Gratë bëjnë punën e burrave dhe paguhen më pak. Diferenca e pagesës vjen vetëm për shkak të pabarazisë gjinore, sidomos në përzgjedhjen e hierarkisë së punëve.

Ky është një prej përfundimeve të raportit të analizës së politikave gjinore në Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës, mbështetur nga PNUD. Sipas të dhënave të një raporti të Bankës Botërore, mesatarisht një burrë paguhet 25 për qind më shumë sesa një femër.

DIFERENCAT

Meshkujt kanë paga më të larta se gratë në të gjithë sektorët, pasi kanë poste drejtuese dhe merren me tregti. Diferencat vihen re në sektorin publik, por më të theksuara janë në sektorin privat. Në sektorin shtetëror, në grupin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtuesve përqindja e burrave është gati sa dyfishi i përqindjes së grave. Edhe për sa i përket grupit të punëtorëve përsëri përqindja e burrave është gati dy herë më e lartë se e grave. Ndërkaq, pagesat mujore të meshkujve që janë të punësuar në sektorin privat rezultojnë disa herë më të larta se ato të femrave, që nuk mund të kapin poste drejtuese, nëse nuk bëhet fjalë për një biznes të tyren. Sipas të dhënave, në Shqipëri 73.3 për qind e meshkujve kanë pozicione drejtuese, çka bën që të ardhurat e tyre mujore të jenë më të larta se të femrave. Në sektorin e tregtisë ku dhe të ardhurat janë të mëdha, gratë janë të përfshira fare pak në krahasim me meshkujt. Vetëm 27.9 për qind e femrave në gjithë vendin merren me tregti. Vendet më të preferuara për gratë mbeten sektori i arsimit dhe i shëndetësisë, ku paga mesatare është 12 mijë e 800 lekë në muaj. Të dhënat e vitit 2004 kanë treguar se përqindja e grave të papuna është 5 për qind më e lartë se e meshkujve.

TREGU I PUNES DHE GRATE

Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është mjaft e ulët në krahasim me atë të burrave. Sipas INSTAT-it në vitet 2003 dhe 2004 pjesëmarrja e grave në tregun e punës ishte rreth 46 për qind kundrejt 70 për qind për burrat. Po kështu normat e papunësisë për gratë janë më të larta se ato të burrave. "Për vitin 2004 përqindja e grave të papuna është 17 për qind kundrejt 12 për qind për burrat. Edhe pse shifrat tregojnë për një pjesëmarrje të ulët të grave në forcat e punës dhe një nivel punësimi të ulët në krahasim me burrat, kjo nuk flet për mungesë të tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Tërheqja nga forcat e punës nënkupton shkuarjen drejt punëve shtëpiake të papaguara, por edhe drejt punës së zezë", thuhet në raport. Kjo do të thotë të ardhura më të pakta për gratë si dhe nxjerrjen e tyre jashtë skemave të sigurimeve shoqërore, duke thelluar më tej pabarazinë gjinore në këtë fushë.

25 per qind
Sipas të dhënave të një raporti të Bankës Botërore, mesatarisht një burrë paguhet 25 për qind më shumë sesa një femër, sidomos për sa i përket sektorit privat

17 per qind
është përqindja e grave të papuna, për vitin 2004, kundrejt 12 për qind të shifrës së burrave të papunë, po në të njëjtin vit, sipas të dhënave të INSTAT

27,9 per qind
e femrave në gjithë vendin merren me tregti, sepse vendet më të preferuara të punësimit për gratë mbeten sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë
38,3 per qind
është niveli i punësimit për gratë, në vitin 2004, po sipas të dhënave të INSTAT, ndërsa niveli i punësimit për burrat arrinte në 60.1 për qind


Ligji është i barabartë

Ligji në Shqipëri garanton pagesë të barabartë për punë të barabartë. Megjithatë, të ardhurat e burrave janë më të larta se ato të grave për shkak të pozicioneve më të larta që mbajnë ata në hierarkinë e drejtimit. Nga të dhënat del se sa më lart të ngjitesh në hierarkinë e drejtimit të ekonomisë dhe shoqërisë aq më pak gra gjenden atje. Po kështu edhe bizneset janë në dorë të burrave dhe vetëm 17 për qind e grave drejtojnë një ose më shumë biznese.

Gazeta Panorama