuk kishte mbaruar këtu. Italia vijoi të bënte presion që të hapeshin shkollat katolike në Shqipëri. Qeveria shqiptare tashmë po shihte me habi, se si Reporteri i LK dhe Sekretariati i saj, për qëllime politike dhe të shtytur nga përfaqësuesit e qeverisë fashiste italiane po përpiqeshin të trajtonin si minoritet pjesë të popullsisë shqiptare, që kishin besim të ndryshëm fetar. Mbreti Zog e porositi Ministrinë e Jashtme të kundërshtonte me çdo kusht këtë presion, të cilin, ai e quante “jo vetëm të padrejtë, por shumë të kobshëm për kombin dhe shtetin tonë” Njohja e pakicave fetare pohonte ai, është “shkatërrimi i unitetit kombëtar, së paku është ndalimi i formimit të këtij uniteti … Po çelet një portë e rrezikshme. Të huajt do të mundohen të përfitojnë kundër interesave kombëtare. Këtu, qëndron rreziku dhe duhet të druhemi”2.
    Ky ishte një shembull i qartë i tejkalimit të të drejtave dhe i abuzimit me to, si dhe i difekteve e paqartësive, që ishin futur në Deklaratën Shqiptare, të 2 tetorit 1921, e cila ishte përgatitur nga reporteri i atëhershëm i LK Fisher, pa e njohur mirë karakterin specifik të shtetit shqiptar, dhe që ishte pranuar nga përfaqësuesi i atëhershëm i Shqipërisë Fan Noli, nën presionin e atëhershëm të ngjarjeve historike, kur vendit tonë i kanosej coptimi nga fqinjët.
    Në shtator të vitit 1935, qeveria shqiptare hartoi rregulloren e re të shkollave të minoriteteve, e cila afirmonte rekomandimet e Këshillit të LK. Ajo dëshmoi edhe një herë se respektonte angazhimet ndërkombëtare. Në deklaratën zyrtare shqiptare theksohej, se në marrjen e vendimit për çeljen e shkollave private të minoriteteve “Qeveria shqiptare pat parasysh, jo vetëm kuptimin juridik të kushteve, që kishte firmosur në vitin 1921, por edhe premtimin zyrtar e të kthjellët të qeverisë Helenike, se edhe ajo nga ana e saj do t’i respektojë në mënyrë të sinqertë e të plotë detyrimet, që ka kundrejt minoriteteve shqiptare.
    Mirëpo, në deklaratën zyrtare të qeverisë greke, ky premtim ishte “harruar”. Pra, Athina nuk donte të linte asnjë gjurmë zyrtare e publike, se ajo i njihte e i respektonte të drejtat e pakicës shqiptare. Dhe ky, sigurisht ishte një ogur i keq pë skenarët e ardhshëm.
    Sidoqoftë, qeveria shqiptare kishte pranuar tashmë që t’u jepte pakicave një të drejtë, që kishte tiparet e qarta të një privilegji, dhe që ishte e ngjashme me kapitulacionet, që i ishin imponuar shumë dekada më parë Perandorisë Osmane. Asnjë shteti nuk i ishin imponuar klauzola të atilla. Më 26 shtator 1935, Komiteti i Të Treve i LK mori vendimin për mbylljen e çështjes së shkollave grekofone, duke shfaqur vlerësimin e lartë, për shpejtësinë dhe vullnetin e mirë, që kishte treguar qeveria shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështje.
    Më tej marrëdhëniet e Shqipërisë me LK vijuan të mira dhe korrekte dhe Shqipëria mbeti deri në fund një antare e përkushtuar e saj.
    *Kumtesë në Kolokiumin Shkencor: “Shqipëria, Lidhja e Kombeve, dhe Kombet e Bashkuara”, të organizuar dje nga Instituti i Historisë.

    Tirana-Observer.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Problemi çam në Lidhjen e Kombeve”

    “Problemi çam në Lidhjen e Kombeve”


    Autori i Lajmit: Prof. Dr. Fatmira Rama

    Në kumtesën time, “Problemi çam në Lidhjen e Kombeve”, jam ndalur në një periudhë kohore të caktuar midis viteve 1923-1926. Por problemi çam ka qenë prezent në Kombet e Bashkuara edhe më vonë. Qëllimi pse jam ndalur në këto vite, është se në këtë hark kohor 1923-1926 u zbatua edhe mbi popullsinë shqiptare Konventa e Lozanës e vitin 1923 për shkëmbimin e popullsive greko-turke, me palë kontraktuese Greqinë dhe Turqinë. Shqipëria nuk ishte palë kontraktuese. Por me shprehjen e shkëmbimit të muslimanëve turq me ata grekë, qeveria greke operoi për të shkëmbyer popullsinë muslimane shqiptare të çamërisë, madje dhe të Kosturit, Follorinës dhe të krahinave të tjera. Është për t’u evidentuar se një nga qëllimet e mia ka qenë që pikërisht të vë në plan të parë, intensitetin e jashtëzakonshëm të Qeverisë Shqiptare, të të gjitha instancave të saj, e sidomos të diplomacisë për ta parandaluar këtë fenomen, përpara nënshkrimit të këtij traktati, dhe sigurisht ia arriti, pati një sukses të kurorëzuar me deklaratën e 19 janarit të vitit 1923. Sipas kësaj deklarate përfaqësuesi grek dhe ai turk u zotuan se do të merrnin të gjitha masat që të mos shkëmbehej popullsia shqiptare në greqi, duke e parë atë bllok, d.m.th si për popullsinë shqiptare në Çamëri, ashtu dhe për trojet e tjera. Kjo deklaratë ishte shumë e suksesshme sepse kur Shqipëria nuk ishte palë kontraktuese në këtë traktat, kjo shërbeu si një mjet shumë i fortë për popullsinë çame dhe rezistencën e tyre, për popullsinë shqiptare, por edhe për lidhjen e kombeve që u angazhuan në këtë çështje. Duke iu referuar kësaj periudhe pra tre viteve 1923-1926 çështja dhe rezistenca çame, shteti shqiptar dhe Kombet e Bashkuara përbënin një trinom të pandashëm. Në vitin 1926 u mbyll zyrtarisht shkëmbimi i popullsisë shqiptare muslimane nga ana e qeverisë greke me atë turke. Konkluzioni im është që përkundër shumë çështjeve të tjera, ku Lidhja e Kombeve mund të kritikohet dhe ka vend për kritika, në këtë rast koherencës dhe seriozitetit të Qeverisë Shqiptare iu përgjigj edhe një kosistencë e sekretariatit të Lidhjes së Kombeve për trajtimin e çështjes çame. Ai, për mendimin tim, iu përgjigj pozitivisht kërkesave të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare, madje ka udhëzuar diplomacinë shqiptare në momente të veçanta, në mënyrë të njëanshme, do të thoja jozyrtare, se cilat ishin rrugët që duhet të ndiqte ajo për të parashtruar dhe për të arritur suksesin. Mua më rezulton nga studimi i seancave të njëpasnjëshme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, se pati një politikë të studiuar nga të dy palët në akordancë midis shqiptarëve dhe Lidhjes së Kombeve, dhe u arrit hap pas hapi nga krijimi i një komisioni “miks”, si një organizëm me fuqi të plota për të siguruar shkëmbimin e popullsive greko-turke, po për të mbrojtur dhe pakicat shqiptare, deri në krijimin e një komisioni mandator, apo komisioni të përfaqësuesve, në fund të vitit 1924, i cili tashmë do të shërbente si një levë direkte, me një porosi të veçantë për mbrojtjen e kësaj popullsie. Madje një hap i rëndësishëm në këtë periudhë ishte se u ngarkuan edhe përfaqësues shqiptarë pranë komisionit “miks”, konkretisht pranë dy komisioneve në Epir dhe në Maqedoni, pranë këtij komisioni mandator. Sigurisht mund të bëhen shumë vërejtje, sepse gjendja në terren ishte shumë e ndërlikuar, pasi pati manipulime të këtyre komisioneve nga ana e palës greke, pati probleme të shumta të vetë popullsisë çame, e cila nuk ishte e organizuar në shkallën e duhur, ose më saktë nuk pati një organizatë gjithëpërfshirëse që të artikulonte synimet e saj. Nga ana tjetër u gjendën përpara një terrori dhe një presioni të jashtëzakonshëm. Segmente të caktuara preferuan më mirë të shkonin në Turqi se sa të rrinin në Greqi. Pra pavarësisht nga të gjitha këto probleme që ishin prezente dhe mund të bëhen kritika dhe ndaj Lidhjes së Kombeve, për mendimin tim Lidhja e Kombeve në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare arriti që së fundi të shpëtojë diçka. Pra ia arriti që nga pranvera e vitit 1926, komisioni mandator të shprehu hapur se popullsia shqiptare muslimane në Çamëri nuk dëshironte të shpërngulej. Pra ajo ishte tërrësisht rrënjëse, pra ishte tërësisht shqiptare. E mbështetur në këtë konkluzion përfundimtar vetë qeveria greke, në pranverën e vitit 1926, pikërish të në maj, shpalli zyrtarisht se deklaronte të përjashtuar nga shkëmbimi popullsinë muslimane në Çamëri, duke e konsideruar si shqiptare dhe se do të binin të gjitha kufizimet që ishin vendosur ndaj saj në fushën e pronësisë apo në fushën e të drejtave civile, duke e konsideruar si subjekt me të drejta të barabarta. Sigurisht kjo ishte një fitore dhe një sukses i madh i vetë rezistencës së popullsisë çame dhe asaj shqiptare në tërësi në Greqi, po ashtu dhe i popullit shqiptar por në veçanti i Lidhjes së Kombeve që u mundua të ndiqte në mënyrë kosistente këtë problem.

    Kumtesa është mbajtur dje në Kolokiumin “Shqipëria, Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara


    Ky lajm është publikuar: 21/12/2005

    Ballkan.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Adem Jashari - Hero i Kosovës
    Nga JONI 1 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 296
    Postimi i Fundit: 05-03-2023, 21:58
  2. Kështu foli Tahir Zemaj
    Nga Nice_Boy në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 123
    Postimi i Fundit: 01-01-2014, 18:52
  3. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  4. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26
  5. Beratasit dhe çifutët
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 27-06-2003, 10:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •