Kosova Lindore nuk duhet të harrohet dhe as të sakrifikohet



Shkruan: Prof. Dr. Esat Stavileci



Duke qenë të vetëdijshëm se popullata shqiptare në Kosovën Lindore po përballet me privimin e lirive dhe të të drejtave individuale dhe kombëtare, veçenarisht me mohimin e të drejtës që ajo vetë të vendosë për të ardhmen e vet dhe fatet e veta, forcat politike në Kosovën Lindore duhet t’i artikulojnë kërkesat e tyre dhe të paraqitën me “ një zë” para faktorit të brenshëm dhe atij ndërkombëtar.Autori i këtij shkrimi ishte i ftuar në një tryezë të organizuar, kohë më parë, mbi pozitën e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe ati pati mundësinë që të shprehet për udhën që do të duhen të ndiqnin forcat politike në Kosovën Lindore për të përmirësuar pozitën e tyre, sot për sot të nëpërkëmbur nga pushteti serb. Me at rast u shtrua nevoja që të hartohet një platformë që niset nga integrimet brendashqiptare. Një Këshill për Integrime Shqiptare në Kosovën Lindore, e sheh vetën si pjesë e përpjekjeve për ta vështruar, por edhe për ta shtruar, çështjen e Shqiptarëve të Kosovës Lindore vetëm si një segment të çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe pikësynim në programin e vet ka vënë zgjidhjen e drejtë a të plotë të çështjes shqiptare. Në Kosovën Lindore hetohen përplasje të brendshme të forcave politike shqiptare dhe përpjekje që secila prej tyre “ të luftojë për ta marrë primatin” dhe për “t’u prirë shqiptarëve “ të kësaj ane drejt realizimit të synimeve të tyre, një përpjekje që as nuk është e lehtë dhe as e pamundimshme për ta shndërruar në një realitet.



Ajo që do të duhej të bënin forcat politike shqiptare në Kosovën Lindore është rirreshtimi i tyre rreth një strategjie të përbashkët për të dalë politikisht të konsoliduar në paraqitjet për kauzën kombëtare, duke ofruar arsyeshmëri historike, politike, ekonomike, demografike, kombëtare, dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare përgjithësisht dhe të shqiptarëve në Kosovën Lindore, veçanërisht.



Është fakt i pamohueshëm se pozita e shqiptarëve në Kosovën Lindore është nëpërkëmbur prej pushtetit serb, kështu që shqiptarët vërtetë janë të privuar nga liritë dhe të drejtat individuale dh kombëtare, veçenarishtë nga e drejta për të vendos vetë për të ardhmen e tyre dhe fatet e tyre, një kërkesë që ata e kishin shfaqur edhe më herët, në proceset e shpërbërjes së ish Jugsllavisë, kur edhe kishin organizuar një referendum , më 1 e 2 mars 1992, me kërkesën për autonomi politike territoriale, me mundësinë e bashkimit me Kosovën, një kërkesë që përflitet pothuaj sa e sa herë që bëhet fjalë për pozitën e shqiptarëve në Kosovën Lindore, madje edhe tash kur pritet të bisedohet për statusin e Kosovës, kur çështja e saj është shkëputur nga tërsia dhe kur segmentet e tjetra të çështjes së pazgjidhur shqiptare ose injorohen ose sakrifikohen, në emër të kompromisit që bëjnë shqiptarët në këtë fazë të përcaktimit të vet politik.



Këshilli për Integrime Shqiptare porositë që Kosova Lindore nuk duhet as të harrohet dhe as të sakrifikohet dhe më duket se ky është kallëzuesi i përbashkët që duhet t i bashkojë forcat politike të Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës që të përfitojnë në kohën kur pritet që “guri të lëvizë prej vendit” dhe kur priten vendime për një periudhë më të gjatë kohore që, vetvetiu, pavarësisht nga kënaqësia ose paknaqësia që do të mund të kenë palët e interesuara dhe të apostrofuara ose të paapostrofuara në ato vendime, t’i bëjë ato “vendime historike”.



Shqiptarët po e rishkruajnë historinë e vet, e cila asnjëherë nuk u doli zot. Për më shumë, ajo u cungoi tërsinë territoriale dhe mu si produkt i atij copëtimi, u sajua çështja e Kosovës Lindore. Autori i këtij shkrimi u sugjeron forcave politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që të mos zhvillojnë garë të pandershme se kush do të jetë në krye të kërkesave që, vështruar nga koha në të cilën po diskutojmë për to, paraqiten si një proces i cili mund të zhvillohet dhe mund të ndodhë. Ai njëkohësisht sugjeron që të hartohet një plan i përbashkët. Forcat politike në Kosovën Lindore duhet t’ia caktojnë një qëllim vetes. Është qëllimi që i jep përmbajtje politikës. Do të realizojë qëllimin vetëm ajo forcë që di saktësisht se çka do. Mirpo, është me shumë rëndësi që qëllimi dhe realizimi i tij të korrespondojnë me mundësitë.



Prandaj, udha drejt qëllimit mund të ndahet edhe në etapa. Guri i themelit “ është vënë” dhe ai nuk guxon të lëvizë. Deklarimi për kërkesa është shumë më i lehtë sesa realizimi i tyre. Zotësia më e madhe që duhet të tregojnë forcat politike në Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë është që të kuptojnë realitetin që i rrethon dhe marrjen e një qëndrimi të drejtë në përputhje me të.

http://www.presheva.com/opinione/esa...ci-121105.html