Bler, e ardhmja e Europes dhe globalizmi
Analize


Autori i Lajmit:
Prof.Dr. Anastas Angjeli
(Britania e Madhe dhe lideri i saj, Kryeministri Toni Bler, jo vetem si drejtuese e radhes se BE-se gjate gjashtemujorit te dyte te ketij viti, por dhe si nje nga shtetet me te fuqishme te BE-se, po luajne nje rol te madh, te padiskutueshem per perspektivat e zhvillimeve te ardhshme te Europes ne kushtet e globalizmit dhe vecanerisht te zhvillimit te procesit te integrimit te vendeve te Europes Lindore dhe te Ballkanit Perendimor ne BE. Te gjitha keto jane shprehur dukshem gjate gjithe periudhes se drejtimit te BE-se nga Britania e Madhe dhe vecanerisht ato kane qene ne qender te vemendjes ne takimin e fundit joformal te kryetareve te delegacioneve shteteve apo te qeverive anetare te BE-se, te zhvilluar ne Hamton Court, ne 27 tetor 2005. Po cilat ishin arsyet kryesore qe e shtyne Toni Bler te merrte iniciativen e thirrjes se ketij samiti joformal te udheheqesve te shteteve anetare te BE-se? Padyshim qe zhvillimet e sotme globale dhe mbajtja parasysh ne zhvillimet e ardhshme te Europes perbenin thelbin e ceshtjes. Por, per kete kerkohet, ne cfare menyre, si, cfare politikash specifike duhen arritur, qe Europa te ece ne drejtimin e duhur ne vitin 2006 e ne vazhdim?

Se pari, per udheheqesin britanik eshte i domosdoshem, bashkimi i te gjithe vendeve te BE-se me idene se Europa do te vazhdoje te ece ne drejtimin e duhur me sukses ekonomikisht. Se dyti, duhet te caktohen dhe te jene ne nje ide te gjithe vendet anetare per fushat prioritare te aksioneve europiane dhe padyshim, se treti, pas kesaj dhe ne kete kontekst, te diskutohet e te miratohet edhe buxheti i BE-se ne mbledhjen e dhjetorit te ketij viti te Keshillit te Ministrave te BE-se.)

Zhvillimet globale dhe shqetesimet europiane

Zhvillimet e ardhshme ne drejtimin e duhur te BE-se dhe vazhdimi i procesit te integrimit te vendeve te tjera te Europes Juglindore ku ben pjese edhe vendi yne, nuk mund te mos mbajne parasysh zhvillimet dhe ndryshimet globale. Kjo padyshim perben nje shqetesim per vendet anetare te BE-se dhe atyre qe aspirojne per t'u anetaresuar ne te ne kete prag fundviti, ku ne te gjithe keto vende dhe ne vete BE-ne si institucion, pritet te zhvillohen diskutimet dhe miratimet e buxheteve per vitin 2006.

Natyrisht, qe Europa t'i permbahet idese se zhvillimeve globale te sotme, duhet t'i pergjigjet duke u zhvilluar ekonomikisht dhe per kete eshte e domosdoshme qe vete BE te beje nje analize reale te zhvillimeve globale konkuruese, duke mos lene jashte vemendjes ceshtje kaq te rendesishme, sic jane zhvillimet e sotme ekonomike ne Kine dhe Indi, sa e rendesishme eshte fakti qe sot Europa ka mbi 20 milione te papune, kush jane masat dhe politikat ekonomike e sociale qe duhet te ndiqen per zhvillimin ne te ardhmen, cfare tendencash do te kete zhvillimi i tregut europian te punes, kush do te jene studimet dhe drejtimet kryesore te politikave te zhvillimit, ne inovacionet dhe fushat e tjera, si do te vazhdoje kriza e naftes dhe si do te zhvillohet dhe kush eshte perspektiva e zhvillimit te energjise, naftes dhe gazit, kush do te jene zhvillimet e ardhshme demografike ne vendet anetare dhe ato kandidate dhe kush pritet te jete ndikimi i tyre, cfare ecurie do te kete vjetersia e punonjesve qe jane ne pune, per efekt te daljes ne pension kur kerkesat per pune sa vene e rriten, kush do te jete bilanci i ardhshem pune-jetese per popullesine etj.

Pikerisht per kete, ne samitin joformal te kryetareve te delegacioneve te shteteve anetare te BE-se, nen drejtimin e liderit britanik Toni Bler, u diskutuan disa drejtime kyesore te politikave te mundshme, te modelit social dhe te se ardhmes ekonomike, qe Europa te zhvillohet ne drejtimin e duhur, duke konsideruar dhe zhvillimet e sotme globale.

Se pari, nje vemendje e vecante ju kushtua kerkimeve, zhvillimit dhe inovacionit. Keto u vleresuan si nje element themelor i zhvillimeve te ardhshme europiane dhe prandaj u propozua dhe krijimi i nje Keshilli te Kerkimeve Europiane, i ngjashem me Fondacionin Kombetar Amerikan te Shkences. Ky Keshill u kerkua qe te kete nje suport financiar me me shume shpenzime ne buxhetin e vitit 2006, per te mbeshtetur me shume realizimin e projekteve te kerkimit, zhvillimit dhe teknollogjise.

Se dyti, fusha e energjise dhe zhvillimet energjitike kerkohet te mbeten nje prioritet dhe duhet zhvillur me tej politika e ardhshme e energjise. Tregu energjitik europian, marredheniet e tij me tregun jashtekomunitar, kerkesat e vendeve anetare per energji, barrierat rregullatore ne tregun e energjise, mundesite dhe perspektivat e energjise nukleare u diskutuan per te qene ne axhenden buxhetore europiane, me qellim qe Europa, te vazhdoje te zhvillohet si nje fuqi e madhe ekonomike dhe konkuruese.

Se treti, rritja e nivelit te edukimit, vecanerisht zhvillimi me perparesi i reformes universitare ne vendet e BE-se. Synimi kryesor i zhvillimit te ketij prioriteti mendohet te jete rritja e metejshme e kooperimit dhe bashkepunimit te partneritetit publik-privat, e universiteteve me biznesin, e botes akademike me zhvillimet e biznesit dhe te teknollogjise, per te ndikuar dukshem ne zhvillimet e ardhshme ekonomike europiane.

Se katerti, vemendje e kujdeshme iu kushtua ceshtjes se kontrollit te migracionit brenda vendeve te komunitetit dhe berjen sa me efektive dhe kompetitive te ketij migracioni ne funksion te zhvillimit te ekonomise europiane.

Se pesti, gjithashtu mendimet per progresin ne zhvillimet e sotme demografike, per ceshtjet e hapjes se vendeve te reja te punes e te bilancit pune-jetese, modernizimin e metejshem te sistemit te pensioneve dhe te sigurimeve sipas praktikave me te mira, zune nje vend te rendesishem ne samitin joformal te BE-se, si nje element i rendesishem i axhendes buxhetore te BE-se per 2006-en.

Se gjashti, ne kete samit u prezantua dhe idea e krijimit te Fondit te Globalizimit. Krijimi i nje fondi te tille konceptohet si nje fond qe duhet t'u vije ne ndihme njerezve per te perballuar efektet dhe impaktet e globalizimit, duke i perdorur keto fonde per ritrajnim, riaftesim, per te gjetur pune te reja (hapje te vendeve te reja te punes) gjithnje ne dobi te atyre qe humbasin vendet e punes, qe perbejne bazen per te jetuar. Kjo eshte konsideruar si thelbi i propozimit per politiken moderne te tregut europian te punes.

Se fundi, krahas zhvillimeve te ardhshme ekonomike europiane dhe kompetivitetit te saj, ne kete samit u diskutuan dhe ceshtjet e politikes dhe marredhenieve te jashtme te BE-se, vecanerisht marredheniet e BE-se me SHBA, Kinen, Indine, Rusine, Afriken, OBT-ne etj., vazhdimin e procesit te stabilizim-asociimit te vendeve te Europes Juglindore, negociatat me Kroacine dhe Turqine, si dhe ceshtjeve te sigurise dhe luftes kunder terrorizmit dhe krimit, kontrollit te kufijve dhe emigracionit ilegal, luftes ndaj trafiqeve, droges, etj,

Padyshim qe ceshtje te tilla kaq te rendesishme, te diskutuara ne kete samit joformal, si dhe problemet e tjera qe shqetesojne sot BE-ne i sherbejne reflektimit me te mire ne axhenden buxhetore europiane qe pritet te diskutohet dhe miratohet nga Keshilli i Ministrave te BE-se ne kete fundviti.

Refleksion, paralele me Shqiperine

Shqiperia, nje nga vendet e Europes Juglindore, pritet qe ne vitin 2006 te nenshkruaj Marreveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE. Ne kete kontekst, zhvillimet politike dhe ekonomike te saj nuk mund te behen jashte zhvillimeve globale dhe vecanerisht synimeve te zhvillimeve europiane. Ato do te behen ne perputhje me objektivat e parashikuara ne Marreveshjen e Stabizim-Asociimit, NATO-n, marreveshjet e tjera me institucionet ekonomike e financiare nderkombetare, si FMN, BB, BERZH dhe duke u mbeshtetur ne strategjine e zhvillimit ekonomik dhe social te Shqiperise. E te gjitha keto objektiva, politika, prioritete dhe interesa ekonomike e sociale te zhvillimit te vendit duhet te gjejne reflektim ne p/buxhetin e vitit 2006. Por cfare po ndodh ne fakt?

Se pari, megjithese eshte shpejt te gjykosh per qeverisjen aktuale, tashme ne prag te 100 diteve te saj po krijohet pershtypja se me shume angazhim dhe perpjekje ka nga ana e saj per te mbajtur ndonje premtim absurd te fushates elektorale, apo me shume kohe zene debatet per ceshtje te tilla, si "a kane xhama te zinj makinat apo jo", "a do t'u hiqen makinat deputeteve apo jo", "a eshte 29 nentori Dita e Clirimit apo jo", " a do te cbetonohet mbikalimi tek Zogu i Zi apo jo", "a do t'u demtohen bizneset nje liste biznesmenesh te selektuar, apo jo" etj, se sa zgjidhja e krizes energjitike qe ka pllakosur gjithe vendin, situatat e krijuara tejet emergjente nga rreshjet e debores ditet e fundit ne disa zona te vendit, apo reflektimi maksimal i politikave te zhvillimit te vendit ne projektbuxhetin e vitit 2006.

Se dyti, tashme eshte fakt qe vendi po kalon nje nga krizat me te renda energjitike (duke ia kaluar edhe asaj te vitit 2001), pasojat ekonomike e sociale te se ciles tashme jane te pranishme dhe mese te qarta. Kjo krize e con situaten energjitike ne vend dhe reformat ne kete sektor 4-5 vjet prapa. Kapercimi i saj kerkon rifillimin e zbatimit te strategjise se KESH-it dhe marrjen e masave te forta per vazhdimin e reformave ne kete sektor jetik te ekonomise, te cilat kryesisht konsistojne ne:

- vazhdimin e reformes strukturore ne sektorin energjitk dhe pergatitjen e pershpejtuar te procesit te privatizimit edhe ne kete sektor;

- kryerjen me perparesi te investimeve ne sektorin energjitik;

- realizimin e programit te mbledhjes se te ardhurave ne kete sektor nga abonentet private dhe ata shteterore;

- uljen e humbjeve ne rrjet;

- menaxhimin me efektivitet te rezervave hidrike ne liqenet e hidrocentraleve dhe sigurimin e harmonizuar me kete menaxhim dhe ne kohen e duhur te importeve per energji elektrike;

- vazhdimi me perparesi i sigurimit dhe perdorimit te burimeve alternative te energjise ne vendin tone;

- liberalizimin e metejshem te sektorit dhe tregut energjitik ne vend.

Se treti, situata ekonomike ne vend dhe perspektiva e saj gjate vitit te ardhshem pritet te qartesohet me sjelljen ne Parlament nga qeveria te p/buxhetit te vitit 2006, pasi ky perben dokumentin me te rendesishem financiar dhe juridik ku do te gjeje pasqyrim politika ekonomike, financiare dhe sociale e kesaj qeverie. Lidhur me kete ceshtje ajo qe konstatohet deri tani eshte se;

- Eshte shkelur afati ligjor (per here te pare pas vitit 1998) per hartimin, diskutimin dhe miratimin e p/buxhetit, pasi ai duhej te ishte derguar nga Qeveria ne Parlament me 20 nentor;

- ka nje mungese te plote te transparences per p/buxhetin e vitit 2006, duke dashur te kufizohet diskutimi i tij vetem ne dy jave qe i mbeten Parlamentit ne muajin dhjetor. Asnje publikim te treguesve kryesore te p/buxhetit nuk ka pasur deri tani, asnje debat, prezantim apo konsultim nuk eshte zhvilluar me faktoret sociale, me komunitetin e biznesit, me sindikatat e grupet e ndryshme shoqerore, institucionet shteterore dhe ato te pavarura, pushtetin lokal, etj;

- sic u be e qarte edhe ne deklaraten per shtyp te misionit te FMN para pak ditesh, "p/buxheti i vitit 2006 do te jete konservativ, 6-mujorin e pare Qeveria do te jete ne prove dhe nuk priten poplitika te reja fiskale", c'ka te le te kuptosh se ne kete p/buxhet nuk do te gjejne pasqyrim objektivat dhe targetet qe kane qene ne dy dokumente te rendesishme qe jane Stategjia e Zhvillimit Ekonomik e Social te vendit dhe Programi Buxhetor Afatmesem, te cilat po anashkalohen. Jo vetem kaq, por tashme eshte e qarte se premtimet e fushates elektorale te PD per pergjysmim te te gjitha taksave, per ulje dhe diferencim te TVSH-se, per nje sere lehtesish fiskale per bizneset e reja, per dyfishim te pagave ne arsim e shendetesi dhe ne administraten publike, per dyfishim te pensioneve ne qytet e ne fshat, per pensionet e ish-ushtarakeve dhe veteraneve dhe nje sere masash te tjera sociale, s'ishin gje tjeter vec nje demagogji dhe propaganda abuzive, pasojat e se ciles do te ndihen shume shpejt;

- duke shmangur dokumentet e mesiperme druaj se p/buxheti i vitit 2006 nuk do te fokusohet ne politikat prioritare te zhvillimit te vendit, ne infrastrukture dhe reformen ne arsim dhe shendetesi (reforme ne arsim nuk eshte ndryshimi i ligjit mbi arsimin e larte per t'u hequr te drejten universiteteve t'i zgjedhin vete drejtuesit dhe ata ate emerohen nga qeveria?!), ne rritjen e aksesit ne furnizimin me uje te pijshem ne disa masa me karakter social te domosdoshem, ne mbeshtetjen e politikave te zhvillimit e te punesimit (hapjen e vendeve te reja te punes), (kesaj po t'i shtojme dhe krizen energjitike dhe pasojat e saj), por ai do te shnderrohet ne buxhet konservativ i emergjencave me pasoja per stabilitetin makro-ekonomik dhe zhvillimin ekonomik dhe social te vendit,

- me ne fund ne kete p/buxhet duhen harmonizuar me mire politikat fiskale, monetare me ato buxhetore dhe te menaxhimit te borxhit te brendshem dhe te jashtem, jo vetem per te siguruar stabilitetin makroekonomik, vecanerisht mbajtjen nen kontroll te inflacionit dhe njeherazi te perfshihen masa te tilla qe te imponojne nje menaxhim efektiv te krizes energjitike dhe te politikes monetare, asaj te interesave, vecanerisht per bonot e thesarit, qe efektet negative te tyre (nga nje keqmenaxhim) te mos shnderohen ne efekte te tipit te krizes se skemave piramidale te tipit "Sudja".

Shqiperi gjate vitit 2006 pritet te nenshkruaje Marreveshjen e Asociim-Stabilizimit, prandaj dhe ne kete periudhe finale lipset qe diskutimet per p/buxhetin te jene me transparente, te respektohen prioritetet e zhvillimit te vendit bazuar ne dokumentet kryesore qe konvergojne ne objektivat e Marreveshjes se Stabilizim-Asociimit dhe te SKZHES-s, qe vendi te vazhdoje te eci ne kahen e duhur, ate te BE-se.

* Ish-minister i Ekonomise