Burg pa afat për prostitutën 34- vjeçare
Komshija e të pandehurës: Lironi Hamidenë, sepse s'mund t'i mbaj në shtëpi dy fëmijët e saj

Gjykatës i mbeten në derë dy fëmijët e prostitutës

TIRANË - Ndërsa nëna qëndronte në bankën e të akuzuarve, dy foshnjat e saj që nuk dinin çfarë bëhej prisnin pas dere ta shihnin tek lirohej nga prangat e policisë. Dy vajzat ishin ende shumë të vogla, njëra sapo kishte mbushur tre vjeç dhe tjetra nuk ishte me shumë se 18 muajshe. Vajza trevjeçe këndonte dhe herë pas herë hiqte nga trupi një bluzë që ia kishte veshur komshia. Ndërsa vajza e vogël mbante në gojë një copë misri të pjekur. Ajo që bërtiste në emër të tyre ishte komshia. Nëna e vajzave quhet Hamide Taka dhe ishte 34- vjeçe. Ajo është kapur nga policia tre ditë më parë në një prej hoteleve në Bulevardin Zogu i Parë. Akuzohet se ka kryer veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Gjykata pasi dëgjoi prokuroren Alma Muça që kërkoi burg pa afat dhe avokatin Enver Mema që kërkoi masë më të butë, vendosi ta dërgojë të pandehurën në burgun 313-të në pritje të fillimit të procesit gjyqësor. Por komshia nuk donte t'ia dinte se ajo priste të merrte nga gjykata vendimin me burg apo jo. Komshia që mbante dy foshnjat, bërtiste para policëve dhe u kërkonte atyre ndihmë për të dorëzuar fëmijët. Askush nuk e dëgjonte, por ajo bërtiste. Nuk donte të përmendte emrin, por tha se në rast se nuk e lënë të dorëzojë fëmijët tek nëna e tyre do t'i linte ata tek dera e sallës së gjyqit dhe do të largohej me vrap. Ankohej se nuk mund të mbante dot fëmijët e botës në shtëpi, pasi kishte të sajët. Megjithatë policia e ndaloi të kryente një veprim të tillë. Ata e larguan nga korridori i katit të tretë të gjykatës dhe i thanë të shkonte në shtëpi bashkë me fëmijët që nuk kuptonin se çfarë po ndodhte. Bashkë me Hamiden në sallën e gjyqit ishte i pandehur edhe pronari i hotelit, Gëzim Harizaj. Nga gjykata Harizaj mori si masë arresti atë me afat 15- ditor. Hamideja nuk e pranoi akuzën, por ajo i tha gjykatës se e ka kapur policia kot dhe se me pronarin e hotelit nuk ka bashkëpunuar asnjëherë për të ushtruar profesionin e prostitutës dhe më pas për të ndarë fitimet përgjysmë. Edhe pronari i hotelit tha se nuk e njeh të pandehurën dhe se ajo ka qenë kliente e hotelit si shumë të tjerë. E pandehura është shprehur se ka shkuar në hotel me një burrë 67 vjeç nga Përmeti dhe pastaj është larguar për në shtëpi. Ajo nuk pranoi se kryente prostitutën për të nxjerrë para.