Ateizmi, ati i të këqijave që na kanë zënë
Një besimtar, shkon një ditë te berberi. Ulet për të qethur flokët, ndërsa nis një bisedë të thekur me berberin. Doli që berberi nuk besonte në Zot dhe filloi të mbronte argumentat e tij, duke thënë se Zoti nuk ekzistonte.
Besimtari e kuptoi që biseda nuk do dilte gjëkundi, ndaj e mbylli me kaq. Pasi mbaroi punë dhe falënderoi berberin, besimtari bëri drejt derës. E hapi dhe pa në rrugë një njeri të palarë prej muajsh, me flokë dhe mjekër shumë të gjatë dhe të pistë...Atëherë ai u kthye nga berberi dhe i tha: A e di, mendoj se në këtë lagje nuk ka asnjë berber. Ky i fundit i prekur iu kthye: - Çfarë po thua, ja ku jam unë! Besimtari bëri me dorë nga njeriu jashtë në rrugë. Por ai nuk dëshiron të vijë këtu, - tha berberi. Epo - tha besimtari - kështu është edhe puna e Zotit. Ai ekziston, por duhet që të shkojmë ne tek Ai, e jo Ai tek ne…
Sa herë që diku hapet diskutimi për ekzistencën e Zotit më vjen në mendje kjo histori e bukur. Sa keq që shpeshherë, nga inati apo nga mendjemadhësia, nga injoranca apo mosdija, ne nuk e pranojmë atë që është shkruar e zezë mbi të bardhë: asnjë gjilpërë nuk mund të bëhet pa një mjeshër, asnjë fshat nuk mund të drejtohet pa një kryeplak...
Por ca nga ne shqiptarët, të ndikuar edhe nga pasojat e historisë sonë të afërt, e kanë të vështirë të kapërcejnë hendekun e ateizmit, ku shumë kanë rënë syresh.
a) "Dy gjendje frike ka njeriu: Një nga Zoti dhe një nga Kalifi." (Proverb Arab)
Viti 1967 do të kujtohet, jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në atë botërore, si viti kur një shtet ndër më të vegjëlit në faqe të dheut mori vendimin për të çrrënjosur fenë, duke i privuar shqiptarët nga një e drejtë themelore e njeriut, të drejtën e besimit. Sigurisht kjo mund të ndodhë vetëm në një regjim totalitar. Historia dhe shkrimet e shenjta na japin shembuj të tillë. Hartuesit e këtij akti të shëmtuar, menduan se kështu do të çrrënjosnin besimin te shqiptarët, do t'i bënin ata ithtarë të komunizmit duke fabrikuar kështu "njeriun e ri". Por, si mundën njerëzit të ndërtojnë jetën e tyre, krejt papritur, duke hedhur poshtë atë që kanë bërë prindërit e tyre, dhe prindërit e prindërve, duke shumëzuar me zero ato vlera që kanë mbajtur në këmbë njerëzimin për mijëra vjet? Më tepër se për të dënuar atë akt të shëmtuar, ku rinia si një kope delesh u drejtua për në vendet e shenjta, duke i shkatërruar apo duke i kthyer në stalla lopësh, kinema, qendra kulturore etj., këtu dua të evidentoj jo atë që e nisi stuhinë, por shkatërrimin që ajo la pas. Poeti i madh pers, Sadiu do të thoshte: Mos i rritni fëmijët tuaj si qingja, që nesër të mos i futin në kope si delet...
Ja, kështu Shqipëria do të përmendej në botë për këtë çmenduri që në dhjetëvjeçarët që e pasuan do të sillte dëme të papara në jetën e shqiptarëve. Ateizmi i ngulitur thellë në shpirtrat e një brezi të tërë, zhveshi vlerat tërësore të një shoqërie; duke nxjerrë në pah anët më negative: egoizmin, grykësinë, vetëgjyqësinë, përjetësimin e njeriut dhe rrjedhimisht, rrënimin e tij. Pasojat e ateizmit shqiptar u ndien në fillim të viteve '90. Frika nga Kalifi, pra frika nga shteti, një shtet pothuajse i shkatërruar, mori fund duke sjellë kaos dhe dhunë nga pas. Pa dyshim, se tek ne shqiptarët kish marrë fund brejtja e ndërgjegjes, pra, ishte shuar frika ndaj Zotit. Ata që mendojnë se mund të bëjnë edhe pa Zotin, duhet të vënë një polic në kokë të çdo njeriu të gjallë në faqe të dheut. A keni menduar ndonjëherë për ato mijëra femra që për një copë bukë, shesin trupin e tyre si në një treg mishi, në rrugët e Evropës? Disa thonë që numri i tyre ka arritur në rreth 30 mijë. A keni menduar për ata të rinj që bëjnë gjithçka për pesë pare të ndyra? Në shoqërinë e dikujt që kishte bërë lloj-lloj punësh përtej detit dëgjova: Kemi bërë gjithçka për lekë-vetëm njerëz nuk kemi vrarë!.. Këto na i solli ateizmi, mohimi i Zotit, a thua edhe kjo i duhej kombit të vuajtur shqiptar.
b) "Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi çdo gjë!" (Kur'ani, Alak:1)
Pa dyshim shpallja që i erdhi e para profetit Muhamed në shpellën Hira në afërsi të Mekës, ishte: "Lexo…". I zbërthyer në dy kuptime, ky varg i Kur'anit, do të thoshte: lexo tekstet që flasin për Zotin, lexo atë që iu dërgua njerëzve më parë, ndonëse shumë prej tyre u ndryshuan nga njerëzit; lexo pikërisht atë që Engjëlli po i transmetonte Muhamedit, dhe që aktualisht përbën librin e patëmetë të Zotit, Kur'anin. E dyta, ishte leximi i gjithë botës, i sistemit tonë jetik në rruzull, i pemëve, stinëve, i ditës dhe natës, i lindjes dhe vdekjes… Shkrimtari brazilian, Paolo Coelho, në librin e tij më të shitur Alkimisti do të shprehej: "...Është e pamundur që pas gjithë kësaj mrekullie, të mos jetë një Dorë që i rregullon të gjitha…". E jo më kot, Coelho e pranoi pas suksesit të librit se ishte ndikuar kokë e këmbë nga mistiku musliman, Mevlana Xhelaledin Rumiu i famshëm dhe konkretisht nga vepra e tij Mesnevi. Të lexojmë pra, por të mos harrojmë se në fund, do të gjejmë atë që duam, pasi shpesh mendja jonë na pengon të gjejmë atë që duhet.
c) "Padituria është një dënim nga Zoti, ndërsa dijet janë krahët që na çojnë në qiell!" (William Shakespeare)
Në fakt shumëkush e mbron ateizmin me mënyra të ndryshme. Kush bazohet në ideologjinë, shpesh në atë që varrosëm në fillim të viteve '90, e kush tjetër në shkencën duke e përdorur atë gabimisht. Feja Islame gjatë historisë ka bashkëjetuar edhe me politikën, por nuk duhet të harrojmë se në thelb ajo është një mënyrë jetese. Po të hapim Kur'anin, do të përballemi me një kushtetutë e cila në mënyrë të detajuar sanksionon jetën e njeriut. Kur'ani është një libër sa hyjnor njëkohësisht aq dhe tokësor, që lidh robin me Zotin, por edhe robin me jetën e vet materiale në tokë. Shumëkush i veshur me petkun e dijetarit, shkencëtarit, filizofit, poetit , historianit etj., ka sulmuar si fenë Islame ashtu edhe fetë e tjera në tërësi. Këto sulme vazhdojnë edhe sot dhe do të vazhdojnë deri ditën e fundit, ditën e Kijametit. Ndonëse këta zotërinj na paraqesin një botë, madje një gjithësi ku zot është njeriu, nuk arrijnë të mbushin zbrazëtinë e tmerrshme që i lind çdo njeriu të thjeshtë në jetën e tij. Kemi parë që edhe persona që nuk besojnë, në një ndodhi të keqe belbëzojnë: O Zot! Këtë e bëjmë edhe kur jemi të gëzuar. Pra, të gjithë Atje drejtohemi, sepse kemi nevojë të mbështetemi diku, pasi shumë gjëra nuk i percepton mendja por shpirti. Një dijetar do të thoshte: Çdo njeri ecën në rrugën që zgjedh vetë, drejt fundit apo pafundësisë së tij… Pra të gjithë ne, e zgjedhim vetë rrugën tonë, por, për ku? Një tjetër fjalë e urtë e një njeriu të mençur thotë: Të gjitha udhët të shpien te Zoti, por cila është më e drejta dhe më e sakta për të shkuar drejt Tij?
d) Po nëse ka Zot, ti çfarë do bësh? (Ali bin Ebi Talib)
Një ditë, Aliu po debatonte me një jobesimtar. Ky i fundit i thotë: O Ali, ke bërë kaq të mira në jetë për hir të Zotit, gjithë jetën ia ke kushtuar Atij. Po sikur të mos ketë Zot, që t'i të përballesh në botën tjetër, çfarë do bësh? Aliu i zgjuar iu përgjigj: Asgjë. Nuk do bëj asgjë. Por ti ç'do bësh nëse ka një Zot që duhet të përballesh në jetën tjetër?
Kjo është çështja. Çfarë do të bëjmë më tej, atje ku nuk ka kuptim e s'na ndihmon dot asgjë e kësaj bote, as pasuria, miqësia, fëmijët, gruaja apo burri? Jemi qenie të mbërthyera në një segment i cili nis e mbaron, që ka një fillim e fund, një lindje e vdekje. Ne nuk mund të dalim e të shohim se ç'ka jashtë tij, vetëm atëherë kur të përballemi me të vertëten e madhe, pas vdekjes trupore të kësaj bote. Por, Zotin mund ta gjejë gjithkush që do ta gjejë atë.
Gjithkush që do ta gjejë ngushëllimin te ateizmi, ka për ta patur shok vetminë, pijen, braktisjen,nikotinën, mungesën e shpresës, paqartësinë e të ardhmes, frikën nga varri. E ndërsa ata që besojnë, dinë që edhe hallin edhe gëzimin ta ndajnë me Zotin e tyre, duke falënderuar, duke u nënshtruar, duke bërë të mira e duke qënë shpresëplotë. Ne nuk kemi frikë nga guri i varrit, se e dimë që pas tij na pret një tjetër jetë, e dimë që Zoti Mëshirplotë do të na i falë mëkatet e përditshme, pasi Atij nuk i bëmë shok askënd, pasi u munduam që këtë jetë të vështirë ta ndërtonim sipas Kur'anit dhe Traditës së Profetit (a.s.).
Është koha për të menduar atë që prindërit tanë e bënë gabim në vitin e mbrapshtë 1967 në dheun e shqiptarëve. Është koha për të reflektuar, dhe për të parë se ç'mund të rregullojmë nga ai shkatërrim që në fakt ka prishur efektshmërinë e strukturës së jetës sonë. Jo më kot ne mendojmë se "jemi të mallkuar" dhe se "në këtë vend nuk jetohet". Duhet punë, pasi ne e kemi bërë Shqipërinë të tillë, një vend ku njeriu ha njeriun, ku vëllai vret vëllain, ku babai vret vajzën, ku krimi, imoraliteti dhe korrupsioni po na e helmojnë jetën tonë të përbashkët. Ata që qeshin më shumë, janë më të pikëlluarit që e mbulojnë hidhërimin e tyre me velin e gëzimit, do të thonte vetë shkrimtari komunist, Maksim Gorki.Mos harroni, ajo që i rrit bukurinë bukurisë, është shëmtia e shëmtisë!..
Pra ne vend qe ti ndergjesonin njerzit se Ka nje Zot mbi to i ndergjegjsonin se mbi cdo njeri ka nje spiun ose polic.
Krijoni Kontakt