Thirrje!!

Shoqata e Bashkesise Shqiptaro-Kanadeze iu kujton qe te dergoni femijet e moshave 4-14 vjeç ne klasat e gjuhes Shqipe. Adresat e tyre shihini ketu.

Klasat e Gjuhës Shqipe në Toronto e më gjërë


Për hapjen e një mësonjëtore duhen 25 nxënës të moshës 4-14 vjeç. Në listën përkatëse që duhet formuar nevojiten të jenë vendosur telefoni, datëlindja dhe shkolla ku mësojnë fëmijët. Lista me emrat e nxënësve dërgohet në shkollën ku mendohet të hapet Klasa Shqipe dhe i jepet drejtuesve te gjuheve nderkombëtare. Këta njoftojnë drejtorinë përkatës për një mësues në gjuhën shqipe. Mësueset që dëshirojnë duhet të dërgojnë një kërkesë bashkë me jetëshkrimin e tyre në Toronto District School Board (TDSB) dhe këta lajmërojnë për intervistën. Për më shumë djeni telefononi TDSB në numrin 416-338-4000 ose shihni adresën:



http://www.tdsb.on.ca/_site/ViewItem...989&pageid=726



Toronto District School Board, International Language Programme afron për fëmijët që ndjekin shkollën fillore edhe një program për mësimin e gjuhës shqipe. Çdo fëmijë shqiptar mund të ndjekë klasën shqipe që afron 2.5 orë mësimore në javë duke u rregjistruar në një nga shkollat ku ky program zhvillohet. Për ta përfshirë fëmijën tuaj në klasat shqipe duhet që fëmija të rregjistrohet ditën e parë të vitit shkollor. Fëmija mund të rregjistrohet edhe kur viti shkollor ka filluar nëse ka vende të lira. Hapja e një klase për mësimin e gjuhës shqipe kërkon rregjistrimin e të paktën 25 fëmijëve që ndjekin shkollën fillore. Për rregjistrimin e fëmijës kërkohen edhe informacione të tjera përveç emrit, si për shembull numri i telefonit, adresa dhe një pagese prej 25$ kërkuar nga International Language Program. Më tepër informacion mund të gjeni në www.tdsb.on.ca ose duke telefonuar ne numrin 416-338-4000.



Adresat e mësonjëtoreve të deritanishme shqipe jepen më poshtë:



Chester Elementary School
115 Gowan Avenue

Toronto, ON M4K 2E4



Në këtë mësonjëtore janë dy grupe: mosha 4-8 vjeç dhe 8-14 vjeç.

Këtu japin mësim Rajmonda Demaj dhe Astrit Demaliaj.

Mësimi zhvillohet të Enjteve 15:35 - 18:05.

Tel: 416-467-6824



Westwood Middle School
994 Carlaw Avenue

Toronto, ON M4K 3M6



Me mësuese Rajmonda Demaj

Mësimi zhvillohet të Shtunave 09:00 - 11:30.

Tel: 416-467-6824





Thorncliffe Park
80 Thorncliffe Park Drive

Toronto, ON M4H 1K3



Me mësuese Evgjeni (Nika) Xhakolli.

Mësimi zhvillohet të Martave 15:45 - 18:15.

Tel: 416-248-1648



Mississauga Central
Bishop Scalabrini, 225 Central Parkway West

Mississauga,ON



BramptonWest
St. Kevin, Malta Avenue

Brampton, ON

Tel. 905-450-0571

Apeli: Sillni fëmijtë të mësojnë shqip


TORONTO- Mësuesit shqiptarë të Torontos kanë shfrytëzuar numrin e parë të gazetës Albanian Tribune, për t’i bërë një apel publik komunitetit: “Sillni fëmijët të mësojnë shqip! Ngrihuni mbi gjërat e rëndomta të ditës, nga hallet e përditshme dhe dërgoni fëmijtë të mësojnë gjuhën e gjyshërve të tyre”. Këto fjalë të thotë Evgjenia, Astriti dhe Rajmonda, tre mësues që japin mësim aktualisht në Toronto. Janë me qindra e mijëra fëmijë shqiptarë, që po harrojnë përditë e më shumë gjuhën e tyre. Shqipëria e vogël, Kosova me hallet e saj, Maqedonia e varfër...Ballkani i mbushur me shqiptarë...është larg. Nuk mund t`i ndihmojë në sakrificat për të mos humbur përditë nga pak dhe pa kuptuar nga vetvetja. Shkëndijat janë ndezur dhjetra vjet më parë. Duhet vetëm zgjimi...Pak sekonda zgjuar nga ai gjumë letargjik, ku ne të gjithë kemi rënë. “Zgjohuni, prindër! Ka lindur një mëngjes i ri edhe për shqiptarët”, të thonë sytë e mësuesve.

Një abetare pa doganë.

Mjaftoi vetëm një abetare e blerë me nxitim në Shqipëri, që ëndrra të merrte udhë. Kishte punuar që prej 25 vjetësh në profesionin e vështirë të mësueses, me atë rrogë modeste, që nuk dilte as për bukën e gojës, por me pasionin e madh dhe të palëkundur, për të nxjerrë nga bankat e shkollës shqipe ata që do të marrin në dorë të nesërmen. Nuk i tha askush. Nuk kishte ndonjë udhëzim, që vinte nga Ministria shqiptare e Arsimit. As ndonjë porosi nga ambasada e Shqipërisë në Otava. Ishte dashuria e vjetër që e gërricte mu në zemër. Ishin ata qindra e qindra fëmijë emigrantësh, të cilët kishin ardhur në një atdhe të ri. Kishin zgjedhur një të ardhme të re, me shpresa dhe sakrifica të reja, por që mediokriteti dhe rutina e ditës ua bënte të pamundur të mësonin shqip. Një abetare...., e futur thellë në valixhe, si gjëja më e rrallë dhe më e çmuar. A e vunë re doganierët në Rinas? Po punonjësit e sigurisë në aeroportin e Torontos? Një libër kontrabandë...Me ca gërma të çuditshme, si gërma “ë”dhe “ç”....Një send më i çmuar se rakia apo duhani i fortë. Një libër, me pak faqe, që nuk binte fort në sy, por që do të ndizte si një zjarr krenarinë e fëmijëve dhe prindërve shqiptarë për atë ç’ka ata janë dhe do të mbesin. E filloi vullnetarisht...Dje...vetëm me dy nxënës. Sot paguhet nga shkolla për mësimin që jep rregullisht në gjuhën amtare. Prindërit sapo marrin vesh se ekzistojnë klasat e mësimit të gjuhës shqipe në Toronto, marrin në telefon. Shumë herë atyre u është dashur të presin biletën e avionit për në Shqipëri, që fëmijët të mos harronin gjuhën e të parëve të vet. Kanadaja, ky vend i mrekullueshëm dhe i mundësive të mëdha tani i jep rastin kujtdo që guxon të mendojë për diçka, që ndoshta atje në Ballkanin e largët është diçka ireale, gati përtej të pamundurës. Mësuesit e gjuhës shqipe janë disa, por këtë here ne biseduam me zonjën Rajmonda Demaj. “E kanë marrë vesh edhe në Australinë e largët. Më kanë marrë në telefon edhe mua? kaq mjafton që të jem e lumtur,” thotë mësuesja nga Shqipëria. Rajmonda është nga të parat mësuese, që ka hapur klasën shqipe. Ajo ka edhe numrin më të madh të nxënësve në klasën e saj. Sekretet e punës së saj janë të thjeshta. Një konkurs i vogël në orën e mësimit dhe një shpërblim, i siguruar, po nga vetë mësuesja e apasionuar për nxënësin më të mirë. Kështu ora e mësimit është bërë më tërheqëse dhe nxënësit e vegjël, më të dedikuar.

“Në grupin, ku unë jap mësim kemi të regjistruar tridhjetë e pesë nxënës, nga të cilët vijnë rregullisht në shkollë njëzetë e tre fëmijë”, tha Demaj. Po në Chester vazhdohet mësimi në një klasë tjetër shqipe, me mësues zotin Astrit Demaliaj. Në grupin e tij janë të regjistruar tashmë gjashtëmbëdhjetë nxënës. Kolegji i mësuesve të Ontarios tashmë ka aprovuar dy vende të reja pune për mësues të gjuhës shqipe. Fëmijtë aktualisht shkojnë në shkollë dy herë në javë, çdo të martë dhe të enjte, nga ora 15:30 deri në 17:00. Moshat e nxënësve variojnë nga katër deri në shtatë vjeç për grupin e parë, dhe tetë deri në dymbëdhjetë vjeç për grupin e dytë.

Abetaret m’i sollën njerëzit e shtëpisë

Evgjeni Xhakollit, ose “Nika”, siç e thërrasin ndryshe kolegët e tjerë mësues, asnjëherë nuk i besohej, se një ditë do të shihte një vend pune si mësuese e gjuhës shqipe, të afishuar në murin e një shkolle në Kanada. I dukej si një ëndërr...Si? Mësuese e gjuhës shqipe në Toronto? E lexoi disa herë lajmërimin... Mori në telefon miqtë...Afro tridhjetë e pesë vjet më parë arvanitasit e ardhur nga Greqia e mësonin shqipen në shtëpi. Kurset e para të shqipes në Toronto janë hapur pikërisht brenda shtëpive. Por që të hapej një vend i rregullt pune nga vetë shteti kanadez, këtë askush nga të tetëmbëdhjetë konkuruesit shqiptarë nuk e kishte parashikuar. Kur e pyet Evgjeninë, nëse ka patur ndonjë ndihmë nga Ministria e Arsimit apo nga Ambasada, ajo të përgjigjet thjesht dhe ëmbël: “Abetaret m’i sollën nga Shqipëria njerëzit e shtëpisë”. Vetë prindërit, sapo merrnin vesh se ishte hapur një klasë në gjuhën shqipe ia jepnin lajmin njëri-tjetrit me gëzim. “Klasën e parë në Chester Public School e drejtoi Astrit Demaliaj. Brenda një kohe të shkurtër nxënësit u shtuan shumë. Kështu që u hap edhe një klasë tjetër”,- rrëfen për gazetën mësuesja Xhakolli. Në klasën e drejtuar nga ajo vijnë rregullisht në shkollë njëzetë e katër fëmijë te moshave të ndryshme, të ndarë në katër nivele. Evgjenia thotë se abetaret e vjetra ishin më të mira, ndërsa ato të rejat janë paksa të vështira dhe të ngarkuara. Astrit Demaliaj, mësues në një nga klasat e Chesterit, ka në grupin e tij
gjashtëmbëdhjetë nxënës. “E fillova me një abetare, që ma dërgoi vëllai. Më vonë sigurova librin “Gjuha shqipe për të huajt”, që është një libër shumë i mirë, “-thotë Astriti. Sekush ka një histori të vockël për të treguar. Një detaj më shumë nga kjo nismë kaq e bukur, që tashmë është bërë realitet. Zoti Demaliaj dhe mësuesit e tjerë nuk ngurrojnë të nxjerrin edhe problemet që has shkolla shqipe në Kanada. “Komuniteti duhet të na ndihmojë. Mjaft prindër nuk i sjellin dot fëmijtë, ngaqë banojnë larg. Vetë disa nga prindërit nuk paguajnë për materialet didaktike, pasi shumica e tyre nuk e di se duhet paguar një njëzetë dollarësh për librat kur fëmija regjistrohet”. I pyetur nëse ka kontaktuar ndonjëherë me ambasadën shqiptare në Kanada, Demaliaj përgjigjet se është pritur përzemërsisht, por për çështje personale. Mësuesit shqiptarë janë që të gjithë të një mendjeje se duhet bërë më shumë nga prindërit dhe komuniteti, që fëmijtë shqiptarë të mos e harrojnë gjuhën e nënës.

Statusi i gjuhës shqipe, ende i pazgjidhur

Me gjithë hapjen e klasave të gjuhës shqipe, mësimdhënia në shqip në Toronto përballet edhe me probleme sociale dhe ligjore. Dokumenti i lëshuar pas përfundimit të shkollës, nuk njihet si diplomë, por thjesht si një dëftesë. Gjuha shqipe ende nuk është klasifikuar si një gjuhë e dytë në shkollat ndërkombëtare të Torontos, status të cilën e kanë mjaft gjuhë të tjera, si greqishtja, serbishtja, italishtja, frëngjishtja, etj. Njëri nga drejtuesit e Bordit të mësuesve të Ontarios, zoti Norman, me origjinë shqiptare, u ka premtuar mësuesve shqiptarë që “gjuha shqipe së shpejti do të bëhet një gjuhë e dytë në shkollat ndërkombëtare, pra do të ketë të
njëjtin status, që gëzojnë edhe gjuhët e tjera”. Ndër arsyet teknike, që vënë re mesuesit është arritja e një statusi të barabartë me gjuhët e tjera, por për të fituar statusin duhet të hapen gjithsej dhjetë klasa. Nëse ky numër arrihet në të ardhmen, atëherë shumë shpejt gjuha shqipe do të njihet si gjuhë e dytë në shkollat e mësimit të gjuhëve ndërkombetare në të gjithë Kanadanë. Në klasat shqipe, megjithë problemet e vëna në dukje, ka edhe nxënës me kombësi të huaj, që kanë dëshirë të mësojnë shqip. Janë vërtetuar dy raste: një fëmijë nga Irani, i cili pohon se ka patur njërin nga gjyshërit shqiptar dhe një fëmijë “maqedonas”. Kombësia e fëmijës “maqedonas” ende nuk është e qartë, pasi ky fëmijë nuk flet fare shqip dhe ndoshta për këtë arsye prindërit kanë vendosur që ta dërgojnë fëmijën në këtë klasë. Klasat e gjuhëve të tjera kanë gjithashtu problemet e tyre.

Klasat e para shqipe, tridhjetë e pesë vjet më parë

Klasa e parë shqipe është hapur afro tridhjetë e pesë vjet me parë në xhaminë shqiptare pranë kryqëzimit Keele dhe Dundas. Kanë qenë disa shqiptarë nga zonat shqiptare në Maqedoni që kanë organizuar mësimin e parë shqip në ndërtesën e mbiquajtur “Shpia e Shqiptarit”. Zoti Shefqet, pronari i restorantit “Good Morning,Toronto” në Danforth, ka dërguar vajzën e tij në klasën e parë shqipe. Sot
këtë traditë të bukur e ndjek mbesa e tij, e cila vazhdon mësimin në shqip në klasën e drejtuar nga mësuesja nga Shqipëria, zonja Demaj. “Për të qenë më afër realitetit, duhet të pohojmë se të parët fare kanë qenë arvanitasit e Greqisë. Ata e bënin mësimin në shqip me abetare në shtëpitë e tyre. Ne kemi takuar arvanitas që e kanë bëre mësimin në shqip dhjetra vjet më parë me abetare aq të bukura, të cilat nuk i kemi parë as në Shqipëri”- të thonë mësuesit e gjuhës shqipe në Toronto.

Vetëm njëqind nxënës? Po qindra të tjerë?

Për të hapur një klasë shqipe, duhen të paktën njëzetë e dy nxënës. Nëse ky numër sigurohet qoftë edhe me iniciativë të ndërmarrë privatisht, atëherë bordet drejtuese te shkollave të japin të drejtën për të dhënë mësim. Kandidati për mësues duhet të ketë punuar më parë si mësues në vendin e tij, si dhe të ketë një diplomë të mësuesisë. Mësuesit shqiptarë pohojnë se gatishmëria nga bordet drejtuese te shkollave të mësimit të gjuhëve ndërkombëtare është e plotë. Duhet vetëm përkushtim dhe durim, për të hartuar listat me emrat e nxënësve, që do të mësojnë shqip. Pas plotësimit të numrit shpallet edhe vendi bosh për punë si mësues i gjuhës shqipe. Një kriter kaq dashamirës për emigrantët do të bëjë që në të ardhmen të mos kemi vetëm njëqind nxënës, por dhjetra e qindra të ulur në bankat e shkollës. “Nuk ka vend për optimizëm. Ky është vetëm fillimi“, të thonë mësuesit e gjuhës shqipe.