Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Shkëlqimi dhe rënia e Karamahmud Pashë Bushatliut

    Shkëlqimi dhe rënia e Karamahmud Pashë Bushatliut

    NGA HAMDI BUSHATI


    Një vështrim historik i Bushatlinjve të Shkodrës. Historia e Mahmut Pashës, themeluesit të Konfederatës ilire, triumfi dhe rënia e pushtetit të tij.
    Kara Mahmud Pasha efektivisht ka sunduar Shkodrën që nga viti 1775, kurse, sipas të dhënave të A. Xhevdetit, ai u njoh zyrtarisht si sundimtar i Shkodrës në vitet 1779-80 (1193 Hixh) me gradën mirimiranë. Mbështetur në arkivin e Venedikut, autori S. Naçi si vit të zyrtarizimit të Kara Mahmudit jep vitin 1778. Sipas përfytyrimeve që përcillen nga tradita, Kara Mahmudi qe një burrë i bëshëm, i hijshëm e impozant, i zeshkët në fytyrë. Kishte trup të lartë e të fuqishëm, krahë muskulozë dhe një gjoks aq të gjerë e leshatak, sa “dy vezë mund të fshiheshin aty”. Shikimi i tij ishte aq depërtues sa bashkëfolësi i rastit e ndjente veten keq në një ballafaqim me të. Thuhet se për këtë arsye, ai vetë evitonte takimet direkte me qytetarët që paraqisnin ankesa të ndryshme, në mënyrë që ata të ndjeheshin më të shpenguar duke kontaktuar me sekretarët. Në çështje fetare ishte liberal. Mendohet se ka qenë “murib” i një tarikati bektashinjsh.
    Përsa i përket veshjes, ashtu si paraardhësit, ai preferonte veshjen kombëtare dhe elemente të veçanta në përputhje me pozitën: veç çakçirëve e “fistanit” (fustanellë e gjatë), vezirët Bushatllinj vishnin dollamë kadifeje të kuqe të ngrira në ar, mbi dollam një xhamadan, mandej një jelek me sumbulla sermi, shallvare të kuqe me kolla ari, dyslleqe të qëndisura me ar, këpucë të kuqe kajseri me shirita ari, për brez ngjeshej shall Tarabullus (i mëndafshtë) tre polash, në brez kishte një sylah lëkure kajseri të qëndisura me ar, koburet e praruara me gajtana ari, pallen të varur krah e qafë, në kokë vihej një shall në formë turbani ose një fes Tunuz (i kuq me një tufë të gjatë ngjyrë blu). Vendoseshin edhe tugat (një lloj tufe në formë puple e përbërë prej qime kali). Pjesë e veshjes ishte edhe qyrku zyrtar me gëzof.
    S. Naçi mbron mendimin se Kara Mahmudi pat ikur nga Shkodra për krimin e kryer në rini, për të cilin kemi folur, pat vajtur në Stamboll, ku i përkrahur nga organet shtetërore, u regjistrua në “Enderuni Humajun” (Shkolla Mbretërore e Brendshme), nga e cila dilnin oficerë të lartë. Rezultatet e larta të arritura dhe aftësitë që shfaqi, e shtynë Portën e Lartë së bashku me parësinë e qytetit që të ndërmjetësonin pranë Mehmet Pashë Plakut për falje. U bë pashë në moshën 18-20 vjeç. Më pas u emërua kajmekan i Shkodrës e pastaj allajbej.
    Sipas Dora D’Istrias u martua për herë të parë në periudhën 1776-1779 me të bijën e Ibrahim Beut, feudal tiranas. Gruaja e parë i vdiq papritmas dhe më ’1785 u martua me motrën e saj. Më vonë lidhi krushqi me Kahreman Pashë Begollajn. Nuk pati fëmijë as me dy gratë e tjera që mori më vonë. Në vitin 1782 shkoi në Raguzë, sepse u sëmur. Flitej për tentativë helmimi nga një dorë armiqësore.

    Synimet e para të Kara Mahmudit

    U pa që Kara Mahmudi si sundimtar iu imponua Stambollit si zgjidhja më e përshtatshme midis dy alternativave të tjera: mbajtja në pushtet e sundimtarit të padëshiruar e të pamiratuar Mustafa Pashës apo këmbëngulja për t’i imponuar Shkodrës si sanxhakbej, vezirin e emëruar Mehmet Pashë Qystendilin, çka kishte ngjallur reagime të forta nga poshtë. Në periudhën 1775-78, derisa mungonte emërimi zyrtar, Kara Mahmud Pasha ndoqi politikën e bindjes e të nënshtrimit ndaj Stambollit, si e vetmja rrugë për të siguruar kushte e për të grumbulluar forca për planet e së ardhmes. Tkurrja që pësoi sanxhaku i Shkodrës nën Mustafa Pashën i therrte në zemër Kara Mahmudit. Me emërimin e tij zyrtarisht më 1778-79 si mystesarrif i Shkodrës, Kara Mahmudi do t’i kushtohej asaj politike që patën ndjekur paraardhësit e tij: sigurimin e qetësisë dhe përforcimin e masave që sillnin zhvillimin ekonomik, veçanërisht atë të tregtisë. Një ndër problemet më shqetësuese për Bushatlliun e ri ishte rifitimi i të drejtave mbi “mukatanë” e Durrësit, të drejta që humbën që me Mustafa Pashën.

    Fitorja e Bushatlliut në Kosovë

    Konfederata Ilirike

    Pasi sprapsi ushtritë e Kurt Pashës së Beratit, u detyrua të kthehej shpejt në Shkodër, sepse, mori vesh që sulltani e kishte rrëzuar nga ofiqi i mystesarrifit dhe se po përgatitej një ushtri për ta ndëshkuar. Komanda e ekspeditës turke iu ngarkua valiut të Rumelisë, Abdi Pashës, i cili kishte nën komandën e tij ushtritë e Rumelisë, të Bosnjës dhe ushtritë e rivalëve shqiptarë të Bushatllinjve. Sipas një kënge të vjetër shkodrane, rivalë të Bushatllinjve emërohen Çaushollajt mbi të gjithë.
    Për të penguar bashkimin e forcave armike, para se këto të arrinin në Shkodër, porsa qe kthyer nga fushata e Beratit, me të shpejtë Kara Mahmud Pasha nisi kundër forcave të Bosnjës një pjesë të fuqisë së tij, ndërsa, me forcat e malësorëve dibranë, u zuri pritat ushtrive të valiut të Rumenisë, Abdi Pasha, i cili, duke i gjetur të zëna rrugët e Dibrës, u drejtua për në Kosovë. Këtu, në gusht të vitit 1785, Kara Mahmudi me fuqitë e tij kryesore, e goditi në befasi dhe e shpartalloi keqas. Disfata e Abdi Pashës detyroi edhe pashallarët e tjerë të tërhiqeshin pa rënë në luftë me Bushatlliun.
    Fitorja e betejës në Kosovë pati një jehonë të madhe në Shqipëri edhe në vendet e huaja. Ajo fitore i forcoi pozitën Kara Mahmudit dhe i shtoi prestigjin pashallëkut të tij. Forcimi i këtij pashallëku tërhoqi vëmendjen e Austrisë dhe të Rusisë, dy fuqi të mëdha të cilat po përgatiteshin për një luftë të re kundër Turqisë, luftë që ata e shpallën dy vite më vonë. Pas fitoreve që korri në Kosovë, Kara Mahmud Pasha parashikonte të njihej nga fuqitë e mëdha si sundimtar autonom e më vonë i pavarur. I nxitur nga ky synim nisi të hynte në kontakt me oborret perandorake të Austrisë dhe Rusisë.
    Ndërsa Austria përgatitej për luftë kundër Turqisë, në anën tjetër nxiste për kryengritje popujt e Ballkanit, ashtu dhe feudalët e fuqishëm, sikurse Kara Mahmud Pashën që nuk ishte në marrëdhënie të mira me Portën e Lartë, duke i dhënë shpresë se, në qoftë se ai bashkëpunonte me malazeztë për kundër Stambollit, në rast fitoreje do të njihej sovran i Shqipërisë. Ky premtim i Austrisë, Bushatlliut i pëlqeu, pasi këto propozime përpuqeshin me synimet e tij për t’u bërë një ditë mbret i Shqipërisë, si pasardhës i Kastriotëve, sikurse flitej edhe në rrethet shkodrane të kohës. Duke synuar të realizojë synimin ambicioz të tij, Kara Mahmudi provokoi një mbledhje në Podgoricë në marsin e vitit 1786. Në këtë kuvend ai ftoi krerët shqiptarë të rrethit të pashallëkut të tij, ashtu edhe kryetarët e popullsive sllave nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina. Kuvendi vendosi bashkimin e forcave që do të luftonin kundër fuqive osmane dhe krijimin e një lidhjeje që u quajt nga bashkëkohësit Konfederata Ilirike. Kryetari i kësaj konfederate qe zgjedhur Kara Mahmud Pasha. Me këtë rast të gjithë krerët u betuan në Kuran dhe në Ungjill të luftonin kundër Turqisë. Në shenjë përgëzimi, Jozefi i II, Perandori i Austrisë, i dërgoi Konfederatës një kryq të madh argjendi që iu dorëzua kryetarit të saj. Pas betimit që bëri Bushatlliu, në Kuvendin e Podgoricës, lufta për pavarësinë e Shqipërisë qe shpallur. Në shenjë përgëzimi edhe Raguza dërgoi një nga senatorët e saj, të quajturin Bernard Caboja, i cili erdhi t’i bëjë urimet e rastit shefit të konfederatës.
    Pas vendimit të Kuvendit të Podgoricës, Kara Mahmudi zhvilloi një aktivitet të madh për të grumbulluar rreth vetes krerë të tjerë të Shqipërisë dhe të sllavëve. Ai forcoi ushtrinë, urdhëroi malësorët që të rrinin gati për t’u paraqitur nën urdhërat e tij, nga një burrë për shtëpi në kushtrimin e parë. Për të siguruar krahët ai u pajtua me rivalin e vjetër Ahmet Kurt Pashën dhe ndërkaq krijoi shqetësim serioz për Stambollin që i druhej një bashkimi të tillë.

    Rrethimi i parë i Shkodrës (1787) prej turqve

    Në vitin 1786 (1201 Hixh.), një vit pasi u fal për veprimet e tija arbitrare, Mahmud Pasha vë re se kishte klimë lufte në mes të disa mbretërive të mëdha edhe Turqisë, mbanë tjetër ai heton se guvernatori i Rumelisë, Abdi Pasha, po shkonte në Beograd. Duke përfituar nga kjo tymnajë lufte, nisi përsëri të krijojë trazime të padëshirueshme për qeverinë qendrore osmane; kështu Kara Mahmudi dha urdhra të bllokoheshin të ardhurat shtetërore që Turqia kishte për të nxjerrë në Shkup, në Manastir, në Nikshiq e Peropol, prandaj dërgoi bylykbashllarët e tij për vjeljen e tyre me pahir nga taksapaguesit. Zemërimi i Stambollit u shtua edhe më tepër kur Kara Mahmudi ndërhyri edhe në Mukatanë e Durrësit, sapo mori vesh se vdiq e motra e sulltanit, zotëruesja e saj, duke dënuar nëpunësit që kishin vjelur taksat për interesat e saj.
    Ishte viti 1787 kur Porta e Lartë konstatonte se Kara Mahmudi nuk po u bindej urdhrave të saj. Mbanë tjetër informohej për lidhjet e tij politike me karakter ushtarak kundër sundimit osman në Shqipëri. Pasi për pasojë kishte shpallur luftën për pavarësi në marrëveshje me Austrinë e me disa kombësi ballkanike, Porta e Lartë e deklaroi “fermanlli” Vezirin e Shkodrës; me fjalë të tjera e dënoi me vdekje për tradhëti të lartë. Në vendin e tij emëroi mytesarrif të Shkodrës Mehmet pashë Çaushollin.
    Për të ekzekutuar vendimin e dhënë kundër Kara Mahmudit, Stambolli vendosi dërgimin e një ekspedite ushtarake nën komandën e Ajdoslli Mehmet Pashës; bashkë me këtë urdhërohej edhe Ali Pashë Tepelena, i cili, asokohe ishte prefekt i Turhallës, për të vajtur në Ajdosllinë, gjithashtu edhe disa pashallarë të tjerë.
    Ishte viti 1787 kur sulltani nisi një ushtri të madhe prej afro 20 mijë vetësh me tre vezirë e shumë pashallarë përballë Bushatlliut të Shkodrës. Më 25 gusht, natën, doli Drinin për në Shkodër ushtria e Çaushollit (ky ishte Mehmet Pashë Çausholli – H.B.). Të nesërmen, më 26 gusht, ishte ditë e dielë; Mahmut Pasha u ndrye në kështjellën Rozafat (me një pakicë besnikësh të tij, për të cilët D.N. Nikaj shënon shifrën prej 80 vetësh, kurse teksti i “Historisë së Shqipërisë” dhe ajo e Pukëvilit shifrën prej 200 vetësh- H.B.). më 5 të gushtit feudalët kundërshtarë u hodhën në kryengritje, pasi ishin marrë vesh me pashallarët turq dhe ata shtinë në dorë Tivarin. Kjo kryengritje udhëhiqej prej kapidan Ali Beut të Tivarit. Më 26 gusht i doli dore edhe Ulqini. Këtu u zu rob edhe nipi i Kara Mahmudit, Mehmet Beu, djalë katërmbëdhjetë vjeçar (ishte i biri i Mustafë Pashë Qorrit e më vonë i ati i Mustafa Pashës, vezir i fundit i Oxhakut të Bushatllinjve-H.B.). Mehmet Beun, ulqinakët ia dorëzuan Kara Zeqir Pashës, i cili e fali duke e dërguar në Stamboll. Me një flamur në dorë i ndjekur prej një suite shkodranësh, Tahiraga i doli përpara ushtrisë së Çaushollit, që më 27 gusht hyri në Shkodër. Duke menduar se Kara Mahmudi nuk ishte më në gjendje të përballonte ushtrinë turke, diku nga frika, diku nga intrigat turke me një grup kundërshtarësh dhe qytetarësh të tjerë u gënjye pas Tahiragës dhe nuk i ndihmoi vezirit të Shkodrës. Këtij i ngelën besnikë përkrahësit e tij dhe malësorët, të cilët nën komandën e Ahmet pashës, vëllai i Kara Mahmudit, i shkaktuan dëme të mëdha ushtrisë turke të përbërë prej boshnjakëve. Ahmet Pasha me lundra prej liqenit kaloi në Kishaj, mori malin përpjetë duke i prerë rrugën asaj force që ishte drejtuar për në Shkodër. Një luftë e rreptë u ndez aty, për fat të zi Ahmet Pasha ra rob në duar të turqve, që i prenë kokën, të cilën më datën 30 gusht ia sollën Kara Zeqir Pashës. Ai e mori me vete si shenjë fitoreje fillestare.
    Abdullah Pasha Çausholli kishte zënë vend ndër konaqet e Sylejman Koplikut, kurse Mehmet Pashë Çausholli që erdhi pas të parit, hyri ndër konaqet e Myrteza Efendiut. Veziri i Rumelisë, Kara Zeqir Pasha kishte zënë vend në Qafë-Dardhë të katundit Ashtë me ushtrinë e tij. Kara Zeqia me ushtri i ishte afruar lagjes Tabakë e në fushë të Spahinjve. Veziri i Bosnjës, Selim Sirri Pasha, me ushtrinë e tij, gjindej në Babiq e në Shkodër. Kapudan Pasha me anije lufte kishte ardhur në Grykë të Bunës.
    Rrethimi i Kara Mahmudit zgjati 80 ditë, deri më datën 25 nëntor 1787. Turqit i kishin vendosur topat në Tepe e në Tarabosh, prej ku rrihej kështjella e Shkodrës. Një havan (murtajë) i sjellë prej vezirit të detit (Kapudan Pashës) qe vendosur aty ku bashkohet Drini me Bunën. Kështjella Rozafat tri herë qe mësyer, por pa sukses dhe me humbje të mëdha të armikut.
    Autori Pukëvil shprehet kështu: “Kara Mahmudi u rrethua papritur, sepse Pasha i Shkodrës nuk ndodhej aty kur i erdhi lajmi se një ushtri i kishte arritur në Grykë të Bunës, e kështu, pa pasur kohë të mblidhte forca të reja, vrapoi të zatetej në kala të Shkodrës. Ndërsa Mahmud Pasha ishte i rrethuar, armiku pas sulmeve që bëri, duke parë se nuk mund të mirrej kështjella me forcë, nisi të rëndojë popullin me taksa të rënda, me diskriminimin fetar, plaçkitje dyqanesh, bastisje shtëpijash të qytetarëve dhe të fshatarëve. Kristianët qenë detyruar të pastronin burgjet e kuajve duke pësuar persekutime. Këto përdhunime populli i Shkodrës i kishte harruar prej ardhjes në fuqi të Bushatllinjve, kështu që të tilla vuajtje shkaktuan pakënaqësinë e qytetarëve dhe të fshatarëve, sidomos të tarafeve të Tabakëve dhe të Terzinjve. Kjo sjellje e Mehmet Pashë Çaushollit përgatiti një terren të favorshëm për Kara Mahmud Pashën”.
    Hekardi, i mbështetur në të dhëna popullore, shkruan: “Ndër pashallarët që kishte rrethuar kalanë ishte edhe Ali Pashë Tepelena, i cili, duke mos dëshiruar rënien e Mahmud Pashës në dorë të turqve, ishte marrë vesh me të fshehurazi dhe i dërgonte fshehtas ushqime duke i njoftuar planet e Zeqir Pashës. Duke përfituar nga gjendja e pakënaqur e popullsisë prej Çaushollit, Bushatlliu hyri në kontakt me qytetarët dhe fshatarët e zemëruar, ashtu si dhe me disa nga pashallarët (siç thamë për Ali Pashën) që mbanin kalanë të rrethuar, duke organizuar një sulm të befasishëm kundër ushtrive turke”.
    Mahmud Pasha, me anë të agjenturës së vet, komunikoi me malësorët e Hotit, të Dukagjinit, të Mirditës dhe të tarafeve të Tabakëve e Terzinjve të qytetit dhe bëri të ndizej një kryengritje nën udhëheqjen e Tahirag Jukës për kundër Mehmet Pashë Çaushollit. Kjo kryengritje e kryesuar nga Tahiraga jep të kuptohet se ai (Tahiri) si dinak që ishte, parapa një fitim të Kara Mahmudit edhe e ktheu fletën në favor të Bushatlliut. Në përleshje e sipër të forcave shqiptare me ushtritë osmane u derdh, shumë gjak (thuhet se kjo ndeshje u bë te Xhamia e Kuqe në lagjen Perash, prandaj, në kujtim të gjakut që u derdh në atë rreth, xhamia filloi të quhej me epitetin “e Kuqe”- H.B.) Në këtë përleshje Mehmet Pashë Çausholli ngeli i plagosur dhe iu pre koka. Kjo kryengritje ndodhi në datën 25 nëntor 1787. Po në atë ditë Kara Mahmudi, mënjanë i ngushtuar nga mungesa e ushqimeve, mbanë tjetër i marrun vesh me pashallarët shqiptarë, dha shenjë se do të dorëzohej; komandanti i ushtrisë turke dërgoi rojet për ta marrë në dorëzim dhe për ta sjellë në lëmin ushtarak. Pasi la një pakicë nga besnikët e tij për rojen e kështjellës dhe i përcjellur prej 60 gegëve besnikë të tij, Mahmud Pasha mbrriti në fund të Kodrave të Tepes ku gjindej artileria turke. Në vend që të mirrte rrugën shkurt kah tenda ushtarake e komandantit, me suitën e vet u hodh mbi bateritë armike të ruajtura pa kujdes e rregull, i shtiu në dorë dhe ia drejtoi ushtrisë turke të përhapur për pushim.
    I ngelur në mes të dy zjarreve, armiku u shpartallua dhe mori ikjen në drejtim të papërcaktuar; komandanti, Kara Zeqi bashkë me pashallarët e tjerë qe plaçkitur rrugës nga shqiptarët. Veziri i detit (Kapudan Pasha) me anijet e tij u spraps duke marrë udhën për në Tivar ku nuk mund të zinte vend dhe u drejtua për në grykat e Kotorrit. Këtu u ngushtua shumë për mungesë ushqimesh aq sa ekuipazhi i tij arriti të blinte një vezë dhjetë solda! Ndërkaq Veziri i Bosnjës i marrun vesh me Mahmud Pashën, u nis i lirë, por kur vajti në Shkallë të Hotit, një pjesë e ushtarëve të tij qenë zhveshur e plaçkitur nga malësorët e asaj zone. Në përfundim të përpjekjeve shkodranët morën plaçkë të madhe lufte, midis të tjerëve edhe 16 topa.

    (vijon )

    Revista Shqip.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e puroshkodran
    Anëtarësuar
    07-02-2008
    Postime
    3,635
    ku vijon???

  3. #3
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

Tema të Ngjashme

  1. Shkëlqimi i shkurtër i elitës
    Nga Xhuxhumaku në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 15-12-2011, 08:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •