Marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me organizatat perëndimore


prof. as. dr. kol. Elmas LECI

Historia ndryshe
Izolimi total i Shqipërisë pas daljes nga aleancat e Lindjes, Traktati i Varshavës dhe KNER-i. Si dhe refuzimi për t’u afruar me Perëndimin dhe organizmat ndërkombëtarë si TPE, FMN dhe NATO

Në përfundim të ciklit për vetizolimin e Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në këtë pjesë flitet për marrëdhëniet ose, më saktë, mungesën e marrëdhënieve të Shqipërisë me organizma të tjerë ndërkombëtarë, përveçse OKB-së, ku pas një peripecie 10-vjeçare Shqipëria aderoi. Në ciklin e shkrimeve për këtë peripeci të Shqipërisë për t’u pranuar në OKB, treguam arsyet e vërteta përse Shqipëria nuk u pranua në OKB për dhjetë vjet me radhë, arsye që u mbajtën të fshehta nga regjimi i Enver Hoxhës. Në këtë pjesë do të shohim marrëdhëniet me Tregun e Përbashkët Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Aleancën Ushtarake të Atlantikut Veriut etj.

Marrëdhëniet e ish-regjimit komunist me TPE-në dhe FMN-në
Në kushtet kur vazhdonte lufta e ftohtë, qëndrimi i Shqipërise ndaj Tregut të Përbashkët Evropian ishte denigrues në propagandë. Ky organizëm ndërkombëtar cilësohej “oktapod”. Nëse Tregut të Përbashkët Evropian nuk i kushtonte asgjë kjo propagandë denigruese nga ana e Shqipërisë, tregtia perëndimore, që bëhej në kuadrin e atij tregu, nuk e favorizonte Shqipërinë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, organizëm shumë i rëndësishëm i financimeve, quhej nga Shqipëria “litar në fyt” për të tjerët. Nuk mbahej asnjë lloj lidhje, përkundrazi, ishte objekt kritikash deri në nivele të larta konferencash. Banka Botërore, njëlloj si Tregu i Përbashkët apo FMN-ja, cilësoheshin organizma lubi për popujt e shtetet që i pranonin ato.

Marrëdhëniet me NATO-n
NATO-ja, Aleanca Ushtarake e Atlantikut Verior, konsiderohej organizëm agresiv, armë në duart e imperializmit amerikan, xhandar ndërkombëtar etj. Ajo për qeveritarët shqiptarë ishte sinonimi i së keqes. Në kujtesën e popullit shqiptar ruhen dy plane njohjeje për NATO-n; njëri ai zyrtar i 40 e ca vjetëve me radhë dhe tjetri ai i periudhës së pas viteve 90-të, kur Shqipëria u hap me botën dhe si rezultat vlerësoi Aleancën e Atlantikut Verior dhe kërkoi integrimin e natyrshëm në të. Në planin e parë NATO-ja njihej si vegël agresioni e lufte, si organizëm politiko-ushtarak pushtues, me të gjitha alibitë për pushtimin e Shqipërisë, për të cilat ky popull ndenji në gatishmëri e alarme të pajustifikueshme.
Por, në të vërtetë, a ka patur plane pushtimi ndonjëherë NATO-ja ndaj Shqipërisë? Çfarë thonë arkivat, ushtarakët madhorë të NATO-s, konceptet taktike e strategjike të Aleancës? Në vitet 60-të, një nga pikat kulminante të rivalitetit të madh ushtarak zhvillohej ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet dy superfuqive si ish-Bashkimi Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mes organizmave ushtarakë të njërit krah, NATO-s dhe tjetrit, Traktatit të Varshavës. Pikërisht në këtë periudhë, si rezultat i forcimit të Bazës Ushtarake të Pasha Limanit me forca sovjetike që inkuadroheshin në Traktatin e Varshavës, anëtar i të cilit ishte edhe Shqipëria, NATO-ja forcoi bazat e saj në Italinë Jugore e Lindore. Në aspektin propagandistik kjo u quajt synim direkt ndaj Shqipërisë.
Me këtë devizë njerëzit ngriheshin në alarme, futeshin në blindazhe, e torturoheshin psikologjikisht nga frika e sulmeve ajrore. Ishte një periudhë që zgjati disa vjet, para dhe pas viteve 60-të. Pikërisht pas viteve 60-të Shqipëria u prish me ish- Bashkimin Sovjetik, doli, de facto, edhe nga Traktati i Varshavës, përzuri nga bazat e nga ujërat e saj territoriale edhe forcat e bllokut lindor, ndërsa propaganda kaloi tashmë në shfrenime, jo vetëm për planet “ogurzeza” të NATO-s, por edhe të Traktatit të Varshavës. Nuk ka asnjë dokument, nuk ka asnjë praktikë, nuk është në strategjinë e NATO-s pushtimi i vendeve dhe popujve. Nëse flasim për vitet para 1960-ës, kur Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, edhe po të ndodhte se nga bazat shqiptare sulmohej një vend i NATO-s, atëherë edhe mundet që Shqipëria të kthehej në një shesh beteje, por kjo jo për faj të NATO-s.
Shqipëria nuk kishte asnjë mundësi ekonomike, ushtarake apo njerëzore të përballonte (në hipotezë) një sulm pushtues nga NATO-ja. Por gjithçka e rëndësishme është se nuk ka patur as metodika, as plane të tilla nga NATO-ja. Vetëm në vitet 90-të e këtej, kur nisi kërkesa për demokratizimin e jetës në të gjitha aspektet në vendin tonë, shqiptarët u afruan me NATO-n. Shqipëria ishte vendi i parë në ish-bllokun e Lindjes që bëri kërkesë zyrtare për anëtarësimin në NATO. Shqipërisë i duhet futja në NATO, sepse ajo afron siguri, sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. NATO-ja ose bashkësia euroatlantike është mishërimi i përkatësimit dhe vokacionit perëndimor të Shqipërisë. Anëtarësimi në NATO do të thotë edhe konsolidim i demokracisë shqiptare, pasi Aleanca e krijuar më 4 prill 1949 është ndërtuar mbi vlerat e lirisë e të demokracisë dhe nuk mund të tolerojë kthimin prapa në totalitarizëm.

Marrëdhëniet me KNER-in
KNER - Organizata e Ndihmës dhe e Bashkëpunimit të Vendeve Evropianolindore; në fillim marrëdhëniet e Shqipëri me të ishim si dhe me Traktatin e Varshavës, por me prishjen me Bashkimin Sovjetik Shqipëria doli nga këto organizma, të cilat u etikuan nga regjimi i Enver Hoxhës si organizma shfrytëzuese e agresive. Më vonë edhe marrëdhëniet e vetme ndërkombëtare, ato me Kinën, u prishën, ndërsa pjesëmarrja në organizma ndërkombëtare, të domosdoshme edhe për Shqipërinë, siç ishte OSBE-ja, Organizata e Sigurimit dhe e Bashkëpunimit Evropian, nuk u bë.
Kësisoj, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera dhe me organizmat ndërkombëtare në periudhën 1960-1980, zhvillohej mbi principe ideologjike dhe jo mbi bazën e interesave kombëtare. Dalja nga Traktati i Varshavës apo KNER-i, nuk realizuan shpresën për ndryshime dhe hapje të Shqipërisë, se organizmat e zhvillimit dhe të sigurimit ndërkombëtar nuk u vlerësuan si të tilla, përkundrazi u stigmatizuan dhe u denigruan. Në këto kushte marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera ndoqën një trajektore pa ndonjë principalitet.

Vetizolimi
Shifrat e viktimave dhe atyre që përpiqeshin të arratiseshin nga Shqipëria

Si funksiononte izolimi në Shqipërinë komuniste

Vetizolimi total shqiptar i periudhës komuniste nisi që gjatë Luftës Antifashiste dhe u kurorëzua përfundimisht në gjysmën e dytë të viteve 70-të. Për të siguruar mbarëvajtjen e revolucionit të saj, partia e izoloi plotësisht vendin nga pjesa tjetër e botës. Shqipëria u bë Tibeti i Perëndimit. Rreth e rrotull vendit ekzistonte një “zonë kufitare” nga 1 deri në 2 kilometra e ruajtur nga ushtria dhe e ndaluar për shqiptarët. Gjatë gjithë kufirit, me përjashtim të vendeve me të vërtetë të thepisura, ngrihej një mur me tela me gjemba e me korrent. Në Shqipëri kishte madje edhe kufij të brendshëm që ruheshin nga ushtria si urat mbi Mat në Veri dhe mbi Vjosë në Jug, apo në qafën e Llogarasë pas Vlorës, ku kishte posta kontrolli. Askush nuk mund të qarkullonte lirisht dhe, në rast se doje të udhëtoje, duhej të pajiseshe me një leje nga ndërmarrja ku punoje. Çdo shqiptar që orvatej të largohej nga vendi i vet tradhtonte atdheun dhe idealet e socializmit. Ai merrte një dënim që shkonte nga dhjetë vjet kamp pune deri në vdekje. Tekstet e ligjeve e quanin këtë shkelje “arratisje”. Megjithatë, çdo vit disa shqiptarë e ndërmerrnin një veprim të tillë. Më 1966-ën në liqenin e Shkodrës u vendos me shtylla një fill metalik. Në fillim të vitit 1968, në këtë postë kufitare u ngrit një postbllok i ri, i rrethuar me tela me gjemba, që materializonte “zonën kufitare”…
Në buzë të detit Jon, në Sarandë, përballë Korfuzit, me të rënë nata hynin në veprim dy prozhektorë të vendosur në të dyja anët e gjirit. Ushtarët që i përdornin ato, i binin gjithë kujdes kryq e tërthor sipërfaqes së ujit, duke bërë lëvizje të befta, për të zbuluar më mirë ndonjë arratisje të mundshme. Disa motobarka të vogla dhe të shpejta rrihnin vazhdimisht ujërat aty pranë për të kapur “të arratisurit”. Në buzë të liqenit të Pogradecit, në lindje të Shqipërisë, përballë Jugosllavisë, ashtu si edhe në Lin,15 kilometra më lart, funksiononin mjete të ngjashme. Sipas një raporti të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga viti 1944 janë futur në kamp pune apo në burg 80 000 vetë, prej të cilëve 10 000 vdiqën. Caku i moshës për përgegjësi penale, në rastin “krim kundër shtetit”, ishte caktuar në 12 vjet. Këta të burgosur caktoheshin në punime drenazhimi dhe ujitjeje, në ndërtimin e rrugëve, të hekurudhave, të aeroporteve dhe uzinave. Të burgosurit politikë të dorës së parë izoloheshin në burgun e Burrelit. Në veri të vendit kampet e punës me regjim shumë të ashpër thyenin çdo lloj qëndrese. Më famëkeqi ishte ai i Spaçit në Mirditë.
Vetizolimi i kushtoi shtrenjtë Shqipërisë. Në aspektin politik, ekonomik, kulturor etj. Vetizolimi i kushtoi Shqipërisë 5 557 burra dhe 450 gra të ekzekutuara, sepse ishin kundër diktaturës e nuk u pajtuan me të në aspekte të ndryshme të jetës. (…) Viti 1968 ishte shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, “Viti ndërkombëtar i të drejtave të njeriut”. Karta e OKB-së shprehej se “çdo njeri kishte të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të besimit”. Shqipëria e shpalosi botërisht mungesën e tolerancës fetare më 5 tetor 1965, kur Papa Pavli VI mbajti fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku vetëm delegacioni shqiptar braktisi sallën. Duke qenë se shqetësimi për të drejtat e njeriut zuri vend kryesor gjatë vitit 1968, në shkurt të atij viti dr. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, në Nju Jork, i drejtoi një letër proteste dhe një apel sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe Komisionit të të Drejtave të Njeriut, duke i nxitur ata që të “ndalnin përndjekjen e egër fetare në Shqipëri”. Mirëpo nuk u arrit kurrfarë rezultati. Gazeta e përditshme e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, botonte gjithashtu raporte të shpeshta mbi veprimet e dhunshme antifetare të regjimit. Megjithatë, regjimi shqiptar vazhdoi rrugën e vet si i pari dhe i vetmi vend ateist në botë.
Akuza ndaj vetizolimit, këtij precedenti të krimeve të diktaturës, është konkrete: Gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist në Shqipëri, përgjegjës i të cilit është ish-regjimi dhe Enver Hoxha, janë vrarë (sipas një varianti të pavarur) 10 000 vetë; ndërsa sipas një studimi të bërë në vitet 1992-‘94 nga Shoqata e ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, rezulton se janë ekzekutuar 5 557 burra dhe 450 gra; janë dënuar për politikë 26 768 burra dhe 7 367 gra; kanë vdekur në burgje 988 burra e 7 gra; kanë humbur aftësinë mendore 308 vetë; janë internuar 48 .217 burra dhe 10 792 gra; kanë vdekur në internime 7 022 vetë dhe janë viktima të luftes civile 22 500 vetë. Shkrimtari i madh disident Jevtushenko, shkruan: “U trondita kur zbrita në Shqipëri, sepse pashë një vend ku pasojat e diktaturës mund të krahasoheshin vetëm me Kamboxhian"