Nga Robert Papa

E vërtetë apo trillim? Kur jemi çliruar apo kur jemi “liruar” prej vetëlargimit gjerman? Kjo është çështja! Vallë a ka shumë rëndësi? Meqënëse duhen fakte, po ju jell nje fakt serioz: Uashingtoni zyrtar. Viti 1945. Janar. Zyra e Informatave e Qeverisë Amerikane boton të përmuajshmen “Ngjarjet e muajit”.
Një parakalim fotografish, lajmesh dhe ngjarjesh për Evropën Juglindore. Mbulesa e të përmuajshmes. Ngjarjet. “Dita e Indipendencës shqiptare. 28 nëntor 1944. Trupat e Ushtrisë N-Çlirimtare kalojnë para tribunës tue kremtue çlirimin e kryeqytetit shqiptar.”
Në kopertinë, ose mbulesën e revistës bardhë e zi, është tribuna ku duket Hoxha, Nishani, Peza, por edhe ushtarakët amerikanë, jugosllavë dhe britanikë. Para tribunës parakalojnë partizanët e Hoxhës.
Në faqen 11 është shkrimi: Shqipnija kremton çlirimin e vet.
Nëntitulli: Shqipnija u çlirue mbas pesë vjet sundimi e lufte. Më poshtë teksti i plotë.
“Historija e Shqipnis asht plot luftra të papreme kundër të huejve që i kishin vue synë këtij Vendi. Prej ditëve të Skënderbeut e këtej historija e këtij Vendi s’ka ndryshue as edhe këmbëngulja me të cilën Shqiptarët kanë ruejtë lirin’e tyne.
Shqipnija u ba indipendente më 28 nandor 1912. Atëherë patriotët shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë e shpallën indipendencën politike të Vendit. Por në Luftën e Përbotshme Shqipnija u shkel prej të huejve e ma vonë, më 1939, u shkel prej nazifashistëve. Shqiptarët burra e gra dhanë kushtrimin e rrëmbyen armët ashtu si e kanë pasë zakon gjithmonë, për të mbrojtë lirin’e Vendit. Luftuen italianët e ma vonë Gjermanët dhe kolaboracjonistët e kuislingët e tyne, derisa e çliruen krejtësisht Vendin prej këtyneve. Për çudi çlirimi i plotë i Shqipnisë takoi pak ditë para ditës së flamurit e kështu Shqiptarët e kremtuen këtë ditë madhështore me gëzim shumë ma të madh pse ata kishin çlirue Vendin e tyne nga Hunët e tmerrshëm. Ata kremtuen edhe hyrjen në Tiranë të Qeverisë Demokratike. Shqiptarët luftuen plot pesë vjet me forcat e tyne të vetme. Ndonëse ndihmat aleate kanë qenë të… ato kanë qenë mjaft të vlefshme. Kur Ushtrija Çlirmtare po sulmonte Nazistët, Aleatët ndihmuan tue bombardue Gjermanët nga ajri. Aleatët zbritën ndihma dhe municjone dhe në tetuerin e kaluem britanikët tue shkelë tokën shqiptare çliruen, sëbashku me Ushtrinë N-Çlirimtare shqiptare, limanin e Sarandës.
Sigurisht Historija do ta shënojë ndihmën e madhe që Shqiptarët u dhanë Kombeve të Bashkueme në luftë. Kjo gja do t’u japë të drejtë të gëzojnë indipendencën e plotë, të cilën ata e vulosën me gjakun e djemve të tyne.
Këto fotografi tregojnë çlirimin e Tiranës.”
Pra, del qartë se jemi çliruar para 28 nëntorit, sepse në shkrim theksohet se kjo ditë u festua me gëzim më të madh se vendi ishte i çliruar. Uashingtoni thekson se vedni u shkel, nuk përdoret fjala pushtim. Ose britanikët shkelën duke çliruar Sarandën bashkë me shqiptarët.
Pra ky është fakt. Nuk jemi çliruar as më 28 e as më 29. Mesa duket gjermanët duhet të kënë ikur aty nga 25 nëntori. Po të kemi parasysh se Tirana ra më 17 nëntor dhe Lezha më 20, del se Shkodra do jetë zbrazur prej gjermanëve aty nga 25 ose 26 nëntori. Partizanët mund të kenë hyrë më 29 nëntor, po kjo ka ndodhur pasi është kremtuar fitorja një ditë më parë në Tiranë.
Pra ky botim i Uashingtonit zyrtar është prova reale se nuk jemi liruar prej gjermanëve më 29 nëntor. Partizanet kanë shkuar më 29 nëntor në Shkodër, pasi janë grumbulluar dhe rregulluar për të marë në dorëzim qytetin.
Ka pasur një marrëveshje mes Enver Hoxhës dhe gjermanëve. Gjermanët do largoheshin dhe Hoxha do merrte institucionet. Hoxha kishte lidhje miqësore me komandën gjermane sepse i’u kishte dorëzuar gjeneralin anglez Dejvis.
Normalisht, Hoxha nuk do festonte më 28 nëntor sikur Shqipëria të ishte liruar plotësisht se nuk ishte legjitim. Pas çlirimit të Tiranës Qeveria e Hoxhës ka pritur çlirimin e plotë dhe pastaj ka hyrë në Tiranë. Naku Spiro në Plenumin e Beratit më 25 nëntor ka theksuar se “po flasim me një Shqipëri të çliruar plotësisht”, madje edhe Shefqet Peçi në disa kujtime të tij ka thënë se “kam gjetur Shkodrën e çliruar qysh më 25 nëntor”.
Pra, tash kur kemi këtë dokument zyrtar të Uashingtonit, që hedh poshtë si 28 dhe 29 nëntorin, a nuk do të ishte në nderin e parlamentit që festa e Çlirimit të shpallej 17 nëntori, dita kur u çlirua Tirana?

express