korrieri
--
Njeriu me shpirtin te pemet
E Merkure, 19 Tetor 2005
Nderim per Abedin Cicin
Nga Xhevdet Shehu
Pak dite me pare u nda nga jeta nje nga mjeshtrat e medhenj te pemetarise shqiptare, Abedin Cici.
Ne jeten e tij te gjate mbi 90-vjecare, ai la shume gjurme miresie njerezore, por mbi te gjitha ai do te kujtohet si autori i krijimit te fidanishtes se pare shqiptare ne mesin e viteve '30 te shekullit te kaluar. Ishte nje fidanishte qe ai krijoi teresisht me iniciativen dhe kontributin e tij vetiak. Ne mbarim te studimeve disavjecare ne Itali, gjithe kursimet personale ai i perdori per te blere disa qindra fidana pemesh, qe me vone nga Fidanishtja e Tiranes ne Laprake, do te perhapeshin e shumoheshin ne gjithe Shqiperine. Ndersa gjithe jeten e tij e shkriu per zhvillimin dhe rritjen e pemetarise shqiptare, ai u kthye ne nje legjende te gjalle ne kete fushe anembane vendit. Ai ishte njeriu qe e la shpirtin te pemet.
Ne nderim te kujtimit te tij, redaksia e gazetes "Korrrieri" mirepriti botimin e ketij shkrimi.
***
Njeriu mund te rregjohet, thinjet, mpaket e mplaket edhe brenda nje dite, madje edhe per pak caste... Rregjohet e merr fund nga nje dhimbje teper e madhe, nga nje humbje e papritur, nga nje tragjedi e paperballueshme. Sa e sa raste te kesaj natyre numerohen, tregohen, apo jane shkruar ne tregime e romane!
Kjo qe do te tregoj me poshte nuk eshte pjelle e fantazise, as krijim artistik. Eshte nje episod krejt i vertete dhe dua ta percjell ashtu sic e kam perjetuar ate dite dimri, ketu e dhjete vjet te shkuara...
Mikun e madh te pemeve, Abedin Cicin, te cilin gjithe gjeneratat e studenteve te Agronomise e therresin Profesor, e pashe ne gjendjen me te mjeruar se kurre ndonjehere. Vetullngrysur, flokeleshuar, te keputur, te kerrusur, me sy te pervuajtur e te perlotur qe pasqyronin nje drame, nje dhimbje te thelle, shume te thelle te shpirtit te tij... Nje gje e keqe i kishte ndodhur, nje fatkeqesi e madhe i kishte rene, kjo dukej qarte... M'u dhimbs. Profesori sikur ishte plakur papritmas gjate nje kohe te shkurter qe nuk ishim pare. Por mbase ishte plakur edhe naten e shkuar, ate mengjes, pra ne fillim te asaj dite nga fatkeqesia e befte, nga hataja qe e kishte pllakosur, mendova ate qe thone mjeket dhe psikologet...
Megjithese me me shume se 80 vjet mbi supe, ai te habiste me energjite, pasionin qe s'iu shuajt asnjehere, me dashurine e madhe per punen dhe pemet. Me nje pale gershere per krasitje gjithmone ne xhep, me nje brisk e bisturi per shartime, ai rendte cdo dite per diku, per te nje shkolle qe t'u fliste te rinjve per frutikulturen; rendte per te nje mik, per te dhene nje keshille, per te nje vresht apo nje peme qe ka nevoje per duart e mjeshtrit. Ishte krejt normale per te qe te hynte ne oborrin e nje shtepie e, pa folur me njeri e pa i thene kush, te krasiste nje peme te lene pasdore nga te zotet. Takohej me pemet, u sherbente atyre, i ledhatonte e i zbukuronte, pastaj kujtohej per njerezit... Dhe ai ka miq te panumert ne Tirane e neper fshatra. Te gjitha keto pune e miresi pa shperblim, i jepnin atij nje kenaqesi te pakufishme, por edhe nje hir djaloshar. Ndaj dhe ishte krijuar pershtypja se vitet benin ne vendnumero per te.
Kurse tani, ja si ishte katandisur...
- Jam semure dhe ti ma kupton semundjen, - me tha ai ate dite sapo u takuam. - Me dhemb zemra, koka, gjithe trupi. Po mbaroj cike e nga nje cike...
Beri nje pauze dhe, pastaj vazhdoi:
- E si te mos jem semure? Ka rene murtaja, po shuhen pemet. Po presin ullinjte, i shkaterruan vreshtat, pemet, pyjet... Po e kthejne ne shkretetire kete vend, sa te merr te qaret... C'po behet keshtu? Kur dola sot nga shtepia ne Laprake vura duart ne koke e me vinte te ulerija neper rruge si i cmendur. Fidanishtes qe krijova, ti e di si e krijova gjashtedhjete vjet me pare me ca fidane te sjelle nga Italia me kursimet e mia personale, i kishin futur buldozeret... Eh, kuje, kuje e madhe! Po cmendem fare. I shkulnin pemet katilat dhe ato binin perdhe si njerezit e sharruar nga plumbat... E me therresin mua ato te uruara peme, me kerkonin ndihme... Me beso, une i degjoja zerat e tyre! Ne mbaruam, Abedin, kurse ti ben sehir!... E na hiqesh sikur na do! Kot na qenke hequr si mik! Njelloj je dhe ti si keta qe po na vdesin... Njelloj... Ja, keshtu me thoshin duke dhene shpirt. Dhe, mua diteziut, me cahet zemra, bie permbys nga dhimbja, por c'e do, s'jam i zoti te bej asgje... Shkruaj letra, po s'me pergjigjet njeri. Trokas neper ministri, po s'me pret kush... Ja, sa i nisa nje leter Ministrit te Kultures dhe nje Kryeministrit per ullinjte...
- Po pse Ministrit te Kultures? - e nderpreva.
- Si pse? Atij i takon te merret me kete pune. Ka kulture me te madhe se te merresh me ullirin?! Me ullirin e me pemet! Atij i takon ne radhe te pare, pastaj ministrave te tjere. Pastaj, ky ministri i kultures a nuk ka marre zyren qe ka patur Sekretari i Pare i Rinise? Ah, c'ishte ai Sekretari i Pare i Rinise per ullirin! Sa mire dinte t'i bente aksionet! Ai po! Kot qe nuk bene ate minister te Kultures. Jam i sigurt se do kishin shpetuar ullinjte....
Ai, ndryshe nga heret e tjera, ate dite kishte nje deshire te madhe per te folur. Nuk kisha asnje dyshim se per keto ceshtje monologonte gjithe diten me vetveten, nga frika se po t'ua thoshte te tjereve, mund te talleshin me shqetesimin e tij, madje mund ta quanin te lajthitur. Pasi rrufiti nje here kafen pa sheqer qe sapo e kishte sjelle ne tavoline kamerieri, doli ne nje qafe tjeter.
- Dua te takoj Presidentin, - tha. - Kam frike se nuk ia japin fare letrat e mia, sepse nuk me ka kthyer as ai pergjigje. Me ndihmon dot ta takoj?
- Pse edhe atij i ke shkruar?
- Po, edhe atij. Une bej punen time, sinjalizoj kryetarin e shtetit, qeverine e ministrat se po behet hataja, qe te mos kene goje me pas e te me thone: Pse heshte, Abedin... I kam shkruar edhe ministrit te Mbrojtjes qe te mobilizoje ushtrine... Mua me cudisin shume kur zihen me njeri-tjetrin keta politikanet! Me vjen keq, se behen shume llafe e pune pak. Edhe partite te gjitha njelloj me duken. E, pse duhen kaq shume parti, njezet a tridhjete sa jane bere? Nja dy a tri mjaftojne e jane shume...
Ketu beri nje pauze tjeter, me te gjate, ndersa pas pak m'u kthye perseri:
- Do te tregoj se c'me ka ngjare njehere ne vitin 1945. Atehere, u hap perfaqesia diplomatike Amerikane ne Tirane dhe, pas shume vjet mungese, Herri Fullc erdhi perseri ne Shqiperi, po kete radhe jo per te hapur shkollen qe u mbyll ne 33-shin, por si diplomat. Ne studentet e Shkolles Teknike e donim shume drejtorin tone, prandaj dhe ardhja e tij ne 45-en na gezoi pa mase. Dhe filluam te shkojme per ta takuar ne ambasade. Ambasada ishte aty ku eshte edhe sot e kesaj dite. Nje dite prej ditesh trokita dhe une... Hyra ne oborr. Dera e sallonit ku Fullci priste miqte ishte pergjysme e hapur dhe mua, duke ngjitur shkallet, me kapi syri aty disa nga shoket e mi te shkolles, te cilet gjate Luftes nuk u lidhen me Partine, por me Ballin e Legalitetin. Keta ish-shoke mua m'u fshehen ate dite. Kur hyra ne sallon, ata shkuan ne nje dhome tjeter ngjitur me sallonin dhe une aty gjeta vetem drejtorin tim. U perqafuam me shume mall e dashuri. U ulem dhe filluam te kujtonim vitet e mrekullueshme te shkolles e te bisedonim per ndryshimet qe kishin ndodhur ne Shqiperi gjate viteve te mungeses se tij, per luften antifashiste, per shpresat qe ushqente populli shqiptar tek Amerika ne rindertimin e vendit te djegur e shkaterruar nga lufta... Ai me degjonte me vemendje, po edhe mua nuk me hiqej nga mendja momenti kur hyra. Pse m'u fshehen ish-shoket e mi te shkolles qe kishin qene ne ate sallon pak caste me pare? C'kishte biseduar Fullci me ta?... Mezi po prisja te dilja ne ate pike. Thashe qe Fullci me degjonte me vemendje te madhe. Ne kete cast une i them: Do me lejoni t'ju bej edhe nje verejtje a kritike, quajeni si te doni. He, me thote ai, dhe u be i gjithi sy e vesh. Kur erdha ketu, i thashe, vura re se me ty ishin disa njerez qe tani ndodhen andej, dhe bera me dore nga dhomat ku u fshehen ata. Une i njoh mire ata, i thashe. Vertet ata kane qene studente te Shkolles, por, ju duhet ta dini, se ata jane nacionaliste qe bashkepunuan me okupatorin dhe, si te tille, nuk shihen me sy te mire nga Qeveria dhe populli. Ju duhet te mbani afer ata qe u lidhen me Frontin Antifashist e qe nuk jane pak... Mehmet Shehu, per shembull, eshte bere i famshem si komandant i Brigades se Pare... Po edhe plot te tjere...
Fullci pasi me degjoi me durim deri ne fund per verejtjen qe i bera, beri buzen ne gaz, pastaj u vrenjt, u ngrit dhe filloi te levize tutje-tehu neper sallon i menduar. Une po prisja te degjoja pergjigjen e tij. Me ne fund, ai ndaloi dhe m'u drejtua shume seriozisht:
- Abedin, - me tha, - une kam nje moter te martuar ne Kanada. Kunati im eshte nje frutikulturist i shkelqyer dhe ka prodhuar vitet e fundit disa varietete te reja mollesh. Do t'i shkruaj nje leter dhe do t'i lutem qe te dergoje ca kalema molle per ty... Mendoj se shkojne shume mire me klimen e Shqiperise dhe ti do te dish t'i shumezosh...
Ja, keshtu me tha. Kjo ishte pak a shume biseda qe bera me Fullcin. Ishte viti 1945... Erdhi Fullci e iku. Iku Amerika e erdhi prape pas pesedhjete vjetesh. Si e qysh, le ta thone te tjeret. Per mollet e pemet me pyet mua. Te tjeret bejne politike... Mua me vjen keq qe merren kaq shume me politike. Sa mire do te ishte sikur te merreshin me shume me pemet te gjithe njerezit!...
Ah, sikur!...
............
Krijoni Kontakt