E këtë rast, Komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, gjenerallejtënant Agim Çeku, tha se ky institucion tashmë e ka hartuar strategjinë e avancimit në një ushtri moderne dhe të integruar në NATO.

Në manifestim morën pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Xhyzepe Valoto, kryeministri Bajram Kosumi, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Lari Rosin, lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, e shumë personalitete të tjera të jetës politike e ushtarake të vendit.

Me parakalimin e kuadrateve nga Zonat Mbrojtëse të TMK-së, nga Komanda e Trajnimit dhe Doktrinës, Garda, Brigada e Xhenios, ajo e Logjistikës, e njësi të tjera të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, filloi manifestimi qendror për nder të festave të nëntorit, në Kazermën “Adem Jashari”, në kryeqytet.
Para ngritjes solemne të flamurit kombëtar, ato i përshëndeti komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Agim Çeku, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Xhyzepe Valoto. Çeku, së bashku me zëvendësin e tij, Sylejman Selimin dhe komandantin e Gardës, Nuredin Lushtakun, vunë kurora lulesh në obeliskun e të gjithë atyre që janë flijuar për lirinë e vendit.

“Në këtë nëntor, Kosova po hyn në procesin historik të definimit të statusit”, tha gjeneral Agim Çeku, ndërsa shprehu bindjen se statusi do të jetë në përputhje të plotë me aspiratat e popullit.

“Edhe TMK-ja në këtë fazë po hyn shumë e fortë, dhe këtë e mbështesim në sukseset e shumta që kemi arritur”, u shpreh Çeku, duke pohuar se tani kanë strategji të hartuar për avancim në ushtri moderne për mbrojtjen e Kosovës.

“TMK-ja tani po hyn në procesin e rëndësishëm politik me vizion të qartë për të ardhmen, me strategji të hartuar dhe plane konkrete se si të arrihet nga këtu deri te një ushtri moderne, të mjaftueshme për sigurinë e popullit, në bashkëpunim të mirë me fqinjët dhe e integruar plotësisht në NATO”, ka theksuar gjeneral Çeku.

Pjesëmarrësve në manifestim, më pas, iu drejtua kryeministri Bajram Kosumi. Ai tha se në vitin 2006 Kosova do të jetë shtet, dhe një ushtri mbrojtëse si partnere e denjë e NATO-s, është nevojë e domosdoshme e shoqërisë kosovare.

“Shtetin që ne duam ta ndërtojmë është shtet demokratik, evropian dhe me perspektivë ekonomike. Zhvillimet tona duam t’i bazojmë në vlerat moderne perëndimore. Edhe politikat tona ndaj bashkësive etnike pakicë janë mbështetur mbi vlerat e parimet evropiane. Shteti i Kosovës do të jetë shtet dhe atdhe për të gjithë qytetarët e vet”, tha kryeministri Kosumi.

Kurse, komandanti i KFOR-it, Xhyzepe Valoto, duke folur për sukseset e mëdha të TMK-së, tha se ky institucion është njëri nga faktorët kryesor të stabilitetit në Kosovë. “TMK-ja do të dijë të përmbushë çfarëdo roli që i ngarkohet, tani dhe në të ardhmen”, tha Valoto.


“Dëshiroj që këtu ta konfirmoj vlerësimin tim pozitiv për Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, institucion të cilin nuk hezitoj ta definoj si një nga faktorët thelbësor për stabilitetin e shoqërisë kosovare në rrugën e saj drejt progresit institucional, ekonomik dhe shoqëror”, ka theksuar Valoto.

Edhe lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, i cili foli në cilësinë e udhëheqësit politik të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shprehu bindjen se nga procesi i bisedimeve Kosova do të dalë si shtet i pavarur dhe sovran. “Vullneti i qytetarëve është i panegocueshëm dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë faktorët ndërkombëtar”, tha ai.

“Vullnetin e panegocueshëm të qytetarëve të Kosovës e ka nënshkruar vullneti i qytetarëve dhe lufta e komandantit legjendar Adem Jashari. Kosova si shtet i pavarur dhe Sovran e ka vendin aty ku kanë ëndërruar ata që për çlirimin dhe demokratizimin e saj, kanë dhënë e japin gjithçka, në kuadër të Bashkimit Evropian dhe integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Thaçi..

Manifestimin e përshëndeti edhe Bekim Jashari, në emër të familjes së Komandantit Legjendar dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ai porositi për më tepër unitet në këtë fazë të përcaktimit të statusit.

“Ne ende nuk e kemi përfunduar rrugën e lirisë. Jemi në rrugë të mirë të jetësimit të saj. Më shumë se kurrë na duhet afrimi me njëri-tjetrin. Ta nderojmë e respektojmë njëri-tjetrin që të na respektojnë e nderojnë të tjerët. T’i besojmë njëri-tjetrit që të na besojnë të tjerët. Të bëhemi bashkë e ta ndihmojmë vetveten në mënyrë që të na ndihmojnë të tjerët”, ka porositur zotëri Bekim Jashari.

Me rastin e festave të nëntorit, komandanti Agim Çeku, ka lavdëruar disa oficerë të TMK-së, për angazhim të jashtëzakonshëm në përmbushjen e standardit të tetë, për ngritjen dhe zhvillimin e Brigadës së Mbrojtjes Civile dhe batalionit Ceremonial të Gardës.