Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1

    Zbardhet mbledhja e Byrosë që zgjodhi pasardhësin e Enverit

    Dialogu i plotë më datë 13 prill 1985. Muho Asllani: Tiranës t’i vëmë emrin “Enver Hoxha”

    Eshtë 13 prilli i vitit 1985. Vetëm 2 ditë pas njoftimit zyrtar të vdekjes së Enver Hoxhës. Kanë mbaruar të gjitha ceremonitë. Kanë mbaruar edhe shumica e përlotjeve. Tani është koha për zgjedhjen e pasardhësit. Megjithëse ky i fundit nuk kishte më konkurrentë. Për një arsye ose tjetër, çuditërisht ata ose ishin vetëvrarë, ose ishin vrarë nga pushteti. Eshtë hera e para që Ramiz Alia drejton vetëm mbledhjen e Byrosë. Eshtë hera e parë që Enver Hoxha nuk është në krye të kësaj mbledhjeje. Gjithçka thuhet në atë mbledhje do të jetë ndryshimi ose mosndryshimi i viteve të ardhshme. Ndoshta është mbledhja më e çuditshme. Gazeta ka arritur të sigurojë nga persona që kanë jetuar momentet e mbledhjes, të gjithë dialogun dhe debatin. Dokumenti me transkriptimin e të gjithë mbledhjes hedh dritë mbi të gjitha enigmat e asaj kohe. Si u morën vendimet për të emërtuar me emrin e Enverit të gjithë institucionet. Kërkesat absurde për vendosjen e emrit të ish-diktatorit në të gjithë veprat dhe medaljet që jepte shteti. Krahasimi i Enverit me Skënderbeun dhe batutat mes Ramizit dhe anëtarëve të Byrosë. Kush janë njerëzit që kërkojnë menjëherë “mbushjen” e vendit vakant për sekretarë të parë dhe komplimentet e pafundme për Ramiz Alinë. Për disa numra me radhë gazeta do të zbardhë të plota të gjitha detajet e mbledhjes së parë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Pesë propozimet e Ramiz Alisë dhe kush është njeriu që tha emrin e Alisë për pasardhës të Enverit. Gjithçka ndodh në atë mbledhje është humoristike dhe tragjike. Batutat marrin trajtën e një skeçi. Sot, propozimi i Muho Asllanit për të ndryshuar emrin e kryeqytetit nga Tiranë në Enver Hoxha mund të duket qesharak, por në atë kohë vetëm një fjalë e ndante propozimin nga një realitet. Të gjithë pjesëmarrësit, përjashtuar disa që mbijetojnë edhe tani në politikë, nuk dinë çfarë të propozojnë. Janë njerëzit që kishin në dorë fatet e vendit, që vendosnin për të ardhmen. Janë njerëzit që vendosën rregullat për 50 vite në Shqipëri, që vendosën për ekonominë, mbrojtjen, diplomacinë. Janë ata që treguan se kush është e mira e kush është e keqja. Në këto kushte mendimi, propozimi për ndryshimin e emrit të kryeqytetit është vetëm një pjesë e vogël e propozimeve që e sollën Shqipërinë në vitet ‘90 si vendin më të varfër të kontinentit dhe me siguri që në atë kohë ky propozim nuk të sillte aspak buzëqeshje.

    PROCESVERBAL I MBLEDHJES SE BYROSE POLITIKE TE KQ TE PARTISE
    13 PRILL 1985, ORA 13:30

    Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH, në mbledhjen e datës 13 prill 1985, mori në shqyrtim:
    1.- Propozim për marrjen e një vendimi që të përjetësohet vepra e pavdekshme e shokut Enver Hoxha, sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
    2.- Çështje organizative.
    Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
    Marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, shokët: Adil Çarçani, Hajredin Çeliku, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Manush Myftiu, Moho Asllani, Pali Miska, Rita Marko, Simon Stefani, Besnik Bekteshi, Foto Çami, Llambi Gegprifti, Prokop Murra, Qirjako Mihali si dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, shoku Vangjel Çërrava.

    ZHVILLIMI I MBLEDHJES

    1. PROPOZIM PËR MARRJEN E NJE VENDIMI QE TE PERJETESOHET VEPRA E PAVDEKSHME E SHOKUT ENVER HOXHA, SEKRETAR I PARE I KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES TE SHQIPERISE
    SHOKU RAMIZ ALIA: Siç jeni njoftuar, pasdite do të bëhet mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë. Duke qenë se është e para mbledhje që bëhet pas vdekjes së shokut Enver unë mendoj që në këtë mbledhje të Plenumit të Komitetit Qendror ta quajmë mbledhje përkujtimore për të nderuar kujtimin dhe veprën e pavdekshme të shokut Enver Hoxha.
    Së pari, unë kam përgatitur një fjalim përkujtimor, aq sa ishte e mundur në këtë situatë hidhërimi të thellë që po kalojmë, që mendoj se duhet thënë në Plenum, sepse ne i kemi dhënë udhëzime tërë Partisë të mblidhet me këtë rast, prandaj është krejt logjike që në këtë mbledhje të Plenumit të bëhet një gjë e tillë.
    Së dyti: Kam mendimin që në këtë mbledhje të Plenumit të Komitetit Qendror duhet të marrim një vendim për të përjetësuar emrin dhe veprën e shokut Enver Hoxha.
    Në qoftë se jeni dakord në parim një herë për këto dy çështje, veçanërisht për çështjen e dytë, më lejoni t’jua paraqes edhe konkretisht mendimin tim. (të gjithë shokët janë dakord)
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë propozoj që në rendin e ditës të mbledhjes së Plenumit të Komitetit Qendror të vëmë edhe pikën “Çështje organizative: zgjedhja e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë”.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë, në qoftë se e gjykojmë se duhet bërë edhe zgjedhja e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë, këto tri çështje mund të jenë si rend dite për mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror.(Shokët shprehen dakord).
    Përsa i përket çështjes së përjetësimit të emrit dhe veprës së shokut Enver, natyrisht ne çdo gjë mund të bëjmë për shokun Enver dhe pak është, se vetë Shqipëria është vepër dhe monumenti më i madh i tij. Megjithatë, unë kam këto propozime, që me një pjesë të madhe të shokëve, në mënyrë të pjesshme ndoshta, i kam biseduar:
    Së pari, propozoj që të ngrihet përmendorja e shokut Enver në kryeqytetin e atdheut, Tiranë, si dhe në vendlindjen e tij, në qytetin e Gjirokastrës.
    Së dyti, propozoj që Universiteti i Tiranës të marrë emrin: Universiteti i Tiranës “Enver Hoxha”. Kjo më duket një gjë e goditur, se universiteti është qendra më e madhe kulturore shkencore te ne, qendër e përgatitjes së kuadrove të tërë vendit, një qendër e rëndësishme e rinisë, inteligjencës etj.
    Së treti, propozoj që Organizata e Pionierit të marrë emrin “Pionierët e Enverit”. Shokëve që janë më të vjetër këtu, u kujtohet se mbas çlirimit kemi pasur një këngë: “ne trimat e Enverit, me idealin në gji....” e të tjera. Të tërë e kemi parasysh sa dashuri të madhe kishte shoku Enver për brezin e ri dhe sa shumë e donin atë fëmijët.
    Së katërti, propozoj që Porti detar i Durrësit të marrë emrin porti detar “Enver Hoxha”. Përveç se është porti më i madh në vendin tonë, dihet që atje filloi lufta kundër okupatorëve fashistë italianë. Duke marrë emrin e udhëheqësit të lavdishëm të Partisë, shokut Enver Hoxha, ky port do të jetë gjithmonë një kështjellë e patundur e popullit tonë.
    Së pesti, propozoj që ndërmarrja bujqësore në qendër në Plasë në rrethin e Korçës të marrë emrin ndërmarrja bujqësore “Enver Hoxha”. Të tërë ne e dimë se si ka luftuar shoku Enver për përhapjen e përvojës së Plasës në drejtim të përqendrim-specializimit, bile këtu në Byro disa herë është ndeshur me Mehmet Shehun për këtë çështje. Mendoj që edhe si ndërmarrje ajo është e përparuar dhe besoj që gjithmonë do ta mbajë me nder këtë emër.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk kemi asnjë ndërmarrje bujqësore me emrin e shokut Enver.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Me emrin e shokut Enver keni rreth gjashtë kooperativa bujqësore, si për shembull, kooperativa e Zharrëzës në rrethin e Fierit e të tjera, ndërsa ndërmarrje bujqësore me këtë emër nuk kemi.
    Këto ishin pesë propozimet që kisha unë. Nuk e di ç’thonë shokët.
    SHOKU RITA MARKO: Mund të shtoj edhe një propozim tjetër?
    SHOKU RAMIZ ALIA: Po ne për këtë qëllim jemi mbledhur, që të diskutojmë.
    SHOKU RITA MARKO: Unë propozoj që, ashtu si kemi dekoratat e larta “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, të jetë edhe “Urdhri Enver Hoxha”.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë ta studiojmë.
    SHOKU HEKURAN ISAI: Ka një propozim tjetër nga shokët për të bërë shokun Enver Hero Kombëtar.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Për Hero Kombëtar nuk kemi ndonjë dekoratë të veçantë, se është dekorata “Hero i Popullit”, po ne shokun Enver do ta quajmë edhe hero Kombëtar, edhe udhëheqës legjendar.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Hero i Popullit, ajo është.
    SHOKU HEKURAN ISAI: Unë e bëra këtë propozim se kam dëgjuar se Skënderbeut i themi Hero Kombëtar.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe Enver Hoxhës do t’i themi Hero Kombëtar, bile siç e patë dhe në njoftimin e vdekjes, ne i thamë më tepër se Skënderbeut. Po kështu edhe sot në Plenum, në fjalën që do të mbaj do ta theksoj që në historinë e popullit tonë shoku Enver Hoxha zë vendin kryesor, si figura më e madhe e kombit shqiptar, domethënë qëndron mbi Skënderbeun e mbi këdo tjetër.
    SHOKU MANUSH MYFTIU: Skënderbeu luftoi 25 vjet ...
    SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk është puna se luftoi 25 vjet, po Skënderbeu ishte patriot i madh, kurse Enver Hoxha ishte jo vetëm një patriot e një luftëtar i madh për liri e pavarësi, por ishte dhe për transformimin shoqëror, pra për komunizmin.
    SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Për kombinatin e autotraktorëve “Enver Hoxha” ka pasur gjithnjë mendime të ngrihet një përmendore e shokut Enver. Unë nisem nga ajo që kombinati i tekstileve “Stalin” e ka përmendoren e Stalinit.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Këtu bëhet fjalë për përmendore në shkallë kombëtare, jo për qendra pune.
    Kur themi të ngrihet përmendorja e shokut Enver në Tiranë, më vonë do ta diskutojmë se ku do të vihet, tani nuk mundet ta mendojmë, por fundi i fundit, po të jetë për mua, unë e vendos aty ku do të vendosej Monumenti i Lirisë. Në të njëjtin shesh të jenë Skënderbeu dhe Enver Hoxha.
    SHOKU SIMON STEFANI: Më mirë se atje s’ka.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Këto propozime janë shumë të mira dhe me vend. Mendime për t’i dhënë emrin e shokut Enver ka edhe për lagjen ku është themeluar Partia.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Për Portin e Durrësit, desha ta bisedoja dhe me Muhon, po nuk e gjeta, kështu që e bëra këtu propozimin, por po të ketë ndonjë gjë, Muhoja le ta thotë.
    SHOKU MUHO ASLLANI: Jo s’kam gjë.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Ndërsa për lagjen “8 Nëntori”, ku është themeluar Partia, bisedova me Foton dhe ai jep si argument që ajo është një lagje si gjithë të tjerat. Qyteti i Tiranës ka gjithsej 10 lagje dhe si ndarje administrative pak ndryshojnë. Ndonjë peshë nuk është, edhe fundi i fundit lagjet mund të krijohen dhe të emërtohen me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit popullor të Rrethit, pra as me vendim të qeverisë, as të Presidiumit.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në këtë lagje mbase më vonë e prek edhe plani rregullues.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj mendoj ta lëmë një herë dhe në qoftë se më vonë gjykohet për ta bërë një gjë të tillë, gjejmë raste të tjera përvjetori.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Të pesë propozimet që u bënë këtu janë të një shkalle më të lartë.
    SHOKU FOTO ÇAMI: Ato janë më me peshë.
    SHOKU MUHO ASLLANI: Unë propozoj që Tiranës t’i jepet emri “Enver Hoxha”.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, kjo nuk vete, se e para e punës në gjuhën tonë është e vështirë të bëhet lidhja e emrave të qyteteve me të njerëzve, siç e kanë disa vende të botës që u vënë një “gradë” prapa. Të themi “Tirana e Enver Hoxhës” nuk shkon, se ne po themi që e tërë Shqipëria është e Enver Hoxhës.
    SHOKU SIMON STEFANI: Mendoj se mirë janë këto që u propozuan.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Në një grup shokësh që biseduam për këtë problem, patëm në mend edhe punën e qyteteve, por siç e thashë nuk vete.
    Atëherë shokë, jeni dakord që t’ia paraqesim Plenumit këto propozime në emër të Byrosë Politike?
    ( Të gjithë shprehen dakord)...

    Fatos Veliu - Panorama

    ******

    Koço Devole nuk duhet t'i marr te gjitha kreditet vete, se materialet i paska patur gati
    Ndryshuar për herë të fundit nga shigjeta : 25-10-2005 më 18:21
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  2. #2
    vijon nga numri i kaluar

    Megjithëse në sytë e të gjithë shqiptarëve dukeshin njerëzit më të mërzitur nga humbja e Enverit, Byroja Politike e vitit 1985 gjeti kohën që vetëm disa orë pas vdekjes së tij të zgjidhte “nxitimthi” edhe pasardhësin. Ishte Adil Çarçani, njeriu që drekën e 13 prillit, gjatë kohës që rreth trupit të ish-diktatorit po bëheshin homazhe, ai propozoi që pasardhësi i diktaturës të ishte Ramiz Alia. Në dokumentin sekret që po zbardhet për herë të parë nga gazeta pas 20 vitesh, duket qartë se të gjitha ishin gatuar mirë që para se Enveri të ndërronte jetë. Mënyra e diskutimit dhe shpejtësia e zëvendësimit e tregojnë qartë këtë. Sot gazeta do të zbardhë të detajuar të gjithë dialogët para propozimit të emrit të pasardhësit dhe lavdet që i bëjnë atij anëtarët e Byrosë. Kush është i vetmi debat mes Rita Markos dhe Adil Çarçanit për rendin e ditës dhe fillimi i fjalimeve pro Ramizit. Në Byro asnjë nuk e kundërshtoi vazhdimësinë e diktaturës. Në të kundërt ata zgjodhën pasardhësin e saj. Fjalimet e tyre për begati dhe zhvillim ekonomik, ashtu siç ka porositur Enveri, përbënin kontrastin më të madh me njerëzit fukarenj, të veshur keq që bënin homazhe mbi trupin e tij.

    Në fund, mbasi të mbaroj fjalimin, unë mund të vij në vend dhe në emër të Byrosë Politike, t’i paraqes Plenumit, si vazhdim të fjalës përkujtimore, propozimet për përjetësimin e emrit dhe veprës së shokut Enver Hoxha. I hedhim në votë dhe mbasi të bëhet miratimi i tyre, ndonjë nga ju mundet të dalë në podium e të paraqesë propozimin e Byrosë Politike për zgjedhjen e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH.
    SHOKU RITA MARKO: Unë mendoj që mbledhjen e Plenumit përkujtimor ta bëjmë me rend dite. Në statut e kemi dhe është normale. Ngriheni ju dhe në emër të Byrosë Politike propozoni rendin e ditës me të gjitha propozimet që do të thuhen.
    SHOKU ADIL ÇAR-ÇANI: Një pikë e rendit të ditës do të jetë: Çështje organizative.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja organizative do të thuhet. Të kuptohemi, nuk e kam se do ta lëmë pa këtë, por formulimin e rendit të ditës mendoj ta bëjë në fund shoku Vaskë.
    SHOKU RITA MARKO: Po ta themi në njëherë, pastaj le ta formulojë shoku Vaskë.
    SHOQJA LENKA ÇU-KO: Po pse ta propozojmë ne rendin e ditës? Shoku Vaskë le ta shkruajë në procesverbal që u mblodh Byroja Politike dhe Plenumi i Komitetit Qendror me këtë rend dite.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Mund të bëhet dhe ashtu siç propozon shoku Rita.
    SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu, drejt është.
    SHOKU RITA MARKO: Eshtë rregull organizativ që e përmban edhe Statuti i Partisë.
    SHOQJA LENKA ÇUKO: Nuk shkelet ndonjë rregull, mendoj unë, në qoftë se ne nuk propozojmë rendin e ditës.
    SHOKU MANUSH MYFTIU: Ajo që ka rëndësi është që ne ta vendosim këtu, kjo është kryesorja në thelb, pastaj e caktojmë si do të bëhet dhe ndjekim atë procedurë që thotë shoku Ramiz.
    SHOKU FOTO ÇAMI: Nuk ka ndonjë problem rendi i ditës, mendoj unë.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të bëhet shumë mirë ashtu siç tha shoku Ramiz. Nuk prishet ndonjë rregull, se çdo rregull ka dhe përjashtim. Në këtë rast mua më duket se me rëndësi më të madhe dhe kryesore është çështja e atyre që themi, që theksoi shoku Ramiz, të cilat kanë anën e tyre politike. Dhe kjo patjetër ka rëndësi shumë të madhe.
    SHOKU RITA MARKO: Partia është ndërtuar në bazë të disa rregullave organizative.
    SHOKU ADIL ÇAR-ÇANI: Po ne nuk po i shkelim ato rregulla, shoku Rita.
    SHOQJA LENKA ÇUKO: Shoku Ramiz e tha në fillim që mbledhja e sotme e Plenumit do të jetë mbledhje përkujtimore për të nderuar kujtimin dhe veprën e pavdekshme të shokut Enver. Ky është rendi i ditës. Më mirë drejt në temë.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk prish ndonjë gjë. Duke u nisur dhe nga momenti, të mos e bëjmë shumë të ngurtë them unë.
    SHOKU SIMON STEFANI: Del një çikë si spontane pastaj. Pse mos t’ia themi Komitetit Qendror?
    SHOKU FOTO ÇAMI: Të themi që kemi këtë çështje në fillim, pastaj kemi dhe një çështje tjetër.
    SHOKU SIMON STEFANI: Pse të themi kemi edhe një çështje tjetër? Ta themi; çështje organizative. Drejt e ka shoku Rita.
    SHOKU ADIL ÇAR-ÇANI: Po mirë.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, dakord, e bëjmë me rend dite.
    2. ÇESHTJE ORGANIZATIVE
    SHOKU ADIL ÇAR-ÇANI: Unë kam propozimin lidhur me zgjedhjen e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Propozoj si Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, shokun Ramiz Alia.
    Ne të gjithë e njohim shokun Ramiz si komunist dhe luftëtar të orëve të para, si një nga bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët më të ngushtë e më të shquar të shokut Enver. Gjatë luftës për çlirimin e vendit, megjithëse në moshë shumë të re, shoku Ramiz ka përballuar me sukses detyra të rëndësishme politike-ushtarake në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare deri në komisar divizioni.
    Mbas çlirimit shoku Ramiz është ngarkuar me detyra me shumë përgjegjësi në Parti, në rini dhe në shtet, duke qenë për një kohë të gjatë anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, duke drejtuar sektorin e propagandës së Partisë dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm, gjithnjë afër shokut Enver, duke zbatuar me besnikëri mësimet dhe porositë e tij.
    Shoku Ramiz ka punuar me vetëmohime, zotësi dhe principalitet të lartë, ka fituar gjithnjë besimin dhe respektin e madh të të gjithë Partisë dhe të popullit tonë.
    Jam i sigurt dhe i bindur se Plenumi i Komitetit Qendror do të miratojë njëzëri këtë propozim dhe se Partia dhe populli ynë, nën udhëheqjen e Komitetit Qendror, do të miratojë njëzëri këtë propozim dhe se Partia dhe populli ynë, nën udhëheqjen e komitetit Qendror, do të ecin gjithnjë përpara, drejt sukseseve dhe arritjeve të reja, në rrugën e ndritur të Partisë dhe me mësimet e shokut Enver në zemër, për ta bërë Shqipërinë tonë të dashur edhe më të zhvilluar e të begatë, më të fortë e gjithnjë kala dhe kopsht të lulëzuar, siç e donte e na ka lënë porosi i shtrenjti ynë, i pavdekshmi, shoku Enver Hoxha.
    SHOKU RITA MARKO: Edhe unë jam i një mendimi me propozimin e shokut Adil që të aprovojmë për Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, shokun Ramiz Alia.
    Shoku Ramiz është një nga shokët e provuar në udhëheqjen e Partisë, shok i ngushtë dhe shumë besnik, bashkëpunëtor e bashkëluftëtar i shokut Enver. Në të gjithë veprën e shokut Enver ne shikojmë bashkëpunimin, këshillat që i ka dhënë shoku Enver shokut Ramiz dhe besnikërinë me të cilën i ka zbatuar ato shoku Ramiz.
    Shoku Ramiz, pa përmendur ato që thotë shoku Adil, si udhëheqës i Partisë, i ka të gjitha aftësitë politike, ideologjike, organizative dhe drejtuese që ta udhëheqë Komitetin Qendror të Partisë në detyrat që do të kemi dhe do të vazhdojnë në të ardhmen për të pasur vazhdimësi në veprën e madhe të shokut Enver.
    Shoku Ramiz është një udhëheqës i rritur dhe i afirmuar nën kujdesin e shokut Enver. Kam mendimin se jo vetëm Komiteti Qendror, po dhe tërë populli do ta presë mirë këtë propozim. Shoku Ramiz është njeri tepër energjik dhe me merak për punën, di të ngrihet në detyrat më të mëdha dhe të ulet deri në çështjet më të rëndësishme, nga ky mund të nxirren mësime për detyrat më të mëdha. Këtë e them si nga puna që kemi parë këtu në Komitetin Qendror, po dhe rruga që ka bërë shoku Ramiz është rruga e një aktivisti, e një revolucionari të masave. Duke zgjedhur shokun Ramiz, Sekretar të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, unë edhe njëherë shpreh besimin se vepra shumë e madhe që ka krijuar shoku Enver do të ketë jo vetëm vazhdimësi, por edhe garanci. E tërë Partia është garanci për këtë, po dhe vetë shoku Ramiz.
    Humbja e shokut Enver, natyrisht është shumë e madhe për të gjithë ne. Ne do të punojmë të gjithë si kolektiv, do të mbështesim shokun Ramiz dhe shokët e tjerë, që t’i qëndrojmë besnik mësimeve të shokut Enver.
    Unë jam dakord me këtë propozim dhe angazhohem para Byrosë Politike se do të punoj sa më shumë deri në frymën e fundit...
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #3
    vijon...

    Asnjë vërejtje, asnjë keqardhje. Të gjithë në unison, anëtarë të Byrosë vetëm lavdërojnë veprimet dhe jetën e Ramiz Alisë. Atë drekë të 13 prillit 1985, gjithçka ishte gatuar në perfeksion. Ramiz Alia do të ishte pasardhësi. Ai vetëm nuk kishte asnjë pikë dyshimi për këtë dhe të gjithë anëtarët e tjerë nuk dyshuan asnjëherë. Janë rreth 10 bura e gra që morën fjalën njëri pas tjetrit për të thënë të njëjtën gjë. Për të lavdëruar në të njëjtën mënyrë jetën dhe veprën e Ramiz Alisë. Duke lexuar faqet e dokumentit ekskluziv të mbledhjes së Byrosë më 13 prill 1985, nuk të bie në sy se vetëm dy ditë më parë njëshi i partisë ka vdekur. Duket sikur gjithçka është bërë gati për një zëvendësim normal të njëshit të diktaturës. Gazeta në materialet që po boton sot për herë të parë do të tregojë pikërisht këtë servilizëm masiv ndaj Ramiz Alisë. Në këtë mbledhje duket qartë se ata që vendosin për fatet e vendit ishin të gjithë nën vasalitetin e Ramiz Alisë. Asnjë nuk guxon të thotë qoftë edhe një fjalë të keqe. Kjo nënkupton që të gjitha vendimet e kohës kur në krye të diktaturës ishte Ramiz Alia ishin nën mbikëqyrjen e tij të plotë. Dialogët servilë të mbledhjes tregojnë se asnjërit prej anëtarëve të Byrosë nuk do t’i shkonte ndër mend të kundërshtonte njëshin e partisë. Sot do të botojmë pjesë të shkurtuara të disa prej këtyre lavdërimeve. Gazeta po i shkurton sepse janë të gjitha në të njëjtën linjë. Për ata, Ramiz Alia ishte “zoti” i ri.

    SHOKU PALI MISKA: Jam plotësisht dakord me propozimin e shokut Adil Çarçani. Shoku Ramiz është një udhëheqës i përgatitur në zjarrin e luftës së madhe që bëri populli ynë i inkuadruar në ushtrinë nacionalçlirimtare të udhëhequr nga shoku Enver...
    ...Shoku Ramiz është një udhëheqës i përgatitur në zjarrin e luftës dhëmb për dhëmb që ka bërë partia jonë me armiqtë e jashtëm e të brendshëm, krah për krah shokut Enver Hoxha, një nga besnikët më të lavdishëm të Partisë sonë. Ne e kemi parë shokun Ramiz shumë të ri por shumë të pjekur, që shoku Enver e ka vlerësuar, i ka marrë mendim për probleme të rëndësishme të luftës së Partisë sonë kundër revizionimit, kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm dhe mendimi që ka paraqitur shoku Ramiz është vënë në zbatim...
    ...Shoku Ramiz duke qenë një nga udhëheqësit më besnikë dhe i përgatitur i ka të gjitha cilësitë dhe aftësitë që nën udhëheqjen dhe dritën e mësimeve të shokut Enver, bashkë me shokët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror ta çojë vendin tonë përpara, ashtu siç e ka dashur shoku Enver...
    ...Duke pasur në krye të Komitetit Qendror të Partisë sonë shokun Ramiz ne me siguri do ta çojmë përpara veprën e shokut Enver. Unë angazhohem se do t’i qëndroj besnik vijës së partisë, mësimeve të shokut Enver dhe në bazë të tyre do të punoj e do të luftoj tërë jetën time si ushtar i Partisë.
    SHOKU MANUSH MYFTIU: ...Propozimi për zgjedhjen e shokut Ramiz sekretar të parë të Komitetit Qendror të Partisë është i natyrshëm dhe i drejtë. Eshtë bindja e të gjithëve, jo vetëm e jona, po dhe e popullit tonë. Vetë puna që ka bërë shoku Ramiz, vendosmëria dhe devotshmëria e tij për partinë, që në moshë fare të re, në luftën nacionalçlirimtare, të gjithë luftën për ndërtimin e socializmit, në udhëheqje të rinisë sonë të mrekullueshme, lufta në sektorët e ndryshëm ku e ka caktuar Partia brenda vendit dhe lufta jashtë vendit kundër revizionizmit hrushovian, ku ai ka përfaqësuar denjësisht partinë tonë, e kanë formuar tashmë personalitetin e tij si udhëheqës i Partisë dhe i popullit tonë, si një zëvendës besnik i shokut Enver.
    SHOKU HEKURAN ISAI:
    ...Shoku Ramiz siç thanë dhe shokët ka qenë dhe është një nga luftëtarët më të shquar për të vënë në jetë mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, pjesëmarrës aktiv i të gjithave luftërave që ka zhvilluar Partia, që nga lufta nacionalçlirimtare, në luftën e ashpër të klasave, në luftën e armiqve të brendshëm e të jashtëm, në luftën kundër revizionizmit, në luftën për të ndihmuar lëvizjen komuniste marksiste-leniniste, në luftën për edukimin e masave dhe të kuadrove gjithnjë në bazë të mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver. Në të gjithë këtë luftë të ashpër, siç thanë dhe shokët shoku Ramiz është dalluar si një nga bashkëluftëtarët e ngushtë të shokut Enver Hoxha. Ne jemi dëshmitarë të vlerësimeve që i bënte gjithnjë shoku Enver dhe Partia Punës shokut Ramiz...
    SHOQJA LENKA ÇUKO:...Të gjithë i njohim punën dhe luftën që ka kryer shoku Ramiz, vlerësimet që i ka bërë Partia dhe shoku Enver. Shoku Ramiz është një shok i sprovuar në luftën që ka bërë Partia jonë për çlirimin e vendit, në luftën që ka bërë Partia jonë për zbatimin e mësimeve të marksizëm-leninizmit, kundër revizionizmit, social-imperializmit dhe armiqve të tjerë të brendshëm dhe të jashtëm, një bashkëpunëtor i ngushtë i shokut Enver...
    ...Unë angazhohem se në detyrën që më ka ngarkuar Partia do të punoj me të gjitha mundësitë mendore e fizike që të vë në zbatim me konsekuencë mësimet e Partisë dhe të shokut Enver.
    SHOKU SIMON STEFANI:...Natyrisht, me vdekjen e shokut Enver neve na u krijua një boshllëk, por unë jam i mendimit se me zgjedhjen e shokut Ramiz sekretar të parë të Komitetit Qendror të Partisë dhe me punën e madhe që do të bëjë partia, ne do ta plotësojmë këtë boshllëk; punën e Partisë, ndërtimin e socializmit do t’i çojmë akoma më përpara dhe armiqve do t’u tregojmë vendin.
    Siç e thanë shokët ky nuk është vetëm mendimi ynë, po dhe opinioni i partisë dhe i popullit e pret një propozim të tillë....
    SHOKU RAMIZ ALIA: Sikur ta mbyllim këtë çështje tani.
    SHOKU FOTO ÇAMI: Kemi dëshirë të flasim edhe ne shoku Ramiz.
    SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Duam të themi edhe ne mendimin tonë.
    SHOKU ADIL ÇARÇANI: Le të vazhdojmë shoku Ramiz.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, mirë.
    SHOKU FOTO ÇAMI: ...Me shokun Ramiz kam qenë në një brigadë, kemi punuar në organizatën e rinisë, gjithashtu kam punuar për një kohë të gjatë nën drejtimin e tij në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Shokun Ramiz e kam njohur në shumë momente, po sidomos në momente tepër kritike për jetën e Partisë, në kthesa të mëdha historike ku varej fati i vendit, fati i partisë. Dhe të them të drejtën në të gjithë këtë periudhë të gjatë historike shoku Ramiz është shquar gjithnjë si një udhëheqës i denjë i Partisë së Punës së Shqipërisë, i pjekur, i qartë politikisht dhe ideologjikisht parimor, i drejtë, nxënës e vazhdues besnik i shokut Enver, zbatues konsekuent i mësimeve dhe porosive të tij....
    ...Përshtypje të madhe më ka bërë sidomos në luftën kundër revizionizmit modern, që përbën një epokë të madhe në jetën e Partisë sonë. Në zbatim të mësimeve e porosive të shokut Enver, shoku Ramiz ka bërë një luftë të vendosur ideologjike, parimore, të argumentuar, bindëse, që tregonte për pjekurinë e tij të lartë, për besnikërinë e tij ndaj marksizëm-leninizmit, ndaj vijës së partisë, ndaj mësimeve të shokut Enver....
    SHOKU QIRJAKO MIHALI: Duke shprehur mendimin tonë për zgjedhjen e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë mbase ju vëmë një çikë në pozitë shoku Ramiz dhe juve me siguri ju vjen rëndë, po në këto momente, kur bashkë me hidhërimin kemi edhe përgjegjësi të madhe si shokë të Byrosë Politike për të dhënë mendimin se kush duhet të jetë në krye të Partisë për ta udhëhequr atë, sigurisht që duhet të themi dhe mendimet tona. Kam mendimin se në krye të Partisë duhet të vihet shoku që ka më shumë njohuri të marksizëm-leninizmit, që ka përvojë më të madhe në drejtimin ekonomik të vendit si dhe në politikën e jashtme që duhet të ndjekë vendi ynë në të ardhmen. Unë mendoj se të tria këto momente janë të rëndësishme dhe duhet t’i kemi mirë parasysh në dhënien e mendimit tonë. Unë bashkohem me mendimin e shokëve se duke pasur këto cilësi, shoku Ramiz duke qenë në krye të Partisë si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë, do të na udhëheqë në rrugë të drejtë, sipas vijës së Partisë dhe mësimeve të shokut Enver....
    SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Humbja e shokut Enver është me të vërtetë e madhe, por me propozimin e shokëve për të zgjedhur në krye të Partisë shokun Ramiz plotësojmë njëkohësisht edhe amanetin e shokut Enver, plotësojmë jo vetëm dëshirën tonë, por edhe atë të të gjithë popullit. Me në krye shokun Ramiz, Partia, populli vendi do të ecin të bindur dhe të sigurt më tej, në vazhdim të ideve, mësimeve dhe veprës së shokut Enver....
    SHOKU MUHO ASLLANI: ...Edhe unë jam plotësisht dakord me propozimin që bëri shoku Adil dhe me mendimet dhe diskutimet e shokëve që në krye të Partisë dhe të popullit tonë të jetë shoku Ramiz Alia...
    ...Ndihmën e shokut Ramiz unë e kam ndierë veçanërisht gjatë vizitës që shoku Ramiz bëri në Shqipërinë e jugut në nëntor të vitit 1983. Ishte një nder i madh që më bëri shoku Enver, që më bëtë ju shokët e Byrosë Politike, duke më dërguar mua me shokun Ramiz gjatë atyre ditëve pranë popullit të Gjirokastrës, Tepelenës e Sarandës. Ato 8 ditë ishin për mua më tepër se një seminar. Atje unë pashë te shoku Ramiz një njeri të madh, një njeri që zbaton me besnikëri të lartë vijën e Partisë dhe mësimet e shokut Enver. Të them të drejtën, unë mësoja nga veprimet shumë të kujdesshme të tij e sidomos në intimitetet me njerëzit e moshave e profesioneve të ndryshme. Gjatë gjithë asaj kohe, çdo bisedë, çdo fjalim, çdo takim, si për të gjithë njerëzit e asaj monedhe, për tërë popullin shqiptar, edhe për mua ishte një mësim i madh....
    SHOKU PROKOP MURRA: ...Shoku Ramiz, siç e thanë edhe shokët, është luftëtar i orëve të para, konsekuent deri në fund i luftës së drejtë të partisë, i mësimeve të shokut Enver, i marksizëm-leninizmit, besnik i devotshëm, krah për krah me shokun Enver, në tërë luftën e madhe, titanike, vigane që ka bërë partia për ndërtimin e socializmit, si dhe në luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm.
    SHOKU BESNIK BEKTESHI: ...Kam bindjen e plotë se populli ynë do të përkrahë me ndërgjegje të plotë këtë vendim shumë të rëndësishëm që po marrim, sepse shoku Ramiz ka qëndruar për mbi 40 vjet krah për krah shokut Enver, si nxënës, si bashkëpunëtor i ngushtë i tij, duke i kryer me nder të gjitha detyrat që i ka ngarkuar ai. Kam bindjen e plotë se populli ynë nën udhëheqjen e Partisë, të Komitetit të saj Qendror, me shokun Ramiz Alia në Krye, do t’i realizojë të gjitha detyrat që kemi përpara....
    SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: ...Shoku Ramiz njihet nga i gjithë populli ynë dhe nga partia si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shokut Enver, si një nga bashkëluftëtarët më të afërt të tij, si nxënës besnik i shokut Enver Hoxha, si një udhëheqës i talentuar, siç e ka vlerësuar edhe vetë shoku Enver, si gjatë luftës nacionalçlirimtare, ashtu edhe mbas çlirimit si një udhëheqës partie me aftësi të larta politike, ideologjike, organizative e shkencore dhe një shembull i lartë i zbatimit të vijës së Partisë dhe i luftës së klasave jo vetëm brenda përbrenda vendit kundër armiqve të brendshëm, po dhe në arenën ndërkombëtare...
    SHOKU VANGJEL ÇËRRAVA:... Çdonjëri nga ne, kur ka lexuar veprat e shokut Enver, kudo ka gjetur shprehjet: “U konsultova me shokun Ramiz”, “Porosita shokun Ramiz”, “Bisedova me shokun Ramiz”, etj. Të tëra këto shoku Enver i ka thënë për problemet e mëdha, për problemet themelore të Partisë, të shtetit tonë, të lëvizjes komuniste ndërkombëtare....
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    mbledhja e byrose
    eksluzive


    Zbardhen dialogët në mbledhjen e Byrosë më 13 prill 1985


    Ramizi qan pas vendimit si pasardhës i Enverit




    vijon nga numri i kaluar
    Janë zotimet e para të pasardhësit. Ramiz Alia, që në fjalimin e parë zotohet se nuk do të devijojë aspak nga rruga e Enverit. Ai, ndryshe nga zhvillimet e fundit, e quan agjent Mehmet Shehun. Ramiz Alia, tani numri një i diktaturës do të ndjekë pikë për pikë udhën e Enverit. Këtë ai e quan obligim dhe një domosdoshmëri. Gazeta do të zbardhë sot fjalimin e parë të Alisë si sekretar i parë. Çfarë tha ai pas miratimit si pasardhës i Enver Hoxhës. Akuzat ndaj Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut. Cili ishte imazhi i tij për politikën e re të partisë. Zotimet e tij për vazhdimin e rrugës së komunizmit. Pse Alia qan kur flet për punën e ish-diktatorit. Cilat janë reagimet e të tjerëve dhe propozimi që Alia të jetë edhe komandant i forcave të armatosura. Gazeta ka arritur të zbardhë të gjithë fjalimin e Ramizit, në mbledhjen e parë pa Enver Hoxhën. Eshtë mbledhja që i hap rrugën një epoke të re të Partisë së Punës. Epokës së varfërisë ekstreme dhe shkrirjes së saj në disa pjesë. Pse Ramizi quhet nxënësi më i mirë i Enver Hoxhës dhe pse ai e pëlqen ta thotë shpesh këtë.

    SHOKU RAMIZ ALIA: Shokë, ju e kuptoni se në ç’situatë të vështirë jam, jo vetëm për fjalët tuaja, për besimin tuaj të madh, për të cilat ju falënderoj, po veçanërisht për momentin që po kalojmë të tërë. Të gjitha fjalët tuaja i marr si impenjim, si obligim ndaj partisë, ndaj veprës së madhe të shokut Enver, i marr si një obligim që atë luftë të madhe që ka bërë partia jonë, atë vijë marksiste-leniniste që ka përcaktuar Komiteti Qendror nën udhëheqjen e shokut Enver, bashkë me Partinë, bashkë me ju, të gjithë së bashku të përpiqemi ta çojmë përpara.
    Në këto momente, mbi supet tona ka rënë një barrë tepër e rëndë. Nuk ka njeri që mund të zëvendësojë Enver Hoxhën. Vetëm Partia mund ta çojë përpara veprën që ka krijuar shoku Enver, në rrugën që na ka treguar ai. Ne, anëtarët e Komitetit Qendror, komunistët shqiptarë mund të kryejmë detyrën tonë ndaj popullit vetëm me një kusht: duke i qëndruar besnik rrugës së Enver Hoxhës. Çdo shmangie nga kjo rrugë është katastrofë për vendin, për partinë, për popullin, është faqja e zezë për këdo.
    Koha, momenti kërkojnë që të shtrëngojmë radhët, sepse vetëm të bashkuar, vetëm duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, vetëm duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, duke u këshilluar me njëri-tjetrin, ashtu siç na ka mësuar shoku Enver, ashtu siç vepronte ai me ne, mundet t’ia dalim mbanë dhe të kapërcejmë këto momente të vështira që po kalon partia.
    Unë nuk dua të flas për vete, se ju thatë gjithë ato fjalë. Të tërë theksuat që kam punuar pranë shokut Enver. Unë jo vetëm e quaj për nder që kam pasur fatin të punoj pranë shokut Enver, po ashtu siç e quani ju të tërë, por shokun Enver, ashtu si ju, e kam pasur mësues. Partia më kishte vënë në një punë që gati përditë kisha kontakt me të dhe ndoshta e kam ndierë një çikë më afër kujdesin e tij të vazhdueshëm. Unë një gjë ju them shokë, që ashtu si jeta e tërë komunistëve tanë, ashtu si tërë jeta juaj, edhe jeta ime është e lidhur me veprën e madhe të Partisë dhe me shokun Enver dhe unë do të luftoj me të tëra forcat që bashkë me ju, me ndihmën tuaj të madhe, në unitet të çeliktë me njëri-tjetrin, të ecim në atë rrugë që na ka mësuar Partia, në atë rrugë që na ka edukuar shoku Enver.
    Natyrisht, situatat janë tepër delikate, sepse momentet janë të rënda, por siç thatë edhe ju, Partia jonë është një Parti e fortë, se të fortë na e ka lënë shoku Enver. Shoku Enver ka menduar si ai prindi i mirë që ikën dhe i lë gjërat në rregull. Na e la Shqipërinë të lirë, të pavarur, pa asnjë borxh (i dridhet zëri nga dhimbja e shoku Enver). Na e la atdheun të fortë, me një popull me unitet të çeliktë, të aftë për t’u mbrojtur nga çdo rrezik; na e la partinë të pastruar nga armiqtë, sepse mendoni ç’katastrofë do të ishte krijuar sikur kjo që na ngjau të na ndodhte kur në radhët tona të kishim spiunët e imperializmit, spiunët e titizmit, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun me shokë. Po ja, shoku Enver i pastroi dhe ata dhe na tha: “Na tani, ecni!”.
    Prandaj nga kjo pikëpamje i kemi të tëra mundësitë që ta zbatojmë me përpikmëri vijën e Partisë, që këtë popull të mrekullueshëm, këta komunistë të devotshëm që kemi, t’i vëmë në luftën e përditshme për të realizuar ato objektiva të mëdha që i kemi shtruar vetes dhe që na i ka përcaktuar Partia dhe shoku Enver.
    Këto kisha shokë për t’ju thënë.
    SHOKU HEKURAN ISAI: Unë propozoj që në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, propozimin për zgjedhjen e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në emër të Byrosë Politike ta paraqesë shoku Adil.
    (të gjithë shokët janë dakord)
    SHOKU PROKOP MURRA: Sekretari i parë i Komitetit Qendror ka qenë dhe komandant i Forcave të Armatosura, prandaj në këtë mbledhje që jemi mendoj të aprovojmë edhe këtë.
    SHOQJA LENKA ÇUKO: Po kjo dihet, se është e ligjëruar në Kushtetutë.
    (Të gjithë shokët thonë që automatikisht sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSH është njëkohësisht edhe komandant i Forcave të Armatosura të RPSSH)
    SHOKU MUHO ASLLANIshtë mbledhja e parë e Plenumit që bëjmë pa shokun Enver, prandaj propozoj që pas mbledhjes së Plenumit të gjithë së bashku të shkojmë të bëjmë homazhe pranë arkivolit me trupin e shokut Enver.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Eshtë menduar që pasi të mbarojmë mbledhjen e Plenumit, të vemi të tërë si Plenum i Komitetit Qendror dhe të bëjmë homazhe dhe roje nderi pranë arkivolit me trupin e shokut Enver. Ne shokët e Byrosë Politike të vendosemi tek koka, në të dy anët, ndërsa shokët e Plenumit të vendosen afër nesh në 2,3 apo 4 radhë.
    Mirë, kemi gjë tjetër?
    SHOKËT: Jo, nuk kemi gjë tjetër.
    SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë mbledhjen e mbyllim.
    Mbledhjen e Plenumit e kemi në orën 17:30.
    (Të gjithë shokët urojnë përzemërsisht shokun Ramiz Alia për detyrën që i ngarkoi Byroja Politike si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë).




    ----------








    thot mizi mes tjerash..

    ---Shoku Enver ka menduar si ai prindi i mirë që ikën dhe i lë gjërat në rregull. Na e la Shqipërinë të lirë, të pavarur, pa asnjë borxh (i dridhet zëri nga dhimbja e shoku Enver). Na e la atdheun të fortë, me një popull me unitet të çeliktë, të aftë për t’u mbrojtur nga çdo rrezik; na e la partinë të pastruar nga armiqtë, sepse mendoni ç’katastrofë do të ishte krijuar sikur kjo që na ngjau të na ndodhte kur në radhët tona të kishim spiunët e imperializmit, spiunët e titizmit, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun me shokë. Po ja, shoku Enver i pastroi dhe ata dhe na tha: “Na tani, ecni!”.

    --


    pa borxhe thot e la..

    po si eshte e verteta?

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 22-05-2013, 16:04
  2. Masakra e regjistrimit komunist në ushtrinë shqiptare
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 17-02-2010, 14:31
  3. Zgjidhet kriza elektorale, arrihet marëveshja në zyrën e presidentit Moisiu
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 312
    Postimi i Fundit: 03-02-2007, 14:05
  4. Konfederata e Artizanatit Shqiptar
    Nga pekomeri në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 16-10-2006, 07:16
  5. Kujtime nga koha e ppsh-se
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 44
    Postimi i Fundit: 22-02-2003, 07:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •