Nga Belina Budini
- Nikollë Lesi rrëfen se si nisi kujtimet e veta për Fatos Nanon si hakmarrje dhe kapitullin e dytë që shtoi për Sali Berishën pasi doli nga koalicioni me të. Presionet e Nanos dhe kurioziteti i Berishës për përmbajtjen e librit që del në dhjetor
Pazare politike, sherre dhe biseda vulgare, batuta intime me protagonistë politikanë të njohur, situata dhe mizanskena butaforike me protagonistë ose aktorë të roleve të vogla në politikën shqiptare, telefonata të pacipa, SMS edhe më të pacipa… Paskuintat e politikës shqiptare nuk janë nxjerrë kurrë kaq lakuriq në publik sa në librin me kujtime të botuesit dhe deputetit Nikollë Lesi. Me sa duket asgjë nuk mund të jetë private në politikë. Në fakt autori i librit “Si e njoha Nanon dhe Berishën” është i bindur për këtë. Edhe pse politika “privatisht” është shumë më banale dhe amorale sesa politika “publikisht”.
Dhe është pikërisht një protagonist i kësaj politike që e tregon thuajse bruto gjithçka që ka përjetuar vetë nga kjo politikë e bërë jo vetëm në zyrat, por më së shumti në kafenetë, hotelet e baret e Tiranës. Paskuinta me interes publik i quan Nikollë Lesi kujtimet e veta të cilat, pas një botimi të pjesshëm në gazetën “Koha Jonë” do të publikohen në dhjetor të plota në një libër. Një nga ato lloj librash që do të kishin përbërë skandal në çdo vend tjetër, sepse skandalet politike ashtu si ato seksual-politike janë shumë në modë. Të vërteta ose jo plotësisht të vërteta, riprodhimet e bisedave private, takimeve jozyrtare dhe telefonatave personale që Lesi ka patur me Nanon, Berishën apo personazhe të tjera politike, të zbardhura në një libër, qoftë ky edhe libër kujtimesh, meritojnë të quhen skandaloze. Ka shumë gjasa që një libër i tillë të regjistrohej si best-seller në shumë vende të tjera, gjë që nuk mund të thuhet me siguri nëse do të ndodhë me kujtimet e Nikollë Lesit në Shqipëri.
Ky libër për Nanon dhe Berishën, pas konflikteve të njohura që ka patur botuesi dhe deputeti i PDK-së me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe kryeministrin aktual, Sali Berisha duket si hakmarrje dhe vetë autori pohon se e sa shkruar atë si një lloj hakmarrje ndaj Nanos fillimisht e më pas edhe ndaj Berishës. “Pas padive të shumëfishta të Fatos Nanos një vit më parë, vendosa të shkruaja një libër që mendova ta quaj “Si e njoha Fatos Nanon”. Ishte një lloj hakmarrjeje për të gjitha paditë dhe një kthim restoje Fatos Nanos që kishte hapur luftën me mua. Për këtë më nxitën përfundimisht 4 seancat e gjyqit të zhvilluar me urgjencë kundër meje”, - nis rrëfimin për zanafillën e kujtimeve të veta, pak të parakohshme, Nikollë Lesi.
Të ishte jashtë politikës dhe në një moshë më të kapërcyer, shkrimi dhe botimi i këtyre kujtimeve do të kishte qenë diçka normale, por autori thotë se deri atëherë do të ketë kohë boll të shkruajë kujtime të tjera, duke shtuar se nuk i ka thënë të gjitha, sidoqoftë. A nuk i prish punë botimi i këtyre kujtimeve në rrugën e tij të politikës? Ndoshta edhe i rregullon punë, pasi ndaj disa prej këtyre politikanëve, Lesi është treguar më i kujdesshëm. Por ai vetë pohon se asgjë amorale nuk ka në publikimin e këtyre kujtimeve politike që vërtet merren me paskuintat e politikës, por sipas tij janë përzgjedhur pikërisht ato paskuinta që kanë interes publik dhe që ndihmojnë për të kuptuar dhe njohur, ashtu siç i ka kuptuar dhe njohur Nikollë Lesi, Fatos Nanon dhe Sali Berishën.
Hakmarrje ndaj Fatos Nanos por çështje e teprimit të kohës në rastin e Sali Berishës, Nikollë Lesi thotë se vendosi të shtonte në librin e tij, të nisur për Nanon, një kapitull të dytë për Berishën, “meqënëse ngela jashtë koalicionit, pra si i papunë në politikë”. Thotë se në krye të herës iu duk paksa absurde që të shkruante për të dy, por u bind nga kolegët e tij politikanë dhe gazetarë që ta shtonte këtë kapitull që përmban takimet e tij të para me Berishën, marrëdhëniet me të që në nga fillimi, gjatë fushatës së fundit elektorale dhe pazaret para dhe pas 3 korrikut të cilat përbëjnë edhe pjesën më intriguese të kapitullit për Berishën që ka vendosur ta ndërpresë së botuari në faqet e gazetës. Për intrigë? Kështu pohon, ndërkohë që nga disa këshilltarë dhe njerëz të afërt me kryeministrin aktual thotë se ka marrë reagime, ka parë interesimin e tyre dhe një lloj kurioziteti të sëmurë siç e quan ai, për pjesën që ende nuk ka dalë. Nga Nano thotë se i patën mbërritur edhe kërcënime të drejtpërdrejta, gjë që me Berishën nuk ka ndodhur.
Ndërsa kapitullin e Nanos e ka shkruar për një vit, atë të Berishës e ka përfunduar për tre muaj, ende i nxehtë nga prishja e koalicionit. “Nanon e kisha njohur nga afër, në të gjitha llojet e situatave, pasi njoha edhe Berishën plotësisht, librin e kisha gati. M'u desh vetëm të ulesha e ta shkruaja. Por në kohë pikesh politike, e kam ndërprerë të shkruarin. Por asnjëherë për shkak të presioneve të cilat nuk kanë munguar”, - rrëfen Nikollë Lesi. Me ish-protagonistin Nano dhe me ende-protagonistin Berisha botuesi dhe deputeti Nikollë Lesi thotë se i ka ndërprerë përfundimisht të gjitha urat e bashkëpunimit politik, i mendimit se që të dy (edhe kryeministri aktual) i përkasin të shkuarës dhe së shpejti do të jenë jashtë politikës shqiptare.
Pranon se ka patur edhe ndonjë hatërmbetje për gjërat që janë shkruar, ashtu si edhe ndonjë pasaktësi të cilën thotë se pastaj e ka ndrequr. “Si në filmin e vjetër egjiptian, ‘Zbukuroj por nuk gënjej”, edhe në kujtimet e mia, ka zbukurime por jo gënjeshtra”, - thotë Lesi duke shtuar se është përpjekur të kujtojë dhe të nxjerrë, disa herë duke kërkuar edhe në koleksionet e gazetave e duke u konsultuar me protagonistë të ndryshëm, faktet më të forta e pikante për të ndërtuar figurat e vërteta të Nanos e Berishës. Për të qenë sa më besnik, ai thotë se fjalorin e Nanos e ka lënë në zhargonin vulgar, ashtu siç e ka realisht, ndërsa të Berishës në dialektin e vet, por gjithësesi korrekt, sikurse është.
Paskuinta e pazareve paraelektorale me Sali Berishën
“Berisha më bën ministër në hotel “Tirana”
Më mori në telefon kryetari i PD-së.
-Nikollë! Pijmë një kafe tek hotel Tirana. Kam një muhabet për të ba me ty, - foli si me lutje. Shkova dhe prita. Nuk vonoi dhe hyri në sallën e restorantit të hotelit në katin e tretë. Ishte kohë dreke.
-Je për një drekë Doktor?- e pyeta dhe thashë të pinim një gotë verë.
-Jo Nikollë! Njiherë tjetër, - foli me nxitim dhe u fut në temë: Nikollë! A ëshët e vërtetë se ai të ka ofrue post ministri kulture?
-Po.
-Mos Nikollë!- tha sikur ta kishte pickuar gjarpëri. Të baj unë ministër! Do të jesh ministër tepër i rëndësishëm në qeverinë time. Mos shko me atë se do ta rrëzojmë, - foli sikur të kisha firmosur për ministër I Nanos.
-Dëgjo Doktor! Nuk e kam pranuar dhe as që flitet një gjë e tillë,- ndërhyra.
-Ashtu Nikollë! Të lumtë!
-Doktor! E kam refuzuar për dinjitetin tim….
-Nikollë, shumë mirë! Po vepron si burrat dhe më shtriu dorën. Ia dhashë vetvetiu, ndonëse ishim takuar kur erdhi. Kujtova se ishte shenjë ae do të largohej nga takimi me mua.
-Po ikën?- pyeta
-Jo! Ta dhashë si besë burrash. Je ministër në qeverinë time!-prapë insistonte. E pashë se nuk besonte përsëri. Çfarë t'i jepja për siguri, mendova në çast.
-Më jep dorën prapë! Do ta rrëzojmë bashkë, - më tha. E zgjata. Shoqëruesit dhe ata që drekonin në restorant na shikonin të habitur se ç'kanë këta të dy që herë pas here i japin dorën njëri-tjetrit dhe e shtrëngojnë….
Fragment i shkëputur nga libri me kujtimet e Nikollë Lesit për Nanon dhe Berishën
Paskuinta e pazareve me Fatos Nanon para luftës së hapur mes tyre
Si nisi sherri i madh me Fatos Nanon
Hyra brenda në zyrën e kryeministrit.
-Hajde mirësevini zoti Lesi. Keni ardhur qëkur ishte Meta këtu në këtë zyrë…. Si të ka ecur gazeta. Po lejen e ndërtesës së gazetës e more nga Edi Rama? E zgjidhim!...
-Unë këtu nuk kam ardhur as për Edi Ramën e as për njeri tjetër, e theva më në fund heshtjen. Kemi qenë dikur miq…
-Jemi prapë. Ou! Sa herë zihemi ne të dy aq më shumë afrohemi tek njëri-tjetri, - ndërhyri gjithë gjallëri Nano…
-Mirë, mirë, por unë shërbëtor në oborr nuk të bëhem. As ty e as Saliut! Por me mua ke gabuar. A jeni ju apo dikush rreth jush që fut pyka këtë akoma nuk po e zbuloj…
-Jo, ka keqkuptim, - më ndërhyri pa më lënë ta mbaroja idenë e nisur. Nuk pyes unë asnjeri. Emini (Barçi) më ka folur mirë për ty. Djalë kurajoz! Ndërsa Agimin (Isakun) nuk e pyes, - tha Nano. Ai është pa dinjitet. Ashtu përkulet Agimi. Një ditë I hodha në kokë, mu në Rogner, tavllën e duhanit pasi më kërkoi që ta largoja Arta Daden nga ministre. Donte të bëhej vetë ministër kulture. Mendova se nuk do të vinte më në zyrë, por erdhi.…
-Pse Iliri nuk do të kandidojë?- më pyeti rrufeshëm.
-Nuk e di saktësisht.
-Ju jeni miq dhe ngriti një gotë xhin…
-Po të jetë si Nikollë, do të të ndihmoja me të gjitha mënyrat për të punuar pro jush në kongres, por mos harroni se unë jam pozicionuar politikisht…
-Eh, ç'të plasi ***** për parti! Pse unë për PS po punoj?! Jo, ore! Rregullojmë punët tona këtë radhë. Boll dhashë për socialistët me burgun tim. Tani do të fitoj atë ç'ka nuk e shijova në katër vitet e burgut, - foli me tension dhe u ngrit për t'u ulur në karrigen e kryeministrit. ….
-Të mos e zgjasim, - m'u drejtua dhe qëndroi përballë në këmbë. Do të jesh me mua apo me Metën në këtë duel për në Kongresin e dhjetorit? Fol! Me dy ****ë mos më luaj mua! –bërtiste dhe ecte plot nervozizëm. ..
-Epo atëherë do të ndihmoj Metën me gazetën time!
-A më hani ****** ti dhe Meta!-bërtiti kryeministri.
-Vagabond!- fola dhe dola plot tërsëllimë.
Fragment i marrë me shkurtime nga libri i Nikollë Lesit, “Si e njoha Nanon dhe Berishën”
Krijoni Kontakt