Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Bebiiiiiii dove je? Maska e TiLoNcE
    Anëtarësuar
    11-05-2003
    Vendndodhja
    tu bo not
    Postime
    1,116

    Të mësosh aktrimin njëherësh me abetaren

    Dikur talentet shuhehin si shkëndija në errësirë. Jepnin ca shenja në rrethin e vogël të shokëve dhe familjes e humbnin. S'kishte shkolla, s'kishte vëmendje. Ndërsa sot, të apasionuarit pas interpretimit mund të marrin mësime që në moshën 6- vjeçare.

    Mësuesi i parë i aktrimit për fëmijë, Leonard Bombaj: “ Po të kisha pasur mundësi që në vegjëlinë time të ndiqja kurse apo shkollën e aktrimit, sot do të isha shumë herë më i mirë ose, le të them, se do të isha aktori më i mirë në Shqipëri”

    Mund të quhet pa mëdyshje një pionier. Për herë të parë ka hapur në Shqipëri një shkollë aktrimi për fëmijë. Po bën realitet ëndrrën e tij të vegjëlisë. Nëse do të kish pasur mësues që në fëmijëri, ndoshta e sotmja e tij do të ishte shumë më e spikatur. Leonard Bombaj, aktori dhe regjisori i mirënjohur, ideatori dhe prezantuesi i spektakleve, filmave dhe projekteve në fushën e kinemasë e televizionit, rrëfen se si ka nisur të materializojë ëndrrën e tij të dikurshme. 200 fëmijë nga 6-14 vjeç ndjekin “Sirea Film”, një shkollë e sapohapur prej tij dhe janë të befasur nga vetvetja. Papritur para tyre iu është hapur një botë që u ngjan ëndrrave. Po çfarë ndodh në shkollë, cilat janë marrëdhëniet e Bombajt me fëmijët dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre? Leonardi rrëfehet në këtë intervistë ekskluzive për “Spektër”.

    A është e lodhshme puna me fëmijët?

    Aspak. Kur punon me fëmijët ke shumë avantazhe sepse ata, në radhë të parë, kanë një mbështetje fantastike nga prindërit e tyre. Fëmijët janë në atë moshë që nuk kanë dyzime dëshirash siç ndodh me adoleshentët, ndaj përqendrimi i tyre është aq i madh sa mjaft t'i ngacmosh pak në ëndrrat e tyre dhe ata i ke bërë befas aletatë të besuar.

    Ku keni hasur vështirësi në këtë projekt?

    Vështirësi kam hasur me promovimin e këtyre fëmijëve. Ata sapo mbarojnë kursin të shohin në sy për të ditur se ç'do të bëhet me ta. Po kështu edhe prindërit e tyre. Duket sikur jemi një autobuz që i mbledh këta fëmijë dhe duhet t'i shpërndajë në pika të ndryshme. Në të njëjtën kohë kam marrë përsipër të shndërrohem në një lloj “sindikate mbrojtëse” në mënyrë që askush nga ata që punon me fëmijët e mi të mos i stërmundojë apo të arrijë deri tek shfrytëzimi. Shpesh ndodh që xhirimet fillojnë që me natë dhe fëmijët nuk duhet të punojnë më shumë se 6 orë në ditë. Gjithashtu jam përpjekur që fëmijët të mos shfrytëzohen për foto pak të përshtatshme apo të bien pre e ngacmimeve të ndryshme.

    Sa kushton për një fëmijë që dëshiron të ndjekë kursin apo shkollën tuaj?

    Dua të theksoj se ende nuk mundemi që këtë projekt ta quajmë shkollë, megjithëse brenda ajo i ka të gjitha elementët e saj. Po ju them se mjafton që prindërit të heqin dorë nga një kafe, apo të kursejnë nga cigaret e tyre dhe shpenzimet për këtë kurs bëhen të përballueshme.

    A është e vështire t'i thuash një fëmije, i cili dëshiron të ndjekë rrugën e artit, që nuk është i vlefshëm dhe çfarë të dhënash duhet të ketë një fëmijë për t'u bërë pjesë e projektit tuaj?

    Të gjithë fëmijëve u kemi bërë të qartë se asnjëri prej tyre nuk është “Yll” dhe kjo bëhet për të zbutur efektin e keq që mund të sjellë një e ardhme jo e suksesshme në këtë fushë. Por fëmijëve gjithashtu u kemi shpjeguar se të gjithë së bashku ata janë “Yje”, por secili ka diçka më të mirë nga tjetri, ndaj u mbetet atyre për ta zbuluar dhe për ta tejkaluar shokun.

    Në fillim, pranimi i fëmijëve bëhet pa asnjë lloj dallimi. Kjo sepse edhe vetë programi i të madhes Viola Spolin tregon se as prindërit as pedagogët dhe as fëmija vetë nuk e di se çfarë fshihet brenda tij.

    Kështu vendimi ose përgjigjja në lidhje me vazhdimësinë e aktivizimit të fëmijëve nuk jepet kurrë e nxituar apo pas vetëm një prove. Në dy muaj përpjekje për t'i bërë ata të vlefshëm për këtë projekt, përdorim një program shumë të kujdesshëm kualifikimi ku për secilin fëmijë, tregojmë se ku i ka të dhënat më të shumta. Përgjigjja më negative që mund të japim është: se fëmija ende nuk ndjehet i përgatitur për t'u paraqitur në një shfaqje.

    Askush nuk mund ta thotë me siguri fjalën e fundit, unë mbi shpatullat e mia kam provuar këtë gjë. Gjykimet e nxituara të pedagogëve kanë shpallur talente që më vonë nuk shkëlqyen kurrë, ashtu si tek disa të tjerë është vënë gishti si të patalentuar dhe në të vërtetë sot janë aktorë të njohur.

    A janë ambiciozë fëmijët dhe a e ndiejnë në këtë moshë konkurrencën?

    Tek këta fëmijë duhet të përmend etikën profesionale me të cilën dinë të punojnë. E them me bindje se konkurrenca tek ata ekziston sepse gjithnjë i kam bërë të qartë seriozitetin që kërkon çdo rol. Në të kundërt, ai kthehet në një mundësi të humbur, e cila mund të mos rikthehet kurrë më. Gjatë provave, kur dikush është shumë mirë në interpretim, fëmijët duartrokasin për të, kjo gjë i shtyn ata t'i përkushtohen studimit, prej nga presin që nesër të jenë ata të duartrokiturit.

    Cila është mosha kufi që një fëmijë të interpretojë?

    Përgjithësisht në moshën 6 vjeç, por kam parë dhe kam dëgjuar për raste kur fëmijë të moshës 4 vjeçe realizojnë disa gjëra që në gjuhën tonë quhen lojëra aktrimi.

    Më trego se cila është pika më e fortë në programin tuaj të mësimdhënies?

    Mendoj se është improvizimi. Këtë ia kam rekomanduar fëmijëve dhe kam parë se ka funksionuar shumë mirë.

    A ka ndikuar kërkesa e tregut për t'i drejtuar fëmijët më shumë tek spektakli televiziv, sesa drejt teatrit?

    Qëllimi i kësaj shkolle është që fëmijët të mos u shtohen radhëve të gjata të studentëve që mbarojnë shkollën e dramës dhe nuk kanë mundësi të punojnë në profesionin e tyre. Me anë të projekteve të shpeshta unë synoj që këta fëmijë t'i mbaj të angazhuar në aktivitete të ndryshme. Por terreni që ofrohet rreth e qark është shumë i ashpër. Kinemaja shqiptare vazhdon të jetë në reanimacion dhe mundësitë më të mëdha janë në televizion. Kjo është arsyeja që fëmijët dua t'i modifikoj në mënyrë që të jenë të vlefshëm edhe për ekranin e televizionit. Madje së fundi me ta po punoj për një ofertë që na jep mundësinë që fëmijët të dublojnë. Tregu është ai që të udhëheq, megjithëse këta fëmijë janë kërkuar edhe për disa filma, ndërkohë që mundësinë për t'u shfaqur në teatër ende nuk e kanë pasur.

    A mund të themi se këta fëmijë janë të punësuar apo thjesht zbaviten?

    Në një farë mënyre ata po punojnë, ose më mirë të themi se ata zbaviten duke punuar.

    A jeni i rreptë dha sa të disiplinuar janë fëmijët?

    E pranoj se jam shumë i rreptë në dhënien e mundësisë dhe ndihmës ndaj më të mirëve. Këtë e kam të bazuar tek e shkuara dhe formimi im artistik. Programi i kursit i përmbahet etikës në marrëdhëniet me fëmijët, e cila nuk bie më poshtë se normat e shkollave më të mira në botë. Artistët e vegjël kanë lirinë e të shprehurit dhe mund të shprehin lirshëm opinionet e tyre, pa u ndaluar nga mësuesit, të cilëve u është ndaluar të bëjnë komente personale mbi talentin apo aftësitë e nxënësve.

    Po fëmijët me talent mesatar, por që kanë mbështetje të pakursyer financiare nga prindërit, a mund të bëhen dikushi në art?

    Kjo pyetje mund të hapë një diskutim të gjatë, megjithatë po përgjigjem shkurt. Në qoftë se fëmija dërgohet në një shkollë të mirë private, ndjek kurse aktrimi, kanto, plastikë apo joga, sigurisht që do të bëhet një sfidant shumë i fortë kundrejt një fëmije të talentuar, por pa mbështetje.

    Unë nuk iu besoj fryrjeve që u bëhen disa personazheve të skenës në revista, gazeta apo televizione duke i mbiquajtur si ”i madhi”, ” i bukuri” apo ” i pazëvendësueshmi”. Di të them prej tyre disa emra, që sot janë të njohur në biznesin e spektaklit shqiptar. Ata janë të vetmit, por jo më të mirët, ”të vetmit” për ta, do të thotë të vetmuarit.

    Si janë raportet tuaja me prindërit që sjellin fëmijët në kursin tuaj?

    Deri tani kam pasur të bëj me rreth 200 prindër dhe pjesa dërrmuese e tyre ka qenë aleate shumë e vlefshme. Ndihma e tyre ka qenë e madhe për mua dhe gjithë projektin që unë udhëheq. Me ta jemi marrë vesh për të eliminuar disa ndërhyrje, qoftë edhe të vogla apo ”diplomatike” në lidhje me përkrahjen apo mbështetjen e njërit fëmijë më shumë sesa një tjetri. Megjithatë ende nuk e ndiej veten të aftë të menaxhoj ”debulesën prindërore”.

    Cili është plani juaj artistik më i afërt?

    Bëhet fjalë për të sjellë bashkë me fëmijët një musikal. Synoj që ky musikal të jetë i vërtetë dhe të ketë një mbështetje serioze. Nuk më pëlqen të shikoj fëmijë në skena bosh ku dekoret janë të lyera thjesht me bojë dhe të jenë të veshur me disa kostume ”petashuqe” prej bezeje. Unë do të përpiqem me të gjitha forcat që ky musical me titullin ”Kripmjaltëzat” të vijë me të gjitha parametrat e plotësuara, dekorin, dancin, aktrimin dhe elementet muzikore. Shkurt, unë dua të bëj musical-in e parë serioz për fëmijë në Shqipëri.

    Nga qendra “Sirea Film” janë të shumë fëmijët artistë të cilët me sukses kanë prekur ëndrrën e tyre më të dashur, skenën. Por këtë radhë ne kemi ndaluar për një bisedë vetëm tek dy prej tyre, ata janë Ajselda dhe Bonaldi. Me ta publiku u njoh këndshëm në spotin për fushatën zgjedhore, ku fëmijët u tregonin të rriturve rregullat se si duhet të votonin. Ndonëse spotet elektorale vinin shpesh të rënduar nga emocionet politike, këta fëmijë- aktorë me talentin e tyre arritën të zbusnin situatën dhe mesazhin ta sillnin me nota të pranueshme.

    Për ta nuk ishte intervista e parë dhe kërkonin të tregoheshin sa më të lirshëm, në qëndrimin e tyre, ku nuk përjashtohej lehtë emocioni që i bënte të ngjanin si në ditën e parë të shkollës.

    Megjithatë, mosha e pafajësisë i bën që në jetë ta kenë më të vështirë të interpretojnë sesa në skenë apo ekran, ku ata janë krejt ndryshe. Ndoshta sepse atje bëhen pjesë e një bote ideale ku natyra i ka përzgjedhur të jetojnë falë talentit që iu ka dhuruar.

    Por megjithëse të vegjël ata kanë kuptuar se në art është puna ajo që talentin e gdhend duke e kthyer në një armë të butë, e cila përherë të çmon si fitimtar. Ata nuk pranojnë ta quajnë aktrimin zbavitje, ndonëse ai i ka bërë borxhlinj ndaj lodrave të fëmijërisë, të cilat për hir të pasionit, fëmijët i kanë anashkaluar pa shumë keqardhje.



    Intervista



    Dëshiroj një rol ku duhet të qaj



    (1)

    Emri Ajselda Xhaxhaj

    Mosha 11 vjeçe

    Si të lindi dëshira për t'u marrë me aktrim dhe me spektakël?

    Kur kam qenë 6 vjeçe, gjithnjë më pëlqente të imitoja aktoret e njohura. Më pas në shkollën time erdhi profesori Leonard Bombaj, i cili na ftoi që sipas dëshirës, të ndiqnim kursin për aktorë. Unë menjëherë u tregova prindërve për këtë rast dhe njëkohësisht për dëshirën time të madhe për t'u bërë aktore.

    Kujt mendon se i ke ngjarë në familje për talentin tënd?

    Mendoj që askujt, unë jam e para që kam nisur këtë rrugë.

    Kush është këngëtari apo këngëtarja e preferuar që të bën të kërcesh?

    Megjithëse jam me origjinë nga Mallakastra e egër, më pëlqen këngëtarja e shqipërisë së mesme Valbona Mema.

    Aktori i preferuar?

    Kadri Roshi.

    Çfarë të pëlqen dhe nuk të pëlqen të shohësh në ekran?

    Më pëlqen shumë të shoh filma, sidomos ato që i drejtohen moshës time dhe nuk më pëlqen të shoh lajmet.

    Cili është ushqimi yt i preferuar?

    Embëlsirat.

    Kush kujdeset për pamjen tënde të jashtme.

    Unë kujdesem vetë por një ndihmë të madhe dhe shumë këshilla i marr nga mamaja ime. Në fund të fundit, është ajo që m'i blen veshjet.

    Sa vjeç ndihesh?

    Ndihem më e rritur seç jam, më duket sikur jam 20 vjeç.

    Çfarë mendon për moshatarët e tu që nuk merren me art?A ndihesh ndryshe prej tyre?

    Natyrisht që ndihem pak ndryshe, sepse po vazhdoj këtë shkollë aktrimi, por kështu ndjehem mirë dhe këtë gjë që po bëj ua këshilloj edhe moshatarëve të mi.

    A je e njohur?

    Po , mendoj se tani jam bërë e njohur dhe kjo gjë më pëlqen.

    Ka qëlluar të debatosh ndonjëherë me profesor Leonardin?

    Për të debatuar, jo. Megjithëse ndonjëherë kur gabonim, ai është nervozuar me ne. Kjo gjë ndodhte në fillim, tani jemi mësuar me njëri-tjetrin.

    Deri tani cilat nga rolet e tua i mban mend si më të bukurat?

    Roli tek “Kripëmjaltezat”, ku personazhi im kishte shpikur një krijesë e cila nuk mbijetoi gjatë.

    A të pengon aktiviteti artistik për mbarëvajtjen në shkollë?

    Të them të vërtetën, marrja me aktrim nuk më pengon aspak në detyrimet e mia ndaj shkollës. Mësueset shpesh më përgëzojnë për rolet ku unë interpretoj.

    Çfarë të pëlqen të interpretosh?

    Më pëlqejnë shumë filmat dramatikë dhe ato momente ku aktoret derdhin lotë, ndaj do të dëshiroja të isha protagoniste në një rol ku do të më duhej të qaja.

    A ka ndonjë aktore të cilës ti dëshiron ti ngjash?

    Mendoj se e bukura e këtij profesioni është të jesh origjinale, kështu që nuk kam marrë si shembull asnjë nga aktoret e njohura.

    Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?

    Natyrisht që aktore, por nëse nuk ia arrij do të studioj për avokate.

    Po në kohën e lirë me çfarë të pëlqen të merresh?

    Kohën e lirë e kam të lidhur me pasionin tim. Më pëlqen të shoh filma të ndryshëm apo të lexoj materiale të cilat më pëlqejnë, por që shpesh m'i rekomandon edhe profesor Leonardi. Por ashtu si të gjithë moshatarët e mi, më pëlqen të luaj edhe në natyrë apo në kënde lojërash.

    Si të duken të rriturit, çfarë nuk të pëlqen tek ata?

    Nuk më pëlqen kur dëgjoj prej tyre fjalë banale.

    Duke ditur se në botën e artit ka shumë ambicje, megjithëse je e vogël, a të ka qëlluar të jesh paksa xheloze për ndonjë shoqen tënde?

    Me shoqet “kolege” nuk ka qëlluar të bëhem xheloze për ndonjë rol të veçantë. Madje edhe nga ana e tyre nuk kam ndier kurrë xhelozi ndaj meje.

    Suksese

    Faleminderit.


    Dua të luaj aksion dhe horror

    (2)

    Emri, Bonald Përlokaj

    Mosha, 10 vjeç

    Si të lindi dëshira për t'u marrë me aktrim dhe me spektakël?

    Mua më pëlqente shumë tek shikoja fëmijët që këndonin, interpretonin dhe bëheshin të njohur prej spektaklit “Gjeniu i vogël”. Gjithashtu mamaja ime i shikonte ata fëmijë të talentuar dhe bënte shpesh komplimente. Ditën që profesor Leonardi erdhi në klasën time, unë menjëherë vendosa të hyj në kursin e tij të aktrimit dhe lajmërova mamanë që edhe unë do të nisja rrugën e artit, por si aktor.

    Kujt mendon se i ke ngjarë në familje për talentin tënd?

    Askush nuk është marrë me aktrim përveç meje, unë jam i pari.

    Kush është këngëtari apo këngëtarja e preferuar që të bën të kërcesh?

    Këngëtari im i preferuar është Ermal Fejzullahu, ndërsa rryma që kërcej me qejf, është hip-hop.

    Aktori i preferuar?

    Leonardo Di Caprio.

    Çfarë të pëlqen dhe nuk të pëlqen të shohësh në ekran?

    Më pëlqejnë filmat dhe nuk më pëlqen kronika e zezë në edicionet e lajmeve.

    Cili është ushqimi yt i preferuar?

    Më pëlqejnë mezet.

    Kush kujdeset për pamjen tënde të jashtme.

    Pamja e jashtme ka shumë rëndësi dhe mua më pëlqen të jem i veshur bukur. Për zgjedhjen e rrobave të mia kujdeset dhe m'i blen mamaja, por edhe daja që m'i sjell nga Gjermania.

    Sa vjeç ndjehesh?

    Të them të drejtën unë ndjehem 23 – 24 vjeç.

    Çfarë mendon për moshatarët e tu që nuk merren me art?A ndjehesh ndryshe prej tyre?

    Mendoj se na pëlqejnë gjëra të ndryshme, megjithatë për ta provuar rrugën e artit unë i ftoj të gjithë, që nga vëllai im e deri tek shokët. Kur ata më përgëzojnë për rolet e mia, gjithmonë u them se duke ndjekur shkollën e aktrimit edhe ata do të arrijnë të krijojnë diçka të tillë.

    A je i njohur?

    Po , të gjithë më njohin dhe më përshëndesin rrugës.

    Ka qëlluar të debatosh ndonjëherë me profesor Leonardin?

    Debate asnjëherë, shkojmë shumë mirë.

    Deri tani cilat nga rolet e tua i mban mend si më të bukurat?

    Më ka pëlqyer roli i një shkencëtari vjedhës, por edhe imitimi i gazetarit Arjan Çani.

    A të pengon aktiviteti artistik për mbarëvajtjen në shkollë?

    Jam shumë mirë me mësime, kjo tregon se aktiviteti artistik nuk më ka penguar në lidhje me shkollën. Tani që jam bërë i njohur drejtori i shkollës më porosit që në intervista të mos harroj pa përmendur shkollën ku unë mësoj.

    Çfarë të pëlqen të interpretosh?

    Më pëlqejnë filmat horror dhe me aksion, ndaj do të ishte një gjë shumë e bukur sikur një ditë të isha aktor kryesor në një film të tillë.

    A ka ndonjë aktor të cilit ti dëshiron t'i ngjash?

    Kam parë së fundi filmin “Costantine” dhe interpretimi i aktorit Keanu Reeves më ka pëlqyer shumë. Një rol të tillë do ta luaja me shumë dëshirë.

    Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?

    E kam vendosur, do të bëhem aktor. Po nuk ia arrita qëllimit, si profesion të dytë më pëlqen të bëhem mjek.

    Po në kohën e lirë me çfarë të pëlqen të merresh?

    Kohën e lirë e shpenzoj për t'u marrë me mësimet e aktrimit edhe me leximin e librave që profesorët na i rekomandojnë si shumë të nevojshëm.

    Si ju duken të rriturit, çfarë nuk të pëlqen tek ata?

    Shpesh të rriturit nuk me duken në rregull, p.sh ata e dinë se cigarja e dëmton rëndë shëndetin dhe vazhdojne ta pijnë atë pa ndalim.

    Duke ditur se në botën e artit ka shumë ambicje, megjithëse je i vogël, a të ka qëlluar të jesh paksa xheloz për ndonjë shok tëndin?

    Më pëlqen t'i arrij gjërat me punë dhe nuk më pëlqen të mendoj se jam më i miri, kështu qëndroj larg konkurrencës dhe xhelozive.

    Suksese

    Edhe juve.


    Si mori udhë ideja e mësimit për aktorët e vegjël. Emigrimi në Kanada dhe borxhi ndaj fëmijërisë e bënë Bombajn të hapte shkollën e munguar

    Profesori i talenteve

    Megjithëse Leonard Bombaj është një nga personazhet e njohur të spektaklit shqiptar, duket se një brengë e vjetër që lidhet me pasionin për aktrimin e bën të ndjehet ca ndryshe. Me shkollën “Sirea Film” ai ka kërkuar të shuajë kureshtjen për të ditur, sesa larg mund të arrijnë fëmijët e talentuar, të cilët qysh në hapat e tyre të parë drejt skenës, mbështeten nga mësues profesionistë. Kur ishte i vogël, rreth 12 vjeç, atij i pëlqente që kohën ta zinte me libra dhe pasioni për artin skenik kishte filluar të ndjehej fort. Por në atë kohë një shkollë aktrimi për fëmijët Shqipërisë i mungonte. Në vitin 1978 u mbyll edhe shkolla e mesme e kulturës, pa të cilën drejtimi i djaloshit ndryshoi krejtësisht dhe ai u bë nxënës i Politeknikumit. Kanadaja, ku Leonardi me familjen jetuan disa vjet, e ndihmoi atë të merrte përgjigje në lidhje me mungesën e një shkolle për aktorët e vegjël në Shqipëri, shkollë që në atë shtet funksiononte me sukses. Aty fëmijët përballeshin me terma profesionalë, të cilat në Shqipëri studioheshin në shkollën e lartë. Imagjinata e tij krijoi menjëherë përfytyrimin sesi do të ishin aktorët tanë, nëse do t'iu ishte dhënë mundësia për t'u perfeksionuar që në moshë të vogël.

    Kështu për Leonardin krijimi i një pakete teorike me ndërthurjen e leksioneve të universitetit me ato që mësoheshin në shkollat private, ishte një iniciativë e natyrshme. Kjo paketë u ushqye shumë edhe nga programi i Viola Spolin, e cila është krijuesja e shkollës së parë me fëmijë aktorë profesionistë në Hollivood.

    Tani kursi i fëmijëve aktorë në Shqipëri është një realitet dhe mban emrin “Sirea Film”. Aty mirëpriten fëmijë nga mosha 6 deri në 14 vjeç, studimi ndahet në tri nivele dhe përqendrohet në ushtrimet e aktrimit, fjala artistike, plastika, kamera dhe aktori, improvizimi dhe ndërtimi i mini-spektaklit. Pasi kalojnë të tria fazat, fëmijët specializohen në monologë individualë në skenë, në dance teatër dhe anglisht. Njëri prej aktiviteteve më të njohur të tyrë është spektakli me disa pjesë “Kripmjaltëzat”. Me shumë talent dhe me një origjinalitet që u mungon rëndom aktorëve të mëdhej, ata arritën të sjellin në ekran të gjitha elementet, të cilat kanë studiuar në kursin e ndjekur. Materialet e spektaklit ishin të autorëvë të huaj, ndonëse Leonardi me shumë dëshirë ka ftuar krijues shqiptarë të sjellin skenarë për fëmijë. Dëshira për ta vazhduar këtë spektakël me pjesë të tjera është e madhe, por problemet nuk kanë të sosur dhe fëmijëve bashkë me drejtuesit e tyre u duhet të përballen me konfuzionin ekonomik të Televizionit Publik Shqiptar. Leonardi me keqardhje tregon se ende nuk është shpërblyer për punën e tij dhe të fëmijëve nga ky institucion. Kjo mungesë serioziteti sjell për të dhe fëmijët një stepje për të ecur përpara në ato plane ambicioze, të cilat vazhdojnë t'i përgatisin me shumë përkushtim. Këtë iniciativë Leonard Bombaj ka dëshirë ta përkufizojë edhe si një lloj testimi ndaj institucioneve shtetërore dhe private, gjithashtu të masë kërkesën e tregut kundrejt fëmijëve të talentuar të skenës. Reagimi i tyre do të ishte vendimtar që “Sirea Fim” të kthehet nga një kurs aktrimi në shkollën e parë shqiptare për fëmijët artistë.
    o-le-le firma

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    20-09-2005
    Postime
    5
    Qyqja mi,ke vuajt te shkruash,pupupupupupu mi motra çfare tregimi moj nje ore ben qe ta lexosh mi ..!

Tema të Ngjashme

  1. 50 cent merr vlerësime të mira për aktrimin
    Nga Flori në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-02-2006, 13:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •