GAZETA E TIRANES Tetor 9, 2005


Regjistrimet që duhet të vijonin 4 ditë, u mbyllën dje

Kaos në Qytetin Studenti, studentët mbeten pa dhoma


--------------------------------------------------------------------------------



TIRANE

Përfundojnë regjistrimet në Qytetin Studenti, më shumë se gjysma e studentëve të vitit të parë mbeten jashtë godinave. Katër ditët e vëna në dispozicion për të vijuar me regjistrimet e viteve të para nuk qenë aspak të nevojshme se dhomat e mbetura në godina u realizuan në pak orë vetëm gjatë paradites së djeshme. Kishin zënë radhë për te kujdestarët që në orën një të mëngjesit dhe kur dita zbardhi grumbuj prindërish e studentësh shtyheshin me sa mund në dyert e konvikteve. Për shumicën ky turr rezultoi i kotë pasi kujdestarët i dhanë fund shumë shpejt dilemës se kush do të strehohet në mjediset e QS-së. Prindër dhe studentë që, nuk qenë aq fatlumë dhe s'arritën të sistemoheshin siç menduan, u shprehën mjaft të irrituar se kjo përvojë mund të vinte në dyshim dhe vazhdimin e studimeve të larta. "Familja ime nuk mund ta përballojë qiranë e një shtëpie, ka shumë mundësi që unë të mos e vazhdoj shkollën këtë vit. Ky nuk ishte pohim i vetëm një studenteje dje para godinave të qytetit. Madje dhe i prindërve që i shoqëruan, të cilët argumentonin se, me të ardhurat e përmuajshme mezi sa kishin siguruar dhe tarifën e shkollimit, 12.000 lekë dhe pagesën për një vit strehim në Qytetin Studenti që, këtë vit iu kushtoi 20.000 lekë. Problemet e strehimit të studentëve kanë qenë të përvitshme në Tiranë dhe në rrethe. por, këtë vit u bënë më të ndjeshme për arsye edhe të rritjes së konsiderueshme të numrit të studentëve në vit të parë. Qyteti Studenti që ka dhe kapacitetin më të madh të strehimit të studentëve deklaroi vetëm 1.200 vende në dispozicin për ata që nisnin sefte studimet. Rreth 2.000 të tjerë konfirmuan dje veten jashtë QS-së.