Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Albin
    Anëtarësuar
    06-03-2004
    Vendndodhja
    ???
    Postime
    242

    Pastërtia në islam

    Pastërtia në islam


    Shumë herë dëgjojmë njerëzit duke folur për pastërtinë, nevojën për te dhe se ajo paraqet nivelin e civilizimit dhe vetëdijës së një populli.

    Njerëzit shpesh herë tregojnë se si në perendim ka pastërti, kurse këtu te ne mungon një gjë e tillë.

    Madje në kohë ne fundit këto tema edhe bisedohen dhe inicohen në shumë programe kontaktive, mirëpo jo edhe aq japin rezultate.

    Bisedë pas bisede, muhabet pas muhabeti që pa dyshim na tregojnë për ekzistimin e këtij problemi dhe nevojën е zgjedhjes së tij.

    Dorën në zemër, ky problem nuk do të ishte i pranishëm në mesin tonë nëse ne, muslimanët shqiptar, do ti përmbaheshim rregullave që na i ka sjellur Islami.


    Nga tia nisim


    Ska dyshim se fillimi i çdo ndryshimi fillon nga vetëdija jonë, andaj duhet tu sqarojmë besimtarëve musliman rëndësinë që i jep islami pastërtisë, asaj shpirtërore, si më kryesore, pastaj asaj fizike, asaj individuale, asaj kolektive dhe asaj shoqërore.

    Pas kësaj faze vjen faza e praktikimit të këtyre mësimeve dhe njohurive në praksën tonë të përditshme, duke filluar nga hoxhallarët, profesorët, mësuesit, pedagogët, e pastaj nga masa e gjërë.

    Shtresa e cila shumë herë lakmon që të paraqitet si elita e popullit, kremi i shoqërisë, avangarda e një kombi, ata duhet të japin shembullin në këtë drejtim dhe pas tyre të ecë edhe e mbarë shoqëria.

    Duhet bërë kampanjë të madhe dhe propagandë gjigante që tua mbjellim njerëzve në mendje dhe tua ngulasim në shpirt këto domethënie dhe nocione, e sidomos brezit të rinjë dhe fëmijëve.

    Këto kampanja duhet të ngërthejnë në vete programe televizive, programe shkollore, akcione shoqërore, aktivitete studentore, tryeza të rumbullakëta, ligjerata fetare, etj., me të vetmin qëllim edukimin e brezave të rinjë dhe pajisjen e tyre me vetëdije të lartë mbi pastërtinë dhe kulturë të pastërtisë.


    Qëndrimi i Islamit ndaj pastërtisë


    Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe pastërtisë dhe argumentet që flasin në këtë drejtim janë të shumta dhe të qarta. Ndoshta prej argumenteve më të dukshme në këtë drejtim është fakti se pastërtinë All-llahu, xhel-le shanuhu, e ka bërë çelës dhe rrugë deri te shtylla më e rëndësishme e Islamit, e ajo është namazi. Namazi, ky adhurim dhe obligim shumë i rëndësishëm nuk pranohet prej njeriut pa u pastruar, pa e pastruar trupin, rrobat dhe vendin, të cilat konsiderohen burimi kryesor i bakterieve dhe përhapjes së sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme.

    Abdesti është kusht i namazit dhe me te njeriu i pastron gjymtyrët e tija të cilat zakonisht i ekspozohen pluhurit dhe ndytësirave më shumë se pjesët tjera të trupit.

    Me plotësimin e këtyre kushteve namazi është valid dhe arrihet pastërtia.

    Argumentet nga Kur'ani dhe Sunneti e vërtetojnë këtë gjë.


    Ajetet që flasin për pastërtinë


    Nëse e shfletojmë Kur'anin do të gjejmë shumë ajete që flasin për pastërtinë, mirëpo prej tyre do ti zgjedhim këto në vijim:

    قال تعالى: [ يا أيها الذين آمنوا إذا قمتم إلى الصلاة فاغسلوا وجوهكم وأيديكم إلى المرافق وامسحوا برءوسكم وأرجلكم إلى الكعبين، وإن كنتم جنبا فاطهروا] (المائدة 6).

    1- "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! …". (El-Maide: 6).

    [ فيه رجال يحبون أن يتطهروا، والله يحب المطهرين] (التوبة 108)

    2- "…aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit". (Et-Teube: 108).

    [ إن الله يحب التوابين ويحب المتطهرين ] (البقرة 222)

    3- "…All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme". (El-Bekare: 222).

    [ وينزل عليكم من السماء ماء ليطهركم به] (الأنفال 11)

    4- "…ju lëshoi shi nga qielli për t'ju pastruar me të, …". (El-Enfal: 11).

    [ يا أيها المدثر، قم فأنذر، وربك فكبر، وثيابك فطهر]

    5- "O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur). Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe rrobat tua pastroi!". (El-Mudethir: 1-4).

    All-llahu, azze ve xhel-le, ua ka ndaluar njerëzve ta papastërt që të hyjnë në xhamia, duke thënë:

    ﴿إنما المشركون نجس فلا يقربوا المسجد الحرام بعد عامهم هذا﴾

    6- "… vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë...". (Et-Teube: 28).

    ﴿ يا بني ءادم خذوا زينتكم عند كل مسجد﴾

    7- "O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje),…". (El-A'raf: 31).

    Kështu në Kur'an është përsëritur shumë herë rëndësia e pastërtisë për të treguar vlerën që ka pastërtia në Islam dhe tek besimtarët.


    Hadithet që flasin për pastërtinë

    Transmeton Imam Muslimi në sahihun e tij se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    " الطهور شطر الإيمان ".

    "Pastërtia është gjysma e besimit".

    Kurse Imam Taberaniu, rahimehull-llah, transmeton nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se ka thënë:

    " طهروا هذه الأجساد طهركم الله ".

    "Pastroni trupin tuaj që t'ju pastroj All-llahu". (Hasen).

    Islami nuk është mjaftuar vetëm me pastrimin individual, por i ka dhënë rëndësi edhe pastrimit kolektiv.

    Si shembull në këtë drejtim do të sjellim hadithin që transmeton Imam Muslimi nga Xhabiri, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

    " نهى أن يبال في الماء الراكد".

    "Ka ndaluar urinosjen në ujin që nuk rrjedh".

    Shkenca më vonë ka sqaruar se përhapja e shumë sëmundjeve ngjitëse siç është kolera, tifozi, paraliza e fëmijëve, ndezja e mëlqisë, etj, barten nëpërmjet ujit dhe në te jetojnë, andaj urdhëri për kujdes ndaj ujit, mes tjerash, e bart edhe këtë domethënie.

    Gjithashtu Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "لا يبولن أحدكم في الماء الدائم الذي لا يجري ثم يغتسل فيه"

    "Mos të urinos askush në ujin e përhershëm, i cili nuk rrjedh e pastaj të lahet në te". (Buhariu dhe Muslimi).

    Kurse në transmetimin e Imam Muslimit qëndron:

    "لا يغتسل أحدكم في الماء الدائم وهو جنب"

    "Mos të lahet askush prej jush në ujë të palëvizshëm duke qenë xhunub".

    Sa i përket pastrimit dhe edukimit tonë në pastërti është edhe hadithi që e transmeton Tajalasiu me sened hasen nga Sadi, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "Pastroni oboret tuaja, sepse çifutët nuk i pastrojnë oboret". (Hasen).

    Me këtë hadith stimulohemi që përpos pastrimit fizik dhe trupor, duhet kujdesur edhe për pastërtinë e rrugës, oborit, lagjes, e kështu me rradhë.

    البزاق في المسجد خطيئة وكفارتها دفنها" متفق عليه.

    "Pështyerja në xhami është gabim e shlyerja e këtij gabimi është futja në dhe". (Buhariu dhe Muslimi).

    Kjo është thënë atëherë kur në xhamia nuk ka patur qilima, kurse tash që ka qilima, shlyerja e këtij gabimi ndodh duke e pastruar vendin ku ka rënë ndonjë ndytësirë.

    Jo rastësisht Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ka bërë largimin e pengesave dhe ndytësirave nga rruga argument të besimit, duke thënë:

    "Largimi i pengesës (ndytësirës) është prej besimit". (Buhariu).

    Pastrimi i rrobave është pjesë e pastërtisë në Islam.

    Në këtë drejtim shiko ajete e sures Mudethir dhe hadithin ku Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "ما على أحدكم إن وجد سعة أن يتخذ ثوبين ليوم الجمعة غير ثوبي مهنته" أخرجه أبو داود ومالك وأحمد.

    "Secili prej jush duhet të ketë dy pakë roba përpos robave të punës për ditën e xhuma". (Sahih, Ahmedi dhe të tjerët).

    Për këtë nëse në robat tona bie ndytësirë, ajo duhet pastruar përndryshe ai namaz që e kemi falur me ato roba nuk do të jetë valid.

    Dijetarët kanë rënë në ujdi se uji në të cilin bie ndytësira dhe e ndryshon ngjyrën, shijen apo aromën, ai ujë është i papastër. (Shiko: "Nejlul-Evtar", 1/ 28).

    Pra, këto hadithe e shtyjnë muslimanin që vazhdimisht të kujdeset për robat e tija dhe të mbrohet nga ndytësirat dhe papastërtitë.

    Islami na mëson që të kujdesemi edhe për pastrimin e gojës.

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "لولا أن أشق على أمتي لأمرتهم بالسواك عند كل صلاة"

    "Po mos ti vinte rëndë umetit tim do ti urdhëroja të përdorin misvakun për çdo namaz". (Buhariu dhe Muslimi).

    Ibni Abasi, radijall-llahu anhu, ka thënë:

    "لقد كنا نؤمر بالسواك حتى ظننا أنه سينزل به قرآناً"

    "Aq shumë urdhëroheshim për përdorim të misvakut, saqë kujtuam se do të zbret Kur'an që të flet për këtë çeshtje". (Ibën Ebi Shejbe).

    Islami na mëson pastrimin edhe të vendeve ku zakonisht u vjen era e keqe, gjë për të cilën ka thënë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

    "خمس من الفطرة الختان والإستحداد وقص الشارب ونتف الإبط وتقليم الأظافر" رواه الجماعة واللفظ للترمذي وأحمد.

    "Pesë gjëra janë nga natyraliteti: synetimi, rruajtja e vendeve të turpshme, shkurtimi i mustaqeve, shkulja e qimeve të nënsjetullave dhe prerja e thonjve". (Buhariu dhe Muslimi).

    Me realizimin e këtyre mësimeve pejgamberike plotësohen kushtet e pastrimit trupor.

    Islami na mëson që të ruhemi edhe nga stërpikat e urinës gjatë urinosjes, pasiqë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë për dy njerëz:

    "إنما ليعذبان وما يعذبان في كبير أما أحدهما فكان لا يستبرئ من بوله وأما الآخر فكان يمشي بين الناس بالنميمة".

    "Këta nuk denohen për gjëra të mëdha sipas njerëzve, mirëpo ato janë të mëdha te All-llahu: njëri nuk kujdesej për stërpikat e urinës, kurse tjetri i barte fjalët mes njerëzve". (Buhariu dhe Muslimi).

    Pastërtia fizike në Islam ka edhe një segment tjetër, të cilin nëse e kuptojmë, kjo na ndihmon për të kuptuar vlerën e pastërtisë sipas këndvështrimit islam.

    Kur na urdhëron All-llahu në pastërti dhe kur besimtarët këtë urdhër e pranojnë duke thënë 'dëgjuam dhe respektuam', me këtë gjest ata e pastrojnë edhe shpirtin e tyre. Pra e zbatojnë një urdhër me të cilin e kënaqin All-llahun, All-llahu për shkak të kësaj vepre ua plotëson begatitë dhe dhuntitë dhe ua fisnikëron edhe më shumë shpirtin e tyre dhe ngriten lart në horizontin e pastërtisë dhe nurit. Kjo te ata shkakton qetësi, rehati dhe disponim, të cilin nuk mund tia sjellin tërë kokrat kimike të botës.


    Pastrimi pas kryerjes së nevojës


    All-llahu, subhanehu ve teala, e ka programuar njeriun që të zbraz zorët dhe fshikën e ujit nga bajga dhe urina dhe gjërave tjera të panevojshme për trupin e njeriut që të mbetet trupi i njeriut i pastër dhe i aftë për t'i kryer detyrat e natyrshme që i ka.

    Pas kryerjes së kësaj procedure muslimani është i obliguar që të pastron vendet e turpshme me ujë.

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    " تنزهوا من البول فإنه عامة عذاب القبر منه" متفق عليه

    "Pastronu nga urinosja sepse mbarë denimi i varrit është nga ky gabim". (Buhariu dhe Muslimi).

    Mjekësia na tregon se kjo procedurë na sjell dobi të mëdha mjekësore dhe preventive. Sipas mjekësisë pastrimi i këtyre vendeve pas kryerjes së nevojës e mbron organin gjenital nga ndezja, e cila vjen si rezultat i grumbullimit të mikrobeve, sidomos te ata që janë të sëmurë me sëmudnjen e sheqerit. Urina e këtij njeriu ka sasi të mëdha të sheqerit dhe mbetja e pikave të kësaj urine në organin gjenital ndihmon që të fiton ndezje dhe qelbosje, kurse nëpërmjet marëdhënieve intime kjo sëmundje kalon edhe të bashkëshorteja dhe mund të shkakton sterilitet të plotë te ajo.

    Ajo që duhet të përmendet në këtë rast është edhe urtësia e përdorimit të dorës së majtë gjatë pastrimit pas kryerjes së nevojës.

    Zakonisht njerëzit e përdorin dorën e djathtë për ngrënie dhe pirje dhe për punët tjera, andaj duke e përdorur dorën e majtë për pastrim, mbetet dora e djathtë e pastër.

    Disa njerëz habiten me rëndësinë e madhe që i ka dhënë Islami këtyre gjërave, mirëpo nuk ka vend për habi për ata njerëz që ia dinë vlerën kësaj feje dhe për ata që besojnë se kjo fe të cilën All-llahu e ka plotësuar dhe e ka bërë rrugë të cilën duhet ta pasojnë deri në Ditën e Kijametit, u sjell besimtarëve vetëm mirësi.

    All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë:

    [ اليوم يئس الذين كفروا من دينكم فلا تخشوهم و اخشون، اليوم أكملت لكم دينكم وأتممت عليكم نعمتي ورضيت لكم الإسلام دينا ] (المائدة 3)

    "…Tashmë, ata që mohuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni), andaj mos u frikësonju atyre, por Mua të më frikësoheni. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. …". (El-Maide: 3).


    Një ndodhi në Angli


    Në vitin 1963 në Angli u përhap me të madhe sëmundja ethet tofoje (tifoidi) dhe shkaktoi një panikë të madhe në mesin e qytetarëve.

    Ata u munduan në të gjitha mënyrat që ta ndalin këtë sëmundje mirëpo nuk gjetën mënyrë tjetër për ta ndalur këtë sëmundje përpos duke i informuar të gjith njerëzit që mos të përdorin letër në toalete dhe ta zëvendësojnë këtë veprim me përodrim të ujit për pastrim dhe kjo do ta ndalon përhapjen e kësaj sëmundje infektuese.

    Njerëzit iu përgjigjën kësaj kërkese dhe për habi u ndërpre përhapja e kësaj sëmundjeje. Njerëzit me këtë rast e mësuan edhe një shprehi të re dhe filluan të përdorin ujin për pastrim në vend të letrave.

    Mjafton fakti se këtë vepër muslimanët e përdorin një mijë e katërqind vite më herët, jo për shkak të ndonjë sëmundjeje por sepse All-llahu, Krijuesi i sëmundjeve, i ka mësuar në çdo gjë që u sjell dobi dhe shëndet, kurse muslimanët kanë thënë: 'dëgjuam dhe respektuam':

    [ ألا يعلم من خلق وهو اللطيف الخبير ] (الملك 14)

    "A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë". (El-Mulk: 14).


    Gusli - larja


    Islami ka caktuar më shumë se shtatëmbëdhjet larje, kurse kjo e bën muslimanin të dalluar në këtë rrafsh.

    All-llahu, xhel-le shanuhu, ka caktuar guslin, larjen e tërë trupit në shumë raste, siç është në ditën e xhuma, në ditën e bajramit, pas ejakulimi, pas marëdhënieve intime, me hyrjen e dikujt në Islam, etj.

    Ky rasti i fundit mjafton si argument për të treguar se çfarë rëndësie i jep Islami pastrimit.

    All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë:

    [ يا أيها الذين آمنوا لا تقربوا الصلاة وأنتم سكارى حتى تعلموا ما تقولون ولا جنبا إلا عابري سبيل حتى تغتسلوا ] (النساء 43)

    "O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç'flitni, e as duke qenë xhuhubë (të papastër) derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. …". (En-Nisa: 43).

    All-llahu, xhel-le shanuhu, e urdhëron Ejubin, alejhisselam, duke i thënë:

    [ اركض برجلك هذا مغتسل بارد وشراب] (سورة ص 42)

    "Bjeri me këmbën tënde tokës! Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi". (Sad: 42).

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "حق على كل مسلم أن يغتسل في كل سبعة أيام يغسل رأسه وجسده" رواه الشيخان واللفظ لمسلم.

    "Secili musliman e ka obligim që të lahet për çdo javë, të lan kokën dhe trupin". (Buhariu dhe Muslimi).

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "غسل يوم الجمعة على كل محتلم وسواك ويمس من الطيب ما قدر عليه" رواه مسلم(18)

    "Obligohet të lahet secili i moshërritur në ditën e Xhuma, të përdor misvakun dhe të parfymoset aq sa mundet". (Muslimi).

    Njeriu gjatë historisë ka zbuluar rëndësinë e madhe që ka pastrimi i trupit të tij dhe me larje ka shëruar shumë sëmundje, mirëpo gjat historisë nuk është njohur asnjë popull që e ka organizuar aq mirë këtë gjë sikurse forma me të cilën All-llahu e ka nderuar këtë umet.

    Urtësia e kësaj qëndron në faktin se larja e ripërtërinë aktivitetin e njeriut psiko-fizikisht, e pastron dhe e transferon në gjendjen më të mirë psiko-fizike.


    Abdesti është arma e besimtarit


    All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

    [ يا أيها الذين آمنوا إذا قمتم إلى الصلاة فاغسلوا وجوهكم وأيديكم إلى المرافق وامسحوا برءوسكم وأرجلكم إلى الكعبين، وإن كنتم جنبا فاطهروا، وإن كنتم مرضى أو على سفر أو جاء أحد منكم من الغائط أو لامستم النساء فلم تجدوا ماء فتيمموا صعيدا طيبا فامسحوا بوجوهكم وأيديكم منه، ما يريد الله ليجعل عليكم من حرج ولكن يريد ليطهركم وليتم نعمته عليكم لعلكم تشكرون] (المائدة 6)

    "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t'ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t'ju pastrojë (prej mëkatëve), t'ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t'i falënderoheni". (El-Maide: 6).

    Abdesti nuk është vetëm pastrim i gjymtyrëve, nuk është vetëm pastrim i trupit pesë herë në ditë, por ka edhe ndikim psikologjik dhe ngritje shpirtërore, gjë të cilën e ndien muslimani pas abdestit dhe këto ndjenja janë më të mëdha se sa mund ti tregon me shprehjet e veta.

    Abdesti ka një rol të madh në jetën e muslimanit, ai e mban besimtarin vazhdimisht të zgjuar, të gjallë dhe të shndërritshëm.

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "من توضأ فأحسن الوضوء خرجت الخطايا من جسده حتى تخرج من تحت أظفاره"

    "Ai që mer abdest mirë i dalin mëkatet nga trupi derisa ti dalin edhe ato që i ka nën thonjë". (Muslimi).

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

    "من توضأ فأسبغ الوضوء ثم مشى إلى صلاة مكتوبة فصلاها مع الإمام غفر له ذنبه" رواه ابن خزيمة في صحيحه

    "Ai që mer abdest mirë, pastaj ngritet për të shkuar në namazin obligativ dhe e fal me Imam i flaen mëkatet". (Sahih, Ibën Huzejmeja).


    Sekretet e abdestit


    Ska dyshim se larja e gjymtyrëve që vazhdimisht pluhurosen është shumë i rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm të njeriut. Trupi i njeriut gjatë ditë si eksponohet miliona mikrobave dhe ato vazhdimisht e sulmojnë trupin e njeriut nëpërmjet pjesëve të zbuluara të trupit, mirëpo gjat abdestit befasohen këto mikrobe me një pastrim total të lëkurës së pjesëve të zbuluara, sidomos me fërkimin e mirë dhe marjen e abdestit ashtu si duhet. Kështuqë pas abdestit nuk mbetet asnjë gjurmë e llomit apo mikrobeve në trupin e njeriut.

    - Pastrimi i gojës na i sjel këto dobi:

    E mbron gojën, fytin, fëlqinë nga ndezja dhe qelbosja. I pastron dhëmbët nga mbeturinat e ushqimit. I forcon disa muskuj të fytyrës, ia ruan fytyrës shkëlqimin, i jep njeriut qetësi psiqike, etj.

    - Shpërlarja e hundës e pastron hundën nga mikrobet dhe bakteriet e ndryshme që gjejnë vend të përshtatshëm në zbrazëtirat e hundës dhe me këtë e mbron trupin nga depërtimi i mikrobeve nga hunda në pjesët tjera të organeve të njeriut.

    - Larja e fytyrës dhe duarve i largon mikrobet, e largon djersën, e pastron lëkurën nga yndyrat që i nxjer lëkura, etj.

    - Larja e këmbëve me fërkim të mirë i jep njeriut ndjenja të qetësisë dhe rehatisë, sepse në këmbë kryqëzohen mbarë organizmat e njeriut, andaj njeriu gjat larjes së këmbëve me fërkim është i barabartë me njeriun që ka shkuar tu bëjë masazhë secilit organ të trupit të tij.

    - Shkenca tregon se qarkullimi i gjakut në esktremitetet, duart dhe këmbët, është më i dobët për shkak të largësisë nga qendra organizuese e qarkullimit të gjakut që është zemra, andaj me larjen e këtyre gjymtyrëve dhe fërkimit të tyre e forcon qarkullimin e gjakut dhe kjo vepër pa dyshim se e shton aktivitetin e trupit të njeriut dhe i jep gjallëri.

    Është vërtetuar shkenctarisht se rezet e diellit, sidomos ato ultravjollcë, ndikojnë në krijimin e kancerit të lëkurës, mirëpo ky ndikim pakësohet me të madhe me marje abdest rregullisht, sepse në këtë formë vazhdimisht i jep lagështi lëkurës, sidomos pjesëve që janë të eksponuara rezeve të diellit dhe me këtë u ndihmohet qelizave të shtresave sipërfaqësore dhe të brendshme të lëkurës që të mbrohen nga gjurmët e dëmshme të rezeve.


    Rëndësia e patërtisë sipas zbulimeve shkencore


    Më herët nuk ka qenë i njohur ekzistimi i mikrobeve derisa njeriu e zbuloi mikroskopin, kurse kjo ka ndodhur në shekullin e tetëmbëdhjetë.

    Mikrobiollogët ka vërtetuar se ekziston një numër i hatashëm i mikrobeve në një centimetër katror në vendet e zbuluara të trupit. Sipas tyre në një centimetër katror ka prej 1-5 milion mikrobe.

    Mikrobet vazhdimisht shtohen dhe për tu liruar prej tyre duhet larë vazhdimsht lëkurën, kurse kjo vepër realizohet duke marë abdest, një adhurim me të cilin na ka urdhëruar All-llahu, subhanehu ve teala, dhe na ka stimuluar në te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, pasiqë abdesti është një vepër që përsëritet disa herë gjatë ditës.

    Shkenctarët për tua bërë të qartë njerëzve se sa mikrobe dhe bakterie ka në lëkurën e njeriut dhe konfliktet që janë mes tyre i kanë krahasuar me ruzullin tokësor dhe konfliktet e njerëzve që ndodhin mbi te.

    Ata thonë se me një larje njeriu largon nga trupi i tij më shumë se dy qind milion mikrobe.

    Mikrobet vazhdimisht shtohen andaj duhet të eliminohen vazhdimisht dhe në mënyrë të rregullt që të mbeten pak në numër që të ketë mundësi trupi i njeriut të ballafaqohet me ta. Këtë rol edhe e luan gusli dhe abdesti.

    Për shembull, vetëm në gojë gjinden llojlloj mikrobesh dhe bakteriesh që janë më shumë se një qind lloj, kurse arrinë deri në pesë miliard mikrobe në një milimetër katror. Këto mikrobe ushqehen nga mbeturinat e ushqimit mes dhëmbëve, shtimi dhe zhvillimi i tyre prodhojnë thartësira dhe prodhime të shumta që ndikojnë në gojën, erën e gojës, ngjyrën e dhëmbëve dhe punën e tyre, andaj nëse nuk largohen disa herë në dirë, ato shkaktojnë prishjen e dhëmbëve dhe sëmundjet e nofullës.

    Zbulimet shkencore na e sqarojnë rëndësinë e zbatimit të mësimeve islame dhe neglizhimi i tyre i sjell pasojat negative.

    Mos shkurtimi i thonjve i sjell shumë sëmundje, sepse nën thonjë grumbullohen miliona bakterie që luajnë një rol shumë të madh në bartjen e sëmundjeve.

    Mosruajtja e qimeve të nënsjetullave është shkak për përhapjen e morrave të nënsjetullave që përhapet me të madhe ne Europë.

    Një gram i bajgës së njeriut ka më shumë se një qind miliard mikrobe dhe kanë ndikim shumë të madh në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse nëse lihen vend pa vend.


    Mrekullia shkencore në rregullat e pastërtisë


    Aspektet e mrekullisë shkencore të Kur'anit dhe Sunnetit gjatë ligjësimit të pastërtisë del në shesh në këto forma:

    1- Prej sekreteve të medicinës preventive në Islam është se pastërtinë e ka caktuar si adhurim dhe kjo i jep shpirt dhe vazhdimësi të cilin nuk ka mundësi ta sjell asnjë ligj tjetër.

    2- Thjeshtësia në detyrime dhe lehtësimi në zbatim, saqë nuk kërkojnë harxhime materiale e as lodhje fizike.

    3- Subjektivitet. Domethënë secili musliman i zbaton këto mësime në shenjë të adhurimit ndaj All-llahut, andaj nuk ka nevojë për drejtor që e kontrollon, sepse kontrolla te besimtari lind nga brendësia e besimtarit.

    4- Vazhdimësia, sepse zbatimi i urdhërave islame nuk është e ndërlidhur me ndonjë kohë të caktuar ose moshë të caktuar, por vazhdojnë me vazhdimin e njeriut.

    5- Ai që e njeh Kur'anin dhe Sunnetin e kupton se Islami nuk ka lërë asnjë gjë nga medicina preventive pa aluduar në te në formë direkte ose indirekte, kurse njeriut i ka lënë hapësirën e studimit të urtësive të tyre.

    6- Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte analfabet andaj edhe nuk ka mundur ti mëson këto sekrete të çuditshme dhe ti cakton mjetet e përshtatshme për pastërti për të arritur pastërtinë dhe eliminimin e mikrobeve dhe bakterieve, mirëpo ka caktuar shumë ligje dhe sunete, urtësitë e të cilave i ka zbuluar shkenca moderne shumë shekuj më vonë. Kjo tregon se përcaktimi i këtyre ligjeve dhe suneteve është shpallje nga All-llahu, subhanehu ve teala.

    All-llahu, xhel-le shanuhu, ka thënë:

    "وما كنت تتلو من قبله من كتاب ولا تخطه بيمينك إذاً لارتاب المبطلون بل هو آيات بينات في صدور الذين أوتو العلم".

    "Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit. Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria, e argumentet Tona nuk i mohon kush pos të shfrenuarve". (El-Ankebut: 48- 49).

    All-llahu na bëftë nga ata që janë të pastërt, pastrohen vazhdimisht, dhe i dojnë të pastërtit. Amin

    Literaturë për konsultim:

    "Kanonizimin e mrekullisë shkencore në Kur'an dhe Sunnet".

    Revistën "El-Muxhtemea", nr. 98 të vitit 1972.

    Noble and Somerville 1974 microbiology of nymmen. Skiing.

    Kligman 1965 skin becteria and their role in in ections.

    Misvaku dhe kujdesi për dhëmbët", Abdullah Abdurezak Mesud.

    Studimin me titull: "Misvaku dhe përfitimet farmaceutike të reja", nga Konferenca e parë e medicinës Islame të mbajtur në Kairo në vitin 1987.

    "Emradul-Xhinsije ukubetun ilahije", Abdul-Hamid El-Kudat.

    "Learll and clarle 1980 preventive mograw hill".

    "Sëmundjet ngjitëse dhe medicina preventive", botim i Këshillit të mrekullisë shkencore.

    Bekir Halimi

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Albin
    Anëtarësuar
    06-03-2004
    Vendndodhja
    ???
    Postime
    242
    Abdesi dhe mjekësia

    "O ju që keni besuar. Nëse ngriheni për të falur namazin, lani fytyrën dhe duart deri në bërryle dhe fshini kokën (jepi mes'h) dhe lani këmbët deri në nyje." ( El-Maide: 6)
    --------------------------------------------------------------------------------

    Kemi lindur muslimanë dhe kjo është një prej të mirave që Allahu na ka dhënë, por me keqardhje e them, sepse e morëm këtë besim si një trashëgimi të sertë e të ngurtë. Dhe sa herë që ai trashëgohet nga brezi në brez, pakësohet apo lehtësohet derisa ka ardhur në gjendjen që është sot. Me përjashtim të atyre që i udhëzon Allahu, që janë të devotshëm e nuk janë në dyshim apo lëkundje…, ata e ruajnë të pastër dhe pa e devijuar. A nuk thuhet në Kur'an:
    "Dëshiroje atë që të ka dhënë Allahu nga Jeta Tjetër, por mos harro të marrësh atë që të takon nga kjo botë dhe vepro më të mirën ashtu siç ka vepruar Zoti me ty..."? (Kasas:77)
    Shumë dijetarë muslimanë nga e gjithë bota janë përpjekur të nxjerrin dobitë dhe të mirat prej obligimeve që na ka caktuar Zoti, (ajo që është e detyruar të kryhet) dhe ndikimin që kanë ato si nga ana shpirtërore ashtu edhe trupore.
    Një prej këtyre obligimeve është edhe abdesi, larja e një pjese të trupit, pra pastërtia. Profeti (a.s) në një thënie të tij thotë: "Pastërtia është gjysma e besimit…" që d.m.th. gjysma e besimit të plotë të përbërë nga deklarimi me gojë, pranimi me zemër dhe nga veprat e gjymtyrëve, e qëllimi në këtë rast ka kuptimin material dhe shpirtëror që përfshin gjysmën e parë të besimit, e në një tjetër thënie thuhet: "Plotësimi i abdesit është gjysma e besimit".
    Kjo pastërti e detyrueshme (abdesi) është trupore dhe moralo-shpirtërore, ku morale d.m.th. ta pastrosh zemrën nga sëmundja e zilisë, ligësisë, mendjemadhësisë, hipokrizisë, smirës, etj… E ndërsa trupore; ky obligim fillon me larjen e fytyrës, e cila është "fasada", pamja e parë e njeriut apo pasqyra që tregon për një trup të shëndoshë fizikisht dhe shpirtërisht dhe është pjesa që preket më shpejt nga infeksionet - pra, larjen me ujë të pastër në mënyrë që të heqë papastërtinë që është në të e pastaj në gjymtyrët e tjera…
    Por, është tradita profetike që vjen për të na i sqaruar dhe plotësuar kushtet e abdesit duke filluar me larjen e duarve deri në kyçe, larjen e gojës, të hundës, duke i përsëritur nga tre herë, e më pas duke larë fytyrën, duart deri në bërryle, kokën, veshët, qafën e në fund larjen e këmbëve… duke lënë mënjanë neglizhencën dhe talljen. Por Profeti (a.s) ka vazhduar edhe më tej, duke na treguar mbi vlerat e tij (abdesit) teksa thotë: "Kush e plotëson abdesin i falen mëkatet e mëparshme dhe të mëvonshme", apo "Kur muslimani merr abdes, i dalin mëkatet e të dëgjuarit, të të parit, mëkatet e trupit e të gjymtyrëve dhe nëse ulet, ulet i falur nga çdo mëkat".
    Por çfarë thotë mjekësia për abdesin?
    Abdesi fillon me larjen e duarve, e me anë të tyre pastrohen gjymtyrët e tjera, sepse një fillim i mirë është shëndet, e më pas vazhdon me larjen e gojës duke bërë dhe gargarë. Dihet se goja përmban të gjithë faktorët ndihmues dhe të përshtatshëm që ndikojnë në zhvillimin e mikrobeve të ndryshme e kjo, sepse ajo është gjithmonë e lagësht, dhe me një nxehtësi të përshtatshme për t'u zhvilluar mikrobet nga mbeturinat që kanë mbetur gjatë të ngrënit. E për rrjedhojë kemi shfaqjen e erës së keqe në gojë, si rezultat i fermentimit të ushqimit në të. Dhe është gargara ajo, që kur bëhet me ujë të pastër i pastron mbetjet e ushqimit, për vetë faktin se uji për nga përbërja e tij kimike, nuk lejon zhvillimin e mikrobeve, e kur ne e përdorim atë shpesh sidomos si gargarë, luan një rol mjaft pozitiv në pastërtinë e gojës, ndërsa vetë gargara forcon muskujt e fytyrës, e të nofullës në veçanti.
    Më pas vjen radha e pastrimit të hundës, e kjo duke e thithur ujin në fillim, e pastaj duke e nxjerrë.
    Një grup studiuesish nga fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Aleksandrisë, në Egjipt, u morën me një kërkim shkencor për të zbuluar lidhjen e abdesit me shkencën nga ana shëndetësore. Ata zbuluan se në përgjithësi tek ata që nuk marrin abdes, brendësia e hundës është në ngjyrë të bardhë në gri (si e thinjur), e yndyrshme, e lëmuar, që tërheq për në brendësi lagështirën dhe petësa si zbokth. Ndërsa vrima e hundës është si një ngjitëse me ngjyrë të errët e që lehtëson rënien e qimeve prej saj, ndërsa qimet e hundës janë të ngjitura me njëra-tjetrën, të pluhurosura dhe si me zbokth. Kurse ata që përdorin abdesin, hundën në brendësi e kanë të shkëlqyer dhe të pastër, pa lagështirë e zbokth edhe qimet i kanë të pastra po ashtu.
    Pas vëzhgimeve me anë të mikroskopit, u vu re se mikrobet e hundës tek ata që nuk falen (pra që nuk marrin abdes), janë të shumta dhe e kanë përfshirë të gjithën. Ndërsa tek ata që marrin abdes, u panë shumë pak, për të mos thënë asnjë mikrob. Kjo tregon që të shpëlarit e hundës rregullisht ndikon në shëndet, e kur ajo bëhet tre herë është edhe më e mirë ( siç citohet edhe në traditën profetike).
    Pra, në shpëlarjen e parë, pastrohen gjysma e mikrobeve që gjenden në hundë, në të dytën akoma edhe më shumë e kështu e fundit e pastron totalisht. Pasi kalojnë disa orë hunda përsëri kthehet në gjendje të papastër dhe kërkon që të pastrohet… Ky është edhe një prej sekreteve të shpërndarjes kohore të faljes së namazit, që shoqërohet edhe me marrjen e abdesit…
    Ndërsa shfryerja e hundës, përbën një ushtrim shumë të dobishëm për muskujt e frymëmarrjes, nxjerrjen e ajrit të mbetur nga mushkëritë, nga fshikëzat e ajrimit dhe nga laringu, ky ajër gjithashtu përmban edhe dioksid karboni, e pastrimi i mushkërive nga ky ajër, bëhet vetëm me anë të një frymënxjerrjeje të fortë dhe vendin e këtij ajri e zë ajri i pastër. Ky proces bën që gjaku nëpërmjet venës të kthehet për tek barkushja e djathtë, si dhe ndikon në lëvizjen e shpejtë të gjakut dhe gjithashtu është edhe një nga shkaqet që pengon formimin e trompozave të gjakut si dhe pastron gëlbazën dhe sekrecionet që gjenden në të. Kështu frymëmarrja kthehet në normalitet, muskujt që ndihmojnë frymëmarrjen bëhen më të fortë e elastikë.
    Më pas vjen larja e duarve deri tek bërryli. E këto janë gjymtyrët që përdoren më shumë, si në të ngrënë, të pirë, të takimit dhe të prekjes e të kryerjes së punëve të ndryshme…
    Është mjaft e domosdoshme që duart të jenë të pastra. Kur uji prek lëkurën në ato vende, ai ndikon në qarkullimin e gjakut, si dhe nuk lejon kontraktimin e venave të gjakut apo edhe zgjerimin e tyre në bazë të temperaturës së ujit dhe kohës që ai rri në të (gjymtyrë), në kontraktimin e muskujve etj…Por më pas kthehemi përsëri në mbulimin e tyre (gjymtyrëve) me anë të rrobave të prodhuara nga fije sintetike që edhe këto janë të prodhuara nga përbërës si vajra e bojra të ndryshme, gjëra që mund t'i japin lëkurës alergji apo forma të tjera të dëmshme për të. Sepse nga kontakti i tyre (rrobave) me lëkurën e thatë krijohen ngarkesa elektrike e këto shtrihen pastaj në të gjithë sipërfaqen e trupit e më pas ndodh shkëndija elektrike, që shkakton dëme në trupin e njeriut, e shkenca vazhdon të merret me kërkimin e këtij fenomeni dhe është uji ai që e shpëton trupin nga kjo gjë…
    Jepi mes'h (fshij me dorë) kokës: kjo është baza e tretë tek abdesi. Kjo lëvizje, pra, duke fshirë kokën me duar, ndikon tek muskujt e sipërm të trupit, por ndikimi më i madh bie tek muskujt nga balli tek zverku (qafa) ku hyjnë edhe muskujt sipërfaqësor të kafkës. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë për këtë: "Fërkojeni (fshijeni) me duar kokën vajtje - ardhje, duke filluar nga balli apo nga pjesa e përparme e kokës deri tek qafa, pastaj kthehesh nga qafa për tek pjesa e përparme e kokës". Ky fërkim dhe kjo lagështirë e lehtë nuk lejon kontraktimin e këtyre muskujve dhe gjithashtu largon edhe dhembjen e kokës që shkaktojnë kontraktimet e saj. Një tjetër dobi e abdesit për njeriun është, se kur ai është i mërzitur apo i hidhëruar, ai duhet ta fërkojë kokën me duar të njoma, pra t'i japë mes'h e jo ta lajë atë plotësisht. Sipas traditës profetike, larja e fytyrës dhe e gjymtyrëve të tjera përsëriten tri herë, ndërsa në rastin e kokës, bëhet vetëm një herë. Dhe kjo sepse dhembja e kokës shkaktohet nga ngjeshja e gjakut në tru dhe ky akumulim çon në presionin e palcës kurrizore e për rrjedhojë shkakton deri në paraliza të ndryshme… Dhe vjen ky fërkim i lehtë i kokës me duar të njoma, duke liruar kontraktimin e muskujve të kafkës dhe qarkullimin normal të gjakut e për rrjedhojë edhe lehtësimin e dhembjes së kokës si nervore apo edhe e zakonshme.
    Më tej vijojmë me pastrimin e veshëve (brenda e jashtë), në mënyrë që të largohet papastërtia e mbledhur aty, e cila mund të shkaktojë infeksione të ndryshme.
    Abdesi përfundon me larjen e këmbëve deri tek njyjet. Dhe kjo tregon edhe njëherë mbi rëndësinë që Islami i jep pastërtisë. Këmbët janë të predispozuara të kenë më shumë mikrobe, se prekin gjithmonë tokën, apo janë në këpucë, e djersa dhe pluhurat shkaktojnë infeksione të ndryshme të lëkurës, e në mes gishtave në veçanti. Larja e tyre pesë herë në ditë, duke i fërkuar mirë, bën që të evitojë papastërtitë që mblidhen në to. Një tjetër dobi e larjes së këmbëve është sepse vë në lëvizje muskujt e këmbëve, e të kofshës në veçanti, si dhe normalizon qarkullimin e gjakut në vena, forcon kyçet, gjunjët, etj…
    E pra, zbulimet mjekësore nuk janë të vetmet që ndikojnë tek një musliman për të marrë vazhdimisht abdesin, por është përkushtimi shpirtëror e zbatimi i fesë që ka një ndikim të madh. Përfitimi më i madh është se për çdo musliman të devotshëm e të sinqertë në këtë devotshëri, por që është edhe me abdes, falen e luten për të meleqtë, deri sa atij t'i prishet ky abdes. Dhe është vetë profeti ynë (a.s.) që thotë: "Çelësi i Xhennetit është namazi dhe çelësi i namazit është abdesi", apo në një thënie tjetër ai (a.s.) është shprehur: "Kur muslimani merr abdes, gjatë larjes së fytyrës i largohen bashkë me ujin e abdesit që rrjedh edhe çdo gabim që ka bërë me sy. Gjatë larjes së krahëve, çdo gjynah i vogël i bërë me duar derdhet bashkë me pikat e ujit. Kështu ai e plotëson abdesin e vet i pastruar prej gjynaheve të vogla."
    Kështu, ne gjithmonë duhet të kujtojmë, se abdesi është arma e besimtarit, pastërtia është kushti i imanit dhe se Allahu i Lartësuar i do ata që janë pendues dhe të pastër.
    "O ju që keni besuar! Allahu nuk dëshiron t'ju shkaktojë vështirësi, por t'ju bëjë që të jeni të pastër dhe t'i plotësojë dhuntitë e Tij për ju…" (Maide:6)
    "Dijeni se Allahu i do edhe ata që pendohen edhe ata që pastrohen…" (Bekare:222)

    Fusnota
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albin : 07-12-2005 më 06:04

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Albin
    Anëtarësuar
    06-03-2004
    Vendndodhja
    ???
    Postime
    242
    Pastërtinë e mësuan nga ne


    nga Rasim Vrioni, mjek stomatolog

    Evropa për 400 vjet jetoi në mes të papastërtisë
    Mendimi se me fillimin e rilindjes evropiane çdo gjë filloi të përparonte, është shumë i përhapur. Por kjo nuk është e vërtetë për çdo fushë. Një fakt konkret është se, që prej shekullit të XV-të, evropianët jetonin më të papastër se më parë, dhe kjo gjendje vazhdoi deri në fillimin e shekullit të 19-të.
    --------------------------------------------------------------------------------

    Periudha 400 vjeçare e papastërtisë në Evropë
    Në këtë periudhë nuk ekzistonin banjot publike dhe pjesa e shtëpisë që përdorej për t'u pastruar filloi të përdorej për të tjera qëllime. Larja ishte harruar krejt dhe askush nuk i lante duart para ose pas buke. Lënia pas dore e pastërtisë solli si rezultat papastërtinë, dhe kjo solli shtimin e erërave të papëlqyeshme. Por evropianët në vend që t'i drejtoheshin pastërtisë e gjetën zgjidhjen tek prodhimi i parfumeve dhe esencave me të cilat mbulonin erërat e këqija.
    Papastërtia mori përmasa aq të mëdha saqë filloi të shtohej në mënyrë dramatike vdekja e fëmijëve dhe epidemitë që përhapeshin hera-herës shkaktonin vdekjen e mijëra njerëzve. Në vitin 1501, nga epidemia e kolerës që u përhap në qytetin Bordo, në Francë, vdiqën 17.000 veta, dhe kjo shifër përbënte më tepër se gjysmën e banorëve të këtij qyteti.
    Në shekullin e XVII-të në qytetet e mëdha si Parisi, uji gjendej me pakicë. Popullsia rritej vazhdimisht por sasia e ujit që përdorej ngelej po e njëjta. Në gjithë Parisin gjendeshin 40 puse e po aq çezma e njerëzit prisnin në radhë për ujë.
    Popullsia ishte aq larg konceptit të pastërtisë saqë jo vetëm shtëpitë normale, por dhe pallatet e aristokratëve nuk kishin banjo brenda. Në vende publike si teatër, opera etj., nuk ekzistonin banjot dhe njerëzit i kryenin nevojat pas cepave të mureve, poshtë shkallëve, etj.
    Në librin "Ngjarje interesante nga historia", të autorit Mark Kemerich, gjenden këto fragmente: "Në Paris në kohën e Luigjit të XIV-të, njerëzit ecnin nëpër rrugë me kujdes pasi çdo moment nga dritaret e shtëpive mund t'u derdhej diçka mbi kokë. Në çdo moment mund të hapej një dritare dhe pas lajmërimit: "Kujdes, ujë", boshatisej një legen ose një oturak. Në çdo rrugë e sokak përsëritej e njëjta skenë dhe kudo mbizotëronte një erë e rëndë. Meqenëse nuk ekzistonin banjot publike cepat e ndërtesave, shërbenin për kryerjen e nevojave të përditshme. Në Paris, në rrethinat e pallatit të drejtësisë (palais de justice) ose të Luvrit (Louvre) mund të hasje papastërti të tilla".
    Në oborret e pallateve, sallonet, pas dyerve, poshtë shkallëve, në mes të ditës mund të shihje njerëz që kryenin nevojat por askush nuk thoshte gjë dhe s'tërhiqte vëmendje.
    Por Henri i III-të, ishte më i kujdesshëm dhe në muajin gusht të vitit 1587, urdhëroi që oborri i pallatit mbretëror të pastrohej çdo mëngjes.
    Ndërsa në Spanjë e Francë në pallatet mbretërore ndihej një erë e keqe, që nuk e mbulonin dot as me parfume.
    Në shekullin e XVII-të, filloi përdorimi i oturakëve. Në Angli banjot filluan të përhapen në shekullin e XVII-të. Ndërsa në pallatin mbretëror të Suedisë banjoja e parë u ndërtua në shekullin e XVIII-të.

    Pastërtia ne vendet islame
    Ndërkohë që Evropa jetonte në papastërti, si ishte gjendja në vendet islame?
    Në çdo qytet gjendeshin banjo publike, hamame dhe uji përdorej me bollëk. Në kryeqytetin e perandorisë Osmane, Stamboll, në vitet 1500, Sulltan Fatihu ndërtoi 200 çesma. Sulltan Bejazidi ndërtoi dhe 70 çesma të tjera dhe në kohën e Sulltan Sulejmanit numri arriti në 700. Në shekullin e XVII-të në Stamboll, gjendeshin 302 banjo dhe hamame publike dhe bashkë me ato private numri arrinte në 15.000.

    Pohimet e udhëtarëve perëndimorë
    Pas shekullit të XVI-të, udhëtarët perëndimorë filluan të vizitonin më tepër vendet islame e më pas u botuan shumë libra me mbresat e tyre. Pierre Belon, që kishte vizituar tokat islame në vitin 1553, botoi një libër me mbresa e kujtime dhe në këtë libër gjendet një kapitull i veçantë për pastërtinë te muslimanët. Me hollësi tregon për banjot publike, çezmat, hamamet, kujdesin që tregohej për pastërtinë e fëmijëve, etj.
    Paolo Giovio, një udhëtar italian në librin e vet flet rreth ushtarëve muslimanë: "Ushtarët muslimanë janë të pastër dhe të shëndetshëm. Në Evropë, afër garnizoneve ushtarake nuk kalohet nga era e keqe, ndërsa te muslimanët ndodh e kundërta... Te ne jo vetëm, që ka papastërti por si pasojë, dhe sëmundjet janë shumë të përhapura, ndërsa këtu fytyrat e ushtarëve shkëlqejnë nga shëndeti..."
    Ndërsa një vizitor spanjoll flet si më poshtë: "Muslimanët thonë se ne evropianët jemi të papastër, por ata nuk e dinë se të lahesh është e dëmshme për shëndetin. Në Spanjë të pakët janë burrat e gratë, që lahen më tepër se 2 herë gjatë jetës. Është parë se larja e trupit i ka sëmurur shumë veta dhe për më tepër ne s`jemi mësuar me gjëra të tilla".
    Ky shrimtar spanjoll nuk është i vetmi që thotë se, larja është e dëmshme për shëndetin. Një tjetër shkrimtar, Gelot, në librin që botoi në 1680 shkruan: "Muslimanët vërtetë e egzagjerojnë punën e larjes, po të laheshin më pak pa dyshim që do të sëmureshin më pak. Për më tepër meqë lahen disa herë në ditë truri ju mbushet me ujë. Por nuk mund ta mohoj se banjot e muslimanëve janë shumë të pastra. Ata nuk i kryejnë nevojat si ne, në qoshe rrugësh e cepa muresh. Muslimanët vetë hanë në pjata të veçanta dhe maceve e qenve ju japin të hanë në pjata të veçanta. Ata nuk ju japin të hanë qenve nga pjatat e tyre dhe nxehen me këtë zakon tonin e disa na quajnë qenër...."
    Jean De Thevelot në vitin 1655 shkruan: "Në frëngjisht shprehja "je i fortë si musliman" nuk përdoret kot, pasi muslimanët janë të shëndetshëm, të fortë e të pastër, ata jetojnë gjatë e sëmuren pak".
    Dr. A.Brager në librin "New Anees a Constantinopole" botuar në 1836, shkruan: "Është vërtetë për t'u habitur me larjen dhe pastrimin te muslimanët. Në Paris gjenden vetëm disa banjo, që janë hapur disa vjet më parë ndërsa në Londër, Berlin e Vjenë nuk gjenden fare të tilla. Vërtetë që këto 50 vitet e fundit në Evropë po tregohet më tepër kujdes ndaj pastërtisë, por nuk i kemi arritur muslimanët, që prej qindra shekujsh jetojnë në pastërti. Sot, një qytetar evropian është më pak i kujdesshëm për pastërtinë e tij se një fshatar musliman. Të gjithë e dimë se sa qytet i pisët ka qenë Parisi para 80-100 vjetësh, ndërsa sot mburremi se kemi përparuar, por që të arrijmë nivelin e muslimanëve na duhen dhe minimumi 50 vjet".
    Historia është mësuesi më i mirë. Le të marrim mësim e shembull nga brezat e parë dhe le të zëmë një vend dinjitoz në botën e sotme.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Albin
    Anëtarësuar
    06-03-2004
    Vendndodhja
    ???
    Postime
    242
    Dobia e pastërtisë


    “Atë (Kur’anin) nuk mund ta prekin veçse të pastruarit.” (Vakia:79)
    “Allahu i do të penduarit dhe ata që pastrohen.” (Bekare:222)
    “Pastroje petkun, veshjen tënde.” (Mudethir:4)
    “Në qoftë se jeni të papastër, pastrohuni.” (Maide:6)
    --------------------------------------------------------------------------------

    Këto ajete tregojnë rëndësinë e pastërtisë trupore dhe shpirtërore, rëndësinë e të qenit gjithnjë të pastër. Perëndimorët nuk arritën ta kuptojnë për një kohë të gjatë faktin që Islami i jep shumë rëndësi pastërtisë. Në Spanjë u dënuan rëndë muslimanët të cilët merrnin abdes ose gusul. Me zbulimin e mikrobeve, ata kuptuan rëndësinë e pastërtisë dhe u treguan më të kujdesshëm. Megjithatë ne nuk arritëm t’i tregonim botës rëndësinë e kësaj pastërtie. Pejgamberi (a.s.) na urdhëron që të presim thonjtë, flokët t’i mbajmë të pastër dhe të kujdesemi për pastërtinë e jashtme. Kur Profeti (a.s.) iu drejtua Ebu Derda-së (njërit prej sahabeve), i tha kështu: “Kujdesu për pastërtinë, bëhu i pastër në mënyrë që të jetosh më gjatë”. Fotografitë e bëra kohët e fundit në një frekuencë të lartë, tregojnë sëmundjet që mund të prekin njerëzit dhe vërtetojnë zhvillimin e sëmundjeve kanceroze. Në fenë Islame, 5 namazet ditore falen të gjitha me abdes. Megjithëkëtë, Pejgamberi (a.s.) i këshillonte gjithnjë bashkëkohësit e tij për t’u pastruar pas kryerjes së nevojave personale si dhe për larjen e duarve para dhe pas buke. Rëndësia e pastërtisë është nënvizuar në shumë libra. Në një revistë franceze është folur rreth pastërtisë së duarve në artikullin me titull “Kujdes duarve të papastra”. Sipas disa kërkimeve shkencore të bëra në Japoni, Evropë dhe Amerikë, është vërtetuar se njerëzit që nuk lajnë duart mund të preken nga sëmundje vdekjeprurëse. Në librin e tij “Rreziqet e të ushqyerit”, Dr. Frederic Saldman, thotë: “Duart e pista janë shkak i vdekjes së njerëzve nga mikrobi prion”. Dr. Saldman thekson mospastrimin e disa njerëzve pas kryerjes së nevojave personale, moslarjen e duarve para dhe pas buke. Ai gjithashtu thekson faktin se vetëm prekja e dyerve të banjos mund të jetë e rrezikshme dhe mund të sjellë sëmundje tepër serioze. Për të provuar rëndësinë e pastërtisë, Dr. Saldman bëri një eksperiment shkencor në një shkollë fillore në Amerikë: Nga 300 nxënës që ndodheshin në shkollë 150 prej tyre u detyruan të lajnë duart 4 herë, para mësimit dhe pas tij, si dhe para dhe pas ngrënies. Ndërsa 150 nxënësit e tjerë u lanë të lirë. Si rezultat i këtij eksperimenti, u vu re një ulje prej 51 % në sëmundjet e organeve tretëse dhe 24 % në sëmundjet e frymëmarrjes. Për këtë arsye, shkrimi në revistën franceze “Le Nouvel Observeteur” fillon kështu: “Disa lopë edhe pse ne i quajmë “të sëmura” kanë arritur të kuptojnë rëndësinë e higjenës, po ne si njerëz çfarë po bëjmë? Në ditët e sotme po përhapet shumë ushqimi në këmbë dhe i shpejtë. Për këtë arsye,dalëngadalë po humbet edhe mendimi i larjes së duarve para buke.
    Çdo ditë arrijmë të kuptojmë bukurinë e fesë sonë, Islamit.

Tema të Ngjashme

  1. Pastertia e Muslimanit, Leksion per te tjeret!!
    Nga fisniku-student në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 113
    Postimi i Fundit: 13-06-2013, 04:58
  2. Pastërtia e gjuhës shqipe në media
    Nga murik në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 24-02-2007, 18:10
  3. Këndi im fetar
    Nga Zana e malit në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 165
    Postimi i Fundit: 21-05-2006, 16:20
  4. Përshëndetje nga.. pastërtia
    Nga sapun në forumin Prezantoni veten në forum
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 11-03-2004, 22:18
  5. Pastërtia e Gjuhës Shqipe
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-03-2003, 03:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •