Rikonfirmohet vullneti për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan të enjten, unanimisht, Rezolutën, përmes të cilës, konfirmohet vullneti i popullit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet referendumit dhe kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare përkrahje për realizimin e këtij vullneti. Duke theksuar se Rezoluta do të jetë baza juridike dhe politike për platformën negociuese, ata ofruan garanci për respektimin e të drejtave të pakicave si dhe stabilitet rajonal.
Shefi UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, vlerësoi të enjten në mbrëmje, se Rezoluta e sotme e Kuvendit të Kosovës që do të shërbejë si bazë për ndërtimin e platformës së ekipit të Kosovës në bisedimet për statusin, është një veprim i drejtë i Kuvendit të Kosovës dhe në pajtim me përgjegjësitë e tij.
Kryeministri Bajram Kosumi dhe ligjvënësit kosovarë të të dyja taborreve, pozitë dhe opozitë, konsiderojnë se Rezoluta që u miratua të enjten në Kuvendin e Kosovës më të cilën rikonfirmohet vullneti qytetar për pavarësi, ka qenë e domosdoshme për këtë situatë dhe si e tillë, thonë se nuk e pengon asnjë institucion ndërkombëtar.
Krijoni Kontakt