Xhakartë, 14:25
Rrëzimi i aeroplanit indonezian mbi qytetin Medan sot mori jetën e 141 personave, lajmëruan autoritetet indoneziane, duke shtuar se prej viktimave 111 kanë qenë udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, ndërsa 30 kanë humbur jetën në tokë.
Gjashtë udhëtarë e kanë mbijetuar fatkeqësinë, ndërsa vendi ku u rrëzua aeroplani i tipit Boing 737-200 i kompanisë Medan Erllajns menjëherë ishte kapluar nga zjarri.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë dhjetëra persona të lënduar janë transferuar në spitalet përreth, ndërsa në mesin e të vdekurve është edhe guvernatori i provincës Sumatra Veriore.
Aeroplani i Medan Erllajns-it që u rrëzua menjëherë pas fluturimit nga qyteti Medan ka qenë 25 vjet i vjetër, ndërsa servisimin e fundit më të madh e ka kryer në qershor të këtij viti.
Medan Erllajns, e cila ballafaqohet me probleme financiare, në flotën e saj ka 15 aeroplanë, prej të cilëve shumica janë të tipit Boing 737-200.
Fatkeqësia e sotme e aeroplanit është e gjashta gjatë dhjetë ditëve të fundit. Gjatë fatkeqësive në Peru, Venecuelë, Greqi dhe Tunezi humbën jetën 334 njerëz. Në gusht fatkeqësi pa viktima kishte edhe aeroplani francez, i cili u ndez gjatë aterimit në Toronto.
Fatkeqësia e fundit e aeroplanit në Indonezi ndodhi në shkurt të këtij viti, kur në Javë u rrënua një aeroplan më i vogël, me ç`rast humbën jetën 26 njerëz.
Fatkeqësia më e rëndë ajrore në Indonezi ka ndodhur në shtator të vitit 1997 kur një erbas i kompanisë Geruda goditi një kodër në afërsi të vendit të fatkeqësisë së sotme. Atëherë humbën jetën 232 persona.
Krijoni Kontakt