TAKIMI/ Presidenti grek do të pritet nga homologu Moisiu në një takim informal në fillim të javës tjetër
Alarm në Athinë, Papulias në Sarandë
Lindja e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan, shqetësimi që pritet të sjellë me vete kreu i shtetit grek
Skerdilajd ZAIMI
TIRANË - Presidenti i Republikës Alfred Moisiu pritet të zhvillojë në datën 1 nëntor në Sarandë një takim informal me homologun e tij grek Karolios Papulias. Burime zyrtare nga Presidenca njoftojnë se takimi në fjalë është një aktivitet që pason atë të pak kohëve më parë kur kreu i shtetit tonë u prit në Korfuz në një takim jozyrtar nga Presidenti i Greqisë. Tema zyrtare e bisedimeve do të jenë çështjet me ineteres dypalësh, pra, që kanë të bëjnë në mënyrë ekskluzive me të dyja shtetet tona. Megjithatë, vizita e Papuliasit në vendin tonë dhe zhvillimi i takimit me Presidentin e Republikës Alfred Moisiu vjen në një kohë dhe në një kontekst të ndezur rajonal si pasojë e hapjes zyrtare të bisedimeve ndërkombëtare për krijimin e shtetit të Kosovës. Madje edhe në vet shtetin fqinj, Greqi, media e shkruar dhe elektronike ka përcjellë me një interes të jashtëzakonshëm vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë çështje, duke trajtuar gjerësisht raportin e Greqisë me këto zhvillime dhe reflektimin e shtetit grek ndaj tyre. Është e qartë se tashmë gjeopolitika e Ballkanit ka ndryshuar ndjeshëm dhe në pak kohë duke shkaktuar, ashtu siç trajtohet në mediat greke, “alarm në instancat e larta të politikës së Athinës”, meqenëse pas më shumë se 92 vjetësh përfundimisht është prishur një vijë e plotë komunikimi ekonomik, politik dhe ushtarak, duke sanksionuar daljen e një faktori të ri në arenën ballkanike dhe atë ndërkombëtare. Rrjedhimisht krijimi i këtij realiteti pritet të jetë një nga temat qendrore të diskutimit mes dy presidentëve, pasi prapavija diplomatike rajonale ka rëndësinë e vet në procesin e gjatë dhe të vështirë të negociatave. Madje në këtë pikë Greqia është ndoshta i vetmi vend fqinj i yni, që ende nuk është shprehur qartë lidhur me vendimin e KS-së, po të mbahen parasysh pozicionimet e qarta të Sllovenisë dhe ish-Republikës Federative Jugosllave të Maqedonisë për pavarësinë e Kosovës. Nuk bëhet e ditur nëse një gjë e tillë do të hidhet për diksutim në takimin e 1 nëntorit, por gjithsesi pozicionimi i tanishëm i Greqisë do të ndikojë ndjeshëm në trajtimin e shumë çështjeve të tjera, që në të ardhmen e afërt do të kërkojnë një zgjidhje diplomatike.
PARAARDHËSI
Stefanopullos, një vizitë e hidhur në Tiranë
TIRANË - Vizita e parardhësit të Papuliasit, Konstantinos Stefanopullos, në Shqipëri, e zhvilluar në datën 18 tetor 2004 evidentoi edhe njëherë ndryshimin e pikëpamjeve politike lidhur me zgjidhjen e disa problemeve me karakter rajoanl. Konkretisht, nëse Moisiu ka kërkuar zgjidhjen në proces të “Çështjes çame”, homologu grek nga ana e tij ka mohuar vetë ekzistencën e këtij problemi si një ngjarje që i takon historisë. Ndërsa për sa i përket Kosovës, Stefanopullos ka deklaruar qartë se për Greqinë ka vlerë Rezoluta 1244 e OKB-së duke absolutizuar vlerën e aksiomës “standardet përpara statusit”. Me një fjalë, qëndrimi i kaluar grek i mëshonte përmbushjes së disa normave ndërkombëtare si kusht për negociimin e ndonjë statusi, pa përcaktuar se cili do të jetë ai. Në logjikë referimi konstant ndaj Rezolutës 1244 nëkupton dukshëm synimin se çdo ambicie e shqiptarëve të Kosovës duhet të gjejë zgjidhje dhe të kufizohet brenda juridiksionit dhe sovranitetit serb mbi krahinën.
Dita
Krijoni Kontakt