DEZINFORMIMI
Ramiz Alia: Gëzoj shëndet të plotë
Gazeta greke “Ta nea” botoi një lajm për vdekjen e ish-Presidentit
TIRANË – Ramiz Alia, ish-Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, gëzon shëndet të plotë. Me anë të një e-maili të drejtuar medias, njeriu që pasoi Enver Hoxhën në krye të PPSH-së përgënjeshtron lajmin e publikuar nga gazeta greke “Ta nea” mbi vdekjen e tij. “Ju lajmëroj se gëzoj shëndet të plotë dhe jam në aktivitet të përditshëm”, -shkruan Alia në këtë e-mail. Po ashtu, ai bën të ditur se nuk ka pasur asnjë konflikt apo grindje, siç ka përmendur ndonjë gazetë e Tiranës për ndonjë konflikt të paqenë midis tij dhe Nexhmije Hoxhës. “Unë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj Nexhmije Hoxhën për rolin e saj në politikën dhe shoqërinë shqiptare, si një rol të përcaktuar qartësisht”, –shkruan ai. Në fund, i fundit udhëheqës komunist i Shqipërisë sqaron se aludimet për një bashkëpunim me Leka Zogun janë trillime që nuk qëndrojnë dhe as i afrohen të vërtetës. Nëpërmjet intervistave në dy të përjavshmet ABC dhe “Klan”, Alia është rikthyer ditët e fundit në qendër të vëmendjes së publikut shqiptar.
Dita.
Krijoni Kontakt