Projekti, për dy javë përfundon rrethrrotullimi dhe lulishtja në mes
Në fund të korrikut “Zogu i Zi” kthehet në identitet
Në fund të korrikut pritet që të marrë fund faza e dytë e rehabilitimit të nyjës së “Zogut të Zi”.
Do të thotë që zona ku vetëm para pesë ditësh ngriheshin gërmadhat e mbikalimit, të jetë e shtruar me asfalt. Përveç kësaj, rrethrrotullimi mendohet të zbukurohet edhe me një lulishte, për ta kthyer zonën ku sot ka vetëm pluhur dhe smog, në gjendjen e mëparshme. Projektin për rregullimin e nyjës do ta realizojë vetë Ministria e Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet Policisë Ndërtimore dhe bashkëpunimit me disa firma ndërtimi. Në këtë zonë, pamja e ditëve të sotme, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me pesë ditë më parë, kur ngrihej gjysmëmbikalimi i “Zogut të Zi”. I gjithë betoni është rrafshuar, është larguar dhe mbeturinat inerte shumë shpejt as nuk do të ekzistojnë mbi sipërfaqe.
FAZA E DYTE
Në sipërfaqen e hapur të nyjës, pas çmontimit të objektit pranë “Zogut të Zi”, ka nisur faza e dytë e rehabilitimit. Specialistë të Ministrisë së Punëve Publike, sqarojnë se rehabilitimi konsiston në sheshimin e terrenit, hedhjen e rërës dhe më pas asfaltimin e sipërfaqes së nyjës. Faza e dytë e rehabilitimit, sipas specialistëve, do të zgjasë dy javë, pra deri në fund të muajit korrik. Punimet e fazës së dytë, ashtu si edhe ato të fazës së parë, janë marrë përsipër nga Policia Ndërtimore, e cila ka bashkëpunuar edhe me disa firma ndërtimi. Sipas specialistëve të Ministrisë së Punëve Publike, hap pas hapi do të shkohet drejt përfundimit të nyjës së “Zogut të Zi”, për të sistemuar edhe trafikun e rënduar për të cilën karakterizohet zona. Aksioni për pastrimin e kësaj nyje është një masë që merret në kuadër të përmirësimit të trafikut të Tiranës për ministrin Basha. “Bashkia është ajo që duhet t’i japë formën përfundimtare zonës. Dëmshpërblimin qytetarëve të Tiranës ia ka borxh Kryetari i Bashkisë, i cili nuk duhet të fshihet më pas imunitetit politik”, është shprehur disa ditë më parë ai.
PASTRIMI
Menjëherë pas mbarimit të çmontimit dhe pastrimit të zonës do të fillojë puna për rehabilitimin e kryqëzimit dhe kthimin e tij në gjendjen normale të mëparshme, në një rrethrrotullim dhe do të ketë edhe një lulishte. “Kjo ndërhyrje normalizuese parashikon kthimin në një rreth-rrotullim së bashku me punimet për asfaltimin dhe gjelbërimin e kësaj nyje deri në dhënien e një zgjidhje përfundimtare në përputhje me studimet”, thanë specialistët e Ministrisë së Punëve Publike. Ky ndryshim mendohet se do të sjellë jo vetëm pakësim të ndotjes mjedisore, por edhe të asaj akustike në këtë zonë. Shumë shpejt qytetarët e Tiranës dhe vizitorët e saj do të kenë një situate normale mjedisore dhe trafiku në këtë kryqëzim.
* 1 milion
dollarë është shifra që është derdhur për ndërtimin e këtij objekti deri në nëntor të vitit 2005, kur edhe u bllokuan punimet nga Policia e Ndërtimit
* 2 javë
për të sjellë nyjën e “Zogut të Zi” në gjendjen e mëparshme, sipas specialistëve të Ministrisë së Transporteve do të duhen të paktën dy javë
* 5 ditë
shembja e objektit dhe pastrimi i të gjithë zonës përreth nënkalimit të “Zogut të Zi”, sipas specialistëve të Policisë së Ndërtimit, zgjati vetëm 5 ditë
Bashkia refuzon të ribëjë projektin për rrethrrotullimin
Rrethrrotullimin te nyja e “Zogut të Zi” nuk do ta projektojë Bashkia e Tiranës. Kjo ka qenë përgjigja e drejtorit të kabinetit në bashki, Eduard Shalsi, pas deklaratave të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve Publike. Këta të fundit kërkuan publikisht që Bashkia e Tiranës duhet të zgjidhë problemin e lehtësimit të trafikut në këtë zonë. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka kërkuar fillimin e procedimit penal për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Ndërtimit, Elez Ahmetaj si dhe për drejtorin e degës së Tiranës Hysni Gjoci, lidhur me prishjen e nënkalimit të “Zogut të Zi” në kundërshtim me ligjin. Eduard Shalsi ka nënvizuar faktin se institucioni i Policisë së Ndërtimit nuk ka njoftuar në kohë për shkatërrimin e objektit, si dhe ka ridhënë arsyet pse ai nuk duhet të prishej. “Më datë 05.07.2006, rreth orës 22:00, u njoftuam nëpërmjet medias se Policia e Ndërtimit filloi të shkatërrojë objektin publik, nënkalimin në hyrje të Tiranës, i njohur si nënkalimi i “Zogut të Zi”. Bashkia e Tiranës, në cilësinë e investitorit dhe pronarit të këtij objekti, nuk kishte asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Ndërtimit për këtë çështje, ashtu siç e kërkojnë procedurat e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Siç e dini, kjo çështje është bërë objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka përfunduar”, tha Shalsi duke përmendur se afati i njoftimit është të paktën 5 ditë. Drejtori i kabinetit të bashkisë theksoi gjithashtu se vendimi i Policisë së Ndërtimit është i nxituar edhe ligjërisht.
Krijoni Kontakt