A.Salihaj: Kompromisi është pavarësia e Kosovës, pasi që kërkesë maksimaliste do të ishte bashkimi me Shqipërinë


Bruksel, 21 tetor 2005 /TN /QIK -

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Karel ee Guht, gjatë vizitës së tij në Bruksel.

Zëvendëskryeministri Salihaj ka falënderuar shefin e diplomacisë belge z.Guht për ndihmën e madhe që Belgjika i ka dhënë Kosovës në periudhën e para dhe pasluftës, respektivisht për prezencën e kontingjentit të saj ushtarak në kudër të KFOR it, por edhe për kontributin e saj në rindërtimin e Kosovës, duke theksuar faktin se progresi i arritur në Kosovë është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve vendore dhe faktorit ndërkombëtar.

Në vazhdim, Salihaj e njohu ministrin e Jashtëm belg me zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, për angazhimet dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës në fushën e decentralizimit dhe të integrimit të të gjitha grupeve etnike në Kosovë.

Duke u ndalur rreth punës së qeverisë në përmbushjen e standardeve, Salihaj theksoi se në Kosovë është bërë punë e madhe në këtë drejtim dhe vlerësoi pozitivisht raportin e ambasadorit Kai Eide, duke potencuar faktin se në këtë raport janë evidentuar progresi dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri i Kosovës ka theksuar rëndësinë e takimit të 24 tetorit të Këshillit të Sigurimit të OKB së, pasi në këtë takim do të emërohet emisari special për statusin e Kosovës.

"Ne jemi të interesuar që bisedimet për çështjen e definimit të statusit final të fillojnë gjatë muajit nëntor dhe që ato të përfundojnë deri kah mesi i vitit të ardhshëm", është shprehur zëvendëskryeministri Salihaj, duke shtuar se "institucionet e Kosovës angazhohen që këto bisedime të përmbyllen me pavarësi të plotë për Kosovën, meqë pavarësia është zgjidhja më e mirë për të gjithë dhe nuk lë probleme të hapura midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat pastaj do të ishin faktor frenues për integrimet e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera ndërkombëtare".

Zëvendëskryeministri ka theksuar se për pavarësinë e Kosovës është një kompromis, pasi në këtë mënyrë Kosova heq dorë nga kërkesat e saj maksimaliste për bashkim me Shqipërinë, duke shtuar se çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë do të destabilizonte rajonin.

Gjatë këtij takimi, Salihaj ka theksuar edhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për kthimin dhe integrimin e të gjitha grupeve etnike, veçanërisht të minoritetit serb në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Në funksion të kësaj, Salihaj ka veçuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e pilot projekteve për decentralizim, duke vlerësuar se një projekt i tillë paraqet edhe një ofertë dhe mundësi të mirë për integrimin gjithëpërfshirës të të gjitha pakicave që jetojnë në Kosovë, në këtë kontekst edhe të pakicës serbe, e cila për fat të keq vazhdon të pengohet nga politika e Beogradit për kthim në dhe integrim në Kosovë.

"Politika e Beogradit po ushtron një ndikim negativ për të penguar serbët e Kosovës që të kthehen dhe të integrohet në institucionet e Kosovës, duke synuar kështu të pengohet krijimi i pavarësisë së Kosovës", është shprehur Salihaj, duke theksuar se Qeveria e Kosovës do të mbetet e përkushtuar maksimalisht për zgjidhjen e të gjitha vështirësive të pakicës serbe dhe për krijimin e një ambienti për jetë të përbashkët për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Salihaj ka iniciuar çështjen e hapjes së një zyre të Kosovës në Bruksel, me qëllim që përmes saj Kosova të jetë më e pranishme dhe të ketë kontakte jo vetëm me institucionet belge, por edhe me ato evropiane.

"Ne jemi të vetëdijshëm që kjo fushë është në kompetencë të UNMIK ut, por konsiderojmë se mund të gjendet një marrëveshje dhe një mënyrë e përshtatshme që në bashkëpunim me UNMIK un ta realizojmë hapjen e një zyre të tillë në Bruksel", theksoi zëvendëskryeministri Adem Salihaj në takim me shefin e diplomacisë belge.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Karel de Guht, ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Salihaj për angazhimet e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për progresin që është shënuar në Kosovë, duke shtuar se Kosova duhet të vazhdojë me plotësimin e standardeve edhe pas fillimit të negociatave për statusin.

Ai gjithashtu premtoi vazhdimin e mbështetjes së Belgjikës dhe sidomos kjo mbështetje për Kosovën do të jetë e rëndësishme gjatë vitit të ardhshëm kur shteti belg të marrë kryesimin e radhës së OSBE së. Në këtë kuadër, Karel de Guht ka premtuar se ai do të jetë shumë i angazhuar në çështjen e definimit të statusit të Kosovës.

Zëvendëkryeministri Adem Salihaj ka zhvilluar një takim të rëndësishëm edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të rajonit të Flandrisë Gert Burzhua. Dy personalitetet kanë vlerësuar se takimet e tilla paraqesin momente të rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Flandrisë, duke ndarë të njëjtin vlerësim se duhet të ketë një bashkëpunim më të madh në fushën e ekonomisë me një agjendë konkrete për të nxitur investitorët dhe sipërmarrësit belgë të investojnë në Kosovë.



Po pra.I lumtë!