Të dënuarit nga drejtësia greke kanë ndërprerë procedurat e transferimit, pasi nuk rigjykohen në Shqipëri
Rreth 500 të dënuar në Greqi refuzojnë burgjet shqiptare
K.Boriçi
TIRANË
Rreth 500 shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke kanë ndërprerë procedurat e transferimit, duke kërkuar vazhdimin e vuajtjes së dënimit në qelitë ku edhe ndodhen. Edhe pse këta të dënuar kishin aplikuar për t’u transferuar në burgjet shqiptare, tashmë refuzojnë të ndryshojnë qelitë.
“Shpresonim në një rigjykim të drejtë nga gjykatat shqiptare, pasi në të shumtën e rasteve jemi dënuar pa avokatë, me akuza të stisura, ndërsa bashkëvuajtësve tanë që kanë ardhur në Shqipëri u është bërë vetëm konvertimi i dënimit nga gjykatat tona dhe nuk kanë patur asnjë përfitim”. Kështu kanë pretenduar të dënuarit shqiptarë, që tashmë kanë tërhequr kërkesat e tyre. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, ky është argumenti që nxjerrin kohët e fundit të dënuarit shqiptarë që kohë më parë kanë kërkuar me ngulm të kthehen në Shqipëri.
“Në këto rrethana procedurat ndërpriten, pasi në bazë të ligjit, procedurat e transferimit nis kur i dënuari njihet me kushtet, e në rast se i dënuari kërkon ndërprerjen e procedurës, problemi quhet i mbyllur”,-pohoi për “Shekullin” një burim i Ministrisë së Drejtësisë.
Specialistë të kësaj ministrie shtojnë se krahas kërkesave të refuzuara për transferim, muajt e fundit ka rënë në minimum edhe numri i kërkesave të të dënuarve shqiptarë që për shkaqe të ndryshme duan të vuajnë dënimin në Shqipëri. Ndërsa në Itali, ku mendohet se vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale rreth 2500 shtetas shqiptarë, sërish ka një numër të vogël kërkesash për transferim.
Nga ana tjetër, të transferuarit nga burgjet greke kanë zgjedhur protestën, si mënyrë për t’u rigjykuar. Para disa ditësh, 240 të transferuarit që vazhdojnë vuajtjen e dënimit në burgun e Kosovës në Lushnje kanë nënshkruar një kërkesë zyrtare drejtuar titullarëve të burgjeve, ku kërkojnë nga shteti shqiptar zgjidhjen e padrejtësive të drejtësisë greke ndaj tyre. Në rast neglizhimi, shkruajnë të burgosurit e transferuar nga burgjet greke, javën e parë të dhjetorit do të nisin grevën e urisë, ndërsa familjarët e tyre protestat.
PERSONAZH
I transferuari, i zhgënjyer nga drejtësia shqiptare
TIRANË
Transferimi nga burgu i Korfuzit për në Shqipëri, pas disa kërkesave të dy prindërve të moshuar e ka zhgënjyer 27 -vjeçarin A.Venari nga Klosi i Cërrikut. “Më kapën më 14 shkurt 1999 me 2.7 kg hashash në periferi të Selanikut. Nuk di ç’kisha me vete, pasi pakon ma kishin dhënë pronarët grekë për në një adresë, por më dënuan pa avokat, pa përkthyes me 17.5 vjet burg. Kur më sollën në Shqipëri shpresova për drejtësi”,- pohon për gazetën 27 -vjeçari Venari.
Por gjykata e Elbasanit, sipas dokumentacionit zyrtar bëri vetëm konvertimin e dënimit, përllogaritje të cilat i ulin pak më shumë se 1 vit, duke e lënë të vuajë 16 vjet burg në qelitë shqiptare. Ashtu si edhe të transferuarit e tjerë, Venari kërkoi rigjykim, e në rastin që drejtësia shqiptare respektoi marrëveshjen e firmosur me palën greke, 27-vjeçari shprehet i zhgënjyer nga transferimi.
Krijoni Kontakt