Promovohen dy libra të rëndësishëm shqiptarë në Londër

Fishta dhe Ali Këlcyra në Parlamentin Britanik

Nga Londra
Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare

Për vite me radhë komunizmi ndaloi leximin e veprës gjeniale të Fishtës, ndërsa për Ali Këlcyrën falsifikoi veprimtarinë e tij. Historitë e këtyre burrave janë dëgjuar në Parlamentin Britanik. Jo në një seancë dëgjimore për historinë e Shqipërisë, por në promovimin e dy librave kushtuar atyre me titujt “Lahuta e Malcisë” dhe “Ali Këlcyra Aristokrati Kuqezi”

Promovimi i “Lahutës së Malcisë” përkthyer nga Robert Elsie në anglisht, dhe libri “Ali Këlcyra Aristokrati Kuqezi” me autor Tanush Frashërin, në Dhomën e Komunave të Parlamentit Britanik u bë i mundur nga deputeti laborist John Austin, kryetar i shoqatës gjithëpartiake Shqipëri-Britani.

“Roli im në këtë mbrëmje ishte të bëja të mundur sigurimin e këtij ambienti. Por falënderimet e mia dhe padyshim të gjithë juve, shkojnë te drejtori i qendrës së Studimeve Shqiptare në Londër, studiuesi i palodhur Bejtulla Destani, i cili bëri të mundur publikim e këtyre dy librave”,- ka thënë John Austin. Ambasadori shqiptar në Londër, Kastriot Robo, e ka cilësuar botimin e këtyre librave si një punë e shkëlqyer e publicistëve I.B. Tauris në Angli, Çabej në Tiranë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Shqiptare në Londër. “Botimi i “Lahutës së Malcisë” një vepër e ndaluar nga komunizmi, tani që botohet në anglisht do të mbushë boshllëkun që ekziston në perëndim për literaturë shqiptare”,- tha Robo.

Te botosh per Kelcyren

“Ali Këlcyra është një figurë e rëndësishme politike shqiptare, shumë keq e njohur dhe pak e njohur”. Kështu Thotë Brikena Çabej, botuesja shqiptare e këtij libri, ndërsa rrëfen se në libër janë përfshirë shumë dokumente të panjohura, gjetur në arkivat italiane nga autori. Të gjitha këto dokumente hedhin dritë jo vetëm për këtë personazh të rëndësishëm, por mbi një grup të tërë rreth tij që kanë qenë me të vërtetë themeluesit e shtetit shqiptar.

“Sigurisht që një libër nuk mund ta bëjë rehabilitimin e një figure të tillë. Shpresoj që të fillojë të hapë rrugën, të japë një kontribut jo thjesht për të rehabilituar vetë Ali Këlcyrën, por edhe që të rishikohet historia e Shqipërisë”,- tha Çabej, ndërsa vijoi të tregojë një episod real mes saj dhe autorit të librit Tanush Frashëri. Ajo kujton se Frashëri përpara burgosjes nga diktatura ka qenë mësues historie kur ajo ishte studente. “Ditën që klasa ime kishte mësim me të, erdhën dhe e arrestuan në shkollë”,- thotë Çabej, e cila u kontaktua nga Frashëri për publikimin e librit të tij, pasi ai kishte lexuar botime të tjera historike dalë nga shtëpia botuese Çabej.

Flet Tanush Frashëri
“Kërkimet e mia në arkivat italiane”

Vepra kushtuar Ali Këlcyrës nga Tanush Frashëri për demokratin patriotin, figurën qendrore e Ballit Kombëtar për herë të parë tenton të sjellë përmes dokumentave arkivore të vërtetën rreth këtij njeriu. Qëllimi i autorit është sjellja e pinjollit të Këlcyrave, ndryshe nga ajo që është treguar më parë nga historianët e kuq të PPSH. “Jam përpjekur të shkruaj pa zemërim e me paanësi të them të vërtetën, pse e vërteta nuk fyen njeri, aq më tepër kur “Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër është një kriminel”- shkruan autori në hyrjen e librit duke cituar njëherësh Bertold Brehtin.

“Vendosa të merrem me këtë personazh pasi në shënimet e tija konstatova që ai ishte një figurë krejt e kundërt nga ajo që ishte pikturuar nga komunistët dhe historianët e kësaj partije” thotë Frashëri gjatë një bisede me Gazetën Shqiptare. Më tej ai ka rrëfyer për kërkimet e tija disa vjeçare në arkivat italiane duke bërë të mundur fotokopjimin e të gjitha dokumentave që kishin të bënin me Ali Këlcyrën. “Kam trazuar të gjitha dokumenat e ministrisë së jashtëme italiane që nga viti 1912 deri në 1949. Kam qënë i bindur se pa dokumenta në dorë nuk mund të shkruhej për një njeri, të cilin e kanë shpërfytyruar, e kanë nxirë, e kanë marrë dokumentin dhe i kanë bërë “operacion plastik”.

Bëhet fjalë për një protokoll që e kanë tundur për 50 vjet si një paçavure. Shpresoj që me këtë libër të kem nxjerrë në dritë të vërtetën me gjuhën e fakteve faksimileve publikuar në të” thotë Frashëri. Nga formimi akademik Ali Këlcyra ishte jurist, një jurist me prirje politike, pikëpamjet e të cilit kanë për bazament veprën e Didëroit “E drejta natyrore”, traktatin historiko-politik të Monteskjesë “Fryma e ligjeve” dhe posaçërisht traktatin politik “Mbi kontratën shoqërore” të Rusosë. Një figurë që kishte një vizion dialektik për vendosjen e demokracisë e shtetit të së drejtës, në përputhje me alternativat që shtronte praktika politike e statuore e vendit të tij.



Deputeti

“Do ta quaja një eveniment me rëndësi. Janë dy libra me të vërtetë dy libra të mrekullushëm të cilët nuk kanë qënë botuar më parë në anglisht” shprehet deputeti laburist John Austin. Duke vijuar më tej ai tha “Shqipëria për shumë njerëz është një vënd i largët dhe i panjohur. Nesë ne do ta njohim më shumë këtë vënd do të arrimë të kuptojmë më mirë kulturën e traditën”.Austin më pas ka folur rreth rëndësisë që ka literatura shqiptare e botuar në anglisht. Ai tha: “Shqipëria është pjesë e Europës, dhe të gjithë ne duam ta shikojmë Europën me Shqipërinë brënda saj.Mendoj se është një diçka shumë e mirë që ne vihemi në konkatk me literaturën dhe historinë e Shqipërisë”.

Kush është Ali Këlcyra

Ali Këlcyra u lind në Këlcyrë më 28 maj 1891. Mësimet e para i merr në vendlindje. Ndjek liceun “Gallata Saraj” në Stamboll. Studion në Mulqije, shkollë e lartë e shkencave politiko-administrative e ekonomike. Me shpërthimin e Luftës i Ballkanike kthehet në Këlcyrë, dhe shpallja e pavarësisë e gjen në atdhe. Gjatë ripushtimit të Jugut nga ushtritë greke largohet me muhaxhirët e tjerë në Vlorë. Në emër të tyre përshëndet Princ Vidin e princeshën Sofi që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara.

Lë atdheun dhe vendoset në San Demetrio Korone, tek arbëreshët e Italisë. Në 1915 vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë kohë kur përqafon idetë e socialdemokracisë, miqësohet me Avni Rustemin dhe shokun e betejave Stavro Vinjau.

Kthehet në atdhe një vit më pas dhe bashkë me Themistokli Gërmenjin e të tjerë, ndërmerr nismën e krijimit të çetave kombëtare shqiptare. Në 1918 kthehet sërish, shkon në Vlorë ku në një mbledhje të fshehtë themelohet organizata që u quajt “Mbrojtja Kombëtare”.

Komanda italiane e dëbon nga territoret nën administrimin e saj. Komitetet e MK-së kishin tashmë për qëllim organizimin e luftës së armatosur kundër italianëve që ndodheshin këtu për “mbrojtjen” nga ushtritë greke që ishin vendosur rreth kufirit. Merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, zgjidhet në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës dhe qysh në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”. Lëvizja e Qershorit shënon mërgimin e tij të parë larg atdheut për 15 vjet.

Në 1925 themelohet në Bari organizata BASHKOMB, ku zgjidhet në komitetin drejtues dhe sekretar i saj. Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshon një “Letër përdhuni” kundër tij për t’u hetuar nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e kryetarit të Republikës”.

Në Fletoren zyrtare botohet vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë.
Gjatë qëndrimit në Paris, Ali Këlcyra bën raporte për gjendjen në Shqipëri dhe për politikën profashiste të Mbretit Zog, duke shkruar në të përditshmet “Le Quotidien”, “Le Matin” etj.
Në 1939 bashkë me Mehdi Frashërin është në krye të Frontit të Rezistencës që kthehet në “Nacionalizma shqiptare. Balli Kombëtar”.

Në 1944 nga tribuna e Kongresit të Ballit Kombëtar shtron edhe një herë nevojën për t’u bërë thirrje komunistëve të heqin dorë nga lufta civile. Në këtë moment hedh idenë e krijimit të një Fronti Kombëtar për t’i bërë ballë luftës në dy krahë.
Në nëntor të atij viti, bashkë me familjen të hipur në një varkë mbërrijnë në Bari dhe dorëzohet me tjerë tek Aleatët. Mbyllet në kampin Santa Fara.