"Exit": Filmi shqiptar, më i miri në Nju Jork
BEQIR SINA, NJU JORK
8 Dhjetor Filmi i regjisoreve kosovare Lindita dhe Blerta Zeqiri është vlerësuar të martën me çmimin "Best Cinematography", në Festivalin e Filmit të Pavarur në Nju Jork

Filmi shqiptar "Exit" është shpërblyer me çmimin "Best Cinematography" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të pavarur në Nju Jork. Çmimi për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër iu dha mbrëmjen e së martës regjisoreve Lindita e Blerta Zeqiri, në një ceremoni të veçantë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Pavarur (artistik dhe dokumentar) u zhvillua nga 10 nëntori deri më 20 nëntor. Për dhjetë ditë me radhë, në multikompleksin "Village East Cinema", shikuesit njujorkezë, njerëz të kinematografisë botërore, kulturës e artdashës vendas e të huaj, patën rastin të ndiqnin 325 filma të metrazhit të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë, nga të gjithë vendet e botës. "Filmi shqiptar u shfaq mbrëmjen e 16 nëntorit", pohon regjisorja kosovare, Lindita Zeqiri, duke rrëfyer për "Metropol" rëndësinë e këtij çmimi për kinematografinë shqiptare.

Si u arrit të realizohej ky film, kur ka kaluar një itinerar intensiv duke marrë pjesë në shumë festivale evropiane?

Kemi realizuar një film që, ndoshta edhe i përgjigjet një realiteti jo fort të favorshëm sot në Kosovë, pra pa një buxhet financiar, me "arkën bosh" e thënë pak më shqip. Ishte thjesht një projekt familjar i ndihmuar nga biznesmeni Ibrahim Buçaliu, drejtor i përgjithshëm i kompanisë HIB-Petrol në Ferizaj, Kosovë. Çdo gjë u arrit pa asnjë përkrahje financiare. Çdo gjë vullnetarisht prej aktrimit e deri te teknika etj. Veçse të gjithë ishin të motivuar për të treguar një ngjarje, e cila pasqyron një të vërtetë të ndodhur në Kosovë. Dhe me atë ngjarje të pasqyruar në realizimin e këtij filmi - ne dalim dhe i tregojmë Botës: "Ja pra, çfarë ndodhi në Kosovë - në mes të Evropës".

Si u ndjetë para shfaqjes, duke pasur parasysh suksesin tuaj në konkurrimet e tjera ndërkombëtare si në Zvicër, Francë apo Los Anxhelos?

Në Francë kemi marrë një çmim para një konkurrimi ndërkombëtar dhe jurie ndërkombëtare. Në Festivalin e Filmit në Francë, filmi kosovar "Exit" u nderua me çmimin e parë "Grand Prix". Pas këtij konkurrimi një sërë ftesash na u ofruan në festivale të tjera ndërkombëtare të filmit në Botë. Morëm pjesë në Egjipt, në Festivalin e Ismaijailas. Në Festivalin e e Oberhuas dhe Shtutgrad, të Gjermanisë. Në një Festival ndërkombëtar të zhvilluar në Milano, Itali. Mandej në Zvicër u nderuam edhe me çmim të parë, si filmi më i mirë në festival me metrazh të shkurtër. Më pas morëm pjesë në një konkurrim tjetër ndërkombëtar të filmit në Ankara, Turqi, ndjekur me një tjetër në Pekin, Kinë dhe më i fundit është pjesëmarrja jonë në një festival filmi në Shqipëri në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, ku edhe aty morëm një çmim. Pas shfaqjes në Nju Jork, fjala i takonte jurisë.

Çfarë hapësirash ju ka hapur ky film në fushën e kinematografisë?

Kur arritëm të krijonimin brumin e ngjarjes së filmit dhe pamë se funksionoi ideja, iu rrekëm punës me Blertën, të ndihmuar mjaft dhe nga prindërit tanë, deri në realizimin e premierës. Ishte ky një "stimulim" moral që të vazhdojmë punën tonë dhe të tregohemi edhe më të kujdesshëm deri në përpunimin e filmit. Duke rritur edhe forcën e fuqinë e filmit, që konkludoi para spektatorit, specialistëve, kritikëve dhe kineastëve me këtë film, por tani me metrazh të gjatë, i "kurorëzuar edhe me 'kurorën' e çmimit në Los Anxhelos. Dua të shtoj edhe një detaj të veçantë: filmi është në foni (zërin) është në gjuhën shqipe - gjuhën e folur në Kosovë.

Sa të vështirë e patët të arrinit deri në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur në Nju Jork?

Prezantimi i filmit kosovar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Los Anxhelos (SHBA) dhe ky sot, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur në Nju Jork (SHBA), është jo vetëm shfaqja e një premiere filmi ose thjesht një konkurrim kinematografik, por është edhe një simbol i ngjarjeve që tronditën mbarë njerëzimin dhe sensibilizuan e ngritën në këmbë botën, në radhë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës - shpëtimtarin e Kosovës. Ky film për ne është një shenjë mirënjohjeje ndaj asaj çfarë bën SHBA dhe po bëjnë edhe sot, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pra është si një falenderim i madh, që po e prezantojmë para opinionit amerikan. Para këtij vendi ku ndodhet edhe "mbretëria" e kinematografisë botërore. Pra në këtë kontekst nuk është aspak e vështirë të realizosh një film me tematikë nga ajo luftë që preku thellë zemrat e gjithë botës.

Cilat janë të veçantat e filmit tuaj?

Janë vlerat universale, ngjarjet e vërteta ku bazohet filmi dhe rikthimi nëpërmjet metrazhit të filmit edhe njëherë në atë ndjenjën e thellë të dhimbjes, që përjetuan të gjithë ata që e njohën Kosovën vetëm nëpërmjet tragjedisë që pësoi ai popull gjatë luftës mars-qershor 1999.

Në festival me luftën e Kosovës

Tematika që trajtohet, surprizat dhe kritikat pozitive të filmit, që konkurron me më shumë se 300 pretendentë të tjerë nga e gjithë bota në "Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur" në Nju Jork, shtjellon një ngjarje nga lufta e fundit në Kosovë, ku tre persona fshihen në një apartament për të shpëtuar jetët e tyre. Mungesa e ushqimit dhe e informacioneve në lidhje me atë se çfarë po ndodhte jashtë, e bën situatën edhe me të tendosur. Mes tyre krijohet një miqësi e ngushtë, të cilën nuk e kanë patur më parë, por në të njëjtën kohë kjo situatë e pazakontë, i largon ata nga njëri-tjetri si asnjëherë më parë. Filmi është prodhim i vitit 2002. Itinerari i filmit kosovar ka nisur që nga Shqipëria me pjesëmarrjen e tyre në edicionin e kaluar të filmit me metrazh të shkurtër. Ndërsa në Festivalin e Filmit në Lozanë të Zvicrës të emërtuar "Lausanne Underground Film & Music Festival", pjesëmarrja e dy regjisoreve Lindita Zeqiraj dhe Blerta Zeqiri, u shpërblye me çmimin e parë të festivalit si dhe u shpall filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër të atij viti. Ky është filmi i dytë që mbërrin në Nju Jork nga shqiptarët, ku një vit më parë u shfaq filmi shqiptar "Lule të kuqe, lule të zeza", në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur të regjisorit dhe aktorit të njohur Mevlan Shanaj.