Marre nga Gazeta "Shekulli" 12/04/2006
Në dyert e konsullatës
Lulishtja përballë konsullatës italiane në Vlorë prej kohësh është kthyer në një shesh pritjeje për qindra qytetarë që aplikojnë për vizë në këtë seli diplomatike të shtetit italian. Njerëzit qëndrojnë aty me orë të tëra pa guxuar as të kalojnë rrethimin me vazo lulesh që ka vendosur konsullata si kufirin që s’duhet kapërcyer. U ndodh të rrinë aty me muaj, vetëm ngaqë “kështu janë procedurat”,
Ka edhe nga ata që për të shkuar në Itali si turistë duhet ta bëjnë kërkesën që në dimër, të tjerë që njihen si tregtarë, kërkojnë viza për të lëvizur, por duhet të përgatisin një mal me dokumente, vetëm e vetëm sepse “konsulli ka dyshime”. Ka njerëz që, për të marrë një vulë për të legalizuar dokumentet, duhet të rikthehen sërish në Itali pasi afati që përcakton konsullata i kalon më shumë se gjashtë muaj. Kjo është përditshmëria në sheshin përballë konsullatës italiane në Vlorë. “Ende nuk më kanë përcaktuar asnjë datë por e di që deri atëherë do të më skadojnë edhe mua dokumentet e qëndrimit në Itali dhe më duhet të shkoj t’i rinovoj, për të nisur procedurat nga e para”,- thotë i revoltuar një emigrant shqiptar. Një biznesmen në qytetin e Vlorës shton se për të marrë një vizë në konsullatë i kanë kërkuar edhe bilancin ekonomik të ndërmarrjes, ndërkohë që nuk janë të pakta rastet e refuzimit të kërkesave. Sipas aplikantëve që presin përballë konsullatës thuhet se për t’u pajisur me një vizë të duhet të presësh një vit, për të legalizuar një dokument, duhet më shumë se një muaj.
Sami Himro thotë se “ po bëre një kërkesë për vizë pune, përgjigja të vjen, për paraqitje, pas një viti. Ndërkohë autorizimi për punë i lëshuar nga autoritetet italiane vlen gjashtë muaj”. E ndërsa qyetarët janë tejet të acaruar nga procedurat e tejzgjatuara të marrjes së një vize, konsulli italian Lorenco Tomason nuk pranon të lërë qoftë edhe një takim për t’u prononcuar zyrtarisht mbi anomalitë që qytetarët deklarojnë për konsullatën italiane në Vlorë.
Krijoni Kontakt