Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Erzeni Maska e Shijaksi-London
    Anëtarësuar
    10-11-2002
    Vendndodhja
    ke kodra kuqe
    Postime
    778

    Mënyrat që përdor për të vrarë mafia shqiptare

    11 vrasje të tipit mafioz kanë ndodhur këtë vit në Shqipëri
    Mënyrat që përdor për
    të vrarë mafia shqiptare



    --------------------------------------------------------------------------------
    Nga Vladimir Karaj
    Tirana Observer

    Dikur në Shqipëri vrasësi përpara se të qëllonte i thërriste në emër viktimës. Pasi e kishte vrarë, merrte pjesë në varrimin e tij, e të gjithë e mësonin se kush ishte autori. Ky zakon i çuditshëm, në mungesë të shtetit funksiononte si një lloj drejtësie me fajtorë të vetëshpallur dhe arsye të ditura. Por vrasësit duket se janë njerëzit që “përparojnë” më shpejt. Tani jo vetëm që nuk ka më fajtorë të vetëshpallur, por drejtësisë i duhen vite, plus një teknologji disa herë më e avancuar, në mënyrë që të arrijë të identifikojë autorët e një krimi. E për më shumë, kur krimi është mafioz, strukturat e shtetit vihen përballë strukturave thuajse paralele kriminale, që funksionojnë gjithmonë të lidhura me politikën. Vrasje e tipit mafioz, vrasje për larje hesapesh, e të tjera të kësaj natyre, duken të zakonshme në Shqipërinë që e njeh këtë lloj krimi vetëm prej pak kohësh. Arsyet se përse e marrin këtë emër një numër i konsiderueshëm krimesh, vjen kryesisht nga mënyra se si kryhet ai. Atentat me eksploziv, vrasje e heshtur me silenciator, mbytje me litarë, shenja të dukshme dhune dhe masakrim i kufomës, persona që zhduken për muaj me radhë e që gjenden të masakruar në brigje lumesh, janë metodat më të dëgjuara dhe gjithashtu ato më prezente.

    Sofistikimi i krimit

    Ajo që mjaft herë specialistë të antikrimit përmendin në analiza të ndryshme, vihet re së pari në zhdukjen e gjurmëve në vendet e krimit. Kriminalistët e kanë shprehjen e tyre që thotë se në çdo krim ka një gjurmë, por duket se gjetja e kësaj gjurme bëhet gjithmonë e më e vështirë. Hedhjet në erë nëpërmjet bombave me celular apo të tjerave mënyra të telekomanduar, tregojnë se mafia është tashmë mjaft e përparuar. Dy raste të ndodhura vetëm këtë vit në Shqipëri me tre viktima, tregojnë se kriminelët dinë ta vënë mirë në jetë një krim të kësaj natyre. Silenciatori dhe zhdukja pa lënë gjurmë, është një tjetër mënyrë e sofistikuar, që jo rrallë këtë vit ka bërë që policia jonë të mos jetë në gjendje të zbulojë autorët e krimit. Ekzekutimi i një biznesmeni në Durrës apo e dy të rinjve në Tiranë janë shembuj të vënies në jetë të armëve të pajisura me shmangës zhurme. Ky i fundit jo gjithmonë ka funksionuar, si në rastin e Leonard Priftit në Lushnjë, i cili u zbulua nga shoqëruesit e viktimës së tij.

    Mesazhi

    Analizuesi më i mirë dhe kundërshtari më i fortë i mafies, Xhovani Falkone, në librin e tij “Cose di Cosa Nostra”, thoshte se gjithçka në mafia ka një mesazh. Një nga pasuesit e Falkones në Itali, Pier Luixhi Vinja, argumenton të njëjtën gjë. “Ligjin ndërkombëtar të vrasjeve” që përcjell mesazh në botën në të cilën kryhet, e kanë përvetësuar edhe vrasësit në Shqipëri. Falkone i jepte shpjegime të ndryshme mënyrave të ndryshme të vrasjeve. Gjuhën e këtyre të fundit ai arriti ta mësonte nga “të penduarit” që vendosën të tregojnë gjithçka. Lidhja këmbë e duar me zinxhirë, gjymtimi i viktimës, mbytja me litarë, zhdukja e kufomës, breshëritë e kallashnikovit e mjaft të tjera janë edhe mënyrat që zgjedh krimi për të përcjellë mesazhin e tij, për të treguar sa është i fortë e gjithashtu për të trembur kundërshtarët. “Normalisht organizatat kriminale preferojnë një krim të heshtur të tipit mbytje me litar, i cili tërheq më pak vëmendjen, lë pak shenja dhe jep mesazhe të qarta”, thotë kreu i antimafies italiane në një analizë që u bën krimeve. Rastet e një krimi të tillë në Shqipëri janë disa vrasje me silenciator dhe vrasja së fundmi e Klajdi Prengës. Mesazhi sigurisht i drejtohet rivalëve të botës së krimit dhe vetëm mes tyre grupet e dinë se çfarë do të thotë ai. “Por ndonjëherë mafia ka nevojë të japë një mesazh të fortë, ky mesazh jepet duke thyer heshtjen me të cilën zakonisht ajo rrethon veten”, thotë Vinja në analizën e tij. Eksplozivi është shembulli më i shpeshtë i dhënies së këtij mesazhi, por duhen llogaritur edhe breshëritë e kallashnikovit që masakrojnë viktimat. Dy atentate me eksploziv, njëri prej të cilëve i mori jetën atentatorit dhe dy vrasje me kallashnikov, tregojnë se edhe kjo metodë është përdorur nga mafia shqiptare.

    Në shembullin e Cosa Nostrës

    Në shembullin e Italisë fqinje, Shqipëria vendosi të miratonte një ligj kundër krimit të organizuar. Por krimi i organizuar shqiptar ishte i pari që mori mësime nga mafia e vjetër italiane. Sipas analizave të ndryshme të krerëve të policive të vendeve të ndryshme, mafien shqiptare e kishin ndërtuar persona që më parë kishin punuar, si “çirakë” në klanet mafioze italiane. Në një nga analizat e antimafies italiane, thuhet se për nga dhuna dhe struktura krimi i organizuar shqiptar kishte adoptuar metodat e “Ndraghetës”. Nga ana tjetër, një ndër veçoritë e krimit mafioz shqiptar apo edhe të huaj, duket se janë krimet ndaj personave që për një kohë të gjatë kishin emigruar jashtë vendit, e që për të larë hesapet zgjedhin Shqipërinë, ashtu si italianët zgjidhnin Siçilinë.

    Te dhena per krimet

    Atentatet e kryera në mënyrë të sofistikuar dhe nga persona po kaq të sofistikuar tregojnë se bëhet fjalë për vrasje të përgatitura nga specialistë

    Emrat e viktimave dhe dyshimet rreth motiveve se përse ata duhej të vriteshin, që nga ai i mospagimit të gjobës e deri në hakmarrje

    Mosgjetja e arsyeve në pjesën më të madhe të krimeve të ndodhura në kohët e fundit në qytete të ndryshme

    Fakti që një pjesë e vrasjeve mendohet të jenë kryer me pagesë nga persona të përgatitur për të vrarë

    Mënyrat e ekzekutimit, eliminimi me silenciator dhe mungesa e gjurmëve, mënyra se si fshihet kufoma e simbolika të krimit të organizuar


    Kreu i antimafies italiane, Pier Luixhi Vinja

    Sipas meje, mafia shqiptare është e fuqishme për dy arsye: para, sepse ka qenë e aftë të praktikojë më shumë se një formë kriminaliteti, fjala vjen armët, lëndët narkotike, qeniet njerëzore. Mafia shqiptare është tepër e dhunshme, në krahasim me grupet e tjera kriminale në Itali, aq sa në disa zona të territorit tonë shqiptarët kanë marrë pushtetin mbi grupet e tjera të huaja kriminale. E dyta, mafia shqiptare është e rrezikshme edhe për disa lloje trafiqesh p.sh., ato të lëndëve narkotike, e cila shërben si një lloj strukture shërbimi për organizatat tona kriminale.

    Zëvendësprokurori i antimafies italiane, Françesko Mandoi

    Në të vërtetë shqiptarët në Itali kanë mësuar dobinë e të qenit mafioz, këtu qëndron ndryshimi. Nuk kanë mësuar mafien. Ata kanë mësuar se u leverdis të jenë mafiozë e se kështu fitojnë shumë, kështu grumbullojnë pushtet, kështu drejtojnë ekonominë dhe kushtëzojnë policët. Pra, me pak fjalë, shqiptarët nuk mësuan mafien, mësuan leverdinë e saj.

    Zëvendësdrejtori i FBI-së për krimin e organizuar, U. Uilliam

    Kohët e fundit, gangsterët shqiptarë kanë marrë kontrollin në territoret e disa familjeve mafioze në Nju-Jork, të cilat u dobësuan disi mbas hetimeve të FBI-së. Për vite me radhë, gangsterë nga Ballkani, veçanërisht nga Shqipëria, janë përdorur nga mafia amerikane për punë të pista, të tipit vrasje apo rrëmbime. Kështu, organizatat kriminale shqiptare, të cilat operojnë kryesisht në Nju-Jork, por edhe në qytete të tjera lindore të SHBA-së paraqesin një problem serioz për agjentët federalë.

    Në SHBA, e para mafia shqiptare

    E para organizatë shqiptare me karakteristika mafioze është ajo që u zbulua dhe u godit nga FBI-ja në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E drejtuar dhe e organizuar nga dy shqiptarë, njëri prej të cilëve ende në kërkim. Grupi arriti të nxirrte jashtë loje një nga familjet e vjetra mafioze të Bronskit dhe u bë një nga organizatat më të fuqishme të zonës. Ajo mori në kontroll bastet e paligjshme, prostitucionin, narkotikët, gjobat mbi tregtarët dhe një sërë aktivitetesh të tjera, karakteristike për Cosa Nostran. Një nga krerët e organizatës, Miri Patani, është një nga më të kërkuarit e FBI-së.

    Zhdukja dhe vrasja e Behar Kastratit

    Më 7 korrik familja denoncon zhdukjen e mjekut Behar Kastrati. Hetuesit dhe policia nuk arrijnë të zbardhin asgjë mbi vendndodhjen e mjekut pediatër dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Hasit, derisa trupi i tij gjendet i lidhur në një shtyllë betoni, ku më parë ai ishte mbytur me litar. Askush nuk mund të thotë se kemi të bëjmë me një krim mafioz, pasi deri më tani motivet nuk janë të qarta. Fillimisht e vetmja pistë bindëse ishte ajo politike, arsyeja se ndodheshim vetëm pak ditë pas zgjedhjeve. Por për hetuesit një pistë e tillë nuk është e para. Hetimet zbardhin të tjera motive, se përse mund të ishte rrëmbyer mjeku. Fakti që askush nuk kërkoi dëmshpërblim, tregoi që në fillim se ai nuk ishte mbajtur peng. Dyshimet arritën deri aty sa të thoshin se ai mund të ishte larguar me dëshirë. Por shpejt u bë e qartë e kundërta. Pyetjes së ku ndodhej Kastrati, prokurorët mundën t’i përgjigjeshin vetëm kur Fierza u tërhoq mjaftueshëm saqë e la trupin të dilte në sipërfaqe. Ekspertiza që iu bë viktimës tregoi se ai ishte Behar Kastrati, se para se të vritej kishte pësuar dhunë dhe se në trupin e tij u gjetën shenja thyerjesh e mjaft të tjera. Ekspertiza zbuloi gjithashtu se më parë Kastrati ishte mbytur me litar. Nga ana tjetër, ata që e kishin hedhur në ujërat e liqenit, kishin menduar se trupi nuk do të dilte në sipërfaqe, e për t’u siguruar e kishin lidhur me një shtyllë betoni 1.5 metra të gjatë.

    Vajdin Lame

    Më 1 mars të këtij viti, një shpërthim i telekomanduar me celular, vret Vajdin Lamen dhe një tjetër biznesmen. Eksplozivi ishte vendosur në ashensor dhe askush nuk dyshoi se bëhej fjalë për një punë mjeshtërore. Policia nuk mund të thotë as sot se cilat ishin motivet dhe arsyet e këtij atentati.

    Enver Rabiaj

    Më 5 mars, Rabiajt i shpërthen në duar eksplozivi i përgatitur për të bërë një atentat. Rabiaj dyshohet si eksponent i një grupi kriminal të njohur në qytetin e Lushnjës, gjithashtu me disa precedentë penalë. Shënjestra e Rabiajt mendohet të ketë qenë një ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

    Leonard Prifti

    I njohur si pjesëtar i bandës së Lushnjës, Prifti vritet më 4 korrik 2005, pak minuta pasi kishte kryer ekzekutimin me pistoletë me silenciator të një prej rivalëve të tij. Prifti u qëllua nga personat që shoqëronin viktimën e tij, të cilëve nuk mundi t’u ikë, pasi kishte kryer vrasjen.

    Florian Kulla

    Biznesmeni nga Tirana vritet më 1 gusht me silenciator në plazhin e Durrësit. Askush nga pushuesit nuk arriti të kuptonte ngjarjen. Gjithçka u krye në mënyrë profesionale dhe vrasësi mundi të largohej i qetë nga plazhi, pa lënë asnjë shenjë të asaj që kishte ndodhur. Motivet e ngjarjes, mbetën të pazbardhura.

    Elvis Tafani

    Më 1 gusht, dy grupe të ndryshme të përplasur me parë me njëri-tjetrin në trafiqe droge, përleshen me armë në Përrenjas. Një person mbetet i plagosur, ndërsa dy të tjerë, mes të cilëve dhe Tafani, humbin jetën. Ngjarja u cilësua nga policia si një larje hesapesh mes bandash. I arrestuar për ngjarjen është vetëm një nga atentatorët.

    Klajdi Jaho

    Dy persona të armatosur qëllojnë më 2 gusht mbi basketbollistin Klajdi Jaho. Ky i fundit ishte dëshmitar i një vrasjeje të dyfishtë nga ana e një grupi mafioz. Familjarët e viktimës, protestojnë dhe kërkojnë që policia të arrestojë pjesëtarët e një bande të mbiquajtur “Çobejtë”.

    Fation Naxhaku

    Më 3 gusht gjendet i vdekur, i qëlluar me pistoletë me silenciator pranë shkollës Fation Naxhaku. I sapoardhur nga Franca, Naxhaku dyshohej për pjesëmarrje në trafik droge, por edhe si ekzekutues. Vrasësi i tij u identifikua dhe është në kërkim. Burime nga polica thonë se bëhet fjalën për larje hesapesh.

    Julian Agolli

    Larje hesapesh dhe hakmarrje, janë motivet e përfolura për vrasjen e ndodhur më 15 gusht në Laprakë të Tiranë. Julian Agolli u qëllua me silenciator në mbrëmje dhe askush nga fqinjët e tij apo njerëzit që ndodheshin në afërsi të vendit nuk arritën të shihnin autorët që u larguan me një motor. Asnjë nga atentatorët nuk është identifikuar.

    Rezart Çela

    Më 18 gusht ekzekutohet me një breshëri kallashnikovi në qytetin Elbasanit Rezart Çela. Ky një biznesmen, por edhe i njohur për precedentë penalë në polici. Motivi i dyshuar për këtë ngjarje është larja e hesapeve. Burime nga policia thanë se nuk kishte ende persona të identifikuar si autorë të krimit.

    Klajdi Prenga

    Zhduket në mesnatën e 22 gushtit Klajdi Prenga. Fqinjët dëgjojnë zhurma dhe thirrjet për ndihmë të të riut. Tri ditë pas denoncimit të së ëmës, Prenga gjendet i vdekur, i hedhur në një kanal dhe i lidhur me zinxhirë në shpinë. Ekspertiza vërtetoi se para se të vritej ishte torturuar e në fund goditur me një plumb në kokë. I riu kishte pasur një sërë problemesh.

  2. #2
    Mafia sa vjen e sofistikohet duke mesuar se si te mos lere gjurme apo se si ti fshehi faktet apo edhe si tja vere fajin dikujt tjeter me ane fakteve ..keto jan metoda te saj , por ama ne ditet e sotme kur teknologjia ka arritur nje faze te larte zhvillimi (shyqyr zotit) eshte mee lehte te gjenden ata qe e bene vrasjen , duke ju vene rendesi detajeve , fakteve , investigimeve te ndryshme , dhe me ADN mund te gjenden biles eshte menyra me efikase ...por fatkeqesisht kjo lloj teknologjie nuk eshte e perhapur kudo pervec se ne vendet e perparuara si Shba 'ja ...keshtu qe ne Shqiperi eshte me e lehte per ti shpetuar krimit plus dhe faktit qe krimi eshte i mbeshtetur nga vete polcia e korruptuar , politikanet e miqte e tyre ......pesimiste shume eshte kjo ceshtje .....
    albanian

  3. #3
    Bogdan Chmielnicki Maska e antares
    Anëtarësuar
    19-08-2004
    Vendndodhja
    Ukraine
    Postime
    880
    Mungesa e "analizave te ADN" nuk e pengoi "Prefektin e Hekurt", qe me "carta bianca" nga Musolimi per arrestime internime e pushkatime e uli krimin mafioz ne Sicili e me gjere me 70%!
    Eshte thjesht ceshtje e vullnetit politik! Mos harroni se "Qeveria e kap lepurin me qerre!
    Apo "Me ujin, zjarrin e qeverine mos u ngatrro!"
    Per sa kohe te mos kete nje klase politike te shendoshe, keta "bashkeudhetare te kapitalizmit fitimtar" mbas qafe do i kete Shqiperia!
    "The United States appear to be destined by Providence to plague America with misery in the name of liberty"
    -Simón Bolívar

  4. #4
    Citim Postuar më parë nga antares
    Mungesa e "analizave te ADN" nuk e pengoi "Prefektin e Hekurt", qe me "carta bianca" nga Musolimi per arrestime internime e pushkatime e uli krimin mafioz ne Sicili e me gjere me 70%!
    Dajaku ka dal nga xheneti ...lol keshtu e do nje prefekt te hekurt edhe Shqiperia .... megjithate prap drejtesi perfekte nuku ka ... ... se kush do e perkrahte ate prefektin ? kur te gjithe jan kundra ? dmth sdo kishte aleate ...apo jo
    albanian

Tema të Ngjashme

  1. Theofan Stilian Noli: Jeta dhe veprat e tij
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 15-11-2022, 22:39
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  3. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  4. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •