Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Zvarritet në parlament ligji për hapjen e dosjeve

    Berisha, kundër ligjit të spiunëve

    Berisha dhe Partia Demokratike kanë frikë nga paraqitja në Kuvend e ligjit të për hapjen e dosjeve të spiunëve të diktaturës. Eshtë kjo arsyeja që ky ligj po shtyhet dita-ditës për të bërë të mundur largimin e vëmëndjes, vonesën dhe harresën ndaj ish-spiunëve vullnetarë të Sigurimit të Shtetit, të cilët gjenden të kamufluar brenda rreshtave të Parlamentit shqiptar. “Kam pasur pengesa të ndryshme, sepse disave mund t’u “djeg” keq ky ligj”, shprehet vetë iniciatori dhe mbrojtësi kryesor i këtij propozimi, Nard Ndoka.Dhe këtu sipas tij, nuk është fjala për spiunët e deklaruar, por për ata të kamufluar, të cilët duke përfituar nga fshehja e dosjeve, ose nga harresa ndaj tyre, tani luajnë rolet e disidentëve të diktaturës. Por duket se Ndoka, nuk e ka qëllimin të diskreditojë ndonjë individë të veçantë dhe as ndonjë grup të caktuar individësh. Qëllimi kryesor, sipas fjalëve të tij është spastrimi i rradhëvëe të atyre që shkruajnë ligjet, prej “vullnetarëve” të dikurshëm që merrnin rroga shtesë duke tradhëtuar dhe spiunuar shokët e tyre vetëm për një fjalë goje, ose më keq akoma, duke i provokuar ata që të flisnin kundër diktaturës, në mënyrë që më vonë, pas raportimit t’i fusnin në burg. Ndershmëria me të cilën Ndoka po lufton i vetëm kundër indiferencës së deputetëve të Partisë Demokratike është një shembull që tregon se Paramentit shqiptar nuk mund t’i kenë mbaruar njerëzit që synojnë luftën ndaj hipokrizisë, duke ndërruar lëkurën, sa herë që ndërrohen pushtetet. “Shumë deputetëve nuk u pëlqen ky ligj, ngaqë ata janë të orientuar nga lart”, shprehet Ndoka, duke lënë të nënkuptohet se nga të dy grupimet kryesore të politikës, jo vetëm që nuk po gjen mbështetje, por përkundrazi, po has në një rezistencë të heshtur. Ndërkohë, sipas informicioneve brenda selisë blu është vetë kreu demokrat, Sali Berisha i cili nuk ka asnjë interes të shfaqur për miratimin e këtij ligji, ndofta nga fakti se brenda karrikeve të pozitës së sotme gjenden mjaft deputetë-spiunë të kamufluar, të cilët më vonë kanë kërkuar shpagime në emër të disidencës. Pavarësisht se vetë Berisha është krejtësisht i pastër në këtë drejtim, përsëri atij nuk i intereson hapja e këtij debati, ngaqë një numër i njohur deputetësh të djathtë, mbajnë mbi supe një mal me mëkate. Nga ana tjetër, në krahun e majtë numri i ish-spiunëve është akoma më i madh, por të paktën një pjesë e tyre janë deklaruar hapur si “vullnetarë” të dikurshëm. Dhe ata janë deklaruar gjithashtu hapur kundër diskutimit të këtij ligji. Ndërsa, PD-ja e fsheh mungesën e vullnetit për të shtruar në tavolinë dosjet e spiunëve. Por Ndoka është shprehur i vendosur se pas një muaji do ta paraqesë të plotësuar projektligjin për t’i shkuar deri në fund të vërtetës. “Sapo të mbarojnë diskutimet për imunitetin, unë do të kërkoj hapjen e dosjeve”, ka përfunduar ai.

    Gazeta Sot.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Kjo eshte nje kerkese budallaqe e bere nga njerez qe truri nuk ju punon me 2-3 Hz (2-3 operatione ne sekonde), por me 0,0000001 Hz.


    Pse e them kete.


    Ne keto 15 vjet cdo deputet, minister, gjykates, hetues, prokuror, zyrtar i larte etj.
    qofte i PS, qofte i PD, apo i kujtedo partie qe i ra rradha te jete ne pushtet, ne qofte se ka patur nje dosje ne ish-sigurimin e shtetit, eshte kujdesur prej kohesh qe kjo dosje te mos egzistoj me.

    Ne Shqiperi u tjetersua prona. u nderrua bjografia, u prodhuan dokumenta dhe tapi qe nuk kane egzistuar kurre dhe jo me te mos zhdukeshin disa qindra dosje.

    ( Une njoh nga afer nje nga kryesia e PDR, babai i te cilit eshte denuar me 6 muaj burg diku nga vitet '60 pasi ishte magazinier kooperative dhe i dolen mangut ca thase miser gjate inventarit. Ky xhongleri i PDR meqenese eshte jurist, arriti te nxjerr dukumenta ne te cilen vertetohej se babai i tij kishte bere 20 vjet burg per politik. si rrjedhim perfitoj shume gjera gjate viteve 1992-1997).


    Pra dosje per deputetet dhe njerez te nivelit te tyre nuk ka

    ---------------------------------------------------------------------------------


    Ta zeme se egzistojne keto dosje. Dhe ato u hapen.
    Cfar perfitimi kemi nga keto dosje?!?!

    Si thate, ish-spiunet e sigurimit do denohen moralisht?!
    Hahahahahahah.Qesharake.

    Pse te rremojme ne dosje, kur shume gjera jane te hapura.

    Ish-Sekretari i pare i KP se Tepelenes (pra Enver Hoxha i Tepelenes) Gramoz Ruci ka 15 vjet ne krye te politikes shqiptare (me votat e popullit),.

    Ish-gjyqtari qe denoi me varje ne litare nje poet nga Kukesi, Fehmi Abdiu, ishte deputet, kryetar i gjykates kushtetuese, eshte antar i gjykates kushtetuese.

    Fatmir Xhafa ish-sekretari i pare i rinise per Tiranen.

    Mezan Malaj ish-krytar i komitetit ekzekutiv te Vlores(pra Mehmet Shehu) i Vores


    Sa e sa emra te tille ka ne parlament, gjykata,ambasada etj. qe populli i njeh dhe i voton.

    ---------------------------------------------------------------------------------------------------
    Perfundim:

    Hapja e dosjeve nuk do ndikonte fare ne karrieren e kameleoneve te politikes.

    Kurse turmat popullore, do gjenin nje sebep per tu rikthyer me mendime dhe me shpirt ne 1945-1991. Do gjenin ca arsye me shume per te bera ca krime me shume.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-01-2003
    Postime
    424
    Per te ndricuar refuzimin per hapjen e dosjeve, me poshte dy artikuj te parazgjedhjeve te 3 korrikut:

    ----
    Pesë parti kandidojnë me spiunë

    Nga Kastriot Myftaraj

    Në prag të 3 korrikut ka shumë diskutime se cila do të jetë mazhoranca e parlamentit të ardhshëm. Sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve, me mazhorancë të PS-së, të PD-së, pa mazhorancë të partive të mëdha, por me mazhorancë të majtë (PS+LSI), ose me mazhorancë të djathtë (PD+LZHK), një gjë është e sigurt, që parlamenti do të ketë një mazhorancë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Në konkurim, si kandidatë për deputetë në parlamentin e ardhshëm, si nga pozita, ashtu dhe nga opozita mbeten-sa për të përmendur vetëm disa- “Anteu”, “Alfons Ballsha”, “Shishja e Qumshtit”, “Këndesi”, “Medicina”, “Cigarja”, “Çiftelia”, “Inxhinieri”, “Shkrimtari”, “Dizenjatorja”, “Raketa 5”, “Serbi”, “Greku”, “Qukapiku”, “Proletari”, “Koromania”, “Çiklisti”, “I Vogli”, “Dardan Podujeva”, “Llulla”, “Naftëtari”, “I Miri”, “I Urti” etj., etj..Në rast se disa spiunë si “Ylli”, “Masoviku”, “Çorapja”, “Gjeli”, “Profesori”, “Doku”, “Demoni”, “Nemërçka”, këtë herë nuk do të kandidojnë, megjithatë ka një prurje të re sipunësh në politikë, që e kompensojnë mungesën e tyre, si “Helika”, “Poeti”, “Lëngaraqi”, “Pëllumbi”, “Magazinieri”.Madje, ka zona elektorale ku cilado nga partitë e mëdha që të fitojë, deputeti që do të gëzojnë zgjedhësit do të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, si në rastin e zonës ku konkurojnë “Anteu” dhe “Këndesi” në Tiranë. Fushata elektorale na ofron skena të çuditshme ku “Nemërçka” prezanton si kandidat për deputet “Medicinën”. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, po ta krahasojmë turmën e kandidatëve për deputetë- bashkëpunëtorë të sigurimit të Shtetit në këto zgjedhje, me një ajsberg që lundron në detin e trazuar të politikës shqiptare. Në këtë fushatë, spiunët e Sigurimit të Shtetit asistohen dhe nga gazetarë dhe analistë të llojit të tyre, në debate televizive, si “Kaposhi”, që edhe pse drejton një institucion të depolitizuar nuk heziton të bëjë analistin politik tendencioz, “Korani i Myzeqesë”, që në tre “opinione” katër i ka nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, “Drita”, “Arsimtari”, “Corapja”, “Masoviku”, “Holta”, “Tigri”, “Vllahu”, “Malësori”, “Alfons Ballsha”, i cili mban barrën e dyfishtë të gazetarit dhe kandidatit.
    Ndërsa çuditërisht është zhdukur nga skena “Bozhuri”, i cili këtë herë nuk ka kurajo që të na e zbulojë “Ajsbergun” e kandidatëve-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. “Intelektuali” u jep leksione kandidatëve në një të përditshme, ku si analist e shoqëron dhe një ish-oficer i SHIK dhe SHISH. “Stilografi” i ndryshkur i Sigurimit të Shtetit hiqet sikur i gërvisht të gjithë, por në fakt i shërben padronëve të vjetër. “Urithi” mori përsipër misionin e vështirë të hartimit të kodit të etikës së zgjedhjeve, siç ia kërkon vendi i ri i punës, por kjo është një detyrë e pamundur, pasi ai e di mirë se kolegët e tij që kandidojnë janë e kundërta e çdo etike. Si mund të ketë etikë në këto zgjedhje kur sipas një investigimi të kryer nga qendrat kompetente që kanë kopje të materialeve të Sigurimit të Shtetit në të dy krahët e politikës, 56% e kandidatëve në total kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Parlamentet që ka pasur Shqipëria që nga fillimi i pluralizmit kanë pasur si mazhorancë të padiskutueshme atë të spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Anjeri në Shqipëri nuk dëshëron që të manipulohet me listat e spiunëve të diktaturës komuniste, por asnjeri nuk dëshëron gjithashtu që në parlamentin e sivjetëm të ketë më shumë ish-spiunë se sa deputetë të një force mazhoritare. Por, sot, në vitin 2005, kur ndërkombëtarët po kërkojnë standarde perëndimore për zgjedhjet, është koha që kësaj dukurie t’ i jepet fund, pasi ç’ kuptim ka që të ketë zgjedhje të lira e të ndershme ku fitojnë spiunët e Sigurimit të Shtetit, për shkak se ata vetë, duke pasur mazhorancën në parlament, pengojnë hapjen e dosjeve, që do t’ u bënte të mundur zgjedhësve shqiptarë të mësojnë se kush janë kandidatët që ua kërkojnë votën.
    Është koha që “Çiftelia” të futet në muze, “Cigarja” të fiket, “Qukapiku” të ikë nga “pylli” i politikës, “Serbi” të shkojë në Serbi, “Çiklisti” të dalë nga korsia e politikës, “Greku” t’ i kthehet profesionit të tij për t’ u mësuar nxënësve ligjet e Arkimedit, “Këndesi” të shkojë më në fund ta nxjerrë bukën e gojës në sallat e gjyqeve si gjithë avokatët e tjerë, “Helika” t’ i kthehet historisë, “Raketa 5” të shkojë përsëri të qepë brekët e ushtarëve, “Medicina” të veshë bluzën e bardhë, “Dardan Podujeva” të marrë pompën e naftës në dorë, “Dizenjatorja” të marrë penelin, “Shkrimtari” të kthehet në studion e tij, “Naftëtari” të kthehet tek puset e naftës, “I Vogli” që nuk i gjen dot zyrat e llogarive të kooperativave le të gëzojë paratë e bëra në doganat e aeroporteve, por le t’ i lerë të qetë zgjedhësit, “Alfons Ballsha” të kthehet në fshat te lopët se tjetër punë nuk di të bëjë, pasi dështoi dhe si kryeredaktor, “Shishja e Qumshtit” le të mbushet me raki, e të mbështillet me deftere poezish, “Pëllumbi” monarkist le të merret njëherë në jetën e vet me agronomi, “Llulla” le t’ i kthehet arkeologjisë, “Poeti” le të gëzojë pleqërinë si monarkist, po deshi, por jo si deputet, “Anteu” le të merret me biznis privat, por jo si i zgjedhur i popullit, “Qukapiku” le të merret me hoteleri. Një pjesë e madhe e spinëve sigurisht që do të digjen në garë se parlamenti ka vetëm 140 vende, por është e sigurt se ata që do të hyjnë në parlament do të jenë kuintesenca e spiunëve-kandidatë dhe sipas një investigimi paraprak parashikohet që në parlamentin e ardhshëm numri i spiunëve të jetë midis 78 dhe 86 vetë. Ky parlament që pritet të dalë nga zgjedhjet e 3 korrikut, po quhet paraprakisht si “parlamenti i megadushkut”. Kjo është njëra anë e së keqes të këtij parlamenti. Ana tjetër është se po shkunde një degë të “dushkut” elektoral dalin 10 spiunë të Sigurimit të Shtetit. Në “Megadushkun” electoral që do të nxjerrë parlamentin ka më shumë spiunë se “lwndw” dushku.

    SOT
    Ndryshuar për herë të fundit nga karaburuni : 16-10-2005 më 09:54
    E drejta vonon, por nuk harron!

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-01-2003
    Postime
    424
    PD, PS, LZHK, LSI, poker spiunësh në parlamentin e ri


    Nga Kastriot Myftaraj

    Në fillim të kësaj fushate elektorale, midis dy partive të mëdha, nga njëra anë, PS dhe PD, si dhe dy rivaleve të tyre brenda llojit nga ana tjetër, LSI dhe LZHK, u vu re një aspekt mjaft intrigues i “luftës” elektorale, përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ky aspekt i “luftës” konsistonte në akuza të ndërsjellta për kandidatët për deputetë të palëve si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Për shumëkënd ky qe aspekti më interesant i fushatës, pasi mund të pritej që, pa dashjen e partive politike, rezultati të qe transparenca e një prej aspekteve më të errta të trashëgimisë së diktaturës komuniste, spiunëve të Sigurimit të Shtetit në politikën pluraliste shqiptare.Por, gjatë përdorimit në fushatën elektorale të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, u vu re një fenomen i ngjashëm me atë që gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, kur ekzistonte rreziku i luftës së përgjithshme bërthamore quhej si “ekuilibri i frikës” i ardhur nga “shkatërrimi i sigurt i ndërsjelltë”.Sipas këtij koncepti, asnjëra nga superfuqitë, ose fuqitë bërthamore, aleate të tyre, nuk guxonte që t’ i përdorte armët bërthamore, pasi kjo do të çonte në përdorimin masiv të tyre, çka do të shkaktonte shkatërrimin e sigurt të të gjitha palëve të involvuara. Që të shmangej një situatë e tillë u krijua dhe i quajturi “teletajpi i kuq”, që lidhte direkt Shtëpinë e Bardhë me Kremlinin dhe që ishte një mënyrë e sigurt për komunikim me qëllim parandalimin e precipitimit të konflikteve.
    Në politikën shqiptare “ekuilibri i frikës” vepron midis “superfuqive” (PS dhe PD), në rastin e përdorimit të “armëve bërthamore” të politikës shqiptare, që janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me këto “armë” janë të pajisura si PS dhe PD, falë qenies në pushtet të lidershipit të tyre në kohë të ndryshme dhe mundësisë për akces në arkivat ku mbahen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Por, të dy palët e dijnë se përdorimi i “armës” së dosjeve do të çonte në një precipitim të luftës politike, që do të çonte në shkatërrimin e sigurt të ndërsjelltë. Kështu, nëse PS do të sulmonte PD-n dhe aleatët e saj me dosjet “Këndesi”, “Gjeli”, “Çorapja”, “Sqepi”, “Masoviku”, “Çiklisti”, “Shishja e qumshtit”, “Naftëtari”, “Alfons Ballsha”, “Demoni”, “I Vogli”, “Qukapiku”, “Dizenjatorja”, “Inxhinieri”, “Medicina”, “Çiftelia”, “Nemërçka”, PD nga ana e saj do të përgjigjej me dosjet VIP të krerëve të PS-s dhe ministrave si “Cigarja”, “Anteu”, “Ylli”, “Serbi”, “Llulla”, “Financieri”, si dhe me akuzën e përjetshme se PS është trashëgimtare e partisë që krijoi dhe komandoi Sigurimin e Shtetit dhe se spiunët e rëndomtë vepronin sipas platformave të përgatitura nga Komiteti Qendror i PPSH-s dhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste ku kontribuonin dy nga drejtuesit kryesore të mazhorancës së sotme të majtë, pa përmendur këtu faktin se numri dy i PS-s është ish-shefi i Sigurimit të Shtetit. Prandaj, në këtë fushatë elektorale, dy “superfuqitë” e politikës shqiptare, PS dhe PD, evituan që ta përdorin “armën bërthamore” kundër njëra tjetrës dhe u kufizuan në përdorimin e “armëve konvencionale”, domethënë akuzat për korrupsion dhe për ngjarjet e 1997-s. Prandaj Berisha i kërkon Fatos Klosit që t’ ia publikojë rivalit të vet në Mallakastër, ministrit të jashtëm Kastriot Islami dosjen e Sigurimit të Shtetit, të cilën çuditërisht nuk e publikon vetë Berisha, që e zotëron sigurisht si ish-President, ndërsa Nano nuk i kujton Berishës p.sh. se Genc Rulin, kandidat i PD-s në Gjirokastër, në mbledhjen e Këshillit kombëtar të PD-s në prill 1997 e ka quajtur bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Prandaj Nano nuk i kujton Berishës se jo më larg se vjet në tetor i ka quajtur “çekistë” deputetët e partive aleate që votuan pro kandidatit të së majtës për Kontrollin e Shtetit, edhe pse disa prej tyre sot janë kandidatë për deputetë të mbështetur nga PD, si p.sh., kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova. Por ato nuk hezituan që të provojnë ta përdorin “armën bërthamore” kundër rivalëve respektivë brenda llojit, LSI dhe LZHK, duke menduar se këtu rreziku qe më i vogël.
    Lufta e dosjeve, filloi së pari midis PD-s dhe LZHK-s. Në fillim të fushatës, në ditoren praën PD-s “TemA” u botua shkrimi me autor Bedri Blloshmin “LZHK, ose sofra e spiunëve”. Në këtë shkrim denoncohej me emër një kandidat për deputet i LZHK-s në Korçë, si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe pjesëmarrës në cilësinë e ekspertit në një gjyq të montuar politik të kohës së diktaturës komuniste ku qenë dënuar me vdekje njerëz të pafajshëm. Nga vetë titulli i shkrimit dhe përmbajtja e tij, aludohej se LZHK qe një “sofër politike” ku qenë ulur këmbëkryq spiunët e Sigurimit të Shtetit. Shkrimi i Blloshmit mbështetej mbi një premisë të vërtetë, pasi tashmë në shtyp është botuar disa herë ekspertiza letraro-sigurimse e individit në fjalë (herën e fundit është botuar në prill të këtij vitit), gjë për të cilën nuk mundej mos të qe në dijeni kreu i LZHK-së, Leka I Zogu. Ishte e qartë se, PD dhe Berisha po kërcënonin LZHK-n dhe Leka Zogun se do t’ i shkatërronin me “armën” e dosjeve, në rast se nuk mbanin një profil të ulët të luftës politike kundër PD-s.
    Në mjediset e LZHK ky sulm, që për më tepër paralajmëronte një sulm total, u prit me alarm dhe LZHK u kundërpërgjegj duke publikar dosjen penale në Itali të aleatit më të ngushtë të Berishës, Fatmir Mediut (ish-Mehdihoxha). PD reagoi duke e rritur presionin ndaj LZHK-s me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe duke e kërcënuar me botim të dosjeve të kandidatëve të saj për deputetë. Në një editorial të njeriut më pranë Berishës në mediat opozitare, Mero Baze, që atakohej direkt në shkrimin e Thanasit, editorial të botuar në “TemA” të datës 11 qershor 2005, thuhej se:
    “Në redaksinë tonë kanë ardhur jo gjysmë dosje, dhe jo vetëm kapakë, por dosje të plota të disa krerëve të LZHK-së, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që nga ata që kanë denoncuar për pantallona kauboj e deri tek ata që kanë denoncuar dhe njerëzit e fisit të tyre të nderuar, nga Laçi në Kukës. Ato nuk janë gjysmë të vërteta, janë të vërteta të hidhura, por që kërkojnë shumë vullnet pozitiv për të mos i publikuar, sidomos në fushatë elektorale. Nëse do të vepronim siç veproi Shehi, të cilin zëdhënësi i Fatos Nanos e trajtoi njësoj si reporterin e kronikës tek një gazetë e përditshme, atëhere në këtë fushatë zor se do të dilte ndonjë kandidat i LZHK-së, pa dosje”.(“TemA”, 11 qershor 2005, f. 1.)
    Ky qe një paralajmërim për luftë totale me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nga ana e PD-s kundër LZHK-s. Derisa akuzoheshin hapur të 100 kandidatët për deputetë të LZHK-së si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, madje kërcënoheshin me publikim e dosjeve të tyre, për dy drejtuesit më të lartë të LZHK-së bëheshin aluzione të posaçme. Kur PD e bëri këtë kërcënim ajo besonte se kjo qe një lojë pa risk, pasi LZHK nuk qe një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, pra nuk e zotëronte armën e dosjeve.
    Por, në këtë pikë PD pati një surprizë të pakëndshme pasi brenda asaj dite LZHK u shndrrua në një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, duke u pajisur me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që të nesërmen e kërcënoi PD-n me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në një editorial me titull “Harabeli, bajga e lopës dhe skifteri” të botuar në gazetën “Atdheu”, organ i Partisë Lëvizja e Legalitetit, në datë 12 qershor 2005, me autor drejtorin e departamentit të marrëdhënieve publike në LZHK, Gjergj Thanasi, shkruhej:
    “Në shkrimin e mësipërm janë përdorur teknika të marrëdhënieve me publikun të quajtura: Names Dropping Technique dhe Iceberg technique. Të interesuarit për përmbajtjen e këtyre teknikave le t’ i drejtohen firmës konsultuese BG&R, ku japin ndihmën e tyre ekspertë si Naftëtar, Ymer Çorapja apo këndezë e gjela plehrash e jo vetëm harabelë e kafshëza të tjera”. (“Atdheu”, 12 qershor 2005, f. 2.)
    Të interesuarit ndoshta kanë pyetur në BG&R dhe atje u kanë thënë se teknikat në fjalë janë teknika shantazhi sipas të cilave një ose disa personave u përmenden detaje të papëlqyeshme për ata, por pa ua dhënë emrat, ose krejt të dhënat. Mënyra sesi procedon z. Thanasi është një model i përdorimit të këtyre teknikave, pasi atje përmenden pseudonimet në Sigurimin e Shtetit të disa figurave të rëndësishme të PD-s dhe partive aleate, si “Naftëtari”, “Çorapja”, “Këndezi”, “Gjeli”, si dhe aludohej për të tjerë me emra kafshësh. Vetë zgjedhja e z. Thanasi për ta përsjellë këtë mesazh për PD-n nuk qe e rastësishme, pasi ai u zgjodh për faktin se kishte qenë njeriu që ishte dëbuar pak kohë më parë nga PD, ku mbante të njëjtin post që ka sot në PLL, pasi i ofroi Doktorit prova të pakundërshtueshme se një drejtues i PD-s në durrës qe në komunikim të vazhdueshëm me drejtorin e SHISH në Durrës.
    Pra, LZHK po e kërcënonte PD-n dhe aleatët e kësaj partie, se nëse PD do të bënte publike dosjet e Sigurimit të Shtetit të kandidatëve të LZHK-s, atëhere edhe LZHK do të bënte të njëjtën gjë me dosjet e kandidatëve të PD-s dhe të partive aleate të kësaj të fundit. Kjo çoi në stabilizimin e “ekuilibrit të frikës” midis PD-s dhe LZHK-s nga frika e shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë. PD dhe LZHK e ndërprenë luftën me dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe kjo ndërprerje qe megjithatë po aq elokuente sa rasti kur këto dy subjekte elektorale do t’ i kishin publikuar dosjet, kushdo që do të kuptojë e kuptoi se të dy palët qenë zhytur deri në fyt në “halen” e Sigurimit të Shtetit dhe nëse kjo lojë do të vazhdonte, atëhere do të shikonim të botoheshin mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të PD-s, mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të LZHK-s, pa llogaritur partitë satelite të PD-s. Kështu u bë e qartë se edhe tek LZHK, që ka sloganin “Ne bëjmë shtet”, “NE” është Sigurimi i Shtetit dhe kjo kuptohet dhe nga fakti se z. Thanasi që u dëbua nga PD se denoncoi bashkëpunimin me SHISH të një drejtuesi lokal të saj, u hoq nga lista e kandidatëve të LZHK-s në Durrës. Dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e ka thënë p.sh. kandidati i sotëm i LZHK-s në një nga zonat elektorale në veri, E.P., i cili në një shkrim në një të përditshme vitin e kaluar përmendte pseudonimin sigurims “Lëngaraqi” dhe disa detaje nga aktiviteti i tij në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës. A mund t’ u thotë sot E. P. mbështetësve të LZHK-s se kush është “Lëngaraqi” që sot kandidon për LZHK-n, në një zonë elektorale pak më në jug se ajo e E.P?
    Lufta e ftohtë me armën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit filloi edhe midis dy rivaleve të majta, PS dhe LSI. Në prag të fushatës elektorale dhe në fillim të saj, në gazetën e PS-s “Zëri i Popullit” emrat e disa prej kandidatëve dhe krerëve të LSI, sipas një teknike të njohur shantazhi u përmendën në fjali ku qe futur dhe fjala që u atribuohej si pseudonimi në Sigurimin e Shtetit. E ndodhur në këtë situatë shantazhi, LSI, me gojën e Dritan Priftit reagoi fuqishëm duke akuzuar një nga drejtuesit e PS-s dhe njeriun që shihet si kandidat për numrin 2 të saj, Petro Koçin, si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit dhe duke përhapur fjalë se ai ka pasur pseudonimin “Korabi”. Petro Koçi u kundërpërgjegj duke thënë se kaq rëndë nuk e kishte fyer as Berisha që i paskësh qethur kokën në vitin 1997, duke ia bërë të ndrijë si tas, si maja e Korabit kur e mbulon bora.
    Për një moment u duk se lufta e dosjeve brenda së majtës do të precipitonte dhe të dy palët do të t’ ia çirrnin “gjethen e fikut” njëra tjetrës, pasi LSI është një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, e pajisur me “armën” e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për shkak se në lidershipin e kësaj partie është dhe ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi dhe ish-kryetari i komisionit të verifikimit të figurave, Nafiz Bezhani, një tjetër ish-pjestar i lidershipit të LSI-s, që vdiq para pak kohësh, thuhet se i ka lënë me “testament” Ilir Metës disa thaës me dosje të fotokopjuara. “Zëri i Popullit”, duke e ndjerë rrezikun që vinte nga lufta e dosjeve brenda së majtës, e akuzoi drejtpërdrejt Fatos Klosin se qe ai që e furnizonte Priftin (më saktë Murgun, siç e quan “ZP”) me të dhëna nga dosjet sekrete dhe kërcënoi krerët e LSI se ata do të dilnin më të humbur nga kjo luftë, pasi veç një tufe bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit kishin në rradhët e tyre dhe mjaft bashkëpunëtorë të SHIK-ut të Berishës.
    Lufta e dosjeve mes PS-s dhe LSI-s përfundoi njëlloj si lufta e dosjeve mes PD-s dhe LZHK-s, pra u mbyll me vendosjen e ekuilibrit të frikës, për shkak të shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë, gjë që, ashtu si në rastin e dy partive të djathta, është po aq elokuente sa rasti kur dosjet e kandidatëve do të ishin publikuar. Përfundimisht mund të thuhet se lufta me “armën” e dosjeve të të Sigurimit të Shtetit u mbyll për partitë që konkurojnë në zgjedhje, pa u hapur mirë. E megjithatë dosjet e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të rrijnë si “Shpata e Damokleut” mbi kryet e politikanëve shqiptarë dhe në një mënyrë ose në një tjetër, ato vazhdojnë të përdoren.
    Për këtë gjë po jap dy shembuj:
    1)Para disa ditësh, në një debat në “Ringun elektoral” në “Top channel”, kryeekzekutivi i LZHK-s pati një incident sinjifikativ retorik me kandidaten e PS-s në Tiranë, Majlinda Keta (Shaqiri). Kryeekzekutivi lzhkist, duke dashur të tregohej sa më perëndimor i tha kandidates së PS-së se, derisa ajo qe motra e drejtorit të përgjithshëm të SHISH, këtu kishte një problem dhe në Perëndim në këtë rast do të kishte dhënë dorëheqjen ose ajo, ose i vëllai. Por, zonja Keta u kundërpërgjegj se ajo nuk sheh asnjë problem këtu dhe se ajo nuk ka ndonjë gjë për të fshehur. Tjetri si duket kapi ndonjë aluzion këtu për kushedi ç’ “mizë” që e kishte nën “kësulë” dhe iu pre zëri dhe e mbylli këtë temë.
    2)Ministri i Rendit Publik disa herë e ka paraqitur si shqetësim kandidimin në zgjedhje të disa ish-funksionarëve të lartë të policisë, që ai i konsideron si të larguar nga policia për inkriminim, duke aluduar për kandidatë të LSI. Por ky zotëri, që ka marrë përsipër këtë aspekt të fushatës së PS, heziton që të shprehet për kandidimin e ndonjë funksionari të lartë të SHISH, po nga kjo parti. Pse?
    Mbyllja e luftës së dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit nga ana e partive të mëdha pjesëmarrse në këto zgjedhje është tregues i një pakti të pashkruar etik, që të gjitha palët po e respektojnë, ndryshe nga kodin e etikës që nënshkruan në Presidencë. Veçse ky kod i pashkruar etike që po respektohet, është një kod i etikës mafioze, i llojit të Kodit “Omerta”, pra të kodit të heshtjes për krimet e të tjerëve, në këmbim të heshtjes së tyre për krimet e tua. Inteligjenca, në kuptimin e aferave të shërbimeve sekrete të instrumentalizuara në politikë dhe jo të njerëzve të dijes, mbetet pasioni i madh i krerëve të partive, në pushtet, ose në opozitë qofshin. “Dija është pushtet” thotë një sentencë e vjetër dhe kjo vlen më tepër se për çdo gjë për dijen në fushën e shërbimeve sekrete. Duke ndjekur këtë sentencë Kryeministri Nano, në 23 janar 2004, në një takim zyrtar që pati në selinë qendrore të SHISH deklaroi: “Ka mundësi, t’ ju lajmëroj zyrtarisht, se kryeagjenti më i madh i të gjitha shërbimeve të shtetit në Shqipëri jam unë Kryeministri”. (“Zëri i Popullit”, 24 janar 2004, f. 3.) Në mënyrë më modeste por me persistencë, Berisha, Meta, Shehi (Zogu) përpiqen që mos të mbeten pas në këtë linjë, duke krijuar konmbinacione nga më të habitshmet.


    SOT
    E drejta vonon, por nuk harron!

  5. #5
    Perjashtuar Maska e Lunesta
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Dove la..Vittoria.....
    Postime
    1,660
    E cti hape dosjet Sale mavriu, ka qene vete 25 vjet sekretar partie, nga ata qe te merrnin erzin bile.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ore ki kastrioti flet qesim apo ka fakte..???

    ?????????????

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 159
    Postimi i Fundit: 19-03-2010, 07:52
  2. Si i njoha Nanon dhe Berishën.
    Nga BlueBaron në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 23-01-2008, 19:21
  3. Mazhoranca miraton në kuvend ligjin për hapjen e dosjeve
    Nga karaburuni në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 46
    Postimi i Fundit: 20-12-2006, 18:51
  4. Si te lehtesojme hapjen e programeve, dosjeve, skedareve
    Nga edspace në forumin Trajnim & leksione
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-09-2005, 21:50

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •